RRËFIMI I PARË
Mos u merzit,
mos u merzit-
askush nuk dëshiron
t`i kuptojë të dhënat!
Ti, i thua
e ata, të tjerat i gjëjnë
për të mbluar faktet…
E të them edhe njëherë
që të mos merzitesh
me shfaqjen e fatkeqësisë
rreth teje-
qindra forma i gjejnë
për të mbuluar
të vërtetën!…
Paçin faqen e zezë,
do të përplasen
me të drejtën-
drejtësia,
e vërteta dhe faktet
janë dëshmi
për gjurmët e tua!
NJË RRËFIM TJETËR
Mos u mërzit,
mos u mërzit
se merzia
të dërgon në monotoni
e monotonia
është bjerrja e kohës
deri në infinitin
e fjalëve!…
Ato,
dalin dikund
pas kodrës së ditëve
kur ndoshta
ke kaluar
edhe përtej jetës,
e nuk ndjehet
askund gjallë
Ora jote!…
PËRPLASJA E DHEMBJES
-H.M.
Shpirti i ri në trupin e vjetër
më qan, rënkon e gjëmon
deri në fund të qenies sime.
Zogjve të malit nuk mund t`u ngjaj
pamundësinë e kam të ngjashme
të bëhesha dallgë me erën
e përtej bjeshkëve të dhembjes
të derdhja vrushkuj lotët e mallit
mbi trupin tënd!…
A është kjo zemra që lëgon
midis dy maleve të mëdha të kohës
andej vjen kjo furtunë
e hidhet nëpër rrugët e mundimit,
qyteti i shfrimit po i përjeton
suferinat e dhembjes
vetëm unë i sillem rrotull
nëpër dëborën e fluskat e ndjenjave!…
Athua, tensioni yt i lartë
të shkaktoi tragji-dramën nëpër rrugë
apo veturat që të pëplasën…
Çudi, nuk kam fjalë
as për fundin e dramës
derisa liqeni im përplaset brigjeve!…
Rapperswil,
10.02.2016.
ÇFARË VARGJESH DO TË SHKRUANTE
SHPËTIMTARI I YNË, PO TË ISHTE POET
1.
“Çfarë vargjesh do të shkruaja
sikur të kisha qenë poet-
vargjet e mia janë tretur zhgënjimesh
për kozmetikë fjalësh
nuk patën kohë,
ju mund ti quani lirisht antipoezi
apo blasfermi, heretizëm dhe antikrisht…
2.
Ato janë vargje të dhembjes së madhe
krihët e hapësirës
hapen e mbyllen me to,
të vërtetën e kam thënë troç
zbukurimet janë të huaja për vargjet
shkrihen në vetvete
plot pikëllim!…
3.
Ndoshta
i mblidhni buzët dhe nuk u pëlqejnë
të ndrydhur ndjeheni
me vargjet e mia,
nëpër errësirë
e hanë vetveten dhe rrëfyesin
mulli që sillet në të thatë pa blojë!…
4.
Mos e ktheni kokën anash
të pëshpërisni-
sytë i mbyllni para të vërtetës
athua, si është i gatuar njeriu
anët i ka pështjelluar për së mbrapshti
nuk e di çka shkruhet në librat e shenjtë
prej fillimit të Biblës
Kaini e vranë vëllanë, Habilin
shkakun e paskan futur të ligat e bukura
të krijuara nga dhimbja
duke shkulur brinjtë-
për shembull, thonë,
Eva është krijuar nga Adami
dhe mendjen e ka briskë të hollë
mund ta bindë njeriun ta hajë
mollen e sherrit
në pemën e jetës
e jeta ti ngjajë jetës sonë!…
5.
Zemra më pëlcet
kur u shoh të shtrirë,
kur u shoh të varfër, të mjerë e të përqarë
të futur mes dhembjesh
e të lidhur
në agoni,
a e dini se prore na shtërngon kjo përplasje
i riu të vjetrin; i varfëri të pasurin
nga e qenia ta shporë,
jeta përsëritet
prej gjenezës së njeriut
e pikës zero të krijimit!…
6.
