-Intervistë me sociologun Gëzim TUSHI, “Mjeshtër i Madh”
dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”-
Kohët e fundit në vendin tonë ka një “fluks” të madh dhune në familje, që i kapërcen të gjithë kufijtë. Dhuna në familje ka vërtetuar se abuzimi ndaj grave është një problem kompleks dhe shumë dimensional. Kjo lidhet dhe me faktorët kulturorë, shoqërorë, familjarë dhe individualë, që ndikojnë në mundësitë që gratë të bëhen viktima të dhunës. Për këtë ju drejtuam sociologut Gëzim Tushi për të na e sqaruar më mirë, për lexuesin, këtë fenomen.
-Përshëndetje Profesor!
Sot, jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të botës ka një dhunë të shtuar ndaj femrave. Si e shpjegoni ju këtë dukuri të rrezikshme sociale?
GËZIM TUSHI – SOCIOLOG
-Po, është e vërtetë. Dhuna mbi gratë këtu në shoqërinë tonë, por jo vetëm, është bërë një “tumor social”, që jo vetëm po zgjerohet dhe po bëhet “malinj”, por për shkak të gjerësisë dhe intensitetit të tij, duket si një dukuri e vazhduar kreshendo dhe e papërballueshme shoqërisht. Ne duhet të jemi të vërtetë dhe të mësohemi t’i pranojmë hapur gjynahet dhe “mëkatet” sociale të shoqërisë. Në këtë konteks, në shoqërinë tonë fenomeni i dhunës mbi gratë ka shkaqet e veta me natyrë historike, ekonomike, fetare, politike, nacionale, kulturore, të traditës, tipologjisë së familjes, të cilat për një kohë që kur nuk mbahet mend është “ushqyer nga karburanti” regresiv i patriarkalizmit në familje, paternalizmit social maskilist, autoritarizmi gjinor dhe ideja e “privilegjit biologjik” të mashkullit mbi femrën. Doemos dhuna dhe krimi mbi gratë ka edhe shkaqe komplementare me natyrë sociale e psikologjike. Unë jam marrë gjatë me këtë temë dhe jam munduar të bëj diagnostikime socio-psikologjike integrale e të diferencuara të kësaj dukurie. Të paktën në dy nga librat e mi “Martesa, Familja, Seksualiteti” dhe librin “Gratë në Kohën e Tyre” kam mundur të realizoj intervenime të shumanshme të thelbit, ontologjisë dhe fenomenologjisë dhe shkaqeve sociale të dhunës mbi gratë në familje e shoqëri, në jetën private e publike të tyre. Gjithnjë i udhëhequr nga parimi universal i sanksionuar në Konferencën e Pekinit se dhuna mbi gratë nuk është difekt dhe problem kulturor, por është problem politik dhe akt kriminal, që duhet parë, vlerësuar dhe trajtuar si i tillë. Optika e shikimit dhe trajtimit të ontologjisë dhe fenomenologjisë së dhunës, krimit dhe dëmtimit të statusit qytetar të gruas duhet parë në kompleks, si dukuri që lidhet me mungesat e barazisë në familje, me paragjykimet e shfaqura në mënyrë evidente për seksualitetin e gruas, me ekzistencën e korracuar të maskilizmit të maskuar pas aureolës së vjetër të konceptit të deformuar të burrërisë e lidhur me biologjinë e dhunës mbi gratë. Unë mendoj se duhet të jemi të vërtetë kur analizojmë dhe diagnostikojmë këtë patologji sociale, sepse heshtja, eufemizmi, mungesa e vlerësimeve reale ka bërë që për fat të keq, këtu në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, duket që batica e dhunës dhe krimit mbi gratë në familje dhe shoqëri është bërë tejet shqetësuese. Nëse analizojmë në mënyrë të sintetizuar shkaqet e kësaj situate të vështirë të gruas në Shqipëri, shfaqjet e inferioritetit të statusit gjinor, ndikimet e koncepteve deterministe me natyrë biologjike e seksiste, apo me ndikimin historik të paragjykimit të përgjithësuar, bazuar