Nga Lek Pervizi
Poterja metalike e çangës së madhe të kampit u vërsul e papërmbajtur në të gjitha skutat e barakave. Vrapoi mes korridoreve të skelave të krevateve dykatëshe, ku të burgosurit flinin të stivosun bri njëri tjetrit si sardele, mbi do shtresa të pista e të pa lamë, prej ditës që edhe ato ishin ba pjesëtarë të burgjeve. Ajo krismë shurdhuese hyni nën batanijet duke ngacmue egërsisht veshët e të denuemve deri në thellësi të trunit. Shpërthyen shamje e mallkime nga ma të ndryshmet. As për të fjetun nuk kishin të drejtë! Gjumi ishte i vetmi shpëtim nga mundimet e përditshme. Ç’kishte ndodhun? Mos i hiqnin që andej? Kontroll? Mos ishte arratisun kush?
Më kot kërkonin t’i jepnin shpjegim ramjes së parakohshme të çangës, aq herët dhe aq të stërgjatun. Zakonisht, ajo binte për zgjimin dhe apelin, për lugicën e gjellës dhe racionin e bukës, si dhe për nisjen për në punë. Çdo mëngjes në ora pesё. Por kësaj radhe nuk ishte si zakonisht. Patjetër diçka kishte ngja. Kur pushuan rropamat e çangës, nisen britmat kërcënuese të policëve, që i nxitnin të dilnin përjashta sa ma shpejt.
Kishte fillue të agonte. Malet nga lindja spikasnin blu-mavi mbi sfondin e qiellit që po merrte një ngjyrë rozë nga rrezet akoma të largëta të diellit, që orvatej të rikthehej ku kishte qenë ditën përpara, në të njëjtën orë. Askush prej të burgosurve nuk i vinte re asaj shfaqje të bukurisë së natyrës. Ishin të zhytun të gjithë në hallet e tyre të trishta. A do të mund t’i shpëtonin atyre rraskapitjeve të pa fund e krye?
Tremijë veta u rreshtuan sipas kompanive përkatëse në sheshin mes kapanonëve duke përshpëritun midis tyre rreth pse-së së këtij tubimi të jashtëzakonshëm. Sendet kishin fillue të dalloheshin gjithnjë e ma mirë. Para tyre qëndronte vetë komandanti i kampit, me disa oficerë e plot policë të armatosun.
Dhjet metra ma tutje dukej një shtyllë, e mbi atë shtyllë i lidhun suxhuk me tel korrenti, një njeri. Ata të rreshtave të parë u tronditën. Genci! Emni tij kaloi gojë në gojë e, arriti deri te rradhët e fundit, sa hap e mbyll sytë. Genci? Cili Genc? Genz Pervizi. Genz Pervizi? Pse? Qyshë? Natën para e kishin rrasun në tendën e izolimit. E kishin zhdepun në dru. Ç’kishte ndodhun? Mërmëritjet pushuan në çast, kur u dëgjue zani i fortë e i vrazhdë i komandantit:
-Mbani qetësi…! Qetësi! Ra një heshtje e randë, që u thye nga po ai zë i ashpër, i çjerrun dhe i trashë.
-A e dini pse ju kemi ngritur kaq herët sot? Ja, për shkak të këtij shokut tuej, Genc Pervizit, të birit të gjeneral Prenk Pervizit.
Të këtij armiku të betuar të popullit e të partisë, i arratisur në Greqi, ku kërkon të veprojë kundër nesh bashkë me t’arratisur e tradhtarё të tjerë të mbledhur rreth tij. Ky e ka ndihmuar të atin për t’u arratisur dhe tani kërkon të na e hedhë, duke u fshehur pas një mbiemër tjetër. Tani ta shohë se sa i vlen lëkura! Aty të ngordhë pas shtyllës, qeni i bir qenit!
