Korrupsioni kategorizohet si një rrezik i nivelit të parë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, i cili që nga 2014-ta është dokumenti kryesor planifikues për sigurinë kombëtare. Në brendësi të këtij niveli gjenden rreziqet, të cilat kanë gjasa më të larta për t’u shfaqur si dhe pasoja më të rënda në dëm të sigurisë kombëtare dhe krahas korrupsionit, janë të renditur edhe veprimtaria e krimit të organizuar, krizat energjetike, etj. Sa për ilustrim, veprat terroriste dhe veprimtaritë e spiunazhit të huaj renditen respektivisht në nivelin e dytë e të tretë. Në Kodin Penal janë gjithashtu janë të shumta nenet që penalizojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë korrupsionin. Krahas evidentimit dhe objektivave strategjikë për kundërveprimin shtetëror ndaj këtij fenomeni në Strategjinë e Sigurisë, si dhe penalizimit të veprës në fjalë në Kodin Penal, qeveria shqiptare në vitin 2015 miratoi dhe një Strategji të veçantë Ndërsektoriale për të adresuar me përparësi problemin e korrupsionit në periudhën 2015-2020.
Në këtë strategji gjithëpërfshirëse, krahas masave për kundërveprim ndaj korrupsionit, janë vendosur edhe objektivat për t’u arritur. Këta objektiva janë vendosur të vlerësohen nëpërmjet treguesve të përgjithshëm, të cilët janë kryesisht indekse të publikuar nga organizata ndërkombëtare, si dhe tregues specifikë e numerikë, që përcaktohen nga masat që lidhen me zbatimin e objektivave të veçantë institucionalë si dhe numrin periodik të hetimeve proaktive, kallëzimeve, procedimeve dhe dënimeve për korrupsion. Pavarësisht se këta tregues klasifikohen si të ndryshëm, ata ndërthuren pasi efekti i treguesve specifikë ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe treguesit e përgjithshëm, të cilët nxirren nga organizatat ndërkombëtare duke u mbështetur nga të dhënat nga terreni dhe perceptimet e aktorëve të besueshëm që veprojnë në vendet përkatëse. Treguesit e përgjithshëm, gjithashtu janë pak të varur në aspektin e transparencës dhe janë lehtësisht të verifikueshëm edhe nga publiku i gjerë, dhe gjithashtu shërbejnë dhe si informacione të rëndësishme për investitorët e huaj seriozë (ata investitorë që e shohin korrupsionin si risk e jo si oportunitet) që shqyrtojnë vendin tonë për investime të mundshme. Në mungesë të treguesve specifikë, le të shikojmë performancën e Shqipërisë dhe arritjen e objektivave të Strategjisë kundër Korrupsionit, nëpërmjet treguesve të përgjithshëm.
Treguesi i parë i përgjithshëm është Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (IPK), i cili publikohet periodikisht nga “Transparency International”. Ky indeks mat nivelin e perceptimit të shpërdorimit të pushtetit publik për interesa personale dhe ky nivel përllogaritet nga vlerësime gjithëpërfshirëse të një serë organizatash ndërkombëtare, të cilat kanë angazhim konkret në vendet e vlerësuara. IPK është indeksi kryesor dhe më i mirëpranuar botërisht për shqyrtimin e korrupsionit. Vlera e këtij indeksi për vitin 2017 në Shqipëri është 38 dhe në krahasim me vitin 2016, me indeks 39, kemi një përkeqësim të situatës. Gjithashtu, ky ndryshim prej 1 pike ka spostuar me disa vende më poshtë (8 vende) Shqipërinë në renditjen e vendeve sipas nivelit të korrupsionit të perceptuar. Sipas këtij indeksi, Shqipëria gjendet jo vetëm nën mesataren e vendeve të BE-së, ku mesatarja e rajonit arrin nivelin 65 të IPK, por gjithashtu edhe nën nivelin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku mesatarja është 39.5. Pas nesh gjendet vetëm Maqedonia, e cila për shkak të krizës së brendshme politike, në vitet 2015-2016 ka pasur një rritje drastike të nivelit të perceptimit të korrupsionit. Gjithashtu, në brendësi të NATO-s Shqipëria është vendi me perceptimin më të lartë të korrupsionit. Mesatarja e organizatës është 63.