në sintagmën e Frojdit se “anatomia është fati i gruas”, konkluzionet do jenë të sipërfaqshme dhe “terapitë sociale” për të shëruar këtë patologji do jenë të dështuara. Shpeshherë këto “ilaçe”, që vijnë nga media, politika, shoqëria civile, shkolla, institucionet fetare ose nuk janë adekuate për shërimin e kësaj sëmundjeje ose në shumë raste janë me keq se sëmundjet gjinore që qarkullojnë në shoqëri dhe jetën private e publike të grave dhe vajzave tona. Sipas mendimit tim, konkluzionet e studimeve të mia më kanë çuar në një konkluzion më të përgjithshëm dhe përgjithësuese të shkaqeve të dhunës dhe krimit në familjen shqiptare. Ato mund t’i klasifikojmë si shkaqe Makro, Mikro dhe të Personalizuara. Të parat janë historike, kulturore dhe ekonomike të lidhura me të kaluarën historike të shoqërisë, të dytat, faktorët mikro kanë lidhje me specifikat e tipologjisë së familjes konkrete, nivelin e kulturës dhe edukatës familjare, tipologjinë historike të familjes patriarkale dhe mungesës së gjatë të procesit të demokratizimit gjinor të familjes. Më në fund janë shkaqet e personalizuara të sjelljes individuale që prodhojnë dhunë mbi gratë për shkak të problemeve të shëndetit mendor të mashkullit, zgjerimit të përdorimit të alkoolit, drogës, bixhozit, nivelit arsimor personal apo “infeksionit” që shoqërohet me shfaqjen e tipareve të dembelizmit, përtacisë fizike e mendore, që i bën ata parazitë “par exellense” për të jetuar në kurrzin e grave të tyre. Por ka dhe një shkak social, që kohët e fundit është bërë epidemik. Shoqërisë shqiptare po i shtohen njerëzit e paekuilibruar dhe me instike e impulse të sjelljes vrastare. Në këtë situatë duket sikur përveç këtyrë shkaqeve për nivelin e lartë të dhunës mbi gratë ka dhe dy faktorë që në shoqërinë tonë duket sikur janë “aleatë të krimit” mbi gratë. Ato janë zgjerimi i një lloj indiference qytetare që buron nga koncepti i gabuar se dhuna mbi gratë është “çështje e jetës private”, ku nuk na lejohet “ndërhyrja apo denoncimi publik”. Dhe së dyti, është shfaqja e një lloj justifikimi të “forcës goditëse” të ligjit” në emër të gjoja respektimit të të drejtave të njeriut. Ka një ekuacion të njohur: krimi në familje gjallërohet pikërisht në momentin kur dobësohet apo zbutet ligji”. Personalisht mendoj se duhet të mendojmë jo thjeshtë në mënyrë kapilare dhe rast pas rasti për dhunën dhe krimin mbi gratë, por në mënyrë strategjike, duke e futur shoqërinë shqiptare në fazën e ngutshme të një procesi social masiv të “dekriminalizimit social”. Jo vetëm për fatin e gruas, por për të siguruar një paqe të qëndrueshme sociale për të gjithë shoqërinë.
-Në vendin tonë, kjo dukuri, kohët e fundit, ka një përhapje si të thuash si një epidemi. A mendoni Ju se diku “fshihet” një “virus” social, si një ndërvartësi dhe koordinim në nivel molekular dhe qelizor të shoqërisë sonë të traumatizuar?
-Ka një debat sociologjik sot lidhur me shkaqet e dhunës dhe krimit mbi gratë. Debati është një “ekuacion me dy kahje”. Thelbi është ky: Dhuna mbi gratë është produkt gjenetik dhe e metë e species mashkullore apo është faj i kulturës dhe pasojë e rrethanave sociale? Pikërisht nga që dhuna, padrejtësia dhe pabarazia për gratë është e lidhur, përveç të tjerave, edhe me njollat e forta kulturore maskiliste, shoqëria shqiptare po kalon një moment delikat dizekuilibri me “veten”, strukturat sociale dhe individët që i përbëjnë ato.
