Për rreth 10 orë me radhë, është bastisur në Prishtinë banesa e Adil Behramajt, ish këshilltar politik i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Artan Qerkini, avokat i zoti Behramaj tha se bastisja është kryer me “urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara… në lidhje me një pretendim të Prokurorisë së Specializuar, për një vepër penale e cila sipas tyre, është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara”, por sipas tij, nuk është përcaktuar qartë se për çfarë vepre bëhet fjalë.
Zyrtarë të Prokurorisë në Hagë thanë se nuk mund të komentojnë hetimet.
Zoti Behramaj aktualisht drejton gazetën në internet demokracia.com. Ai nuk bëri ndonjë koment lidhur me bastisjen.
Zoti Behramaj shërbeu si këshilltar i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi deri në nëntor të vitit 2020, kur ai u arrestua dhe u dërgua në Hagë, bashkë me ish udhëheqës të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku po mbahen nën akuzat për krime lufte.
Gjykata e Posaçme tha se procesi gjyqësor ndaj ish presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pritet të fillojë me 3 prill.
Të martën në Hagë u hap procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.
Gjykata e Posaçme e Kosovës e njohur si Dhomat e Specializuara me seli në Holandë dhe me personel ndërkombëtar, u krijua në vitin 2015 për të trajtuar në bazë të ligjeve të Kosovës pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës.