Presidenti Ilir Meta në prag të largimit të tij nga detyra si Kreu i Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare informues Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Në letrën e tij Kreu i Shtetit nënvizon se “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përpara zhvillimit të bisedimeve, duhet të plotësojë gjithë dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor për këtë çështje, që parashikohet në Aneksin 2, bashkëlidhur këtij Autorizimi dhe është pjesë integrale e tij, si dhe të pajisë Grupin Negociator me dokumentacionin e plotësuar”.
Presidenti gjithashtu u kërkon “Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese”.
Meta thekson se negociatat duhet të realizohen duke ndjekur me përpikëri aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrin e brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit.
Ai gjithashtu shpreh rezerva për vendimet e kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë së Jashtme për këtë çështje.
“Në institucionin e Presidentit të Republikës, ndodhet një praktikë e gjerë dhe e thelluar (tekniko-juridike) dhe një komunikim shkresor disa vjeçar midis Presidentit të Republikës – Kryeministrit – Ministrit të Punëve të Jashtme- Kuvendit, si dhe institucioneve të tjera, pikërisht mbi këtë çështje, ku disa prej këtyre komunikimeve janë të nivelit “sekret shtetëror”, pikërisht për të mos cenuar platformën/pozitën negociatore të shqipërisë, apo për të mosekspozuar nivelin e përgatitjes të grupit negociator/palës shqiptare. Nga zhvillimet e mëpasshme është e qartë se Kryeministri Rama, më së paku me mungesë të sinqeritetit, me papjekurinë e tij, apo me mosnjohjen e ligjit, i ka dëmtuar të gjitha këto, duke arritur deri aty sa të keqinformojë apo të keqorientojë autoritetet e vendit fqinj, se ka pengesë Presidentin e Republikës Ilir Meta. Si President nuk kam lejuar cenimin e interesave të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, ndërkohë që Kryeministri Rama përgjithë sa parashtrova më sipër, në kundërshtim me atë që dikton Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2010, për të mos marrë asnjë kosto politike apo ligjore mbi vehte, por për ti faturuar ato tek të tjerë, ka zgjedhur subjektivisht vet, me iniciativën e tij, që ta drejtojë çështjen në një Gjykate Ndërkombëtare, por ndërkohë që në mënyrë krejtësisht të pavënd ka bërë pohime publike për shumë detaje apo qëndrime politike që në çdo rrethanë nuk e forcojnë pozitën negociatore apo proceduriale të Republikës së Shqipërisë, por e dobësojnë atë”, thekson Meta.
Mesazhi i Metës:
Në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetutese nga të gjithë aktorët përgjegjës, sot në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.
I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej.
Letra e plotë e Metës
Lënda: Mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Drejtuar: Zonjës Lindita NIKOLLA
KRYETARE E KUVENDIT TË SHQIPËRISË
DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Tiranë
E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Përpara përfundimit të mandatit tim kushtetues si President i Republikës me qëllim informimin e plotë, objektiv të organeve më të larta të shtetit për një çështje që shqetëson mbarë opinionin publik, kam përgjegjësinë kushtetuese t’ju informoj mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare, me qëllim që Kuvendi i Shqipërisë, si organi më i lartë vendimmarrës, por dhe Presidenti i Republikës, si Kreu i Shtetit, me rol të pazëvendësueshëm në mbikëqyrjen e mekanizmave kushtetues të investohen në të ardhmen me qëllim që, në këtë çështje Republika e Shqipërisë, të ndjekë platformën dhe rrugën më të mirë për të ruajtur të pacenuar, Kushtetutën e Shqipërisë, integritetin dhe sovranitetin territorial, dhe interesat më të larta ekonomike të shtetit shqiptar.
Para së gjithash, dhe që në hyrje të këtij informacioni vlerësoj të domosdoshme të theksoj që Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Evropës dhe Punët e Jashtme përgjatë gjithë këtij procesi nuk kanë treguar luajalitet dhe sinqeritet me Presidentin e Republikës, i cili në rastin më të mirë është informuar me vonesë dhe post factum, jo plotësisht, ashtu siç dhe veprime e zgjedhje të qeverisë lidhur me këtë çështje janë bërë në mënyrë të njëanshme dhe pa marrë as mendimin e Presidentit të Republikës.
Nisur nga konstatimet e mësipërme, jam i detyruar t`ju sjell në kujtesë, në mënyrë kronologjike komunikimin institucional nga Kreu i Shtetit, prej muajit shkurt 2018.
