Për çdo komb të qytetëruar Dëshmorët janë lavdia e krenaria e tij, ndër vlerat më të çmueshme, që nderohen nga të gjithë. Në historitë, enciklopeditë e botime të ndryshme, kudo Atyre u kushtohet vëmendje e veçantë. Për ta janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen libra, monografi e artikuj pafund. Kudo nëpër sheshet e kryeqyteteve e qyteteve të Europës e më gjerë, sheh monumente, buste e pllaka në kujtim të tyre, rrugë e sheshe, shkolla e institucione me emrat e tyre. Në shumë institucione, shkolla e universitete janë të shkruar me germa të arta emrat e dëshmorëve ta dalë prej aty.
Në Shqipëri vdekja nderohet si në pak vende të tjera. Respekti që kemi ne shqiptarët për të afërmit tanë që nuk jetojnë më, pak kund ndeshet ndër popujt e tjerë.
Respekti për dëshmorët
Por a e kemi ne shqiptarët respektin e nderimin e duhur për Dëshmorët e Atdheut?
Krahas fjalëve të mira që mund të thuhen, më shumë për t’i bërë qejfin vetes, pa frikë mund të them se jemi larg, madje tepër larg popujve e vendeve të tjera. Realiteti e faktet janë kokëforta. Shihni varrezat e Dëshmorëve nëpër Shqipëri, shihni monumentet e bustet e ndërtuara për ta, shihni çfarë thuhet e shkruhet në disa raste kundër tyre, shihni sa aktivitete zhvillohet në kujtim të veprës së tyre, shihni se si i vënë shpesh herë bashkë Dëshmorët me vrasësit e tyre, pavarësisht sa është e vërtetë, por vetëm në Shqipëri mund të flitet për prishje e shpërnguljen e varrezave të Dëshmorëve të Kombit për qëllime mafioze… kështu mund të vazhdohet.
Sa dëshmorë kemi?
Po filloj me kryesoren. A e dimë ne shqiptarët e Shqipërisë se sa Dëshmorë kemi? Deri tani askush nuk mund të flasë me shifra të sakta, me dokumente. Kur nuk di sa Dëshmorë ke, nuk ke si ia di vlerat kësaj pasurie të pallogaritshme, si mund të flasësh për të tjerat?
Megjithatë në këtë shkrim do të përpiqem të trajtoj në radhë të parë problemin e Dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare.
Të gjithë ne që kemi jetuar në periudhën e para vitit 1990, ishim mësuar, apo si të thuash, ishim familjarizuar me shifrën 28 mijë Dëshmorë të Luftës Nacional-Çlirimtare. Kjo shifër përmendej vend e pa vend. Por duke ju referuar dokumenteve, rezulton se në materialet zyrtare dhe në disa botime serioze e të përgjegjshme të asaj periudhe, nuk flitet për 28 mijë Dëshmorë, por për 28 mijë të vrarë ose nganjëherë të rënë.
Disa shkrues e të ashtuquajtur historianë gënjejnë, mashtrojnë, falsifikojnë pa pikë turpi ato që janë thënë nga Enver Hoxha e disa të tjerë për këtë problem.
Në Konferencën e Paqes ( 2 gusht 1946) në Paris, Enver Hoxha, duke folur për Luftën e popullit tonë kundër pushtuesve nazi-fashistë ka thënë: “Sakrificat e popullit tonë kanë qenë shumë të mëdha. Me një popullsi prej 1 milion njerëzish, 28 mijë të vrarë…..”. Pra Enver Hoxha nuk ka përmendur fjalën Dëshmorë, megjithëse, një vit më parë, Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar kishte nxjerrë një Ligj të posaçëm, sipas të cilit përcaktohej se kush duhej quajtur Dëshmor dhe nga Komisioni i krijuar posaçërisht për këtë qëllim, deri në këtë kohë (gusht 1946), ishin shpallur rreth 2 mijë Dëshmorë, (deri në fund të vitit 1946 janë shpallur 2696 Dëshmorë).
Duket se kjo shifër nuk është shpikur apo krijuar nga Enver Hoxha e bashkëpunëtorët e tij. Në kuadrin e punës të Administratës së Kombeve të Bashkuara Për Ndihma Humanitare dhe Rehabilitimin (UNRRA) për përcaktimin e të vrarëve dhe dëmeve materiale gjatë Luftës Dytë Botërore në Europë, për Shqipërinë ajo ka arritur në përfundimin se “Humbjet njerëzore në Shqipëri kanë qenë 28-30 mijë vetë”.
Është tepër interesant një shkrim i gazetës “Bashkimi i Kombit” organ zyrtar i Qeverisë Kuislinge, nën pushtimin gjerman, në editorialin e dt. 22 tetor 1944 (pra vetëm pak ditë pa u çliruar Shqipëria) titulluar “Mjaft më!” ku ndërmjet tjerave thuhet :
“Sipas një statistike, që kur shkeli Italia në vendin tonë, më 7 prill 1939 e gjer më sot, janë vrarë në veprime luftarake kundra okupatorit, ose për pasojë të luftës që prej të huajve është zhvilluar në tokat tona, njëzetetetë mijë shqiptarë”.
Duke gjykuar nga këta shembuj, rezulton se në atë kohë, të gjithë ata që janë marrë me këtë problem, kanë arritur në përfundimin se gjatë Luftës Dytë Botërore, në Shqipëri janë vrarë rreth 28 mijë vetë, pra nuk është shifër e shpikur nga komunistët…. pasi këtë shifër kanë përmendur edhe kuislingët, edhe Administrata e OKB-së.
