Pretendimet për ushtrim dhune për ukrainasit që merren në pyetje nga ushtarët rusë. Shumë pengje ukrainase janë dhunuar, përdhunuar dhe kërcënuar, madje dhe qëlluar me armë. Kështu deklaron një ish-oficer ushtarak rus.
Konstantin Yefremov, oficeri më i lartë që ka folur hapur, i tha BBC-së në një intervistë se Rusia tani e sheh atë si një tradhtar dhe dezertor.
Në një vend në Ukrainën jugore, ai tha se “marrjet në pyetje, torturat vazhduan për rreth një javë”. “Çdo ditë, natën, ndonjëherë dy herë në ditë”. Yefremov u përpoq të jepte dorëheqjen nga ushtria shumë herë, por ai përfundoi duke u shkarkuar për refuzimin e kthimit në Ukrainë. Tani ai ka ikur nga Rusia. Duke përdorur fotografi dhe dokumente ushtarake të ofruara nga Yefremov, BBC ka verifikuar se ai ishte në Ukrainë në fillim të luftës – në rajonin e Zaporizhzhia.
Fytyra e Konstantin Yefremov dridhet sapo nis rrëfimin për gazetarin e BBC. Ndërkohë që ai ka shumë histori për të treguar, pasi deri para pak kohësh ishte një oficer i ushtrisë ruse. I dislokuar në Ukrainë vitin e kaluar, ish-togeri i lartë ka pranuar të tregojë për krimet që ai thotë se ka parë atje – duke përfshirë torturën dhe keqtrajtimin e të burgosurve ukrainas. Ai flet për shokët e tij që plaçkitën zonat e pushtuara të Ukrainës dhe përshkruan seancat brutale të marrjes në pyetje, të udhëhequra nga një kolonel rus, në të cilat burrat u qëlluan dhe u kërcënuan me përdhunim.
Më 10 shkurt 2022, Yefremov thotë se mbërriti në Krime, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia nëntë vjet më parë. Ai ishte kreu i një njësie të çminimit të Divizionit të 42-të të pushkëve të motorizuara – dhe zakonisht ishte i vendosur në Çeçeni, në Kaukazin e Veriut të Rusisë. Bashkë me njerëzit e tij u dërguan për të marrë pjesë në “stërvitje ushtarake”, thotë ai.
“Në atë kohë askush nuk besonte se do të kishte luftë. Të gjithë mendonin se kjo ishte vetëm një stërvitje. Jam i sigurt se as oficerët e lartë nuk e dinin.”. Yefremov kujton se kishte parë trupat ruse duke ngjitur shenjat e identifikimit në uniformat e tyre dhe duke pikturuar shkronjën “Z” në pajisjet dhe automjetet ushtarake. Brenda pak ditësh, “Z” ishte bërë simboli i asaj që Kremlini e quante “operacioni i tij special ushtarak”.
Ai pretendon se nuk donte të kishte të bënte asgjë me të.
“Vendosa të largohem. Shkova te komandanti dhe i shpjegova pozicionin tim. Ai më çoi te një oficer i lartë që më quajti tradhtar dhe frikacak. “Lëshë armën, hipa në një taksi dhe u nisa. Doja të kthehesha në bazën time në Çeçeni dhe të jepja dorëheqjen zyrtarisht. Më pas shokët më telefonuan me një paralajmërim. “Një kolonel kishte premtuar se do të më fuste në burg deri në 10 vjet për dezertim dhe ai kishte lajmëruar policinë.”. Yefremov thotë se thirri një avokat ushtarak, i cili e këshilloi të kthehej.
“Tani e kuptoj se duhet ta kisha injoruar këtë dhe të vazhdoja”, thotë ai. “Por kisha frikë se mos më futnin në burg”. Ai u kthye për t’u bashkuar me njerëzit e tij. Yefremov këmbëngul se ai është “kundër luftës”. Në vitin 2014, Rusia nuk u akuzua vetëm për orkestrimin e një kryengritjeje separatiste atje, por edhe për dërgimin e trupave të saj. Konstantini thotë gjithashtu se nuk ka marrë pjesë në operacionin ushtarak të Rusisë në Siri.
“Për tre vitet e fundit kam qenë i përfshirë në pastrimin e minave në Çeçeni, një vend që kishte përjetuar dy luftëra. Mendoj se puna që kam bërë atje ka përfituar njerëzit.”bw