VOAL

VOAL

Dështojnë bisedimet për formimin e qeverisë gjermane

November 20, 2017

Komentet

217 viktima dhe mijëra të zhdukur, çfarë lanë pas përmbytjet në Valencia! Sot sërish alarm për stuhi

Spanja po vuan një nga stuhitë më të rënda të këtij shekulli. Përmbytjet u kanë marrë 217 personave ndërsa shumë të tjerë janë ende të zhdukur në Valencia.

Megjithatë stuhia DANA është ende mbi Spanjë dhe urgjenca meteorologjike nuk ka përfunduar.

Ditën e djeshme, kryeministri Pedro Sánchez njoftoi se qeveria do të dërgojë 5,000 ushtarë në Valencia për të ndihmuar të prekurit, si dhe 5,000 policë të tjerë kombëtarë dhe roje civile.

Presidenti shtoi se Mazón duhet të kërkojë të gjithë ndihmën që i nevojitet dhe ekzekutivi do ta sigurojë.

Tetë rrugë në Valencia dhe Castellón, janë të mbyllura ose të pakalueshme për shkak të bllokimeve nga balta dhe prishja e strukturave.

Megjithatë duket se rreziku nuk ka kaluar pasi për ditën e sotme autoritetet spanjolle kanë paralajmëruar për stuhi të forta të mundshme në Castellón dhe bregdetin verior të Valencias. bw

U prit me protesta në Selanik- Rama bën ‘viktimën’: Kam marrë kërcënime këto ditë

Teksa kryeministri Edi Rama po mban këtë të diel një miting në Selanik të Greqisë, me pretendimet se sallën e ka mbushur me shqiptarë të këtij qyteti, denoncimet kanë qenë të shumta se ai ka shpërngulur administratën për të qenë prezentë në sallë.

Prezenca e tij në Selanik është pritur me protesta nga grekët nacionalistë, ndërsa  gjatë fjalimit të mbajtur, Rama nuk ngurroi të bënte edhe “viktimën”, duke thënë se këto ditë i kanë ardhur kërcënime në adresë të tij.

Kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi Greqinë si një partner të pazëvendësueshëm dhe një nga brinjët e trekëndëshit strategjik të politikës së Jashtme, pavarësisht se kohët e fundit ka pasur përplasje të shumta në lidhje me çështjen e Fredi Belerit.

“Diku këtu rreth e rrotull një grup fantazmash të së shkuarës janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes time këtu me fletushka dhe parulla qesharake të frymëzuara nga i ashtuquajturi Vorio Epir, ata kanë bërë dhe kërcënime në adresën time të cilat mua vetëm më shkaktojnë keqardhje. Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë e me vakt! Ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të lodhur të qarqeve dhe individëve të dalë boje e kohe të këtyre anëve. Kush e përdor akoma këtë term tregon dritëshkurtësinë dhe pafuqinë e vet për të jetuar në shekullin 21. Këto janë fosile për gjynah, nuk janë një asnjë mënyrë arsye që të ushqejnë brenda nesh ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë. Për Shqipërinë, Greqia është një partner i pazëvendësueshëm, përbën një nga brinjët e trekëndëshit strategjik të politikës së jashtme. Për shqiptarët këtu, Greqia është shtëpia juaj, ku ju jeni sot qytetarë të barabartë të Europës, njësoj si grekët, pa asnjë dallim. Ku peripecitë në integrimin e plotë në shoqëri, janë kujtime dhe histori. Kujtime të trishta, por edhe histori krenarie në fuqinë historike të ambicies të prindërve që morën në krah fëmijët për të ardhur këtu për një jetë më të mirë”, u shpreh Rama. sn

Komisioni Evropian: Korrupsioni në Shqipëri, problem serioz

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, duke ia dorëzuar Raportin e Progresit kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

 

Jetmira Delia-Kaci

Shqipëria ka bërë pak progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo falë punës së Prokurorisë së Posaçme, ndërsa për lirinë e medias nuk sheh asnjë përmirësim.

Kështu tha ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili ia dorëzoi kryeministrit shqiptar, Edi Rama, Raportin e Progresit të hartuar nga Komisioni Evropian.

Gonzato tha se KE-ja vëren angazhimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian si përparësi kryesore strategjike. Gjithashtu, sipas tij, KE-ja vlerëson harmonizimin e plotë me politikat e jashtme të BE-së.

Ai tha se nëse hapi i reformave përshpejtohet, Shqipëria mund t’ia dalë të hapë të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit 2025.

Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Pasi renditi fushat ku Shqipëria ka bërë përparim, ambasadori u ndal te çështjet që shihen me shqetësim nga Komisioni Evropian.

