Thonë që sarkazma del nga shpirtrat e vrarë dhe mua, si shumë shqiptarë patriotë në atdheun tim, më dhemb këto ditë tek ndjej për shitje dy nga gjërat më të çmuara të jetës sime, detin dhe çështjen çame, pasi në DNA u përkas të dyjave.
Me dhimbje paralelizoj dhe po citoj rrëfimin e një vajze që shiste trupin në Spanjë dhe pak ditë më parë u deshifrua në media, “Një klient s’më bëri gjë fare, më tha më jep tangat se do fle me to nën jastëk, ia dhashë se 5 euro i kisha blerë tek kinezi”.
Ndaj dhe të ashtuquajturit përfaqësues të shtetit tim, të flamurit tim, lëshojnë tangat, sepse nuk u janë dashur kurrë gjatë, përveçse në ndonjë gosti perverse dhe se nuk iu ka dhembur kurrë as deti e as çështja kombëtare, pasi ata dhe të tjerë para tyre veç kanë përdhunuar siç kanë dhunuar çdo aspekt të jetës në këtë vend.
Deti
Të rritesh pranë tij dhe të kesh në dyqane vetëm presh, spinaq dhe mish me tollona dhe të vuash për të ngrënë, kam idenë se kjo është cilësi unike e shqiptarëve në glob. Ndaj, deti nuk është konsideruar as nga këta liderë e as nga paraardhësit e tyre si pjesë e jetës së shqiptarëve, është shikuar me neveri si pjesë e telave me gjemba, ku arratiseshin armiqtë e popullit me not, nga vinin armiqtë, kapitalistët që ishin një pasqyrë ku ne shihnim veten dhe na dukej fytyra jonë e shëmtuar dhe nga niseshin trafikantët, prostitutat dhe klandestinët, një pjesë të të cilëve i mbysnim dhe hidhnim dy trëndafila në det.
Masakruam botën nënujore me aq mundësi sa kishim, mbi 1000 mina antitanke pretendohet të kenë plasur nen det qindra tonelata nitrat, gjer tek një lloj pluhuri që na sillnin italianët e jugut, që e spërkasnin mbi ujë dhe bllokonte verezat e peshqve dhe dilnin mbi ujë për t’u grumbulluar.
Rrjedhjet e Bunës, Ishmit e Semanit shkarkojnë dhjetëra mijëra tonë shishe plastike e qese dhe i spërkasin drejt fqinjëve apo në thellësi. Miliona tonelata rrjedhje septike, që duhet të dilnin me filtra 3 ose 4 kilometra në thellësi të detit, pasi të kalonin procesin e klorimit, sot mbysin brigjet dhe helmojnë çdo ambient blu.
Derdhja e Vjosës merr me vete mbetjet e rrjedhura nga shpimet në zonat naftëmbajtëse dhe kur fryn veriperëndim, Gjiri i Vlorës kundërmon si të jetë Patos/Marinzë.
Kroacia i ka dhënë jetë shumicës së 1100 ishujve që ka, ndërkohë që në Sazanit, vetëm vitet e fundit po arrijmë t’i cojme vizitorë për një 2-oresh transit, pasi kabllo elektrik që ushqente Sazanin u kap nga rrjetat e peshkatarëve dhe u shit për bakër me kile pjesë-pjesë.
Pra, ky establishment impotent dhe arrogant që mbyll sytë përballë këtyre krimeve, që lë në pikë të hallit një administratë të tërë detare, e cila është unike në glob, që paguhet 1 euro për çdo anije që hyn e del kur me 1 euro nuk bën dot as fotokopjet e certifikatave të mjetit, qe nuk konsultohet kurrë me praktikat e fqinjëve apo të homologëve, sepse shumica e titullarëve që mbulonin transportin detar nuk kuptojnë linguistikën e detit në anglisht apo nuk dinë fare anglisht, vallë a do e ketë për gjë apo do i vrasë ndërgjegjja se dhanë 12 milje më shumë apo më pak?