Në jetën e përditshme, në familje e shoqëri po shfaqet “njeriu bishë”, që përdor dhunën me lehtësi dhe bën krime me gjak të ftohtë. Një bashkëjetesë paradoksale e njeriut të arsyeshëm (homo sapiens), që për fat të mirë përbën shumicën e shoqërisë, nga njëra anë, dhe shtimit të njeriut agresiv, që nuk është qënie racionale e as vepron me arsye, por me instiktet e dhunës dhe krimit, që janë tipike për “njeriun e neandertalit (atë që ndali evolucionin dhe nuk arriti të humanizohej si njeri).
Një faktor tjetër me natyrë pak gjeopolitike është e lidhur me faktin që jetojmë në një rajon të veçantë, sikurse është Ballkani, i cili e ka patur të konsoliduar historikisht si “ideologji” fikse një lloj kornize të kufizuar për pozitën e femrës dhe statusin e femërores në përgjithësi. Gjithnjë kam menduar se kjo patologji është sintetike dhe sinkretike, me influencë fondamentale mbi gratë, pozitën e tyre familjare, personale e publike. Sepse familja dhe shoqëria akoma prodhon disa “acide toksike”, që janë frenuese dhe jo pohuese për pozitën e gruas në shoqëri, të cilat i frenojnë gratë që të kenë frikë nga lufta për sukes individual, autoritet social publik në familje e shoqëri apo nën efektet e “kornizës së ngushtë” të femërores, ato në vend të luftojnë për afirmim personaliteti, e kanë më të lehtë të nënvleftësojnë veten.
-Qeliza bazë e një shoqërie është familja. Çfarë po ndodh në familjen shqiptare dhe cilat mendoni ju se janë faktorët që e ushqejnë këtë dhunë jo vetëm psikologjike, por deri në eleminim fizik të grave?
-Familja shqiptare, në procesin e transformimit demokratik dhe krijimit të kushteve për shfaqjen e vërtetë të barazisë gjinore, në disa raste duket se ecën në kundërsens apo shfaqet si një institucion i “dalë nga shinat” gjinore. Për fat të keq dhuna në familje, në jo pak raste, e ka bërë shtëpinë si “burg” për gratë. “Llumi” social i dhunës dhe krimit është trashur deri në nivelin që po i zë “frymën sociale” grave dhe vajzave tona. Ne duhet ta pranojmë se disa familje kanë krijuar një klimë asfiksuese për lirinë dhe të drejtat e grave. A mund të flitet për barazi gjinore në kushtet kur familja dhe shtëpia janë bërë “shkolla” ku mësohet dhe aplikohet despotizmi maskilist dhe ku është e vazhduar dhuna sistematike e meshkujve mbi gratë? Në këto familje ku aplikohet dhuna, është e sigurt që femrat nuk kanë dhe nuk mund të kenë statusin e qytetares së barabartë. Për fat të keq, akoma kemi meshkuj që kanë në mendje mentalitetin mesjetar, sipas të cilit “gruaja është pronë e burrit”, se ai mund të bëjë çfarë të dojë me të, se ai është njeriu që ka të drejtë të vendosë kufirin midis asaj që i “lejohet” dhe asaj që i “ndalohet” gruas së tij. Jo të gjitha gratë janë “metropolitan” të guximshme e mendjehapura apo që e kanë kapërcyer “diferencën maskiliste” me profesionin. Akoma shoqëria jonë, në zona të caktuara, është sundues koncepti që kufizon spektrin e të drejtave të grave, nën peshën e sintagmës së vjetër tradicionale të gruas së mirë si “zonjë shtëpie”. Është e vërtetë që paradoksalisht sasia më e madhe e dhunës dhe numuri më i lartë i krimeve, vrasjeve, por dhe vetëvrasjeve të grave ndodh në gjirin e familjes. Shkaqet janë të shumta, sikurse mund të përmendim mungesën e komunikimit, prishjen e lidhjeve emocionale, xhelozitë delirante, dështimi i lidhjeve sentimentale të martesës, përplasja e kornizave kulturore për evolucionin dhe ndryshimin e tipologjisë së sjelljes etike të grave dhe vajzave në kushtet e emancipimit të përgjithshëm të shoqërisë etj.