Dhe me të drejtë shtrohet pyetja, sa është numri i saktë i të vrarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri? Askush nuk është në gjendje të japë përgjigje të saktë, sepse askush deri më sot nuk ka nxjerrë një listë të plotë, me të gjitha të dhënat e duhura. Siç shtrohet dhe pyetja tjetër, këta 28 mijë shqiptarë të vrarë, si duhen konsideruar: dëshmorë, martirë, viktima apo ç’emër u duhet vënë? Përndryshe, siç thonë nga Malësitë e Veriut, ata shkojnë “gjak hupë”.
Kush konsiderohet dëshmor?
Por ne nuk kemi vetëm Dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare. Kemi edhe shumë të tjerë, madje në tërë historinë tonë, kemi shumë më tepër se dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare, pavarësisht nga mungesat në dokumente. As për këta Dëshmorë të Atdheut nuk kemi një numër të saktë. Madje edhe për Dëshmorët e mbas çlirimit të Shqipërisë e deri në ditët tona, kanë filluar të “ngatërrohen” letrat dhe nga njëherë harrohen e nuk përmenden ata që janë shpallur të tillë me vendime të rregullta…
Pa marrë përsipër të trajtoj problemet e shumta që lidhen me Dëshmorët e Atdheut, por duke pas parasysh pasaktësitë, shtrembërimet, spekulimet, falsifikimet e deri baltosjen e Dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare, do të përpiqem të trajtoj kryesisht problemin e tyre, si dhe disa paqartësi e probleme që kanë lindur e që për mendimin tim duhen korrigjuar.
Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, Dëshmor është ai “Që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore, ai që fal jetën për të mirën e popullit e të Atdheut”. Po t’i referohemi fjalorëve të gjuhëve të huaja dhe ligjeve të vendeve të tjera, shohim se për shembull, italianët dhe francezët përdorin fjalën Martir i Atdheut, ndërsa rusët i quajnë “Të rënët për Atdhe”. Përcaktimet për dëshmorët apo martirët janë të përafërta, pavarësisht nga disa ndryshime që lidhen me traditat, specifikat apo historinë e vendeve të ndryshme. Fjalori i Gjuhës Shqipe për fjalën martir thotë: “Ai që vuan e jep jetën për një çështje të shenjtë (për çlirimin a për mbrojtjen e Atdheut, për drejtësinë shoqërore etj); Dëshmor”. Pra sipas fjalorit tonë, fjala Martir është pothuajse sinonim i fjalës Dëshmor.
Kur flasim për Dëshmorët e Atdheut kemi parasysh të gjithë Dëshmorët e Atdheut, pavarësisht, të Luftës Dytë Botërore e të para Luftës, që shkon, të paktën deri tek Rilindja, Lidhja e Prizrenit, e kryengritjet e atyre viteve, e deri në ditët tona.
Ligji i parë për Dëshmorët e Atdheut që mund të konsiderohet një Akt zyrtar është ai i vitit 1922, sipas të cilit ligjërohej pensioni për familjarët e Dëshmorëve, sipas Ligjit “Për pensionet ushtarake”. Por Akti ishte mjaft i mangët, sepse, ndërmjet tjerave nuk përcaktonte se kush mund të quhej Dëshmor.
Nga kërkimet në arkivat tona, nuk rezulton të kemi një listë të saktë e të plotë se kush e ka përfituar këtë pension. Pra për këtë periudhë nuk mund të flitet me saktësi, me fakte e dokumente për numrin e atyre që konsideroheshin në atë periudhë Dëshmorë
Mbas çlirimit të vendit, një ndër aktet e para të Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar, ka qenë Ligji nr.109, dt.29 gusht 1945 “Mbi shpërblimin e familjeve të Dëshmorëve dhe t’invalidëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, si dhe t’atdhetarëve ose familjeve të tyne, që i kanë sjellë shërbime të çmueshme Atdheut gjatë Rilindjes Kombëtare”.
Duke e parë ligjin me vëmendje shihet se, megjithëse lihej hapësirë e gjerë për shpalljen Dëshmor, problemi i shpërblimit të familjeve të tyre apo invalidëve, dilte në plan të parë. Sipas Nenit 2 të këtij ligji:
“Konsiderohen Dëshmorë të Luftës Nacional Çlirimtare të gjithë elementët e Lëvizjes Nac-Cl. që deri më datën 9 maj1945, kanë dhënë jetën brenda ose jashtë Shqipërisë:
Në luftë kundra okupatorit në radhët e Ushtrisë Nac. Çlirimtare;
a)Nga plagët ose sëmundjet e ndryshme të marra gjatë kohës që ka qenë në radhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare
c)Gjatë veprimtarisë së tyre çlirimtare në mbrapavijat e anmikut deri në luftën me të ose gjatë torturave e internimeve brenda e jashtë Shqipërisë”.
Me këtë frymë është aprovuar dhe Neni 18 për patriotët e Rilindjes, sipas të cilit:
“Komisioni i parashikuar prej kësaj ligje shqyrton gjithashtu gjendjen e patriotëve që kanë punuar për Rilindjen Shqiptare ose të familjeve të tyne, që gëzonin ose jo në të kaluarën rrogë jetike dhe me frymën dhe procedurat e kësaj ligje u akordon shpërblim që mund të meritojnë”.
Pra sipas këtij ligji, bëhej fjalë vetëm për shpalljen apo njohjen e statusit të Dëshmorit vetëm për të rënët gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Në Ligj nuk bëhej fjalë për Ata që kishin dhënë jetën për Atdhe para 7 Prillit 1939.
