Një hetim i nisur nga prokuroria javën e fundit, ka premisat e një ‘watergate’ shqiptar.
Ministria e Brendshme dyshohet se ka realizuar përgjime të paligjshme nëpërmjet një aparature që e disponon prej tre muajsh (tiparet e aparaturës do detajohen në vijim).
Po si nisi kjo histori? Gjithë sa dimë deri tani janë këto të dhëna:
Në fillim prokuroria ka marrë një informacion dhe raport të detajuar nga Shërbimi Informativ. Informacioni siguronte se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë qëndronte një teknologji interceptuese e quajtur “IMSI Catcher”.
Prokuroria më pas ka kërkuar zyrtarisht informacion nga policia mbi këtë aparaturë dhe përgjigja e policisë ishte surprizuese.
Policia ka thënë se kjo aparaturë ekzistonte dhe ishte marrë në përdorim nga policia homologe italiane dhe se do të përdorej për të kryer trajnime.
Prokuroria nisi zyrtarisht hetimet pas kësaj përgjigje të policisë.
Ky është i gjithë informacioni i konfirmuar deri tani zyrtarisht. As nga policia dhe as nga prokuroria nuk ofrohen për publikun më tepër të dhëna. Dosja është sensitive dhe hetimi po kryhet në konspiracion të plotë.
Burime zyrtare por që rezervohen të flasin publikisht kanë lënë të nënkuptohet në biseda informale se SHISH ka marrë informacion se objekt i përgjimeve mund të ketë qenë dhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Një variant i historisë sugjeron se SHISH ka zbuluar ekzistencën e aparaturës pikërisht prej faktit se ky institucion i ka në vëmendje numrat telefonikë të personaliteteve të shtetit dhe ‘ndërhyrja e aparaturës’ është interceptuar nga aparaturat e SHISH.

Kreu i SHISH Visho Ajazi dhe kryeprokurori Adriatik Llalla
Një tjetër variant që shpjegon origjinën e hetimit sugjeron se ka qenë pala italiane ajo që ka njoftuar SHISH-in dhe e ka vënë në dijeni mbi faktin se policia italiane kishte dorëzuar këtë aparaturë për policinë shqiptare.
Por fakti që policia ka pranuar ekzistencën e aparaturës nuk është pak. Mënyra se si ajo është marrë në dorëzim dhe mënyra se si është përdorur në muajt e fundit do të hetohen dhe hetimi i procedurës apo zbërthimi teknik i aparaturës pritet të sqarojë dhe qëllimet për të cilat është përdorur.
Aparatura ruan në mënyrë të garantuar të gjithë numrat telefonikë dhe numrat IMEI që i janë dhënë për të interceptuar. Këto numra nuk mund të zhduken nga memoria dyfishe e aparaturës, përveçse kur aparatura zhduket ose shkatërrohet tërësisht.
Në republikën e Shqipërisë, ka dy lloj përgjimesh. Janë përgjimet parandaluese, të cilat i kryen SHISH(sipas një procedure të sqaruar në akte nënligjore) dhe përgjimet penale që kanë domosdoshmëri për leje nga gjykata.
Në asnjë rast policia nuk ka tagër ligjor të përgjojë pa dijeninë e organit të akuzës dhe vendimit të gjykatës.
Vetitë e aparaturës
Quhet “IMSI Catcher” (Gjuetar IMSI) dhe është një aparaturë e teknologjisë së lartë që të lejon që të përgjosh edhe pa dijeninë e kompanive telefonike, mundëson lokalizimin dhe ndjekjen e telefonave celularë në rrezen e disa qindra metrave.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këto aparatura janë shpallur të paligjshme falë shoqatave që mbrojnë të drejtat e vetëjakësisë.
Madje në SHBA kjo çështje përfundoi në një skandal publik kur u zbulua se FBI-ja i kishte përdorur. Edhe në Londër u zbuluan kur ishin vendosur në terracat e disa ndërtesave. Në Itali (shteti që ja ka ofruar policisë tonë) është ende i paqartë statusi ligjor i këtyre aparaturave, ndonëse policia italiane ka pranuar se i ka përdorur.

Aparatura është e prodhuar në dy versione. Në versionin ‘mini’, ku aparatura është pak më e madhe se një telefon celular. Ky lloj modeli është më i thjeshti dhe lejon përdoruesin që të ndjekë vendndodhjen e telefonit celular që ka në vëzhgim, si dhe ofron të dhëna mbi numrat e telefonit që janë duke u përdorur në një rreze të caktuar.

Por është dhe versioni laptop-valixhe, që është dhe versioni më i plotë dhe është pikërisht aparatura që ka në dispozicion policia shqiptare.
Ky version lejon që përdoruesi të identifikojë dhe interceptojë bisedat telefonike, këmbimin e sms-ve, shërbimet komunikuese të internetit, të të gjithë numrave që ka nën vëzhgim dhe që janë brenda rrezes që mbulon aparatura.
Aparatura luan rolin e një përforcuesi-mashtrues që ndërhyn mes antenës së kompanisë celulare dhe telefonit. Por mund të lërë gjurmë në rastet kur numri i telefonit është në përgjim nga një tjetër subjekt.
Në Shqipëri aktet nënligjore që përcaktojnë mënyrën se si kryhen përgjimet janë sekrete, por nga informacioni që dihet publikisht, policia nuk mund të ketë autonomi prej prokurorisë/gjykatave në përgjim.
Për më tepër kur prokuroria ka nisur hetimin tashmë, e policia ka pranuar zyrtarisht ekzistencën, duket se loja është hapur dhe ecuria e hetimit do jetë ajo që do të zbulojë nëse vërtetë është përdorur për trajnim apo ministri i Brendshëm ka komplotuar ndaj personaliteteve më të larta shtetërore dhe ka përgjuar në mënyrë të paligjshme.
E gjithë fabula është e dyshimtë, për sa kohë që policia thotë se po përdor për trajnim, një aparaturë të paligjshme dhe të cilën nuk ka të drejtë ta përdorë në mënyrë të pavarur.
Për çfarë dreqin duhen trajnimet për një aparaturë të cilën policia e ka të ndaluar me ligj ta përdorë?
Kjo është dhe pyetja bazike e këtij hetimi të nisur e që pritet të sqarohet në vijim. / HashtagAL
Komentet