Të burgosurve të shkretë iu hyni frika mos vallë, e vrisnin Gencin aty para syve të tyre. Kushedi ç’u kishte shpik truni atyre katilëve!
-Ju vetë duhet të ia jepni dënimin e merituar, vazhdoi komandanti, do të kaloni pranë tij e ta pështyni. Kuptuat? Ai që nuk e bën, do të ndëshkohet edhe më keq! Hajt, filloni. Pështyjeni!
Rojet u hapën e zunë pozicione me automatikët ndër duar. Të burgosunit u detyruan të kalojnë pranë të lidhunit, duke u orvat që pështyma të mos arrinte në trupin e tij. Ec e mos e zbato urdhrin e komandantit fodull!
-Në surrat ta pështyni! Në surrat! Morët vesh? Gërthiste oficeri i rojës, i gatshëm me tregue servilizmin barbar të tij. Ndërkaq drejtori, oficerët e policët gajaseshin mes tyre. Talleshin e zgërdhiheshin me kënaqësi sadiste, që për ta ishte një shfaqje zbavitëse.
Genci kishte ngulitun sytë për tokë për të mos venë në pozitë të vështirë shokët, që zemër thyem e të trishtuem ishin të detyruem të kryenin atë gjest neveritës. Ma në fund sheshi u boshatis. Të dënuemit pasi hëngrën racionin e gjellës të mëngjesit, morën rrugën për te kanali i Vloçishtit. Rojet rrinin anash, para e mbrapa si hiena të tërbueme.
Komandanti me suitën u mbyllen në zyrat e tyre. Aty mbeti shtylla, e pas shtyllës i lidhun, Genci, si në filmat me indianё lёkurёkuq. I kishte provue të gjithё llojet e torturave, por s’do t’i kishte shkue ndërmend kurrë se një ditë do të gjendesh i mbërthyem ashtu pas një huni dhe se do të pësonte atë trajtim të poshtër që, ta pështynin vetë shokët e vuajtjeve dhe të mundimeve!
Por mendja e xhelatëve kishte aftësi për të shpikun tortura nga ma të stërholluemet e barbare. Kjo ishte një veçori e spikatun e komunistëve të Lindjes, që ua kishin mësue e imponue Leninёt e Stalinёt, sipas metodave të asaj GPU-je, që, kishte ba kërdinë në popullin e vet, duke sakatue e shfarosë jo me mija por me miliona viktima të pafajshme. Komunistët shqiptarë kërkonin të u a kalonin padronëve të tyre, duke u tregue ma të zellshëm e ma katilë në zbatimin e torturave dhe të krimeve.
Në kundërshtim me traditat e karakterin fisnik të shqiptarit, që kurrë nuk e kishte ulë veten në të tilla veprime shtazarake e sadiste. Shqiptari vriste për hakmarrje, por ama e respektonte armikun e vdekur, t’ue ia kthye trupin mbarë e tue ia vendosun pushkën pranë. Nuk e përmbante tradita që, mbi armikun të ushtroheshin tortura shtazarake!
Heshtja e madhe e solli në vete Gencin, që sikur kishte kalue në një gjendje kllapie. Atëhere i ndjeu dhimbjet e trupit e lodhjen raskapitёse. I’u shfaq përsëri skena e pështymjes dhe fytyrat e trishtueme të burgosurve që kalonin para tij. E zuni një dëshpërim i madh që, mund ta gremiste në një pesimizëm depresiv, pa rrugëdalje. Nuk arrinte të përqendrohej në asnjë mendim, aq i çoroditun kishte mbetun nga shpirtligësia e xhelatëve. Si t’ia punonte ashtu njeriu-njeriut dhe aq ma keq, shqiptari shqiptarit?