Për zbatimin e këtij Ligji u krijua një Komision i posaçëm pranë Ministrisë së Financave, i cili filloi menjëherë punën dhe punoi shumë për të evidentuar Dëshmorët, krahas të tjerave, me qëllimin, për t’u ardhur në ndihmë ekonomike sa më shpejt familjeve të tyre. Tërheq vëmendjen fakti se, për hartimin e listave të dëshmorëve u angazhuan të gjitha institucionet zyrtare të kohës, që nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste (që u kërkoi listat e dëshmorëve të gjitha Komiteteve Qarkore të Prefekturave dhe nen/Prefekturave), Komitetet Ekzekutive të Prefekturave, Komanda e Lartë e Ushtrisë (të gjitha repartet e njësitë ushtarake, hartuan listat e Dëshmorëve të njësive të tyre) etj. Në Arkivin e Shtetit dhe të Forcave të Armatosura ekzistojnë qindra e qindra dokumente e lista me emrat e atyre që ishin shpallur Dëshmorë si dhe të atyre që sipas hartuesve të dokumenteve (Qarkore të Partisë Komuniste të Prefekturave nen/Prefekturave, Komitete Ekzekutive të Prefekturave, Komanda njësish e repartesh ushtarake etj.) konsideroheshin Dëshmorë.
U zhvilluan korrespondenca të pafundme midis institucioneve të sipërpërmendura ku u përmendën me mijëra e mijëra emra të vrarësh në luftë, që, po t’i referohesh edhe ndryshimeve që iu bënë Ligjit të gushtit të v.1945 (Dekret Ligji Nr.252 dt.27 maj 1946, shtojca Nr.323 dt. 4 shtator 1946, shtojca Nr.341 dt.28 tetor 1946 ) u krijuan dosje pa fund me emrat e dëshmorëve, por që asnjëherë nuk doli numri i saktë i tyre dhe kryesorja, as në atë kohë kur numri i të shpallurve dëshmorë ishte jo i madh, nuk u hartua një regjistër i plotë dhe i saktë, ku të përfshiheshin të gjithë.
Dëshmorë apo komunistë?
Duke ju referuar materialeve që ndodhen në Arkivin e Shtetit dhe në Arkivin e Forcave të Armatosura, nuk mund të jepet një shifër e saktë. Megjithatë, përafërsisht, për këtë periudhë, sipas dokumenteve, janë shpallur rreth 4000 Dëshmorë, nga të cilët, sipas statistikave të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, rreth 1400 prej tyre kanë qenë komunistë (Anëtarë Partie, Kandidatë Partie dhe të Rinj Komunistë). Sipas dokumenteve që ndodhen në arkivat tona rezulton se në këtë shifër nuk janë përfshirë disa mijëra të tjerë që, siç do flasim më poshtë, janë shpallur Dëshmorë më vonë, ose që janë shpallur dhe nuk janë të përfshirë në librin Dëshmorëve të Atdheut ( botuar në vitin 2012) pa folur për shumë të tjerë, që për arsye të ndryshme, nuk janë shpallur deri më sot.
Sipas dokumenteve të atyre viteve, për një periudhë të gjatë u ngadalësua, për mos të thënë u ndërpre dhënia e statusit Dëshmor i Atdheut.
Në vitin 1969 u aprovua Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 4558 dt.18.10.1969 “Mbi Dëshmorët e Atdheut”. Dekreti ishte tepër i shkurtër. Sipas Nenit 2 të këtij Dekreti “Shpallja e një personi Dëshmor bëhet me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit”.
Sipas Nenit 1, që ishte dhe neni kryesor, kuptohet, i ideologjizuar, shpalleshin dëshmorë të Atdheut;
a)Të gjithë ata që kanë dhënë jetën duke luftuar kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm për lirinë, pavarësinë kombëtare, demokracinë ose për kauzën e proletariatit dhe vendit të tyre.
Sipas Nenit 2 që ishte kryesori i këtij Dekreti, ku përcaktoheshin kushtet që duheshin plotësuar për shpalljen Dëshmor, hapësira ngushtohej shumë, mbasi mund të shpalleshin Dëshmorë vetëm “Ata që kishin dhënë jetën për çlirimin e Atdheut dhe të popullit duke luftuar në forma të organizuara të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë dhe tradhtarëve të Atdheut…..”. Në këtë mënyrë përjashtoheshin shumë të tjerë që kishin dhënë jetën në luftë, por që nuk kishin bërë pjesë në forma të organizuara të Lëvizjes, si për shembull në kampet e përqendrimit brenda e jashtë Shqipërisë, që kishin shërbyer si korrierë, që kishin strehuar partizanët e që ishin vrarë për këtë shkak, që ishin vetëvrarë apo vrarë aksidentalisht, megjithëse kishin qenë në radhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare etj.
Me gjithë kufizimet e këtij Ligji, sipas dokumenteve zyrtare, vendimeve të Komiteteve Ekzekutive të Rretheve, në periudhën 1969-1988 janë shpallur mijëra Dëshmorë. Megjithatë përsëri nuk kemi një Regjistër Kombëtar apo Libër, me emrat e të gjithë Dëshmorëve të Atdheut të shpallur, kështu që askush nuk mund të thotë shifrën e saktë deri në atë kohë.
