Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir mbrëmë ishte cak i sulmeve vandale me ç’rast janë thyer xhamat e godinës si dhe janë shënuar mbishkrime nacionaliste në mure si, “vdekje për shqiptarët”.
Autoritet policore kanë informuar shkurt se janë duke hetuar rastin pa dhënë detaje rreth aktorëve të mundshëm të veprimeve të tilla vandale.
Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir disa herë ka qenë cak i sulmeve vandale nga persona të panjohur të cilët kanë fshirë dhe mbishkrimin në tabelën ku shkruhet se – “këtu ndodhet muzeu i alfabetit”.
Përveç sulmeve, objekti i muzeut ndodhet në një gjendje aspak të mirë. Nga Ministria e Kulturës thonë se në vazhdimësi janë ndarë mjete për këtë institucion.
Bexhudin Shehapi, Sekretar shtetëror i Ministrisë së Kulturës ka thënë për mediat se nuk pajtohet me konstatimet se objekti i muzeut është në gjendje të mjerueshme dhe se i njëjti është lënë në harresë nga Institucionet.
“Unë nuk pajtohem me ju të nderuar gazetarë se aty është mjerim. Mbetet në fokus të interesimit tonë. Ne jemi prezent në vazhdimësi në këtë objekt. Faktet flasin se atje kemi shumë intervenime”.
Por, Avzi Mustafa kryetar i unionit të inteligjencës së shqiptarëve të Maqedonisë, thotë se përpjekjet e institucioneve të shtetit për të mbrojtur vlerat e këtij institucioni, lënë shumë për të dëshiruar.
“Ministria e Kulturës bën disa përpjekje për të mbrojtur këtë institucion, por jo në nivelin e duhur që duhet të këtë kjo shtëpi muze e cila paraqet një lapidar që shqiptarët duhet ta rruajnë me xhelozinë më të madhe”.
“Më duhet të theksoj se bëhet fjalë për një neglizhencë si nga Republika e Shqipërisë ashtu edhe nga Kosova të cilat kanë treguar shumë pak interesim për të ofruar ndihmë për të rindërtuar këtë shtëpi që nuk duhet harruar kurrë”, thekson Avzi Mustafa.
Do theksuar se Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir përballet dhe me çështjet e mos zgjidhjes së problemeve pronësore me lokalet afariste në hyrje të ndërtesës së muzeut.
Ndryshe në Muzeun e Alfabetit në Manastir është paraparë të shpalosen figura nga dylli dhe një koncert ku pritet të marrin pjesë personalitete nga jeta e politikës, arsimit, shkencës, kulturës. (REL)