Siç dhe jeni në dijeni Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme përmes kërkesës nr. 2428 prot., datë 13.02.2018, paraqiti pranë Presidentit të Republikës kërkesën për pajisjen e grupit negociator me autorizim për plotëfuqi për nisjen e procesit të negociatave me Republikën e Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Lidhur me këtë kërkesë Presidenti i Republikës, konstatoi një mori problematikash dhe të metash që duheshin ndrequr në paraqitjen e kësaj kërkese dhe për këtë ka patur një komunikim shkresor të gjatë e të vazhduar midis Institucionit të Presidentit të Republikës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vënë në dijeni Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, disa ministri të lidhura me çështjen[1], dhe strukturat më të larta drejtuese të Forcave të Armatosura, përfshirë ato detare.
Vetëm pas paraqitjes së informacionit shtesë nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme përmes shkresave vijuese nr. 3054 prot., datë 23.02.2018, shkresës nr. 90 prot., datë 07.03.2018, shkresës nr. 93 prot., datë 09.03.2018 dhe shkresës nr. 90/1 prot., datë 13.03.2018, Presidenti i Republikës, me Autorizimin nr.733, datë 19.03.2018, ka autorizuar:
Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme që, sipas kritereve të këtij Autorizimi, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve.
Po sipas këtij Autorizimi të Presidentit të Republikës;
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përpara zhvillimit të bisedimeve, duhet të plotësojë gjithë dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor për këtë çështje, që parashikohet në Aneksin 2, bashkëlidhur këtij Autorizimi dhe është pjesë integrale e tij, si dhe të pajisë Grupin Negociator me dokumentacionin e plotësuar.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit.
Autorizimi i Presidentit të Republikës nr. 733, datë 19.3.2018, parashikon kërkesa dhe detyrime shumë të qarta, për t’u përmbushur përpara apo gjatë fazës përgatitore dhe/apo negociatore nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Grupi Negoicator, si dhe çdo institucion tjetër publik, apo i administratës shtetërore i përfshirë në këtë çështje.
Dëshiroj të theksoj se, Presidenti i Republikës ka lëshuar autorizimin për Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme që të lëshojë Plotëfuqinë për grupin negociator të Republikës së Shqipërisë, për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve. Ky ka qenë tagri i negocimit të Grupit Negociator, objekt negociatash dhënë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010.
Përpos detyrave të tjera, sipas autorizimit të Presidentit të Republikës, vetëm Grupi Negociator është autoriteti publik i mandatuar për të negociuar me palën greke dhe vetëm përsa është përcaktuar në tagrat e dhëna në këtë Autorizim.
Ndërkohë, Presidenti i Republikës në vijimësi ka ndjekur me shumë shqetësim dhe në mënyrë të vazhduar ecurinë e procesit, si dhe veprimtarinë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Grupit Negociator, në procesin e negocimit ndërmjet Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë, bazuar në objektin e negociatave.
Për aq sa është informuar Presidenti i Republikës, midis dy grupeve negociatore përgjatë periudhës prill-qershor 2018, janë zhvilluar tre raunde të negociatave (30 prill, 14-15 maj, dhe 22 qershor 2018).
Përpara apo pasi jam informuar mbi mënyrën e zhvillimit të këtyre raundeve të negociatave, kam konstatuar dhe jam vënë në dijeni mbi disa problematika e shqetësime serioze dhe për këtë i kam shprehur zyrtarisht kërkesat dhe rezervat e mia si Presidenti i Republikës, ndaj Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Kryeministrit dhe institucioneve të tjera të përfshira në këtë çështje.
Këto rezerva dhe kërkesa si Presidenti i Republikës, i’a kam shprehur Kryeministrit, Ministrit për Evropën dhe Punëve të Jashtme, anëtarëve të Grupit Negociator dhe organeve më të larta ushtarake pjesë e grupit negociator si përgjatë fazës së shqyrtimit të kërkesës për lëshimin e autorizimit nr. 733, datë 19.03.2018, ashtu dhe përgjatë fazës përgatitore dhe asaj përgatitore dhe negociatore.