Nuk del e qartë se përse udhëheqja e asaj kohe vendosi të ndërpritej pothuajse krejtësisht dhënia e statusit të Dëshmorit. Sipas Dekretit Nr.7199 dt.29.01.1988, Ligji i vitit 1969 u ndryshua, duke ia hequr të drejtën Komiteteve Ekzekutive për shpalljen Dëshmor i Atdheut, të vrarë gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe kryesorja ishte se, sipas këtij Dekreti, shpallja Dëshmor i Atdheut, mund të bëhej vetëm “Në raste të jashtëzakonshme nga Kryesia e Këshillit të Ministrave”.
Por në këtë Dekret nuk thuhej asgjë për Dëshmorët e tjerë të rënë para 7 prillit 1939, ose që mund të humbnin jetën në kohën e tanishme dhe që plotësonin kushtet për t’u shpallur Dëshmor, çka mund të krijonte hapësira për keqkuptime apo keqinterpretime, siç edhe ndodhi në të vërtetë gjatë viteve të mëvonshme.
Dëshmorët ballistë
Tërheq vëmendjen një vendim i Këshillit të Ministrave Nr.103 dt.5.4.1990, sipas të cilit, 91 italianë të vrarë në Shqipëri, gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, që kishin luftuar përkrah partizanëve shqiptarë, u shpallën Dëshmorë.
Mbas ndryshimit të sistemit, deri në vitin 2000, pra deri aprovimin e Ligjit të ri kemi vetëm një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 24.9.1992, sipas të cilit u shpallën dëshmorë 33 anëtarë të Ballit Kombëtar të vrarë në Grehot (Gjirokastër) më 14 shtator 1943, pra mbasi kishte kapitulluar Italia Fashiste… Tërheq vëmendjen fakti se vendimi i Këshillit të Ministrave nuk e përcaktonte se ku mbështetej për dhënien e Statusit Dëshmor, sepse në Dekretin Nr.4558 të vitit 1969, (në qoftë se mund t’i referoheshin këtij Dekreti) “Mbi Dëshmorët e Atdheut”, përcaktohej qartë, se Statusi i Dëshmorit mund t’i jepej vetëm atyre “Që kishin luftuar në forma të organizuara të Lëvizjes Nacional Çlirimtare….”. Dihet që Balli Kombëtar, jo vetëm që nuk ka qenë pjesë e Lëvizjes Nacional Çlirimtare, por ka qenë kundërshtar, madje bashkëpunëtor i pushtuesit nazist dhe ka luftuar kundër Lëvizjes. Ndoshta për shpalljen e tyre Dëshmor duhej ndryshuar Legjislacioni. Gjithsesi mbetet problem interpretimi në se ky vendim ka qenë i bazuar në Ligj apo vendimi ka qenë thjesht politik….
Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se nuk duhej t’i jepej, apo t’i jepet edhe sot Statusi i Dëshmorit asnjë ballisti, sepse kishte prej atyre që u vranë duke luftuar kundër pushtuesve, ose në aksione e demonstrata kundër tyre. Kemi shembuj që u është dhënë Statusi i Dëshmorit edhe para vitit 1990…
Një “sitë e re” për dëshmorët
Duke parë se ligjet e dekretet e mëparshme linin hapësirë për keqinterpretime, Kuvendi aprovoi Ligjin e ri Nr.8607 dt.27.4.2000 “Mbi statusin e Dëshmorit të Atdheut”.
Mbi bazën e Ligjit të ri, Këshilli i Ministrave nxori dhe urdhrin përkatës Nr.1803 dt.10.6.2002. Më vonë, me Ligjin Nr.9243, dt.17.06.2004 dhe Ligjin Nr.9650 dt.27.11.2006 u bënë disa ndryshime, në dukje jo të rëndësishme (në thelb politike, që ndëshkonin dhe hiqnin një lloj pensioni që gëzonin familjarët e Dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare). Megjithatë Komisioni vazhdon punën deri ditët e sotme sipas këtyre ligjeve dhe udhëzimit të Këshillit të Ministrave.
Me gjithë përmirësimet, edhe ky Ligj kishte të meta dhe nuk krijonte hapësirën e duhur për dhënien e Statusit Dëshmor i Atdheut edhe shumë të rënëve të tjerë që e meritonin këtë status. Duhet theksuar se ky Ligj kishte një të metë të madhe që e ka ngatërruar edhe më keq problemin e përcaktimit të numrit të saktë të Dëshmorëve. Sipas këtij Ligji, Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut, krahas të drejtës për dhënien e Statusit të Dëshmorit, ngarkohej edhe me njohjen e Statusit të dhënë më parë nga Komisionet e ngritura për këtë qëllim, nga Komitetet Ekzekutive të Rretheve apo Këshilli i Ministrave.
Sipas këtij Ligji “Pranë Këshillit të Ministrave Krijohet Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit , i cili vendos për njohjen ose jo të Statusit të Dëshmorit, në bazë të propozimit të bërë nga Këshilli i Qarkut apo Prefekti”, gjë ka sjellë që mijëra Dëshmorë të shpallur sipas të gjitha rregullave më parë, të mbeteshin pa u përfshirë në listat e reja. Dhe kjo kuptohet, sepse Këshillat e Rretheve apo Prefektët, për arsye nga më të ndryshmet, nuk kanë bërë propozimet e duhura për njohjen e Statusit edhe për ata mijëra Dëshmorë të shpallur më parë.
Kjo ka sjellë si pasojë që deri tani, Komisioni ka kaluar për njohje të Statusit dokumentet e vetëm 4948 Dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare si dhe ka shpallur për herë të parë 284 Dëshmorë të Atdheut. Dhe kjo sepse ai ka shqyrtuar vetëm dokumentet e ardhur nga Këshillat e Qarqeve apo Prefektët.