“Sa i përket kriterit politik, vlerësohet se funksionimi i institucioneve demokratike është pjesërisht i kënaqshëm, kryesisht për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike që ndikon negativisht në aftësinë e Parlamentit për të luajtur rolin e vet dhe po rezulton edhe në vonesa në emërimin e individëve në poste kyçë”, tha Gonzato.

Ai e cilësoi urgjente nevojën për të rindërtuar një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik, duke e vlerësuar si thelbësor për mundësinë për të realizuar reformat e lidhura me BE-në.

Korrupsioni mbetet sërish shqetësim serioz, përparimi që është shënuar vlerësohet se vjen falë punës së SPAK-ut, ndërsa ka shqetësim për politikën që përpiqet të ndërhyjë.

“Korrupsioni mbetet shqetësim serioz. Raporti vëren disi progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo ndodh për shkak të punës së shkëlqyer të SPAK-ut, i cili ka vazhduar të prodhojë rezultate konkrete përshirë edhe për çështje ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të nivelit të lartë. Edhe në luftën kundër krimit të organizuar, KE-ja sheh disi progres, por edhe kjo falë punës së SPAK-ut. Shqetësimet mbeten sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor”, tha ambasadori i BE-së.

Gonzatoi shprehu keqardhje që nuk ka asnjë përmirësim për lirinë e shprehjes.

“Për fat të keq nuk ka asnjë progres sa i përket lirisë së shprehjes, sidomos për çështje që kanë të bëjnë mbi vendosjen e interesave të biznesit, medias, politikës në këtë drejtim, dhe kushtet problematike të punës së gazetarëve”, theksoi ambasadori i BE në Tiranë.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi Raportin e Progresit real dhe të balancuar. Ai tha se janë vlerësuar të gjitha përpjekjet që ka bërë Shqipëria për të arritur progres në rrugën drejt BE-së e gjithashtu tregon qartë çështjet ku duhet fokusuar për përmirësim.

Rama u ndal më shumë në arritjet e shënuara, si vlerësimi për rritjen ekonomike, procesin e digjitalizimit, reformat në fushën e energjisë, si dhe vlerësimin maksimal për politikën e jashtme.

“Nga viti në vit marrim nota të mira, por jemi shumë të vetëdijshëm se për notën maksimale kemi ende shumë punë për të bërë”, tha Rama.

I pyetur për zhvillimet e fundit politike që lidhen me aksionin opozitar, Rama tha se Qeveria shqiptare është e hapur për diskutime, ndërsa ambasadori i BE-së tha se shpreson që të gjendet rruga për të riangazhuar opozitën, por kjo kërkon angazhimin e dy palëve.

Pakti me Edi Ramën për emigrantët, Meloni: Jam kërcënuar me jetë

Gjatë një interviste për një media vendase, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni deklaroi se për shkak të marrëveshjes për emigrantët me Edi Ramën, ka marrë dhe kërcënimet e para me vdekje nga trafikantët.

Giorgia Meloni zbulon një detaj shqetësues mbi klimën e tensionit të krijuar rreth marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

Megjithatë, kryeministrja synon ta vazhdojë atë memorandum mirëkuptimi deri në fund. ‘ Do të bëj gjithçka që të funksionojë’, siguroi ajo.

‘Argumentet me të cilat gjykata e Bolonjës i kërkon Gjykatës Evropiane të Drejtësisë autorizimin për të moszbatuar një ligj tjetër italian u panë nga shumë njerëz si një argument propagandistik sesa një akt gjyqësor. Argumenti i Gjermanisë naziste është efektiv në një propagandë në nivel ligjor është më i dobët ‘, shpjegoi Meloni.

Dhe përsëri, duke arsyetuar për këtë temë, ajo shtoi: ‘Strategjia e qeverisë po funksionon sepse zbarkimet po pakësohen dhe ne po tregojmë se mund ta ndalim këtë fenomen’, shtoi kryeministrja. sn

Të paktën 95 viktima nga përmbytjet në Spanjë

Banorët në Valencia duke parë nga afër makinat e rrëmbyera nga vërshimi i ujit (30 tetor 2024)

 

VOA/Marrë nga Associated Press

UTIEL, Spanjë – Përmbytjet e mëdha në Spanjë i kthyen rrugët e fshatrave në lumenj, shkatërruan shtëpitë, ndërprenë transportin dhe vranë të paktën 95 njerëz në fatkeqësinë më të rëndë natyrore që ka goditur kohët e fundit këtë vend evropian.