Në 3 vitet e fundit, krahasimisht me periudhën 2012-2014, Shqipëria ka pasur një përmirësim të lehtë përsa i përket këtij indeksi, duke shënuar edhe nivelin më pozitiv të të gjitha kohërave në vitin 2016. Arritja e vitit 2016 mundësoi dhe tejkalimin e planit të përmirësimit, sipas Strategjisë kundër Korrupsion, por rënia e vitit 2017 është një shenjë negative për ecurinë e reformave dhe masave kundër korrupsionit në vend. Një kërkesë e Strategjisë është dhe rritja e performancës se vendit (rënia e nivelit të perceptimit të korrupsionit) duke fituar 1.5-2.5 pikë çdo vit dhe ky objektiv sipas kësaj kërkese është i parealizuar. Shkaqet e kësaj rënieje mund t’i atashohen edhe situatës politike në vend dhe zgjedhjeve parlamentare, të cilat u karakterizuan dhe një shtim i veprimtarive korruptive në sektorin publik, një fakt ky i pranuar dhe nga vlerësimi i OSBE për zgjedhjet.
Treguesi i Kontrollit të Korrupsionit, i publikuar nga Banka Botërore, është një tjetër tregues që mbështetet në perceptimet publike mbi shfrytëzimin e pushtetit publik për përfitim personal, korrupsionin në nivele të ulëta dhe të mëdha, si dhe kapjen e shtetit nga elita dhe interesat e tyre private. Edhe ky tregues matet nga institucione e organizata eksperte të angazhuara në vendet të cilat vlerësohen. Objektivi strategjik për këtë tregues për vitin 2017 është rritja e nivelit të performancës së Shqipërisë në kundërveprimin ndaj korrupsionit për të arritur një vlerësim më të mirë se 34% e vendeve të shqyrtuara. Treguesit për vitin 2017 akoma nuk janë publikuar nga Banka Botërore, por pavarësisht kësaj, sfida shqiptare për këtë tregues ka gjasa të jetë si në rastin e mëparshëm, ruajtja e progresit në krahasim më vitin 2016, kur Shqipëria ia ka dalë të renditet në nivelin 41%, pra e ka tejkaluar para kohe objektivin e vendosur jo vetën për vitin 2017, por edhe atë për vitin 2020.
Treguesi i radhës është produkt i një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili evidenton problemet kryesore në Mjedisin e Sipërmarrjes dhe Investimeve, i njohur dhe si studimi BEEPS. Një studim i tillë kryhet sipas kërkesës dhe vetëm për vende të caktuara. Studimi i fundit për Shqipërinë, i vitit 2013 ka evidentuar korrupsionin si një nga problemet kryesore të mjedisit sipërmarrës dhe investues të vendit dhe objektivi për vitin 2017 sipas Strategjisë është rënia e korrupsionit nga treshja e parë e problemeve. Përderisa studimi BEEPS nuk është zhvilluar më që nga viti 2013, është i pamundur vlerësimi i arritjeve nëpërmjet këtij treguesi.
Treguesi i radhës është indeksi i korrupsionit i publikuar në raportin e përvitshëm të vendeve në tranzicion nga ana e organizatës joqeveritare amerikane “Freedom House”. Edhe ky indeks mat nivelin e korrupsionit në vende të ndryshme, duke u nisur nga vlerësime ekspertësh dhe metodologji të pranuara gjerësisht. Objektivi i Strategjisë për vitin 2017 është marrja e një vlerësimi nën nivelin e 4.5 pikëve për indeksin e korrupsionit, i cili merr vlera nga 1 në 7, ku 1 është niveli më i lartë i progresit dhe 7 niveli më i ulët. Për vitin 2017, sipas raportit të “Freedom House”, Shqipëria është rivlerësuar për të pestin vit rresht me 5.25 pikë. Qartësisht, nëpërmjet këtij treguesi, tregohet se masat kundër korrupsionit të ndërmarra nga Shqipëria nuk kanë qenë të mjaftueshme për një vlerësim më të lartë dhe gjithashtu se ky objektiv nuk është arritur.