Gjithashtu, përpos detyrave dhe kërkesave të parashtruara dhe përcaktuara qartësisht në Autorizimin nr. 733, datë 19.3.2018 dhe shkresave pararendëse e më pas shoqëruese të tij, përmes shkresave nr. 327/4 prot., datë 22.06.2018, nr. 327/9 prot., datë 21.09.2018 dhe shkresën nr. 327/11 prot., datë 20.11.2018, i kam bërë me dije Kryeministrit dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme konstatimet dhe vlerësimet e mia, mbi ecurinë jo normale për disa çështje në procesin e negocimit për projektmarrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Në këto akte, por edhe përmes shkresave e komunikimeve të tjera që u kanë paraprirë, e kam vendosur në dijeni Kryeministrin për disa devijime, mangësi proceduriale, apo shkelje të kryera nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe më pas gjatë raundit të dytë dhe të tretë të negociatave edhe nga disa prej anëtarëve të të Grupit Negociator, shkelje këto të papranueshme për Presidentin e Republikës, dhe që kanë cenuar rëndë besimin e dhënë prej tij me autorizimin për dhënien e plotëfuqisë.
Pas takimit me ish-Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme për këtë çështje dhe për të diskutuar mbi ecurinë e procesit negociator, diktuar kjo edhe nga kërkesat e palës Greke, që negociatat dhe dakordësia të vijonte në nivelin më të lartë politik, si President i Republikës realizova një takim me Kryeministrin e Shqipërisë, në datën 13 qershor 2018.
Nisur nga konstatimet dhe ecuria e deriatëhershme, në këtë takim u dakordësua që Kryeministri t’i udhëhiqte personalisht negociatat me palën greke. Kryeministri në këtë takim i shprehu Presidentit vullnetin se ai (Kryeministri Rama) do të paraqiste shumë shpejt një kërkesë të re, për t`u pajisur me Autorizim nga Presidenti për të drejtuar personalisht vet procesin e negociatave me Republikën e Greqisë, duke marrë vetë drejtimin e këtij procesi, në ushtrim të drejtpërdrejtë të vullnetit politik, në të drejtën që ia njeh Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
Për këtë shumë shpejt ai do të paraqiste një kërkesë të re përpara Presidentit për t`u pajisur me Autorizimin e nevojshëm për t`i drejtuar ai personalisht (Kryeministri) negociatat.
Si President i Republikës gjithashtu i kam kërkuar Kryeministrit që të analizojë thellësisht sjelljen dhe veprimtarinë institucionale të ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Grupit Negociator, si dhe të marrë masat përkatëse institucionale dhe ligjore, me qëllim që i gjithë procesi të rikthehej në shinat dhe shtratin e ligjit, në respekt të Kushtetutës, Vendimit nr. 15, datë 15.4.2010, të Gjykatës Kushtetuese dhe të Autorizimit të Presidentit të Republikës me nr.733, datë 19.03.2018.
Duke konstatuar se Kryeministri nuk po i përmbahej zotimeve të ndërmarra, dhe nuk por ndërmerrte asnjë hap në këtë drejtim, me shkresë nr.327/9 prot., datë 21.09.2018, përpos të tjerave, i kam rikërkuar Kryeministrit Rama të ndërhyrjë pa vonesë, në mënyrë që vijimi i negociatave të udhëhiqej nga niveli më i lartë politik vendimmarrës, pra nga vet Kryeministri, duke marrë drejtimin e këtij procesi, në ushtrim të drejtpërdrejtë të vullnetit politik, në të drejtën që ia njeh Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
Sërish nga Kryeministri nuk pati reagim në asnjë drejtim. Asnjë kërkesë për autorizim nuk u paraqit prej tij.
Në mungesë të reagimit dhe vullnetit institucional të Kryeministrit për këtë çështje, pra pajisjen me Autorizim për të negociuar në emër të Republikës së Shqipërisë, duke i qëndruar konstatimeve të mëparshme si President i Republikës, sërish me shkresë nr.327/11, datë 20.11.2018, ndër të tjera, i rikërkova Kryeministrit ndërhyrjen e tij, në mënyrë që vijimi i negociatave të udhëhiqej nga niveli më i lartë politik vendimmarrës, pra nga vetë Kryeministri, duke marrë drejtimin e këtij procesi.
Edhe për këtë kërkesë të Presidentit nuk pati asnjë reagim, si dhe Kryeministri nuk parashtroi asnjë kërkesë për Autorizim.
Pra që prej komunikimit të fundit shkresor mbi këtë çështje nga Presidenti i Republikës (me shkresë Nr.327/11, datë 20.11.2018), nga Kryeministri zoti Edi Rama i cili më pas mbajti dhe detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme për një periudhë 2 (dy vjecare) nuk është përcjellë nga ky i fundit informacion mbi ecurinë e këtij procesi negociator, apo mbi masat dhe analiza e ndërmarra prej tij mbi kërkimet e Presidentit të Republikës.