Stuhitë dhe reshjet që filluan të martën dhe vazhduan të mërkurën shkaktuan përmbytje në të gjithë Spanjën jugore dhe lindore, duke u shtrirë nga Malaga dhe deri në Valencia. Përrenjtë me baltë përmbysën me shpejtësi të madhe automjetet në rrugë, ndërsa mbeturinat dhe sendet shtëpiake rrotulloheshin në ujë. Policia dhe shërbimet e shpëtimit përdorën helikopterët për të evakuuar njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe gomone për të arritur tek shoferët e bllokuar mbi makinat.

Shërbimet e urgjencës në rajonin lindor të Valencias konfirmuan të mërkurën 92 të vdekur. Dy viktima të tjera u raportuan në rajonin fqinj Castilla La Mancha, ndërsa Andaluzia jugore raportoi një vdekje.

Dje ishte dita më e keqe e jetës sime”, tha të mërkurën Ricardo Gabaldón, kryebashkiaku i Utielit, një qytet në Valencia, për transmetuesin kombëtar RTVE. Ai tha se gjashtë banorë humbën jetën dhe të tjerë nuk gjenden.

Një burrë duke transportuar ujë të pijshëm (Valencia, Spanjë, 30 tetor 2024)

Një burrë duke transportuar ujë të pijshëm (Valencia, Spanjë, 30 tetor 2024)

Qeveria e Spanjës shpalli tre ditë zie duke filluar nga e enjtja.

Për ata që kërkojnë të dashurit e tyre, e gjithë Spanja ndjen dhimbjen tuaj”, tha Kryeministri Pedro Sánchez në një fjalim në televizion.

Personeli i kërkim-shpëtimit dhe mbi 1,100 ushtarë nga njësitë e reagimit të shpejtë të Spanjës u dislokuan në zonat e prekura. Qeveria qendrore e Spanjës krijoi një komitet krizash për të koordinuar përpjekjet e shpëtimit.

Një qytet i Valencias, Paiporta, pësoi humbje të jashtëzakonshme. Kryebashkiaku Maribel Albalat tha për kanalin RTVE se mbi 30 persona vdiqën në qytetin me rreth 25,000 banorë. Ndër ta ishin gjashtë banorë të një azili për të moshuarit. Edicionet e lajmeve transmetuan pamje të të moshuarve në karrige dhe karrige me rrota në një shtëpi të të moshuarve në Paiporta, disa duke bërtitur me tmerr të dukshëm ndërsa uji u ngjitej mbi nivelin e gjunjëve.

Banorët duke ecur në rrugët e përmbytura të Valencias (30 tetor 2024)

Banorët duke ecur në rrugët e përmbytura të Valencias (30 tetor 2024)

Shërbimi kombëtar i motit në Spanjë tha se ra më shumë shi në tetë orë në Valencia sesa në gjithë 20 muajt e mëparshëm, duke e quajtur përmbytjen “të jashtëzakonshme”.

E vendosur në jug të Barcelonës në bregdetin e Mesdheut, Valencia është një destinacion turistik i njohur për plazhet e saj dhe pemët e agrumeve. Rajoni ka gryka dhe shtretër lumenjsh të vegjël që gjatë pjesës më të madhe të vitit qëndrojnë plotësisht të tharë, por që mbushen me shpejtësi me ujë kur bie shi. Shumë prej tyre kalojnë përmes zonave të populluara.

Spanja ka përjetuar stuhi të ngjashme gjatë stinës së vjeshtës në vitet e fundit. Asgjë, megjithatë, nuk mund të krahasohet me shkatërrimet e dy ditëve të fundit, të cilat të sjellin në mendje përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë në vitin 2021, nga të cilat u vranë 230 persona.

Numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet ndërsa rajone të tjera vazhdojnë të raportojnë për viktima dhe përpjekjet e kërkimit vazhdojnë në vendndodhje që janë të vështira për t’u arritur.

BE-ja thotë se Serbia ka shkelur qartazi obligimet nga dialogu me Kosovën

Bashkimi Evropian ka thënë të mërkurën se Serbia i ka shkelur detyrimet e saj nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar një projektligj për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi projektligjin për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Të mërkurën, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, tha se duke bërë kështu, Serbia ka vepruar në kundërshtim me zotimet e saj në dialogun me Kosovën nën ndërmjetësimin e bllokut.

“Projektligjet e Qeverisë së Serbisë, në mënyrën si janë publikuar paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe janë në kundërshtim me ripërkushtimin e shprehur rishtazi për dialogun”, tha Massralli.

BE-ja ia rikujton Serbisë se është e detyruar t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e nga dialogu me Kosovën, të cilin është duke e zhvilluar nën ndërmjetësimin e bllokut prej vitit 2011, si pjesë e synimeve të saj për integrim evropian.

Ajo i bëri thirrje Serbisë ta rishqyrtojë këtë projektligj, i cili kërkon themelimin e një prokurorie speciale dhe një trupi gjykues special “për t’i ndjekur penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.