Ne këtë gjendje të dëshpërueme, pa e ditun as vetë se si, iu dha me shfry me zë të naltë:
-O Zot mos më braktis!! Më shpëto ose më merr jetën! Iu kujtue thirrja e Krishtit të gozhduem në kryq, atje mbi Golgotën. Sikur ndjeu një lehtësim dhe një parandjenjë të çuditshme shpëtimi. Roja që sillej aty vërdallë u ndal dhe iu hakërrue:
-Ore!… Kujt i flet ti…?! Mbylle gojën apo kërkon të hash dru. Nuk të mjafton që je i lidhur pas atij huri dhe i bërë tërë jarg pështyme për ibret?
Dielli kishte arritë të dalë pas maleve dhe rrezet e tij po fillonin të bëhëshin përvëluese. Gencit po i dukej sikur i kishin vendosë një saç me prush mbi kokë, por kishte dhe ma keq. Nisen të vërsulёn mbi trupin e tij mizat, nga të katër anët, me mija e miliona. I kishin braktis barakat dhe WC-të, të joshun nga ushqimi i këndshëm dhe i shijshëm i pështymës jargore me të cilën ishte përlye trupi i Gencit. Ato shëtisnin pa teklif mbi të gjitha miset e shtatit të tij.
Ma e keqja ishte kur suleshin mbi fytyrën. Mbi buzët, mbi sytë, nëpër vrimat e hundës e të veshëve. Ku i gjenin pjesët e zbulueme të trupit. Tortura që po i shkaktonin mizat, ua kalonte shumë të tjerave. Insektet e fëlliqun kishin gjetur parajsën në atë ferr që përjetonte i burgosuni. Mundimet e këtij ishin të papërfillshme ndaj kënaqësisë së tyre. Genci po zbulonte një filozofi jetësore të çuditshme. Vuajtjet e tij kishin arritë kulmin, e kulm për kulm, edhe mizat kishin arritë kulmin e lumturisë! Një kontradiktë e madhe parimesh.
Kjo i përshtatej gjendjes politike të shekullit njëzet. Komunizmi me zbatimet e parimeve të veta, kishte krijue atë filozofi, ku shtresa ose klasa e tyre kishte të drejtë të sundonte e të përfitonte privilegje, në kurriz të shtresave ose klasave të tjera të mposhtura, të cilat ishin caktue që të zhdukeshin nga faqja e dheut, për të iu lanë fushë të lirë veprimi vetëm komunistëve. Kështu që persekutimet, si n’andërr familjarët, gjyshja, nana, babai, vllaznit…..humbi ndjenjat.
Rrethanat që e çuan Gencin në atë shtyllë, u krijuan rastësisht. Një incident. Ai ndoshta mund t’i kishte shpëtue atij lloj dënimi, por jo masave edhe ma të këqija e të rënda, po t’ishte se ai do të kishte qenë i njohun që në fillim se i biri i kujt ishte. Kur i sollën në kampin e Maliqit në pranverën 1949, dhe bëhej apeli sipas listave përkatëse, mbiemri i tij u shqiptue me një deformim, Pervaza në vend të Pervizi, nga kapteri lexues, që s’kishte as një klasë shkollë.
Genci nuk i vuni rëndësi asaj pune, sepse shpesh ndodhte që emnat të thërriteshin me gabime. Në fund të fundit, ma mirë të mos i dilte mbiemri i saktë. Si Genc Pervizi, i biri i gjeneralit Prenk Pervizi, mund ta merrnin nëpër këmbë e ta pësonte keq, në atë kamp shfarosje, ku për ma të voglin pretekst të shkonte dhe jeta. Siç kishte ndodhun me disa të tjerë.
Ai rrinte në grup me disa Mirditas, ilaka, miq e dashamirë si Mark Doçi, dajë i nanës; Dod Bardhoku e Preng Paçuku, kushërinj të nanës e, daja të tij; Ded Gjomarkaj, kushëri e nip, etj. Marku, oficer akademist, kapiten i Gardës Mbretërore, pastaj major dhe adjutant i babës tij, ishte një ushtarak i rreptë dhe i përpiktë, i mësuem me disiplinë e parimor në kulm.