I vetmi zhvillim i ri ishte fakti se pas shkarkimit të ish-ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme z.Bushati, Kryeministri ushtroi dhe detyrën e ministrit të Evropës dhe Punëve të Jashtme, ndërkohë që, pas emërimit të Kryeministrit edhe në këtë detyrë, Presidenti i Republikës, nuk është informuar zyrtarisht për ndonjë raund të katërt negociatash sipas Autorizimit të lëshuar prej tij me Nr.733, datë 19.03.2018.
Jo vetëm kaq, por asnjë kërkesë lidhur me këtë çështje nuk u paraqit, edhe pse në përbërjen e Grupit Negociator, ka patur shumë ndryshime, ku funksionarë të emëruar si anëtar të Grupit Negociator, kanë humbur funksionin e tyre bazë, dhe pas çdo ngjarje të kësaj natyre, Presidentit të Republikës, nuk i është paraqitur deri më sot ndonjë kërkesë nga MEPJ, për t`u shprehur saktësisht mbi vijueshmërine, ose jo, të këtij grupi negociator, sipas përbërjes së Autorizimit të Presidentit të Republikës me nr.733, datë 19.03.2018, kur të paktën,
Gjeneral Major Ylber Dogjani, Komandant i Forcës Detare – Bashkëkryetar, është larguar nga kjo detyrë;
Znj. Aida Veizaj (Hajnaj), Drejtues i Lartë, Zv.Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtor i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Ministria e Brendshme – Anëtare, është emëruar tashmë si Drejtore e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
Artur Meçollari, Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit të Përgjithshëm, Ministria e Mbrojtjes –Anëtar, është larguar nga kjo detyrë.
Nga Kryeministri i cili për periudhën shkurt 2019-janar 2021 mbajti njëkohësisht dhe detyrën e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme nuk është përcjellë asnjë kërkesë për pajisje me autorizim për vehte apo për ndryshimin e grupit negociator, si dhe nuk ka përcjellë asnjë informacion shterues mbi ecurinë e këtij procesi negociator, apo mbi masat dhe analizat që ai (Kryeministri) ka ndërmarrë mbi kërkesat zyrtare të Presidentit.
Siç mund ta mbani mend disa lajme të bëra publike si në vendin fqinj Greqi, apo dhe mediat vendase gjatë muajit nëntor 2018 dhe shkurt 2019, janë bërë publike qëndrime të funksionarëve më të lartë politikë Grekë, ku evidentohej ndër të tjera se;
“Greqia do të promovojë ligjërisht zgjerimin e territorit të saj detar në detin Jon, pasi është një e drejtë sovrane e padiskutueshme, e njohur nga Konventa mbi të Drejtën e Detit, vendime këto që do të zmadhojnë Greqinë, por edhe do të ndihmojë Athinën duke lehtësuar negociatat e saj me Romën dhe Tiranën, për përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike. Po sipas intervistave të fuksonarëve publikë Greke, ky hap do të ndërmerret me propozimin e një ligji të veçantë dhe se zgjerimi i ujërave territoriale Greke të diskutohet edhe në Parlamentin Grek me opozitën, e të votohet aty, në mënyrë që të mos ketë asnjë dyshim nëse është kushtetues apo jo”.
Këto qëndrime të shtetit fqinj dhe deklarata të kësaj natyre nga autoritetet më të larta Greke, kanë vijuar dhe të jenë prezent si në median vendase dhe ndërkombëtare, ku bëhej me dije se Greqia do të shqyrtonte në parlament ligjin përkatës për miratimin e zgjerimit të ujërave territoriale në 12 milje detare dhe çështjeve të tjera të lidhura me të (vija bazë etj).
Kryeministri Edi Rama përgjatë gjithë kësaj periudhe që mbante dhe detyrën e Ministrit të Evropën dhe Punëve të Jashtëm, përmes statuseve publike [2], ka komentuar apo ka dhënë opinione mbështetëse/pohuese të tij lidhur me këto zhvillime ligjore e politike në shtetin grek, për çështje të zgjerimit të ujrave të tyre territoriale. Këto qëndrime të Kryeministrit, janë cituar duke u vlerësuar dhe nga autoritetet më të larta greke.
Për më tepër, është fakt tepër i rëndë dhe i papranueshëm që Presidenti i Republikës së Shqipërisë të vihet në dijeni të zhvillimeve që lidhen me interesat kombëtare, nga mediat greke, ndërkohë që Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, gjatë kësaj periudhe asnjëherë jo vetëm që nuk është konsultuar, por as ka kërkuar takim me Kreun e Shtetit për tu konsultuar mbi çështjen e kufizimit të zonave detare midis Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë.