Në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të forcave të armatosura, Ministria e Mbrojtjes mori një iniciativë, që duhet përshëndetur, për hartimin e një libri të posaçëm, kushtuar Dëshmorëve të Atdheut të të gjitha kohërave. Libri i botuar në v.2012, përmban emrin e dëshmorit, vitin e lindjes, vendin e rënies, numrin e vendimit dhe datën e dhënies së Statusit Dëshmor i Atdheut.
Në libër jepen të dhëna për rreth 11 mijë Dëshmorë të të gjitha kohërave, nga të cilët afro 7 mijë prej tyre janë Dëshmorë të Luftës Nacional Çlirimtare.
Sipas materialeve që ndodhen në Kryesinë e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, hartuar mbi bazën e dokumentacionit të Qarqeve, nga viti 1945 e deri më sot, kanë e marrë zyrtarisht Statusin e Dëshmorit të Atdheut 10159 vetë. Sipas këtyre materialeve, janë edhe një numër i madh Dëshmorësh të shpallur, por që mungojnë vendimet e Komisioneve përkatëse, si dhe një numër tjetër i madh të vrarësh gjatë Luftës, por që për mungesa ligjore nuk e kanë marrë akoma Statusin e merituar.
Siç shihet numrat që jepen për Dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare janë të ndryshme, sepse deri më sot nuk është bërë një studim i plotë dhe i saktë.
Vandalizmi
Mbas valës shkatërrimtare të fillimit të viteve 90-të që përfshiu fabrika e uzina, vreshta e plantacione agrumesh e mollësh, kanale vaditëse e kulluese etj. turmat e çoroditura, fatkeqësisht iu lëshuan dhe varrezave të Dëshmorëve, busteve e përmendore të tyre, akt i pa parë në historinë njerëzimit.
Por në qoftë se për shkatërrimin e fabrikave, uzinave, veprave bujqësore etj., pra për shkatërrimin e të mirave materiale, askush nuk fliste e nuk dilte hapur e të mbronte vandalët që shkatërronin Shqipërinë, që në fillim të vitit 1991 u dëgjuan zëra kundër Luftës Nacional-Çlirimtare e Dëshmorëve të saj. Fatkeqësisht, me kohë, këta zëra u ashpërsuan dhe gradualisht u kthyen në shpifje e urrejtje kundër Luftës e madje edhe kundër Dëshmorëve…
Nuk dua të zgjatem me ato që janë thënë e janë shkruar për të mohuar Luftën Nacional Çlirimtare, për ndryshimin e datës së çlirimit (madje për këtë, në vitin 1992, lobe të caktuara detyruan edhe Kuvendin Popullor të asaj kohe të bënte një veprim të pa dëgjuar askund, jashtë çdo kompetence të një parlamenti, të ndryshonte datën e çlirimit të Shqipërisë), për të ashtuquajturën Luftë Civile që qenka zhvilluar në Shqipëri, për “kontributin” që paskan dhënë Balli Kombëtar e organizata të tjera bashkëpunëtore të pushtuesit nazi-fashist, për “kontributin e patriotizmin” e kuislingëve, gjatë kësaj lufte etj. Ata që kishin pushtetin filluan të dekoronin, madje me Medaljet e Urdhrat më të lartë të Shqipërisë disa prej kriminelëve që kishin vrarë apo kishin qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve në vrasjet e internimet e Dëshmorëve. Nuk do merrem me shkatërrimet e varrezave të Dëshmorëve, monumenteve, busteve, pllakave përkujtimore të krijuara e të ndërtuara në nderim të tyre, heqjen e emrave të Dëshmorëve rrugëve, shkollave, apo edhe heqjen e monumenteve e busteve të tyre, por do të ndalem në numrin e Dëshmorëve të kësaj Lufte, temë e trajtuar disa herë në mediet tona.
Gjithë këto vite, krahas dhunimit e përbaltjes së emrit të shenjtë të Dëshmorëve, disa bij të bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazi-fashistë dhe disa servilë të Partisë Punës së asaj kohe, e të Partisë Demokratike të kohës së sotme, apo disa të ashtuquajtur studiues e historianë, në kuadrin e mohimit të Luftës së madhe të popullit shqiptar kundër pushtuesve nazi-fashistë, janë kapur e vazhdojnë të kapen tek numri i Dëshmorëve të rënë në këtë Luftë e te falsifikimet që paska bërë Partia e Punës.
Kontraste
Është fakt se, krahas nderimit të veprës së Dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare dhe të Dëshmorëve të tjerë, gjatë periudhës para vitit 1990, është bërë shumë dhe, as që mund të krahasohet me atë që kanë bërë të gjitha qeveritë e këtyre 25 vjetëve të fundit. Në atë kohë u ndërtuan varrezat e Dëshmorëve në të gjitha qytetet, u përjetësuan emri i shumë prej tyre nëpërmjet veprave artistike, filmave, pikturave, librave, monumenteve, busteve, emrave të rrugëve, shkollave, etj. etj.