-More Genc, i kishte thanë disa here, si e pranon këtë ndryshim të mbiemrit? A e din se i kujt burri dhe i kujt fisi je? Duhet të jeshë krenar për mbiemnin tand!
-Po pse nuk thua, or Mark, shyqyr që ai kapteri nuk di me lexue. A po do që të më rrjepin për së gjalli!
– Lene rehat djalin, kishte ndërhye Dod Bardhoku.
I gjithë kampi e di se kush asht dhe i kujt bir asht. E sa për komandën, punë e madhe. Aq ma mirë që ia kanë ngatërrue emnin. Mirë e ka Genci. Mund ta venë në shënjestër e, ta gjeje ndonjë rrezik!
Kishte arritë gjysma e korrikut. Po afrohej kthimi në burg. Burgu iu dukej parajsë karshi mundimeve e torturave të këtij kampi mizor të punës. Kanali i Vloçishtit ishte një skëterrë e vërtetë. Të burgosurit ishin katandisun në hije të vetvetes. Shumë kishin lanë jetën, nga vuajtjet, mundimet e dhunat e përditshme. Disa kishin mbetun të vramë nga plumbat e rojeve kriminelë. Të tjerë kishin përfundue të mbuluem nga balta e kanalit përbindësh.
Piramidat e faraonëve të lashtësisë ishin kthye në kanale vigane të faraonëve modernë, ku me mija qenie njerëzore trajtoheshin ma keq se kafshët. Ndërsa ata të vjetrit besonin në idhuj prej druni, guri e metali, ose në lopë, viça, cjepën, çakaj, shpendë e gjarpinj, këta bolshevikët modernë nuk besonin në gja për gjaje.
Feja e tyre ishte filozofia e profetit të madh, Karl Marx, marksizmi; pastaj ajo e psikopatit të Uraleve Leninit, leninizmi; se fundi shtohej dhe filozofia i gjakatarit kaukazian, Stalinit, stalinizmi, i cili kishte arritë të vrasë dhe babanë e vet.
Ky, tue pasë studiue në Biblën, si Zoti kishte krijua njeriun (kur u nis për prift e doli djall), i vuni kapak gjithkah, tue sajue, sipas shëmbëlltyrës së tij disa Stalina xhuxhmaxhuxhë, për hapësirën e vogël shtetërore ku sundonin, por përbindësha për krimet që kryenin!
Po të ringjallej Marksi, do të vinte duart mbi kokë e do të shpallte shpejt e shpejt një manifest tjetër “Manifestin Kapitalist“, për ta kthye rrotën e historisë në vend, së cilës i kishte dhanë një përshpejtim të mbrapsht. Fatkeqësisht, Manifesti“ i parë komunist, ishte kthye në “Bibël“, ku asgjësoheshin të gjitha vlerat njerëzore, shpirtërore, morale e materiale, e njeriun shndërrohej në një qenie frymëmarrëse amorfe, kafshë apo vegël pune, deri edhe fije bari (tue qenë se kosa ose drapni e kishte ma lehtë të korrnin bar). Marks, Marks, ku i pate mendtë e kresë! Hodhe gurin e fshehe dorën! Me siguri se ke përfundua në ferr.
T’ishte Dante-ja gjallë, do ta kishte gjetë vendin e përshtatun. Por Luçiferit nuk u hyjnë në punë, as mjekra as truni yt. Mjekrën ai e ka si të cjapit e trunin të përsosun me dije kozmike. Të mbrapshta por praktike. Vetë Perëndia e kishte pasë krahun e djathtë të tij. Mund të duket paradoksale, por ai del si një shërbëtor i kujdesshëm i vetë Zotit, pavarësisht nga dënimi që mori prej tij. Pse? Po ja, kush asht kundër Zotit, i keq e kriminel, mëkatar, katil e gjakatar, fap cfurkun, e drejt e në flakën e skëterrës, për t’u përcëllue mirë e mirë për jetë të jetës.