Lidhur me këto zhvillime, sërish Presidenti i Republikës, duke patur në konsideratë rëndësinë e jashtëzakonshme kombëtare, shtetërore, gjoestrategjike, ekonomike dhe jo vetëm, që ka kjo çështje për Republikën e Shqipërisë, si dhe ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik, përmes tre shkresave të tjera me nr. 2970 prot., datë 31.08.2020, nr. 881 prot., datë 11.09.2020 dhe nr.4367 prot., datë 28.12.2020, i ka kërkuar një informacion të detajuar Kryeministrit dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme zoti Edi Rama mbi:
komunikimin që Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme ka zhvilluar me Kryeministrin e Greqisë dhe/ose me zyrtarë të lartë të Greqisë mbi këtë çështje;
qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj vendimeve të tilla dhe pasojave, përfshirë dhe ato ndërkombëtare që mund të rrjedhin prej tij;
veprimet që planifikohen të ndërmerren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej një akti të tillë të njëanshëm të Greqisë;
informacion të plotë shterues mbi Dekretin e Presidentes së Greqisë nr. 107 “në lidhje me mbylljen e gjireve dhe vizatimin e vijave bazë në zonën detare të detit Jon dhe ishujve të Jonit deri në kepin Tainaro në Peleponez”, hartën shoqëruese, kordinatat gjeografike si dhe vlerësimin zyrtar mbi pasojat e munshme dhe ato të së drejtës ndërkombëtare ndaj interesave të Shqipërisë, hapësirës teritoriale dhe zonave ekonomike ekskluzive të mundshme për t`u shfrytëzuar në detin Jon.
informacion mbi përgatitjet që po bën MEPJ dhe Shërbimi Diplomatik, për të shqyrtuar dhe analizuar me vëmendje përgjegjësinë në një kohë sa më të shpejtë, botimin në faqen zyrtare të Sekretarit të OKB-së, si dhe hapat që mendohet të ndërmerren nga qeveria Shqiptare.
Në këto letra, Presidenti veç të tjerave ka evidentuar një mungesë transparence nga ana e qeverisë Shqiptare, ç’ka është e papranueshme për një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme, kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike, ekonomike, të sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve ndërshtetërore, me një nga vendet fqinje. Asnjë prej kërkesave për informacion të Kreut të Shtetit nuk ka patur një përgjigje shteruese, serioze dhe të vlerësuar në mënyrë të thelluar si nga Kryeministri ashtu dhe nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zoti Edi Rama.
Ndërkohë që zonja Olta Xhaçka pasi mori detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe pas insistimit për informacion prej Presidentit është përgjigjur vetëm shkresës nr. 4367 prot, datë 28.12.2020 të Presidentit të Republikës.
Në të njëjtën frymë si ajo e Kryeministrit, apo e udhëzuar prej Tij, ajo ka dërguar shkresën nr.1950 prot, datë 12.02.2021, nga shqyrtimi i së cilës, konstatohet se, është rrjedhojë e një vlerësimi të cekët, aspak profesional, jashtë konteksit të zhvillimit të çështjes, dhe që përpiqet t’i shmanget detajeve më të rëndësishme që evidentojnë përgjegjësinë e veprimeve apo mosveprimeve të Kryeministrit dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme zotit Edi Rama.
Në shkresën e saj të datës 12.2.2021 zonja Xhaçka citon ndër të tjera se:
“….. Në lidhje me procesin e negociatave me palën greke, me objekt “Negocimin e projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare” dhe Autorizimin e Presidentit të Republikës nr. 733, datë 19.3.2018, dëshiroj të theksoj se janë zhvilluar vetëm 3 raunde negociatash mes palëve gjatë qeverisë së Kryeministrit Tsipras, për të cilën ju kemi informuar në mënyrë të hollësishme[3].
Ndërkohë që me qeverinë greke të drejtuar ng Kryeministri Mitsotakis, nuk kanë zhvilluar asnjë raund negociatash për këtë çështje, por vetëm është shprehur në nivele diplomatike dëshira për të avancuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, nëpërmjet referimit të çështjes së kufizimit të zonave detare mes dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si një institucion i paanshëm dhe me kompetencë të plotë juridike në raste analoge.