Projektligjit thotë se juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd, sipas Qeverisë serbe.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 u pajtuan për zbatimin e tij dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, të pakënaqur me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Këtë vit, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa – si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe – në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.

Kjo e shtyri presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të kërkojë kthimin e serbëve në institucione në shtator.

Ndër kërkesat kryesore të tij ishin, shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut. REL

Gjermania dënon “regjimin çnjerëzor” të Iranit, pas ekzekutimit të shtetasit gjermano-iranian

Një demonstrues mban një fotografi të shtetasit gjermano-iranian, Jamshid Sharmahd, me mbishkrimin “Liro Jamshid” gjatë një demonstrate për lirimin e tij përpara Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin, korrik 2023.

 

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e dënoi të hënën “regjimin çnjerëzor” të Iranit, pas ekzekutimit të shtetasit gjermano-iranian, Jamshid Sharmahd, i cili ishte dënuar për akuza të kontestuara në lidhje me terrorizmin.

Mizan, agjencia e lajmeve e gjyqësorit iranian, raportoi se dënimi me vdekje për Sharmahdin u zbatua më 28 tetor “pasi Gjykata e Supreme e mbajti në fuqi vendimin e gjykatës”.

Baerbock e dënoi ashpër regjimin iranian për ekzekutimin e 69-vjeçarit Sharmahd, duke deklaruar se kjo “tregon edhe një herë se çfarë lloj regjimi çnjerëzor sundon në Teheran: një regjim që përdor vdekjen kundër të rinjve, popullsisë së vet dhe shtetasve të huaj”.

Ajo shtoi se Berlini e ka bërë të qartë vazhdimisht se “ekzekutimi i një shtetasi gjerman do të ketë pasoja të rënda”.

Sharmahd, i cili kishte gjithashtu lejeqëndrimi në SHBA, akuzohej nga Irani se udhëhiqte një grup promonarkist për të cilin Teherani beson se ishte përgjegjës për një sulm vdekjeprurës me bombë në vitin 2008, si dhe për planifikimin e sulmeve të tjera në vend.

Katërmbëdhjetë iranianë dhe 210 të tjerë u plagosën në sulmin në xhaminë Sayyid al-Shuhada Husseiniya në Shiraz, gjatë një ceremonie për ta nderuar imamin Hussein, imamin e tretë të myslimanëve shiitë.

Ministria e Inteligjencës e Iranit akuzoi Sharmahdin për planifikimin e sulmit, një akuzë të cilën familja e tij e hodhi poshtë si “qesharake”.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së e cilësoi trajtimin e Sharmahdit nga Irani si “të gabueshëm” dhe përshkroi si “farsë” gjykimin ndaj tij.

“Ne e kemi bërë prej kohësh të qartë se kundërshtojmë mënyrën se si Irani kryen ekzekutimet, shpesh në një mënyrë që shkel të drejtat themelore të njeriut”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, më 28 tetor.

Sharmahd u arrestua në rrethana të paqarta dhe u akuzua nga Ministria e Inteligjencës e Iranit si i përkiste grupit opozitar iranian Asambleja Mbretërore e Iranit, ose Tondar.

Me seli në Los Angeles, Tondar deklaron se synon ta rrëzojë republikën islamike dhe ta rivendosë një monarki të ngjashme me atë të Kirit të Madh. Ky grup drejton kanale televizive dhe radioje të opozitës proiraniane jashtë vendit, si dhe kanale në rrjetet sociale. REL

Marrëdhëniet me Rusinë e Kinën, ndër pikat kryesore të Raportit të Progresit për Serbinë

Radio Evropa e Lirë

Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, dialogu me Kosovën, si dhe zgjedhjet e parakohshme janë aspektet kryesore të kapitujve politikë në Raportin e Progresit për Serbinë, të përpiluar nga Komisioni Evropian.

Ky raport vjetor, me të cilin vlerësohet përparimi i vendeve kandidate për anëtarësim në BE, pritet të publikohet më 30 tetor.

Por, burime të afërta me Radion Evropa e Lirë kanë pasur tashmë qasje në draftin e tij.

Sipas tyre, Serbia, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, ka vepruar vetëm pjesërisht në përputhje me qëndrimet e BE-së në forumet ndërkombëtare, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Thuhet se Serbia ka vazhduar të bashkëpunojë me BE-në në ofrimin e mbështetjes financiare dhe humanitare për Ukrainën, por vihet në pah se ajo nuk ka respektuar asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë.

Dokumenti thekson se Serbia ka mbajtur një nivel të lartë të marrëdhënieve me Federatën Ruse dhe se ka intensifikuar marrëdhëniet me Kinën – gjë që “ngre pikëpyetje për drejtimin strategjik” të saj.