Drejt e në shoqninë pa klasa, apoteoza e komunizmit. Marksat, Engëlsat, Leninat e Stalinat e pasardhësit e tyre xhuxha, si ai Enver kasapi, s’kanë pse mërziten, sepse atë që trumbetuan e gjetën. Ç’nuk realizuan në këtë jetë e kanë gjetë në tjetrën. Rreshken pak në flakën përcëlluese, por ma mirë pak i skuqun e i pjekun se i ngrimë akull kallkan! Megjithatë, gjithçka asht relative, dikujt i pëlqen zjarri, dikujt suferima polare. Dikujt vapa e madhe, dikujt dimni i madh. De gustibus….non disputandum est!
Le të kthehemi në tregimin tonë. Genci e dinte mirë se ç’e priste po ta vinin në shënjestër, dhe kjo shënjestër ishte pikërisht mbajtja e mbiemrit Pervizi.
Edhe sepse e dielë e pushim, të burgosurit u zgjuan në po atë orë të herët mëngjesore nga rropama e çangës, që i thirrte për apel e për të marrë racionin e bukës dhe lugicën e çorbës së nxime të kazanëve prej zinku. Mbas kësaj ceremonie torturuese u kthyen në barakat tue u shtri mbi shtresat e tyre për të pushue kockat e dërmueme.
Dielli përjashta po përvëlonte letër katramatë e çative. Përbrenda vapa bëhej e padurueshme, por nabare qëndronin nën hije. Diellin nuk e duronin dot. Ylli i flakët jetëdhënës ishte për ta torturë e vdekje. Ai u rrinte gjithë ditën pingul mbi krye dhe u a kishte rreshkë e regjë lëkurën si shollë opinge.
Dikush thoshte se trutë tashmë ishin pjekun për lezet e meze ma të mirë nuk kishe ku me gjetë! Humori nuk u mungonte të burgosurve edhe në atë gjendje të pa shpresë. Kapanoni gumëzhinte nga bisedat e shakatë. Në mes asaj gjullurdie papritur, u dëgjue zani i fortë dhe i kumbueshëm i tellallit të kampit. Ky përhapte poshtë e lart urdhrat e komandës dhe thirrjet për takim, që zakonisht lejoheshin vetëm të dielave.
-Genc …..Genc Pervaza….në takim!…Genc Pervaza në takim!
Të burgosurit e thirrnin Gencin me mbiemrin e saktë dhe talleshin me transformimin që i bënte kapter Hazbiu në apel. Njeni nga të burgosurit, i kishte bë vërejtje kapterit se ai emën, mund të ishte shkrue gabimisht Pervaza, në vend të Pervizi. Kapteri ishte inatosun:
-Ç’më kujton ti mua….një analfabet? i ishte përgjigjun kërcënueshëm. Ec e fol po deshe. Ai që i bëni vërejtjen ishte një i ish profesor i njohun i gjuhës shqipe. Genci nuk kishte luajt nga vendi. Mos ishte fjala për dikë tjetër. Por ne fakt, me mbiemrin Pervaza nuk kishte.
-E po pra, do të jetë për Genc Pervizin, e shpotisnin shokët. Po ty ç’të duhet, për deri sa të thërrasin me emnin…zyrtar…të kapter Hazbiut…? Ai s’asht analfabet. Gja s’humbet…mund të jetë ndonjë njeri i yti…ndodhin dhe mrekullitë.
Genci u nis mendueshëm. Kush mund t’ishte? Thue prap Rika, argjendari nga Korça? Ai kishte pasë guximin t’i vinte në takim me një thes plot me ushqime, nga fillimi i prillit, kur i sollën në atë kamp. Po ashtu, me atë emën e kishin thirrë dhe atëhere. Po t’ishte Rika, vinte në kohën ma kritike e ma të domosdoshme. /Memorie.al/