Por krahas këtyre është e vërtetë se jo rrallë u spekulua me emrin e veprën e Dëshmorëve, madje disa përfituan padrejtësisht në emër të tyre… Padrejtësisht përdorej vend e pa vend shifra 28 mijë Dëshmorë, kur në të vërtetë askush nuk e dinte numrin e saktë të tyre dhe, askush nga udhëheqja e asaj kohe nuk tha “Ndal, nuk kemi 28 mijë Dëshmorë”. I mbetet faji atij sistemi që, nëpërmjet ligjeve e vendimeve, ndonjëherë të padrejta, që shumë prej atyre që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut nuk morën Statusin e Dëshmorit, siç i mbetet përgjegjësia udhëheqjes së asaj kohe, që nuk bëri një bilanc të saktë dhe të hartohej një Libër apo Regjistër i plotë me të gjitha të dhënat e duhura, për Dëshmorët e të gjitha kohërave, ashtu siç e kanë shumë vende demokratike.
Sigurisht debatet, diskutimet, materialet studimore etj., rreth kësaj teme, kur bëhen me qëllimin e mirë, ndihmojnë të arrihet në përfundime e shifra sa më afër të vërtetës.
Këto dhe dobësi tjera të asaj kohe, kërkojnë të shfrytëzojnë ajo kategori, që vitet e fundit, duke u marrë me numrin e Dëshmorëve dhe, që nuk e kanë hallin te numri, por duan të hedhin baltë mbi ta dhe veprën e tyre,thonë e shkruajnë gjëra nga më të pabesueshmet.
Disa flasin e shkruajnë se nuk ka pasur më shumë se 1500 Dëshmorë, të tjerë jo më shumë se 2000 etj. Madje ndonjë ka arritur që “me dokumente” të “vërtetojë” se kanë qenë vetëm 1141 Dëshmorë.
Përgjigje Teodor Karecos
Nuk do zgjatem e t’u përgjigjem atyre që kanë shpifur e i kanë e baltosur Dëshmorët si kanë dashur. Po duke qenë se Teodor Kareco, ka shkruar një libër rreth 400 faqe, titulluar “Jo 28 Mijë Dëshmorë Partizanë, Vetëm 3500”, që i kushtohet tërësisht këtij problemi, do të përpiqem me pak fjalë të them se si ai manipulon e mashtron me shifra, grafikë, vendime etj. duke shtrembëruar e mohuar të vërtetat.
Që në fillim dua të njoh lexuesin se si, në librin e tij, ai fyen e ofendon disa nga historianët, publicistët, politikanë tanë, madje disa prej tyre personalitete të shquara në fushat e tyre. Ja si i etiketon T.Kareco ata: “Rexhep Qosja – akademiko – profesor i pacipë, Kristo Frashëri – kryemashtrues, Bamir Topi – di më shumë pse “dhia e mban bishtin përpjetë”, lakej të tipit Pjetër Arbnori, një farë Spartak Ngjela – sharlatan, dështak e i degjeneruar, Blendi Fevziu – kolaboracionist, sharlatan, Ksenofon Krisafi – fundamentalist, Ndonjë që e radhit veten si historian, si puna e Paskal Milos e Pëllumb Xhufit” etj.
Solla këta shembuj për të kuptuar më mirë se me kë ka të bëjë lexuesi….
Që në titull ai e përcakton numrin e Dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare, vetëm 3500 vetë. Por në libër ai është kontradiktor me veten, sepse diku thotë kanë qenë 2 mijë, diku 4 mijë e si përfundim – 3500.
Në punën e tij ai vërtet ka shfrytëzuar disa dokumente të Arkivit të Shtetit, por vetëm gjysmën, sepse ai merret vetëm me vendimet e dhëna nga Komisioni deri në dt.5.7.1948. Mbas kësaj date, sipas tij, nuk është shpallur më asnjë Dëshmor.
Ai nuk flet fare për Dëshmorët e shpallur mbas aprovimit të Ligjit të vitit 1969, sipas të cilit, Komitetet Ekzekutive të Rretheve kanë shpallur mijëra Dëshmorë, dokumentet e të cilëve ndodhen në arkivat tona, në Arkivin e Shtetit, Arkivin e Forcave të Armatosura, në Arkivat e Rretheve etj.
Megjithatë, pavarësisht si mashtron ai me shifra, duket e pabesueshme, madje e dhimbshme se si është e mundur që dikush që e quan veten njeri, të arrijë në fyerje të tilla për ata që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën, për çlirimin e Atdheut. Ja çfarë shkruan ai për Dëshmorët: “Ata janë faqja e zezë e kombit… Në këtë kategori unë do të përfshija edhe Qemal Stafën e shokët e tij komunistë”. Ai hedh edhe idenë, në se komunistët e vrarë në luftë duhen quajtur apo jo dëshmorë… Deri këtu mund të arrijnë mendjet e mbrapshta antishqiptare.
Sigurisht që nuk ia vlen ta ulësh veten e të merresh me të tillë “studiues”, por u zgjata me të, sepse kjo kategori kërkon të helmojë opinionin me shpifje, gënjeshtra e mashtrime…
Kush do ta shkruajë “Librin e Artë”?
Shqetësues për mua është fakti se askush deri më sot nuk është marrë seriozisht me hartimin e një Libri të Artë, siç do e quaja unë, ku të përfshihen emrat e të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për Atdheun gjatë historisë tonë.
Siç përmenda më sipër, duhet përshëndetur nisma e Ministrisë Mbrojtjes për punën e bërë për hartimin e librit “Dëshmorët e Atdheut”. Por pavarësisht nga puna e kryer, duhet thënë se ai është me mungesa e gabime të mëdha.
Në këtë libër nuk janë përfshirë qindra e mijëra Dëshmorë që e kanë marrë me kohë Statusin e Dëshmorit të Atdheut me vendime të rregullta nga Komisionet përkatëse. Kështu nga disa kërkime që kam bërë nëpër arkivat tona, kam gjetur lista të tëra Dëshmorësh që nuk janë përfshirë në atë libër.