Unë isha një zë i mbytur i kësaj administrate, ndoshta kam edhe unë mëkatet e mia, që 6 vjet nuk kam ngritur zërin kaq fort, por iu garantoj që cilido si unë e ndjen veten në një dhomë më shurdhe, ku secili bën llogarite e koncesioneve të porteve, të terminaleve, të hidrokarbureve dhe gjëja e fundit që u vjen në mend është deti ku flenë këto blloqe betoni të quajtura porte që operojnë sipas ligjit të xhunglës.
Ndaj, shitja e detit fqinjëve është vetëm konfirmimi përfundimtar me noter i një politike injorimi disa dekadash dhe atyre qe iu dhemb deti në shpirt nuk ka çfarë iu dhemb më shumë se kaq, por tregon që këta masakrues të shpirtit të bujkut, të naftëtarit, të peshkatarit apo të artistit e kanë shitur me kohë këtë vend vetëm populli tani ka filluar ta ndjejë realisht.
“Çështja çame”
Unë vij nga një familje çame nga nëna dhe nga baba dhe babai im ka qenë shofer autobusi që ndante oraret apo ditët me një shok të tijin që është ende gjallë, kosovar nga Qerreti i Kavajës që e quanim në shtëpi baca Dulle! Në bisedat nga fëmijëria që më janë ngulitur kosovarët e ardhur në Shqipëri nga koha e Zogut thoshin shyqyr që na erdhën çamët pasi do fillojnë do merren me ata dhe do jemi disi jashtë shënjestrës së regjimit diskriminues. Të gjitha elitat politike në 75 vitet e fundit kanë qenë diskriminuese apo injoruese ndaj çamëve.
Unë s’jam këtu të bëj histori pasi njerëz me një barrë mend, studiues dhe historianë konfirmojnë politikën e kulaçit dhe të kërbaçit ndaj çamëve me shumë pak ndryshim ose aspak ndryshim nga politika që luajti Serbia këto 75 vjet me kosovarët. Por me një diferencë që ndaj kosovarëve në Kosovë aktruan serbët ndërsa ndaj çamëve në Shqipëri aktruan grekofilët shqipfolës.
Përfaqësia minimale në elitën intelektuale shqiptare ku edhe ata që ishin nuk konfirmonin të ishin çamë, represioni, targetimi si të pabesë, intriga dhe denigrimi kanë rënë në kurriz të çamëve më shumë se nga çdo grup etnik shqiptar që përbën popullin tonë.
Dhe me e keqja, asnjë apologji, asnjë reflektim njerëzor, por vetëm përdorje, përdorje për vota në zgjedhje, përdorje për vota në parlament, hedhje kockash për t’i targetuar si tepsixhinj mbasi i ke përdorur kur iu ke ngrenë edhe gjer në palcë të drejtat dhe kontributet e tyre shoqëruar me dyfytyrësinë klasike të këtyre 75 viteve me çamët ujk dhe me greket dele pa zë!
Ndaj si dhe me detin nuk ke ç’ju vret më, ç’ju surprizon më çamëve mbas kësaj sage 75 vjeçare, se i përmende apo se nuk ta mbajti t’i përmendësh në tavolinë me grekët.
Në fund të kësaj tablo të erret, por mbarsur në themel me një krenari që jam një nga pjesëtarët e një grupimi fisnik që quhen detarë, lindur dhe rritur buzë detit dhe ushqyer veten dhe fëmijët e mi me detin por, gjithashtu, vij dhe nga një origjinë fisnike që quhen çamë dhe jo rastësisht se traditën detare në Shqipëri e kanë mbajtur gjallë kryesisht çamët dhe ulqinakët, dua t’i jap një mesazh kujtdo që ulet në tavolinat diplomatike në emër të vendit tim duke i thënë kujdes me detin dhe me çamët pasi të dy faktorët ngrenë aq dallgë të forta sa ta mbysin anijen që i kanë dalë gozhdët tashme!
Komentet