Në kushtet kur palët në kuadër të negociatave të autorizuara sa më sipër, prej tashmë shumë vitesh nuk kanë qënë në gjendje të gjejnë një zgjidhje për kufizimin e zonave detare, nisur nga preferenca e hershme e palës shqiptare për zgjidhjen e çështjes nga një palë e tretë, pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes së vitit 2009, dhe ndryshimit të qasjes së qeverisë greke të Kryeministrit Mitsotakis për negocitata e zhvilluara nga Qeveria e Tsipras me palën shqiptare, të dy qeveritë kanë arritur një mirëkuptim në parim, për gjetjen e një zgjidhje nëpërmjet referimit të çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë….. .”
Këtu me duhet të evidentoj se, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, zyrtarisht nuk kanë njoftuar apo deklaruar përfundimin e negociatave dhe as mbylljen e tyre pa rezultat, apo të kenë evidentuar se cilat janë ato çështje që përfundimisht nuk është rënë dakord midis palëve, dhe çfarë rruge apo procedure do të ndiqet.
Këto detaje sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, akteve ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar, ligji nr.43/2016 “Për Marrëveshjet Ndërkombëtare”, Vendimit nr. 15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, janë pjesë e diskutimit të grupeve negociatore, dhe përpara se ato të diskutohen me palën tjetër, do të duhet që grupi negociator përfaqësues i Republikës së Shqipërisë të pajiset me plotëfuqi për të diskutuar, t`u paraqesë auoriteteve vendimmarëse në rastin e Shqipërisë, Këshillit të Ministrave e Kuvendit të Shqipërisë, informacionin e nevojshëm.
Referuar gjithë konstatimeve vijuese të Presidentit të Republikës, të cilat i’a ka përcjellë dhe kërkuar zyrtarisht Kryeministrit në takime të zhvilluara apo me shkresë zyrtare, në këtë përgjigje të zonjës Xhaçka konstatohet me keqardhje se ka një përpjekje për të anashkaluar faktet më serioze, dhe kërkohet që të legjitimohet e gjithë veprimtaria antikushtetuese dhe jo objektive e zotit Edi Rama në detyrën e Kryeministrit dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, veprime këto të cilat mund t’i sjellin Shqipërisë, pasoja shumë të rënda.
Këto veprime dhe mosveprime të Kryeministrit dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme janë të lidhura me:
shmangja nga detyrimi për të bërë një analizë shteruese dhe të thelluar të çështjeve kritike dhe problematikave të ngritura nga Presidenti i Republikës përgjatë fazës së vlerësimit paraprak të lëshimit të Autorizimit dhe asaj negociatore;
anashkalim i rëndësisë së rrethanave të faktit, duke lënë të nënkuptohet një legjitimim apriori, të veprimtarisë së deritanishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të Grupit Negociator;
mos marrjen e masave përkatëse institucionale dhe ligjore, me qëllim që i gjithë procesi negociator, pas raundit të dytë të rikthehej dhe të zhvillohej në shtratin e ligjit, në respekt të Kushtetutës, Vendimit nr. 15 datë 15.4.2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe Autorizimit të Presidentit të Republikës me nr.733, datë 19.03.2018;
mosveprimet e tij për të analizuar veprimtarinë e grupit negociator shqiptar dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashthme përgjatë tre raundeve të negociatave dhe jo vetëm;
mosangazhimi i tij për tu pajisur personalisht me autorizim nga Presidenti i Republikës, e për të udhëhequr negociatat që prej 13 qershorit 2018 datë që përkon me realizimin e takimit midis Presidentit dhe Kryeministrit;
realizimin e takimeve apo bisedimeve për çështje të kufizimit të zonave detare jashtë kuadrit negociator, pa autorizim nga Presidenti i Republikës, dhe pa u konsultuar apo dakordësuar me Këshillin e Ministrave, Kuvendin, Presidentin e Republikës.
Deklaratat dhe qëndrimet publike të Kryeministrit Rama përmes të cilave ka pohuar/mbështetur zgjerimin e ujrave territorialë të palës Greke në 12 detare apo mbylljen e gjireve, për hapësirën objekt negocimi midis dy vendeve, ndërkohë që të dy vendet janë zyrtarisht në negociata për këtë çështje, natyrshëm që dobësojnë pozitën dhe strategjinë negociatore të palës shqiptare, dhe ekziston mundësia që këto deklarata të ndikojnë në procesin negociator, dhe që mund të përdoren nga shteti fqinj në ndjekjen e këtij procesi në çfarëdolloj forme.
Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zoti Edi Rama, lidhur me këtë çështje, ka realizuar kështu një veprimtari që shmang Presidentin e Republikës, që anashkalon informimin dhe vendimmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë, çka nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe interesat e vendit.
