Dështimi i dhënies me koncesion të kompleksit turistik Brezovica, është humbje jashtëzakonisht e madhe për ekonominë e Kosovës, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë dhe përfaqësues të organizatave të turizmit në Kosovë.
Ata konsiderojnë se projektin për zhvillimin e qendrës turistike të Brezovicës e dështoi Serbia dhe mospërgatitja e duhur e institucioneve të Kosovës në këtë proces.
Komiteti drejtues ndërministror i ngarkuar për zhvillimin e procedurave lidhur me Projektin për zhvillimin e qendrës turistike të Brezovicës, ka njoftuar një ditë më parë se konsorciumi i udhëhequr nga kompania franceze, ka dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për implementimin e fazës së parë për zhvillimin e projektit të Brezovicës.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se privatizimi i pronave në vendbanimet me shumicë serbe, siç është edhe rasti me kompleksin turistik Brezovica, po dështojnë për shkak se Beogradi zyrtar po bën presione të mëdha tek investitorët që të mos vijnë në Kosovë.
“Beogradi zyrtar, nëpërmjet kësaj politike të frikësimit, investitorëve në vendbanimet me shumicë serbe po iu bën dëm bashkëkombësve në Kosovë, pasi që në këtë mënyrë po i mban serbët të varfër dhe të ndikuar drejtpërdrejt nga Beogradi zyrtar”.
“Beogradi nuk është i interesuar që vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë të zhvillohen ekonomikisht, për arsye se në momentin që këta banorë do të zhvilloheshin ekonomikisht do të krijonin një pavarësi nga Beogradi dhe do të vendosnin vet për fatin e tyre”, vlerëson Gashi.
Kompleksi turistik, Brezovica, ndodhet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit në komunën e Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe. Brezovica është qendër e njohur turistike që gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2522 metra, me një hapësirë prej 2500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Udhëheqësi i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Zekë Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë, se dështimi i një procesi të tillë ka implikime edhe tek investitorët e tjerë potencialë.
“Kanë qenë disa faktorë që e kanë penguar një proces të tillë. Para së gjithash institucionet tona nuk kanë qenë të përgatitur në këtë proces. Nuk kanë qenë të kyçur të gjithë faktorët e duhur në këtë proces. Institucioneve tona iu mungon eksperienca profesionale në proceset e tilla. Po ashtu edhe Serbia ka pasur ndikim dhe e cila ka vështirësuar këtë proces”, thekson Çeku.
Në muajin dhjetor të vitit 2014 konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes” ishte shpallur fitues, me një çmim prej 409 milionë eurosh.
Ky konsorcium kishte planifikuar investime të shumta në kompleksin turistik Brezovica, si dhe ishte premtuar se do të krijojë mijëra vende të reja pune.
Në investime ishte paraparë të bëhej zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 km (më të gjatat në Ballkan), të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.
Nga dështimi i të gjitha këtyre investimeve, eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, thekson se Kosova po humb shumë.
“Dështimi i procesit të dhënies me koncesion të qendrës turistike Brezovica mendoj që është një humbje e madhe për ekonominë e Kosovës, për arsye se në tre vjetët e ardhshme do të vinin 460 milionë euro investime të huaja,për të cilat Kosova do të kishte nevojë, dhe do të krijoheshin vende të reja të punës dhe në këtë mënyrë do të përmirësonin bilancin tregtar në raport me botën e jashtme”, vlerëson Gashi.
Kompleksi turistik “Brezovica”, është një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova, si qendër e turizmit veror dhe dimëror.
Nisur nga kjo, eksperti i turizmit, Zekë Çeku, thotë se Kosova në aspektin e zhvillimi të turizmit malor ka mbetur mjaft mbrapa krahasuar me vendet tjera të rajonit.
“Kosova ka humbur mjaft. Kosova ka humbur shumë vjet për zhvillimin e turizmit. Derisa po zhvillohen tregjet e turizmit malor në vendet e rajonit, si në Maqedoni Bullgari, ne në Kosovë e kemi humbur krejtësisht hapin. Prandaj, ne kemi besuar që Brezovica do të jetë një pikënisje e zhvillimit të truizmit veror e dimëror”, shton Çeku.
Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës ka konfirmuar tashmë se do të mbetet e angazhuarpër zbatimin e Projektit për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës, në muajt e ardhshëm, përmes një procesi që do të zhvillohet me procedura tjera.
Komentet