Në raport, Komisioni Evropian rikujton se nga Serbia pritet që gradualisht ta harmonizojë politikën e saj me qëndrimet e miratuara nga BE-ja, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

Dialogu është kyç

Draft-raporti, po ashtu, thekson se përparimi i Serbisë drejt BE-së do të varet në masë të madhe nga progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Aty thuhet se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e arritur nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në shkurt të vitit 2023, si dhe Aneksi për zbatimin e saj, janë dokumente ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.

“Asnjë formalitet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me miratimin e tij, nuk duhet ta pengojë progresin në zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në draftin e dokumentit, për të cilin është njoftuar REL-i.

Marrëveshja e as aneksi i lartpërmendur nuk janë nënshkruar, sepse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.

Në draftin e Raportit të Progresit thuhet se Serbia dhe Kosova duhet t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut.

Konstruktiviteti i palëve do të vlerësohet vetëm në bazë të asaj që ato zbatojnë, thekson draft-raporti, duke kujtuar se normalizimi mbetet kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

Nga Serbia pritet t’i ndjekë autorët e sulmit në Banjskë

Në draft-raport vlerësohet se gjatë periudhës që mbulon ai, ka pasur tensione të larta në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Aty theksohet se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën vazhdon të ndikohet negativisht nga hapat e pamjaftueshëm të Serbisë për t’i ndjekur përgjegjësit për sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë.

Ky sulm, siç vlerësohet në raport, ishte “përshkallëzimi më i madh i viteve të fundit”.

Sipas draft-dokumentit, BE-ja pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe t’i marrë masat e nevojshme për arrestimin dhe nxjerrjen e shpejtë para drejtësisë të autorëve të sulmit.

Gjithashtu, konsiderohet se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës në prill të vitit 2023, ndikojnë keq në obligimet e Serbisë në dialog.

Draft-raporti kritikon edhe veprimet e autoriteteve të Kosovës në zonat e banuara me shumicë serbe, si: ndalimin e përdorimit të valutave të tjera përveç euros, mbylljen e Postës së Kursimeve të Serbisë dhe mbylljen e zyrave të institucioneve tjera serbe.

Vlerësohet se këto veprime janë në kundërshtim me zotimet e marra në dialog.

Në draft-dokument thuhet se BE-ja ka shprehur vazhdimisht shqetësime për mungesën e vazhdueshme të koordinimit nga ana e Kosovës dhe ndikimin negativ të veprimeve të saj te njerëzit në terren.

Fatkeqësisht, thekson dokumenti, nuk është arritur të gjendet ndonjë zgjidhje e pranueshme reciprokisht për njerëzit më të prekur nga këto veprime.

Ngecje në reforma për shkak të zgjedhjeve të parakohshme

Burimet e Radios Evropa e Lirë, të informuara për përmbajtjen e dokumentit, thonë se raporti i këtij viti thekson se zgjedhjet e parakohshme në Serbi dhe, për pasojë, ndërprerja e funksionimit të Qeverisë dhe Parlamentit “e kanë ngadalësuar progresin e reformave” në këtë vend.

Sipas tyre, raporti thekson nevojën për vullnet të fortë politik, planifikim efikas dhe koordinim të planeve, si dhe burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, në mënyrë që Serbia ta përshpejtojë punën në përmbushjen e objektivave në negociatat e anëtarësimit në BE.

Autoriteteve serbe do t’u kërkohet, po ashtu, ta kenë prioritet komunikimin proaktiv dhe objektiv për procesin e pranimit të Serbisë në BE, si dhe shtypjen e dezinformatave në mediat kombëtare.

Përgatiti: Valona Tela

Raporti i Progresit pritet t’u kërkojë Kosovës e Serbisë zbatimin urgjent të marrëveshjeve

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të obligimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut.

Kjo porosi është përfshirë në draftet e Raporteve të Progresit si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, të cilat do të miratohen në Bruksel në fund të këtij muaji.

Radio Evropa e Lirë u informua për tekstet e tyre, në të cilat të dyja palët rikujtohen se rrugëtimi i tyre drejt BE-së është i kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që tash është edhe formalisht obligim për të dyja vendet.

Në draftin e raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.

Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i evitojnë veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin.

Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Procesi i normalizimit [të marrëdhënieve] vazhdon të ndikohet nga mungesa e hapave të mjaftueshëm nga ana e Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë, që ishin përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”, thuhet në këtë draft-dokument.

Aty kërkohet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë masa të domosdoshme për t’i kapur dhe për t’i nxjerrë shpejt para drejtësisë kryesit e këtyre sulmeve.

Në raport vlerësohet se tensionet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, mbeten të larta dhe përsëriten kritikat ndaj autoriteteve të Kosovës për ato që cilësohen si “veprime të pakoordinuara”, të cilat thuhet se kanë nxitur tensione.

