Teksa po e shikoj një fjalim te zëvendës ministrit të Ministrisë së Mbrojtjes, të ndjerit Agim Mehmetit po më kujtohen shumë gjëra nga koha e luftës.
Citoj: „Kulmi i ligësisë dhe hipokrizisë së shtetit shqiptar të asaj kohe u arrit me datën 17 të nantit, kur bën bastisjen e lokaleve të Ministrisë së Mbrojtjes me qëllim kinse të kërkimit të armëve dhe këtë e bëri shteti shqiptar, të paktën bastisjen e bën personat me uniforma të shtetit shqiptar, e mund të kenë qenë edhe serb e grek apo të kamufluar, dhe pas pak ditëve ndodhi vrasja e Ahmetit, vrasje kjo e organizuar nga qarqet më të errëta antikombëtare. Drejtësia e shtetit shqiptar edhe sot pas 14 vjetësh nuk e zbardhi vrasjen. Vrasja e ministrit të mbrojtjes rrinë var në ndërgjegjen e kombit. Ata të cilët nuk kanë ndërgjegje nuk kanë as komb e atdhe”.
Duke u ndërlidhur me fjalët e të ndjerit Agim Mehmeti me të cilin kam pas raporte shumë të ndërtuara dhe miqësia jonë ka vazhduar edhe pas luftës në kohën kur ai ishte për pushime në Kosovë, më duhet të potencoj edhe disa gjëra me rëndësi sa i përket kësaj bastisje. Kjo bastisje u realizua aq egërsisht sa që fjalët hipokrizi dhe ligësi janë më të butat që mund ti ketë përdorur zëvendësministri. Po flas kështu sepse unë jam njëri nga të arrestuarit e shtetit shqiptar së bashku me Shyqyri Spahiun, Sami Shabanajn dhe Seremb Gjergjin. Njëri nga policët shqiptar pasi na parashtruan pyetje një nga një më kërcënoi duke më thënë se me ty do të kemi punë në veçanti ngase unë vija nga fronti i luftës dhe atij nuk i konvenonte që me shkatërru tankse dhe me vra njerëz të ushtrisë serbe. I njëjti polic në stacionin policor ku na mbajtën më goditi me grusht në ballë në mesnatë dhe në mëngjes para se të na lironin. Kur na liruan na kërkuan kinse falje duke u arsyetuar se punën e kryen në mënyrë profesionale, por sipas mendimit tim ata gjithë këtë e bënë për ta realizuar apo për ta mundësuar sa më lehtë atentatin ndaj ministrit.
Zotëri Mehmeti në fund i bën apel të dy shteteve shqiptare që të punojnë shumë për zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit, por për fat të keq dikujt sikur nuk po i konvenon kjo gjë, e ata që e kanë ndërgjegjen e papastër i nxëntë gjaku i të rënëve. Për këtë ngjarje do të dal me një shkrim më të detajuar në shtator, ngase për fat të mirë kam mbajt shënime për çdo detaj të rëndësishëm dhe bazohem gjithmonë në fakte e jo në gjëra që u konvenojnë atyre që gjithçka e kanë bërë në mënyrë të dyshimtë.
Komentet