Do sjell disa shembuj.
Nga letra e Qarkorit të Elbasanit dt.6.5.1946 (firmosur nga sekretari Pleurat Xhuvani), nga lista prej 50 Dëshmorësh që përmban kjo shkresë, 33 prej tyre nuk janë përfshirë në këtë libër, sipas shkresës së Qarkorit të Beratit dt.10.5.1946 (firmosur nga Xhoxhi Blushi) nga lista prej 42 Dëshmorëve që përmban kjo shkresë, 17 vetë nuk janë në libër, nga shkresa e Qarkorit të Durrësit dt.10.5.1946 (firmosur nga Adil Çarçani) nga lista prej 30 Dëshmorësh, 11 prej tyre nuk janë përfshirë në libër. Kështu mund të vazhdohet me shembuj edhe me shkresat e Qarkorëve të tjerë të asaj kohe. Ose nga 6 Dëshmorë të vrarë në luftën e Reçit (Malësi e Madhe) kundër pushtuesve italianë, vetëm njëri e ka emrin në këtë libër. Sipas një dokumenti të Qarkorit të N/Prefekturës së Kavajës të vitit 1946, nga 10 të vrarë në kampet naziste të përqendrimit, asnjëri prej tyre nuk e ka emrin në libër. Kështu mund të vazhdohet edhe me shumë shembuj të tjerë….
Por mungesat në libër janë edhe më të dukshme për Dëshmorët e shpallur nga Komitetet Ekzekutive të Rretheve, në vitet 1969-1988. Qindra dokumente me listat e Dëshmorëve të shpallur në këto vite ndodhen në Arkivat tona, por që nuk janë shfrytëzuar prej atyre që janë marrë me hartimin e këtij libri.
Kjo përsa i përket Dëshmorëve të shpallur.
Pikëpyetjet
Problem i mprehtë dhe i hapur mbetet dhënia e Statusit të Dëshmorit për shumë të tjerë që, duke gjykuar nga veprimtaria e tyre duhet ta kishin marrë me kohë, por për arsye të ndryshme, e në radhë të parë për mangësi të ligjeve të mëparshme, kanë mbetur pa këtë Status. Kështu për shembull, nga 5118 të internuar nga pushtuesit nazifashistë në kampet e përqendrimit në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, 1250 prej tyre kanë vdekur ose janë vrarë në këto kampe. Por shumë prej tyre akoma nuk e kanë marrë Statusin e Dëshmorit. Mjafton vetëm një shembull. Vetëm në vitin 2000, me një vendim të Këshillit të Ministrave u është dhënë Statusi i Dëshmorit 74 të internuarve që u zhdukën në kampet naziste. Dhe kjo vetëm në saje të interesimit e kërkesave të familjarëve e të afërmve të tyre… Po qindra të tjerë që nuk e kanë marrë akoma!?
Në Komisionin për dhënien e Statusit të Dëshmorit, janë shqyrtuar disa raste, vërtetë të dhimbshme, por që sipas ligjeve ekzistuese nuk mund t’i jepet Statusi. Nuk lejon ligji të shpallet dëshmore një vajzë 18 vjeçare që ishte pushkatuar nga gjyqi partizan sepse dikush e kishte akuzuar për probleme morali, megjithëse kemi një precedent, rastin e Ramize Gjebresë (pushkatuar për të njëjtën arsye nga gjyqi partizan), të cilës i është dhënë Statusi i Dëshmorit, ose rastin e një djali të ri, as 20 vjeç, që kishte mbi dy vjet partizan, që e akuzuan për vjedhjen e një defteri me letra duhani dhe u pushkatua nga gjyqi partizan dhe, Komisioni nuk mund t’i japë Statusin e Dëshmorit.
Përmenda këto raste por kemi shumë raste të tjera që ligji e kufizon dhënien e Statusit, në mënyrë të veçantë përkufizimet “duke luftuar me armë në dorë” ose “në formë të organizuar” etj.
Vërtetë i është dhënë Statusi i Dëshmorit shumë italianëve të vrarë duke luftuar kundër pushtuesit nazi-fashist, përkrah partizanëve (sipas librit Dëshmorë e Atdheut 123 vetë) por sipas dokumenteve ka edhe të tjerë që nuk janë përfshirë në libër. Tërheq vëmendjen se përse për anglezët e amerikanët e vrarë në Shqipëri nuk është bërë e njëjta gjë. Janë dekoruar, respektohen e nderohen në çdo përvjetor etj., por në librin e Dëshmorëve të Atdheut nuk figurojnë emrat e tyre.
Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, në vitin 1992, disa Kryesi të Këshillave të Rretheve, në kundërshtim me Dekretin Nr.7199 dt.29.1.1988, jashtë çdo kriteri ligjor, filluan të shpallnin në masë Dëshmorë, çka e detyroi Kryeministrin e asaj kohe, që me shkresën 13.4.1993, t’u tërhiqte vërejtje dhe t’i urdhëronte që “të prishnin vendimet e marra dhe të pezullonin këtë praktikë antiligjore”. Nuk del e qartë në se ata vazhdojnë të konsiderohen dëshmorë, apo janë prishur vendimet e marra…
Probleme të jashtëzakonshme kemi me të rënët para 7 prillit 1939 dhe veçanërisht me ata që kanë dhënë jetën në Kryengritjet antiosmane, në luftërat e vazhdueshme me fqinjët, sidomos ata veriorë, në mbrojtje të lirisë dhe tokave shqiptare. Mungesat në dokumentacione e vështirësojnë tepër punën, por është detyrimi ynë dhe i brezave që vijnë ndaj tyre, që të paktën, të mësojmë historinë e tyre dhe t’u njohim Statusin e Dëshmorit. Sigurisht kjo kërkon punë e angazhim nga shumë institucione studimore e shkencore. Sipas disa studiuesve, Shqipëria, që nga viti 1870 e deri në ditët tona ka rreth 50 mijë të vrarë në këto luftëra që meritojnë Statusin e Dëshmorit. Mbetet detyrë e studiuesve të nxjerrin të vërtetën për ta dhe përcaktojnë shifra sa më afër realitetit.