Vazhdimi i bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve konsiderohet si “prapakthim serioz i Serbisë në zbatimin e obligimeve nga dialogu”.

Komisioni Evropian kërkon që palët në dialog ta respektojnë Marrëveshjen për vizitat zyrtare, t’i mundësojnë vizitat e kryenegociatorëve në territorin e vendeve të njëra-tjetrës, si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.

Bëhet thirrje, po ashtu, që funksionimi i nismave rajonale të mos ndikohet nga mospajtimet dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë.

Komisioni Evropian edhe me këtë dokument vjetor i bën thirrje Kosovës që ta nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Aty kërkohet që si bazë për këtë të jetë draft-statuti i propozuar nga disa vende evropiane, i cili u është dorëzuar palëve në tetor të vitit 2023.

Ky propozim, thuhet në raport, është i bazuar në shembujt më të mirë evropianë dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkaq, për propozimin që është dorëzuar nga ana e ekipit menaxhues, i përbërë nga serbët e Kosovës, thuhet se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut, ndaj kërkohet që si bazë të merret pikërisht ai që quhet “propozimi evropian”.

Në draft-raportin për Serbinë thuhet se obligimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve janë pjesë formale e kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në BE, në kapitullin 35.

Kështu që për Serbinë, kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit, dhe normalizimi i raporteve me Kosovën do të kushtëzojnë dinamikën e tërë procesit të integrimit të saj në BE.

Paketa e zgjerimit dhe Raportet e Progresit për dhjetë vende në këtë proces do të miratohen në takimin e Komisionit Evropian të mërkurën, më 30 tetor, në Bruksel.

Do të jetë kjo paketa e fundit që miratohet nga kjo përbërje e Komisionit Evropian, pasi, së shpejti, mandatin e ri pesëvjeçar do ta nisë Komisioni me përbërje të re. REL

Përvjetori i ‘Marshimit në Romë’ tërheq qindra njerëz në kriptin e Musolinit

Rreth gjashtëqind njerëz, të veshur me të zeza, u mblodhën në qytetin verior italian të Predappio të shtunën për të përkujtuar 102 vjetorin e Marshimit në Romë, një ngjarje kyçe në ngritjen e fashizmit.

Procesioni u zhvendos nëpër qytet, duke përfunduar në varrezat San Cassiano, ku shtrihet kripti i familjes Mussolini. Mes të pranishmëve ishin Orsola dhe Vittoria Musolini, stërmbesa të Benito Musolinit.

Përshëndetje private për të shmangur çështjet ligjore

Orsola Mussolini iu drejtua turmës, duke shprehur mirënjohje dhe duke kërkuar një minutë heshtje. Ajo kërkoi që pjesëmarrësit të përmbahen nga bërja publike e përshëndetjes romake për të parandaluar pasojat ligjore. Në vend të kësaj, përshëndetja u krye privatisht, duke respektuar ligjet lokale për rendin publik.

Gjatë ceremonisë, u recituan lutjet e lidhura me traditat e ndihmës dhe legjionarëve, pas së cilës të pranishmit u lejuan të hynin në kripte.

Gazeta e përditshme Il Resto del Carlino raportoi se disa të pranishëm shprehën zhgënjim për përmbajtjen publike, duke shpjeguar se përshëndetja romake ishte e kufizuar në mjedise private për të ‘shmangur ankesat dhe çështjet gjyqësore’. Të tjerë thuhet se e panë atë si një masë të nevojshme.

Pas ceremonisë, pjesëmarrësit vizituan dyqanet lokale të suvenireve në qytet, të vendosura në provincën Forlì-Cesena të Emilia-Romagna, sipas raporteve nga agjencia e lajmeve Ansa .

Marshimi në Romë

Marshi në Romë ishte një ngjarje kyçe në historinë italiane, që u zhvillua nga 27 deri më 29 tetor 1922. Organizuar nga Musolini dhe Partia Nacional Fashiste, marshimi pa mijëra mbështetës fashistë me këmisha të zeza nga e gjithë Italia që u mblodhën në kryeqytetin italian.

Duke u përballur me presionin dhe një konflikt të mundshëm, Mbreti Victor Emmanuel III zgjodhi të shmangte trazirat civile duke ftuar Musolinin të formonte një qeveri, duke shënuar fillimin e sundimit fashist në Itali.

Kjo ngjarje shënoi fillimin e ngritjes së autoritarizmit në Evropë, duke krijuar skenën për diktaturën e Musolinit, e cila do të zgjaste deri në rënien e tij në 1943.