Padyshim, situata e divorcit, me shkaqe të vërteta esenciale apo me gjykime të nxituara apo paragjykime flagrante për seksualitetin e femrës, janë bërë shkak që të shtohen divorcet duke i bërë lidhjet dashurore të përkohshme. Nuk është problemi thjeshtë tek divorci. Sa kohë që ka martesë, do ketë dhe divorce, si një mjet për të zgjidhur në mënyrë civile dhe me humanizëm një lidhje që nuk funksionon, një martesë të “ndryshkur që nuk lubrifikon dhe nuk jep produkt pozitiv”. Problemi është se në familjet tona, situatat e para, gjatë dhe pas divorcit, janë tejet problematike. Ato prodhojnë konfliktualitete të forta, të thella, të zgjatura, që në shumicën e rasteve shoqërohen me dhunë të vazhduar, intensive e të agravuar. Shpeshherë edhe me përfundime kriminale e vrasjen apo vetëvrasjen e grave. Ne nuk e kemi kulturën e duhur të realizimit të “divorcit miqësor”, me mirëkuptim dhe zgjidhje të partneritetit bëshkëshortor pa shpifje, intriga, thashetheme dhe dhunë verbale apo fizike. Është bërë shqetësuese prania në shumë raste e mashkullit të dhunshëm, që shikon interesat personale dhe kultin e vetes dhe harron të drejtën e ekzistencës së barabartë të femrës së tij, në çdo status qoftë: si nënë, motër e dashur, bashkëshorte, etj. Kjo situatë e bën imperative nevojën e demokratizimit të familjes dhe krijimin e konceptit konsensual, që e konsideron dhunën mbi gratë një turp social të pajustifikuar. Sepse ne duhet të krijojmë atë kulturë tek djemtë dhe burrat tanë, të cilët duhet ta perceptojnë thellë dhe thelbësisht të vërtetën se nuk mund të jetë qytetare një grua që jeton në një familje ku ka vetëm dhunë dhe seks të alternuar. Familja, shkolla, shoqëria civile duhet të bëjnë gjithçka për të edukuar sjelljen e përshtatshme të djemve dhe meshkujve ndaj femrave dhe grave. Deviza e përbashkët e të gjithë institucioneve të parandalimit, mbrojtjes, edukimit dhe ndëshkimit të dhunës mbi gratë duhet të jetë teza se niveli i dhunës mbi gratë është shprehje e nivelit të qytetërimit tonë.
-Çfarë mendoni ju se duhet të bëjnë institucionet shtetërore dhe shoqatat e ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe ato të të drejtave të gruas në veçanti?
-Të gjithë sociologët, më saktë, shumica prej tyre, ku bëj pjesë edhe unë, në fund të shekullit të kaluar kemi besuar se shekulli ku jemi do të sillte përmirësime të gjithanshme të pozitës private dhe publike, familjare e sociale të femrës. Në fakt duket se “grushti i hekurt” i maskilizmit është akoma shumë i fortë. Për pasojë dhuna dhe krimi mbi gratë në shoqërinë shqiptare nuk është problem social anësor, por kryesor dhe me peshë. Fenomeni më i dukshëm, i urrejtjes që ka shfaqjet më të hapura dhe më banale dhe që për shkak se shfaqet në gjysmën e shoqërisë, është dhuna fizike, psikologjike e seksuale ndaj femrës, që ka si bazë urrejtjen për shkak të gjinisë dhe specifikës gjenetike të saj. Në shoqërinë shqiptare gratë janë dy herë viktima, një herë për të njëjtat shkaqe si burrat (grabitja, vjedhja etj.) nga ana tjetër edhe për shkak se janë femra. Nuk besoj se dyshon kush që në vendin tonë kjo urrejtje patologjike për gruan shfaqet si dhunë verbale, përdorim pa kriter i gjuhës së seksit, si ngacmim seksual në rrugë, ambiente publike e në ndonjë rast edhe në ambiente zyrtare të punës, pse jo, deri në përdhunim, sulm apo vrasje. Me fjalë të tjera, gratë në vendin tonë (por jo vetëm tek ne) shfaqen dy herë të dhunuara si njerëz dhe si femra. Kjo e dyta si dukuri, të paktën në shoqërinë shqiptare buron nga urrejtja dhe koncepti primitiv, sipas të cilit, femra është objekt i destinuar për ngacmim seksual. Në këtë paragjykim të zgjeruar kanë ndikimin e tyre jo vetëm rrjetet sociale, ku qarkullon një “limfë e dëndur” paragjykimesh maskiliste, por edhe në shumë filma e spektakle argëtuese shfaqen fenomene të diskriminimit gjinor. Për fat të keq, ato nuk po shërbejnë si “vendet e duhura” ku mund të kultivohen dhe propagandohen normat e drejta shoqërore për marrëdhëniet ndërmjet gjinive.