Çudi,
i shoh genet tuaja
kudo e kanë paudhësinë,
vëllau vëllanë nuk e do
motra motrën nuk e sheh me sy
njeriu i fsheh ndjenjat përtej hijes
dhe fjala e tij shtron djallëzinë
në vend të së drejtës jetike,
e liria është fjalë e palirisë
pavarësia është vetë robëria
me petka të rrejshme të lirisë,
në vend të dritës është verbëria
në vend të natës është djalli vetë
që sakaton çdo gjë që mundet
në poret më të imta…
e qetësi, nuk ka!
7.
Këto duar të padukshme
të djajve të fshehur
na ndrydhin keqas përtej Akerontit,
e globi t`kurret e ngrehet në pafundësi
orën në zemër për ta ndalur
sikur vdes për asgjë
kur nuk e pret,
nuk e di nëse është jetë apo vdekje!…
8.
E shoh popullin tim
në pasqyren e viteve
që e shkelin pa mëshirë,
ata që e kanë pamjen e njeriut
mendjen e përdalë
e shpirtin sterrë…
nën vargonjtë e dhunës
e lidhin pa mëshirë…
djemtë ua vrasin,
vajzat ua dhunojnë
kur mendojnë se vdesin për lirinë
për dashuri
dhe ndërgjegjen ua vënë të fle
sa herë përpiqen
të trembur të hapin sytë!…
9.
Habitem
se si vdekja paqësore
na vret me shtat thika,
na quan barbarë,
njerëz të egër
njerëz të dalur nga konturat e botës
edhe pse të parët e rruzullit
pararendësit tanë kanë qenë,
për hirë të krijuesit
e mbajmë
plisin e bardhë,
yjet i duajmë me ëndërrat
e nuk mund t`i mbërrijmë…
atëherë
ngatërrohen dimensionet
nuk e dimë
ku është Siriusi…
10.
Kur flisnim për Zotin
nuk do të kishim
gënjeshtra fjalësh-
e vërteta rrjedhë nëpër teh gjuhe
djallëzia na ka përpirë
e shpërlarë
në tym të hollë shpërndarjesh,
pa dije jemi të futur nëpër kthesa
pa dije e çmontojnë veten
gjithçka që e bëjmë
është kundër vetvetes
historinë e mbajmë
ashtu si duan kundërshtarët
dhe veten e qujmë
lugat me bishta
por arban nuk jeni!…
11.
Nuk jemi të parët e botës
i shpikim
mendimet e qenies
për shembull
nuk nuk keni qenë ilir e pellazgë
grekët e afrikës
sikur janë para nesh,
jemi të krijuar vonë
dje ose pardje
e gjenezën tuaj ua lëmë armiqëve,
më afër Krijuesit është secili
të gjitha të vërtetat ma i grabisin nga duart
ne me vetëdëshirë
ua japim atyre…
prandaj,
nuk mund ta pranoj shkatërrimin tonë
mushkëritë e mia i gris
në klithje, pa pushim!
12.
Tradhëtinë nuk e kishim në gjak
as pabesinë-besën e kishim besë
para mikut e dhamë gjithmonë,
Zoti i shtëpisë ishte Zoti Besa
e tashmë është shpërfillur koha
kundër natyrës çdo gjë rrjedhë
sepse natyra nuk është praktikë e lulëzimit
artificialisht na krijohet
çdo gjë me epruveta
piktura e ardhmërisë
pasqyron me ngjyra të pakuptueshme
art quhet poteza e pakujdesisë
ditët na dhjedhin nëpër mote të liga
derisa ta kuptojmë
cili luan midis nesh
me dhembje po ua them
kurr nuk e keni kuptuar Atdheun
sikur vdisni përherë për lirinë!
13.