Treguesi i fundit i përgjithshëm përcaktohet nga përmbushja e rekomandimeve të Grupit të Vendeve kundër Korrupsionit, i njohur dhe si GRECO, një grupim i vendeve të Këshillit të Europës të angazhuara në zvogëlimin e korrupsionit në vendet e organizatës e më gjerë. Në vitin 2014, GRECO zhvilloi në Shqipëri raundin e 4-rt të vlerësimit të masave kundër korrupsion dhe lëshoi 10 rekomandime specifike të përqendruara në parandalimin e korrupsionit dhe konfliktin e interesit në radhët e gjyqtarëve, prokurorëve dhe parlamentarëve. Objektivi i Shqipërisë për vitin 2017 ishte zbatimi dhe implementimi i plotë i rekomandimeve të GRECO. Ky objektiv nuk është arritur, pasi aktualisht Shqipëria ka zbatuar plotësisht vetëm 1 nga 10 rekomandimet, ndërsa 9 rekomandimet e tjera janë zbatuar vetëm pjesërisht.

Nga shqyrtimi rast pas rasti i objektivëve të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, në lidhje me treguesit e përgjithshëm, vërehet dështimi shtetëror në arritjen e objektivave të paracaktuar në këtë fushë. Progresi i dobët në këtë aspekt vihet re edhe nëpërmjet raporteve të institucioneve të pavarura vendëse si Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili vëren një rritje të dëmit ekonomik ndaj shtetit në masën 36% në vitin 2017 (826 milionë euro) nga viti 2016 (534 milionë euro) si pasojë e shkeljeve e parregullsive të ndryshme.
Ndërkohë, progresi i dobët kundër korrupsionit është një pengesë serioze edhe për aspiratën kryesore politiko-ekonomike shqiptare, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Shprehimisht, në Komunikatën e Komisionit drejtuar institucioneve të tjera evropiane për perspektivën e zgjerimit dhe rritjes së angazhimit të BE në vendet e Ballkanit Perëndimor, korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe institucioneve përbën një nga tri problemet madhore të përbashkëta për vendet në fjalë.
Dështimi i vërtetë i Strategjisë kombëtare kundër Korrupsionit dhe i institucioneve qeveritare në Shqipëri nuk është vetëm sprapsja e progresit ndaj korrupsionit në vitin 2017, por sidomos mungesa e përparimit domethënës në këtë fushë në periudhën 2014-2017 në krahasim me atë të para 2013-ës. Vlerat negative të treguesve për vitin 2017 mund të konsiderohen si humbje taktike, të pajustifikueshme, por të kushtëzuara dhe nga rrethanat specifike politike të vendit (viti zgjedhor, bllokimi i reformës në drejtësi, etj.), por bllokimi në të njëjtin pellg kohor dhe hapësinor kaq të ngushtë korrupsioni është një humbje strategjike e pafalshme.
- Edval Zoto është anëtar i certifikuar i Shoqatës së Ekzaminuesve të Certifikuar të Mashtrimeve, me seli në Austin, TX, SHBA dhe lektor ndërkombëtar mbi çështjet e mashtrimit, korrupsionit dhe riskut të investimeve në vendet në zhvillim.
PËR INSERTE:
“Sot, vendet shfaqin elemente të kapjes së shtetit, ku përfshihen lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të institucioneve dhe gjithashtu një ngatërrim i fortë i interesave publike me ato private”. – Pjesë nga Komunikata e Komisionit Evropian për perspektivën e zgjerimit dhe angazhimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor.
Komentet