Debatet për fashizmin

Marshi në përvjetorin e Romës vjen ndërsa në Itali zhvillohen debate më të gjera mbi qasjen e qeverisë ndaj të kaluarës fashiste të vendit.

Të mërkurën, Ministria e Mbrojtjes e Italisë u zemërua duke shënuar 82-vjetorin e Betejës së El Alamein, ku forcat italiane që luftonin përkrah nazistëve u mundën nga aleatët.

Nderimi i ministrisë për ushtarët italianë që “dhunë jetën për lirinë tonë” u sulmua nga liderët e opozitës, të cilët thanë se ishte mashtruese të quash veprimet e forcave fashiste luftë për liri.

Qeveria e ekstremit të djathtë të kryeministrit Giorgia Meloni është përballur me thirrje të vazhdueshme për t’u distancuar nga shoqatat neofashiste, me figurat e opozitës që deklarojnë se Italia duhet të jetë më e qartë për ndikimin e fashizmit.

Meloni, kreu i partisë Vëllezërit e Italisë, e cila ka rrënjë në lëvizjet neofashiste të pasluftës, ka dënuar totalitarizmin, por nuk ka komentuar ende për këtë polemikë të fundit./ Euronews – Syri.Net

Presidentja e Gjeorgjisë thotë se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve

VOA/Marrë nga Reuters

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili tha të dielën se ajo nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të shtunën në Gjeorgji. Ajo tha se vendi ka qenë viktimë e një operacioni special rus.

Po kështu vëzhguesit evropianë thanë sot se zgjedhjet në Gjeorgji u zhvilluan në një mjedis “përçarës” me kërcënime të përhapura dhe raste të dhunës fizike, të cilat minuan rezultatin e zgjedhjeve. Gjeogjianët pritej të vendosnin nëse vendi do të vazhdonte rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo do të zhytej më tej nën ndikimin rus. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha sot se partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, fitoi 54.8% të votave ndërsa ishin numëruar 100% të tyre. Vëzhguesit vendas gjithashtu njoftuan për shkelje të shumta në proces dhe thanë se rezultatet “nuk përputhen me vullnetin e popullit gjeorgjian”.

Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë të dielën se një fushë e pabarabartë e betejës elektorale sa i takon financimit minoi besimin tek rezultati dhe ngriti pikëpyetje nëse zgjedhjet ishin të drejta.

“Njoftimet për presionit ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të sektorit publik, ishin të përhapura në këtë fushatë. Kjo, së bashku me gjurmimin e gjerë të votuesve në ditën e zgjedhjeve, ngre shqetësime rreth mundësisë që kishin disa qytetarë, për të votuar pa frikën e ndëshkimit”, tha koordinatori special i OSBE-së, Pascal Allizard.

Zyrtarët e OSBE-së thanë gjithashtu se kishin vërejtur raste të blerjes së votave dhe votimit të dyfishtë veçanërisht në zonat rurale.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëri të ditur të dielën se Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane kishte siguruar më shumë se 54% të votave në zgjedhjet parlamentare të së shtunës, por rezultati u kundërshtua nga opozita.

Të dielën udhëheqësit e dy prej partive opozitare, Tina Bokuchava dhe Giorgi Vashadze thanë se nuk do ta pranojnë rezultatin dhe paralajmëruan ndër të tjera, zhvillimin e protestave.

“Zgjedhjet u vodhën nga oligarku prorus Bidzina Ivanishvili dhe ne, Lëvizja Kombëtare për Unitet nuk do t’i pranojmë ato. Jemi këtu me presidenten, për t’u konsultuar me të dhe do të vazhdojmë konsultimet intensive. Shpresoj që opozita demokratike properëndimore do të bashkohet”, tha udhëheqësja e partisë opozitare Lëvizja Kombëtare për Unitet, Tina Bokuchava.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe udhëheqësi i partisë Ndërtimi i Straegjive, Giorgi Vashdze.

“Qëndrimi ynë është se duhen patjetër protesta, duhet të tregojmë se ne jemi më shumë se ata”, tha ai.

Zonja Bokuchava dhe zoti Vashadze i bënë komentet pas një takimi me presidenten e vendit, Salome Zourabishvili.

Rezultati, shihet si një goditje për gjeorgjianët properëndimorë, që e shihnin procesin si një zgjedhje mes partisë në pushtet, që ka thelluar lidhjet me Rusinë dhe opozitës, që synon të përshpejtojë integrimin evropian.

ISFED, një grup monitorues vendas tha se kishte regjistruar shkelje në proces, përfshirë mbushjen e kutive të votimit me fletëvotime, dhënie ryshfeti dhe frikësim të votuesve, që mund të ketë ndikuar siç tha, tek rezultati.