Duke qenë se kanë lindur shumë probleme të kësaj natyre, kohët e fundit ka filluar puna për përgatitjen e një projekt-Ligji të ri për Statusin e Dëshmorit, ku parashikohet të shmangen disa nga problemet e lindura nga praktika e këtyre viteve. Dhe jo vetëm për Dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare, por për të gjithë të rënët, në të gjitha kohërat deri në ditët e sotme.
Duke u njohur me shumë dokumente të Dëshmorëve të Atdheut, pashë një vendim, sipas të cilit ishin shpallur Dëshmorë të Atdheut katër të vrarët nga një akt terrorist te Supermarketi VEFA në vitin 1996. Nuk e di ku janë bazuar ata që e kanë vendosur, por lindin shumë pyetje, se si duhen trajtuar ata që mund të vriten nga aktet terroriste, sepse mund të kemi përsëri ngjarje të dhimbshme nga akte të tilla, prandaj hartuesit e Ligjit të ri duhet t’i kenë parasysh të gjitha këto raste.
Po kështu lindin shumë pyetje lidhur me ata që kanë humbur jetën, mbasi kanë kryer detyrën, dhe janë vrarë apo aksidentuar duke u kthyer në shtëpi. Ose për shqiptarët që humbin jetën jashtë kufijve të Shqipërisë në mbrojtje të drejtave të popullsisë shqiptare atje, në mbrojtje të Flamurit Kombëtar, në mbrojtje të çështjes Kombëtare, etj.
4 të vrarët më 2 prill 1991 në Shkodër, me të drejtë u shpallën Dëshmorë. Por tërheq vëmendjen fakti se, megjithëse kanë kaluar mbi pesë vjet, edhe sot e kësaj disa nuk i është dhënë Statusi i Dëshmorit 4 të vrarëve më 21 janar 2011, në mes Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, para ndërtesës së Kryeministrisë, njëlloj si 4 Dëshmorët e Shkodrës të vrarë para ndërtesës së Komitetit Partisë Punës të asaj kohe…
Prej vitesh në Shqipëri funksionon Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut, e cila është e shtrirë në të gjithë vendin, organizon aktivitete të ndryshme në kujtim të tyre, ka realizuar disa botime për Dëshmorët, boton revistën “Pavdekësia” etj., por që gjithë aktiviteti i saj zhvillohet mbi baza vullnetare. Në ndryshim me vendet demokratike të Europës, ku Organizata të tilla njihen ligjërisht dhe mbështetën materialisht me të gjitha mënyrat nga shteti, në Shqipëri, deri më sot, asnjë qeveri nuk e ka mbështetur atë. Shpresojmë që me Ligjin e ri, Qeveria ta mbrojë e ta ndihmojë këtë Organizatë Kombëtare.
Duke parë se problematika e Dëshmorëve të Atdheut është tepër e gjerë dhe, shumë probleme që lidhen, që me evidentimin e të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për Atdhe, problemet e shumta që lindin çdo ditë, lidhur me mbrojtjen e interesave të tyre dhe familjeve të tyre, me ligjshmërinë, me mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e varrezave, monumenteve, busteve, emrave të tyre, me krijimin e dokumentacionit të plotë për të gjithë Dëshmorët e Atdheut etj. etj. mendoj se ka ardhur koha që në Shqipëri të krijohet një institucion i posaçëm shtetëror për këtë qëllim. Kjo bëhet e domosdoshme, për më tepër, sepse sot askush nuk merret në rrugë shtetërore me këto probleme.
Pavarësisht si mund të quhej, Instituti i Dëshmorëve të Atdheut, apo ndonjë emër tjetër, ai mund të ngrihet pa pas nevojë për shtesa në organikë. Sot pranë Ministrisë së Mbrojtjes ekziston një grup pune prej 7 vetash që merret vetëm me përgatitjen e materialeve për Komisionin e Statusit Dëshmor i Atdheut, që pothuajse e ka mbaruar misionin e vet. Instituti i Dëshmorëve të Atdheut, duhet të ketë si detyrë, krahas të tjerave, nxjerrjen nga arkivat të dokumentacionit të plotë për çdo Dëshmor dhe mbi bazën e vendimeve të Komisioneve të mëparshme, t’ia paraqiste Komisionit të Statusit të Dëshmorit vetëm për njohje.
Kjo do ta thjeshtonte shumë punën dhe mbi këtë bazë, të hartohej Libri i Artë (siç do ta quaja unë) që do të përmbajë jo vetëm numrin e saktë e Dëshmorëve të Atdheut, por edhe të dhënat kryesore për secilin. Sigurisht një institucion i tillë kërkon specialistë të mirëfilltë nga fusha të ndryshme dhe kryesorja, njerëz të përkushtuar.
*Anëtar i Komisionit Qendror për Statusin “Dëshmor i Atdheut”
Komentet