Edhe se kjo çështje paraqet një interes jashtëzakonisht të lartë, Kryeministri/Qeveria jo vetëm me opinionin publik, por dhe me Presidentin e Republikës, nuk ka qënë transparente, dhe për asnjë kërkesë të Presidentit për informacion, nuk është dhënë një përgjigje shteruese dhe serioze nga ana Kryeministrit dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Edhe së fundmi në datë 23 maj 2022 Ministri grek i Punëve të Jashtme, zoti Nikos Dendias ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke u takuar me Ministren e Punëve të Jashtme dhe me Kryeministrin. Siç jeni vënë në dijeni, pas përmbylljes së vizitës në Tiranë, Ministri Dendias në një intervistë të dhënë për shtypin grek ndër të tjera është shprehur gjithashtu se: “…… u ra dakord me ne që t’ia referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës Kryeministrit. Me sa duket, Shqipëria do të zgjedhë një President të ri brenda dy-tre muajve të ardhshëm. Pra, e gjithë kjo do të jetë e realizueshme atëherë.”
Kjo deklaratë e Ministrit Dendias është publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Greqisë[4] dhe është bërë publike edhe këtu.
Ndërkohë që, siç citova dhe më sipër për Republikën e Shqipërisë, është në fuqi Autorizimi i Presidentit të Republikës Nr.733, datë 19.03.2018 dhe nuk ka asnjë kërkesë zyrtare të paraqitur përpara Presidentit të Republikës për ndryshimin, plotësimin, shtimin apo kryesimin e tij, qoftë dhe në emër të Kryeministrit, apo për anëtarë të tjerë të grupit negociator edhe edhe pse 3 prej tyre janë larguar nga funksionet bazë për shkak të ushtrimit të të cilëve ata u mandatuan për të qenë pjesë e grupit negociator.
Presidenti i Republikës nuk është në dijeni nëse midis dy Qeverive apo dy Kryeministrave të dy vendeve është miratuar apo është rënë dakord me ndonjë akt për të ndërprerë, pezulluar apo për të dalë nga negociatat. Duket qartë që Kryeministri Rama, në këtë rast ka vepruar me inciativën e tij, dhe për arsye për të cilat ai do të duhet të informojë publikun, pasi procesi negociator zyrtarisht nuk është mbyllur apo negociatat për aq sa është informuar Presidenti, nuk janë deklaruar se kanë përfunduar pa sukses.
Megjithëse Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, Presidenti i Republikës nuk është informuar zyrtarisht nga Kryeministri se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas Kushtetutës dhe të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje, e aq më tepër të deklarohet paraprakisht se cila do të jetë rruga që do të ndiqet.
Në kushte tilla, ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i Qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë Autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të qartë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/ 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë zgjidhje në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare, ndërkohë që palët zyrtarisht janë ende në negociata.
Zyrtarët e Republikës së Shqipërisë, më së pari Kryeministri duhet të veprojnë me shumë maturi e përgjegjshmëri, pasi çdo dakordësi apo mirëkuptim politik, apo diplomatik i dhënë nga Kryeministri/Qeveria shqiptare, qoftë dhe parimisht, në takime të zhvilluara jashtë kontekstit ligjor negociator të kësaj çështje, apo çdo lloj qasje publike përmes deklaratave/statuseve, janë rekorde të forta, që krijojnë pasoja, dhe që mbeten tërësisht nën përgjegjësinë individuale të personave që i kanë shprehur ato, por që nga ana tjetër rrezikojnë të përdoren në të ardhmen në dëm të pozitës negociatore të Shqipërisë, në dëm të interesave interesave të saj të ligjshme, në procesin negociator apo në procese të tjera që mund të ndiqen për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kufizimit të zonave detare mes dy vendeve tona.
Sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë, i përket popullit shqiptar, i cili për këto çështje e ushtron atë përmes përfaqësuesve të tij në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të cilin Qeveria qartësisht e ka shmangur në këtë proces gjithashtu, sipas dijenisë tonë.
Kushtetuta, aktet ndërkombëtare të nënshkruara ndër shekuj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese 15/2010, janë akte në fuqi, të pacenuara dhe që përcaktojnë qartë si territorin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, mënyrën e veprimit në çështje të kësaj natyre dhe çdo autoritet shtetëror ekzekutiv, legjislativ, apo gjyqësor, duhet të veprojë në përputhje me parimet, vlerat dhe detyrimet që përcaktohen në to.