Edhe sikur t`ua zbrisja
Diellin në shuplakë
nuk do ta besonit se ju flas me të drejtë,
nëse duani të më quani të lajthitur
apo shumëçka tjetër
e nxirrni nga gjuha
magjistar, avanturier, shkatërrues…
asgjë më shumë nuk do të kishte peshë
se fjala ime e sinqertë,
bashkimi i jonë është për mirëqenjen,
lirinë e mirëfilltë
zërin e parë të së vërtetës,
a e kuptoni fjalën e parë paçe
të bisedojmë thjeshtë
si vëllezër
e të duhemi, të duhemi!”…
SINQERITETI TRËNDAFILOR
Tri herë të kërkova falje
me fajin tënd
Dielli u ndal e buzëqeshi
ironinë për të ndalur.
Njeri thjeshtëzimi
dukesha i ultë
më shumë ultësohesha-
Shkelzeni i lartë e uli kokën
bardhësinë e borës të mos e prishte,
e ti nuk e kuptoje
se thjeshtësia më ulte hijen
e heshtur prisja mbi male
të zbadhëte dashuria
në mëngjesin tjetër,
ftohtësia e natës i kishte strukur
ndjenjat fisnike të dashurisë
moti, nëpër sgafellat e maleve…
Të katërtën herë e zgjove mllefin
të më akuzoj
pa faj në ndjenja
derisa unë
trëndafillat e bukur të fushave
t`i dërgoja me mall…
Tani e ke rastin të ulësh sytë
e të shikosh rrjeshtat e përlotura
të shiut të shpërthyer të befasisë
anë e mbanë
qytetit të dhembjes,
lulet janë shembur për dhé
nuk mjafton të kërkosh falje
pak presin
të dridhura
me petalet përmbys
t`i prekë dora e jote
dhe kurr në jetë
të mos dyshosh
në sinqeritetin e tyre
trëndafillor!…
NESËR APO PASNESËR
Më pret kot
gjithnjë kot
së prapthi kot
me nesër apo pasnesër
me ditë apo me muaj
me të padukshmen rri e pret
me ënërrimet e netëve pa gjumë…
Kur dua të fle ti më zgjon
e më le me sytë kokërr
me sharje, nêmë, truarje
e goditje të pandalura mbi vetveten
e di se je dikund në mua
padëshirën time ke mbetur,
virgjëreshë s`ke qenë ti as tjetra
dy pika të armiqve kombëtar
të dyat i shërbeni shejtanit të verdhë…
Asnjëherë s`të kam dashur
më ke marrë me magji të zezë
e bën çka të duash me veten-
je shifër apo emër i fshehur në terr
ku në dreç të mallkuar më del
ndoshta afër meje apo kilometra largë
mua më udhëheqë nga mbrenda
kudo që të sillem nëpër botë
me vetminë përskaj meje
dukem i lirë të vërtitem
të kërkoj të dashurën përtej jetës
pa asnjë shpresë,
i vjershë nëpër shpirtin tënd
vuajtjet e mia
e u fundofsh në fund të ferrit
me të gjithë ata që të kanë ndihmuar
u djegshi më fort se Iblisi
deri në pafundësi,
më prit sa të duash
se do të vi nesër apo pasnesër
me vdekjen e trupit-
kur të kaloj në anën tjetër
do ta marrësh vesh
deri te i pari
të vërtetën tënde të hidhur!…
TË VRAFTË REJA
PËR SË KTHJELLTI
1.