Kjo është e nevojshme, sepse sipas statistikave të OJF-ve në Shqipëri, të dhënave të medias së shkruar dhe elektronike, të policisë, krimet e dhunës ndaj femrës kanë përgjithësisht si bazë psikologjike e sociale urrejtjen mashkullore për shkak të gjinisë. Shumica e përdhunimeve të kryera nga meshkujt shqiptarë nuk bëhen nga dëshira seksuale personale për një femër të caktuar, por shpesh shumë meshkuj e kanë realizuar krimin e përdhunimit, vetëm nga paragjykimi se ajo (femra) është objekt i dobët fizik, i destinuar për të kënaqur epshet shtazarake. Pavarësisht se cila është ajo si identitet nominal. Analiza e rasteve të dhunës dhe përdhunimit të bind se përdhunimi i femrës ka për bazë ndjenjën e urrejtjes dhe jo të dashurisë, të sadizmit dhe jo të seksualitetit mashkullor. Padyshim organet shtetërore dhe sidomos politika ka role dhe përgjegjësi të drejtpërdrejta që shpjegojnë këtë situatë të gruas në familje e shoqëri dhe sidomos të nevojës për përmirësimin e saj. Problemi nuk është vetëm kulturor dhe psikologjik, por i gjithanshëm dhe i shumanshëm. Përfaqësimi politik dhe barazia e grave në institucionet e vendimmarrjes është një konditë “sine qua non” për përmirësimin e statusit të tyre publik. Doemos të dukshme janë përfitimet gjinore që lidhen me rritjen e nivelit të punësimit të tyre. Punësimi i tyre nuk është thjeshtë mjet për sigurimin e të ardhurave të tyre, por domosdoshmëri për të garantuar statusin dhe përfitimet sociale që vijnë nga rritja e pozitës dhe pavarësisë së tyre. Sociologjikisht është e pranuar dhe e vërtetuar se arsimimi dhe pjesëmarrja në fuqinë punëtore, apo punësimi janë kusht për zbutjen e paragjykimeve dhe stereotipave gjinore. Gjithashtu është detyrë e politikës dhe qeverive në këtë vend që të rishikojnë më seriozisht nivelin e politikave gjinore, bashkë dhe në të njëjtën kohë me përmirësimin e legjislacionit, që është specifikisht i lidhur me pozitën dhe problematikat gjinore. Forcimi i institucioneve sociale të parandalimit dhe rehabilitimit të viktimave të dhunës, duhet konsideruar si detyrë e dorës së parë. Mbi të gjitha politika, qeveria, shkolla, familja, institucionet fetare dhe shoqëria civile duhet të ndryshojnë ritmin, mënyrat dhe modalitetet e edukimit gjinor. Mbi të gjitha, tani është koha e duhur për t’i perceptuar çështjet e dhunës dhe krimit mbi gratë, nga një problem personal dhe privat, në një çështje të madhe politike, publike e kombëtare.
-Profesor, ju falënderoj për intervistën!
-Dhe ju gjithashtu!