Të nderuar deputetë,
Çështja e kufizimit të zonave detare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, është një çështje e hapur mes dy vendeve, e cila në vlerësim të Presidentit të Republikës, duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2010 dhe të drejtën ndërkombëtare, në mbrojtje të interesave shtetërore e kombëtare të Shqipërisë, në interes të plotë të ruajtjes dhe të ushtrimit të sovraniteit territorial dhe juridiksionit kombëtar, dhe për të garantuar sa më mirë sigurinë, dobinë ekonomike e sociale të vendit. Kjo çështje kërkon transparencë me qytetarët e vendit dhe të gjithë organet e përfshira në këtë çështje me rëndësi.
Në institucionin e Presidentit të Republikës, ndodhet një praktikë e gjerë dhe e thelluar (tekniko-juridike) dhe një komunikim shkresor disa vjeçar midis Presidentit të Republikës – Kryeministrit – Ministrit të Punëve të Jashtme- Kuvendit, si dhe institucioneve të tjera, pikërisht mbi këtë çështje, ku disa prej këtyre komunikimeve janë të nivelit “sekret shtetëror”, pikërisht për të mos cenuar platformën/pozitën negociatore të shqipërisë, apo për të mosekspozuar nivelin e përgatitjes të grupit negociator/palës shqiptare.
Nga zhvillimet e mëpasshme është e qartë se Kryeministri Rama, më së paku me mungesë të sinqeritetit, me papjekurinë e tij, apo me mosnjohjen e ligjit, i ka dëmtuar të gjitha këto, duke arritur deri aty sa të keqinformojë apo të keqorientojë autoritetet e vendit fqinj, se ka pengesë Presidentin e Republikës Ilir Meta.
Si President nuk kam lejuar cenimin e interesave të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, ndërkohë që Kryeministri Rama përgjithë sa parashtrova më sipër, në kundërshtim me atë që dikton Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2010, për të mos marrë asnjë kosto politike apo ligjore mbi vehte, por për ti faturuar ato tek të tjerë, ka zgjedhur subjektivisht vet, me iniciativën e tij, që ta drejtojë çështjen në një Gjykate Ndërkombëtare, por ndërkohë që në mënyrë krejtësisht të pavënd ka bërë pohime publike për shumë detaje apo qëndrime politike që në çdo rrethanë nuk e forcojnë pozitën negociatore apo proceduriale të Republikës së Shqipërisë, por e dobësojnë atë.
Si President i Republikës me mandat kushtetues deri në datën 24.07.2022, e vlerësoj këtë çështje shumë delikate, dhe për këtë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të informohen në detaje, të analizojnë me shumë kujdes, në mënyrë që çdo mënyrë veprimi që do të duhet të ndjekë Shqipëria për zgjidhjen e kësaj çështje, të japë rezultatin më të mirë për të dhe qytetarët e saj, të mos cenojë sovranitetin territorial dhe të jetë në funksion të prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit, pa cenuar aspak dhe për asnjë shkak marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis dy vendeve.
Vetëm kështu çdo lloj zgjidhje e saj, do të gëzojë mbështetje të plotë të të gjithëve por dhe besimin e opinionit publik dhe popullit shqiptar.
Duke shprehur mirëkuptimin për ndjeshmërinë e lartë të popullit shqiptar, për çështje të kësaj natyre, si President i Republikës, ritheksoj dhe një herë se, edhe pas datës 24 korrik 2022, datë kur përfundon mandati im në këtë detyrë, në vijimësi do të jem i hapur që të bashkëpunojë në mënyrë transparente dhe konstruktive, në respekt të Kushtetutës dhe vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese, me Kuvendin e Shqipërisë dhe çdo institucion tjetër të përfshirë në këtë proces.
Duke ju uruar punë të mbarë, shpresoj që ky komunikim do tu shërbejë në punën tuaj.
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
[1] Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme
[2] https://www.facebook.com/138734771522/posts/10158095814701523/
https://www.facebook.com/138734771522/posts/10158102831221523/
[3] Për këto 3 raunde, Presidenti ka mbajtur qëndrim shkresor të sipërcituar në faqen 3-4 të kësaj letre.
[4] https://www.mfa.gr/en/current-affairs/statements-speeches/minister-of-foreign-affairs-nikos-dendias-interview-with-skai-1003-fm-radio-station-and-journalists-notis-papadopoulos-and-vasilis-chiotis-24052022.html
Reagimi i kreut të shtetit
Në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetutese nga të gjithë aktorët përgjegjës, sot në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.
I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej.
Komentet