Të vraftë Reja në grumbull të plehit
tek mendon si mund të ma bësh vorrin
e të më mbulosh për së gjalli
me plehrat e tua të pa fund!…
Të vraftë Reja për së kthjellti
në dërrasën tënde të larë të kresë,
të Lumit Zot, kur t`i plasë durimi
me të palarat tua të përditshme
do të të vrasë, përnjëherë, në breg të oborrit!…
Je sjellur sikur “zot” i vogël
mbi lëvozhgën e globit
gjoja ke urdhër prej Zotit në pikë të natës
kur të tjerët flejnë e ti mendon
nga thellësia e nëntokës
ku jeton Luciferri e Kau i Zi,
Zoti i Madh i Gjithëshirshëm
të shikon me habi jashtë universit tënd
e çuditet me fjalët e tua të përditshme
sikur ke lindur me urdhërin e veçantë
për të rregulluar botën
sipas rregullave tua
je “zot” i së keqes së madhe grumbull
i plehërave të kësaj bote mes për mes rrugës
të hedhura në mesnatë
aty ku s`e mendon njeriu,
sepse mund të dalin prej teje
për të pasur ditën e ardhëshme
me një argument më të madh fjalësh…
2.
Fol, fol, fol sa të duash
sikur kështu paska thënë me pahir “zoti”,
ke harruar se Zoti nuk urdhëron nëpër errësirë
qeni i sheh dhe leh kur të vizitojnë tetekët
leh me të lehurat alarmuese
njerëzit e dinë çka do të thotë ai
por ata e kanë harruar
ndoshta
në pikën e vrapit
nga të rrahurat pa pushim të mendjes së nxehtë,
nuk kanë kohë të shohin ty rrobet e rrejshme
je veshur me urdhërin e djallit të madh
të të sillen rreth teje
të vdekurit e mbetur në jetë
Baba Zot nuk i merr shpirtrat e ligj
me ndihmën e tyre
duket se të bëhet e pamudura!…
O i madhi Djall i lindur sikur njeri
të vraftë i Lumi Zot për së kthjellti
ata që i vretë Reja ditën për diell
e kuptojnë të padijshmit
se është pleh i plehërave të pafund
dhe duhet të dëlirët nga hapësira!…
NË PAKTHIM
1.
Më qanë zemra
me lotë të valë-
shoh vetëm fëmijë
të shtrirë përdhé
me doçka të njoma,
sikur presin lodra
e marrin vdekjen
me plagë e me gjak
për të kënaqur
syrin e qartur
të bishave njeri.
2.
Njeriu i vërtetë
ku është,
le t`ma ndalë zemrën
të mos i shoh
sytë e ngrirë
se plasa për fëmijët
bombë në horizont!
3.
I dua si diellin
pa kahje, pa anë,
pa vend të caktuar
edhe fëmijët e armiqve tanë,
kurrë mos u ngjajshin
baballarëve të ligj
kurrë mos ndjejshin
errën e kobshme të vdekjes
me hundën e harbuar
rritjen e ndalur
nëpër doçkat e pritjeve!
4.
Athua,
fundi i kohërave
është kjo përpëlitje
viteve të dhembjes,
me dogji dashuria
për kohën që rrjedhë
në pakthim!…
Calstorta Sud
Autobahn Venecia-Trieste,
25.07.2014.
VETMIA E DIMRIT
Qielli i vrugët resh mbi qepalla
shtrihem e ngrij me vetminë e bardhë
dëbora me grushta derdhet në hapësirë
astma mbi kraharorin tim e shfryen lodhjen
e zemra papritmas e çrregullon hapin,
janë moti të djeguara kujtimet
e rrugëve të ngarendjes mbeten gjolla terri-
është e vjedhur nëpër errësirën e bardhë të ëndërrave
hapësirave të padukshme rinia.
Qesh i lidhur pas një mendimi skofiar
të bukurën e të pandashmen për të marrë,
e kuptoj se nuk jam ai i dikurshëm
me të drejtën e fjalës
që fluturon nëpër male-
vetmia troket në dritaret e kohës
e dëbora e viteve heshturazi e mbyll çdo gjë,
me kot e shtrëngoj kaharorin të mbajë gjallë dritën
nga xhamat e zbardhura të vetëdijes
bardhësia mbyllet në errësirë…
Athua, a mos është kjo vetmia e dimrit
që uluron largë mundësisë së përceptimit
apo malet ulurojnë kaq tmerrshëm?!…
Në malet e Morinës
28.12.2014
Komentet