Përfaqësuesit e grupit thanë se nuk kishte vënë re shkelje thelbësore në procesin e numërimit të votave, shumica e të cilave u numëruan në mënyrë elektronike.

Komisioni Zgjedhor dhe partia Ëndrra Gjeorgjiane thanë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment mbi akuzat e opozitës.

“Fakti që e njëjta parti mund të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian”, thatë shtunën miliarderi dhe themeluesi i partisë Ëndra Gjeorgjiane Bidzina Ivanishvili.

Rezultati i zgjedhjeve ka shkaktuar përçarje mes gjeorgjianëve.

“Nuk jam plotësisht i kënaqur që disa parti, fituan mandate parlamentare. Megjithatë nuk besoj se situata do të përkeqësohet edhe më shumë nga çfarë është aktualisht”, thotë banori i Tbilisit Vahtang Magradze.

“Do të doja që votat mes partisë në pushtet dhe opozitës të ishin shpërndarë në mënyrë të barabartë, do të ishte më mirë për ne. Por, duket se gjërat do të vazhdojnë ashtu siç kanë qenë. Nuk pres asgjë të mirë”, thotë një tjetër banor i Tbilisit Vazha Pophadze.

“Kryesorja është që të ketë paqe dhe nuk ka nevojë të luftojmë me njëri-tjetrin. Është e nevojshme që kombi të bashkohet dhe të gjithë të jenë të lumtur. Nuk ka nevojë të shajmë njëri-tjetrin”, thotë ky banor i Tbilisit që u identifikua vetëm me emrin e tij Mamuka.

“Opozita sillet sikur nuk beson në vetvete. Mendoj se nuk ka humbur çdo shpresë ose se ne do të zgjohemi nesër si rusë. Deri në zgjedhjet e ardhshme do të ketë ndryshuar shumë”,thotë Saba Prunidze, banor i Tbilisit.

Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më properëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik.

Që nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Tbilisit me Perëndimin kanë pësuar rënie. Ndryshe nga shumë aleatë perëndimorë, Gjeorgjia nuk pranoi të vendoste sanksione ndaj Moskës, ndërsa retorika e Ëndrrës Gjeorgjiane është bërë gjithnjë e më pro-ruse.

Zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, të gjitha palët pretendojnë fitoren! Procesi, vendimtar për të ardhmen e vendit

VOA

 

Në Gjeorgji, partia që qeveris vendin si dhe ato në opozitë pretenduan fitoren në zgjedhjet parlamentare të së shtunës. Procesi shihen si vendimtar lidhur me të ardhmen e vendit, nëse ish-republika sovjetike do të vazhdojë rrugën drejt Perëndimit apo do të anojë nga Rusia.

Sondazhet e kryera menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit ofruan parashikime të ndryshme mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas një sondazhi të kryer nga kanali televiziv ‘Imedi’ që mbështet Ëndrrën Gjeorgjiane, partia në pushtet ka fituar zgjedhjet duke siguruar 56% të votave.

Por sondazhet e kryera nga kanalet pro-opozitës ‘Formula’ dhe ‘Mtavari Arkhi’ treguan se partitë opozitare pro-perëndimore, kishin fituar mbështetje të madhe, duke siguruar sëbashku 83 vende në parlamentin me 150 deputetë.

Por katër blloqet kryesore opozitare janë thellësisht të përçara dhe është e paqartë nëse ata do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Bidzina Ivanishvili, themeluesi miliarder i partisë në pushtet, pretendoi fitoren.

“Është një rast i rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë – ky është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian”, tha ai vetëm pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit.

“U siguroj se vendi ynë do të arrijë sukses të madh në katër vitet e ardhshme”, shtoi zoti Ivanishvili.

Në dy vitet e fundit Ëndrra Gjeorgjiane, që qëndron në pushtet që nga viti 2012, i ka dhënë zë retorikës pro-ruse, duke nxitur zemërimin e aleatëve të saj perëndimorë, rreth asaj që ata e konsiderojnë si prirje gjithnjë e më autoritare.

Vëzhguesit e pavarur si dhe Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili – një aleate e dikurshme e partisë në pushtet, shndërruar tashmë në një nga kritiket më të ashpra të saj, akuzuan Ëndrrën Gjeorgjiane për blerje masive të votave si dhe forma të tjera të abuzimit me zgjedhjet.

Ëndrra Gjeorgjiane nuk i është përgjigjur kërkesave për koment lidhur me akuzat.

Opozita pretendoi fitoren dhe tha se ishte në rrugën e duhur për të fituar shumicën.

“Gjeorgjia evropiane po fiton me 52% të votave pavarësisht përpjekjeve për të manipuluar zgjedhjet dhe pa votat e diasporës”, shkruante zonja Zourabichvili në rrjetin social X


Send this to a friend