Liri Belishova, ish-funksionarja e lartë e Rinisë dhe Partisë Komuniste Shqiptare, që nga mbarimi i Luftës, anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, deri në vitin 1961, e cila më pas u godit dhe u dënua nga Enver Hoxha, duke përfunduar familjarisht burgjeve dhe internimeve për tre dekada me radhë, në një intervistë të saj, pak kohë para se të ndahej nga jeta, do të rrëfente shumë episode që lidhen me jetën e saj, por edhe të gjitha privacionet që e ndoqën atë familjarisht, deri në shembjen e regjimit komunist, në fundin e vitin 1990.
Në këtë intervistë të gjatë, ajo tregon edhe shumë episode të tjera që lidhen me vdekjen e ish-të fejuarit të saj, Nako Spiru, por edhe shumë vrasje, burgosje, internime, e të tjera persekucione, që Enver Hoxha dhe Partia Komuniste Shqiptare, ndërmorën ndaj shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre, njerëz dhe personalitete me shumë kontribut gjatë Luftës dhe pas saj.
Znj, Belishova, a është e vërtetë që ju patët një qëndrim të ndryshëm nga delegacioni zyrtar në Moskë?
Këtë unë e kisha, pa vajtur në Kinë. Por, zyrtarisht, këtë qëndrim unë nuk e shprehja, përkundrazi e kam ndjerë veten shumë të sigurt, kur isha dakord me të gjitha gjërat që thoshte Enveri. Por, kur fillova të kem rezerva dhe sidomos pas Kongresit të XX-të, kam qenë shumë e druajtur. Unë përpiqesha që në diskutimet e mia, në sjelljen time të mos lija të kuptoja që kisha rezerva. Me të gjitha mënyrat, jam përpjekur që të evitoja dënimin, i cili nuk do të ishte vetëm për mua, por do të ishte për të gjithë familjen time. Para se të veja unë në Moskë, Gogo Nushi, kishte shkuar në Pekin, në mbledhjen e Federatës të Sindikatave Botërore dhe atje i kishin bllokuar punimet sepse, delegacioni kinez kërkonte që në rezolutë të futej terminologjia e tyre revolucionare: Lufta e Klasave, Diktatura, Lufta dhëmbë më dhëmbë me imperializmin, etj., dhe delegacionet e tjera e kundërshtonin. Kinezët bënin dhe punë me pjesët komuniste duke i mbajtur tërë natën e, duke i folur kundra tradhtisë revizioniste. Gogua i kishte bërë një telegram Enverit. Enveri, në të vërtetë, edhe sipas rregullave të Partisë Komuniste, duhej të mblidhte Byronë që kur dolën artikujt e Kinës. Këtë duhej ta shtronte ai dhe të thoshte: “Çfarë qëndrimi do mbajmë”? E dyta, erdhi radiogrami nga Gogua, prapë duhej ta mblidhte Byronë, ta shtronte këtë gjë dhe të më thoshte mua që po shkoja në Kinë, se çfarë duhej që t’i thoja Gogos dhe çfarë qëndrimi të mbaja për vete. Nuk më tha asgjë, po më tha vetëm këtë, ditën e fundit kur vajta ta përshëndesja: “Në qoftë se kinezët do t’u flasin për mosmarrëveshje që kanë me sovjetikët, juve u thoni që i zgjidhni ju dy të mëdhenjtë”. Unë i thashë, nuk do na thonë se ne jemi delegacion parlamentar. Ai tha; do t’ju flasin sepse kishte eksperiencën e Gogos, ama unë s’dija gjë. Sa vajta në Pekin, Gogua që priste në aeroport, filloi të më flasë në mënyrë shumë të revoltuar kundër kinezëve, bile duke i quajtur banditë sepse ishte dhe nën influencën e delegacionit francez dhe italian, që kishin në krye anëtarët e Byrove politike të Partive Komuniste përkatëse.
Dhe unë, u përpoqa ta qetësoj Gogon, u përpoqa të qetësoj edhe anëtarët e tjerë të delegacionit se, kur Presidenti kinez Liu, në takimin e parë që pati me delegacionin tonë, dhe kur po fliste Haxhi Lleshi për sukseset e Shqipërisë, tha: “Këto suksese, i kemi arritur në sajë të punës së popullit tonë, por dhe me ndihmën e madhe të miqve tanë, në radhë të parë të Bashkimit Sovjetik, por edh të Kinës. Ai e ndërpreu fjalën: “Puna e popullit tuaj”, tha “s’ka rëndësi ndihma e Bashkimit Sovjetik”.
Haxhiu u ngrit në këmbë dhe unë e mbajta. “Ne nuk i ndajmë”, tha. Në këtë kohë, kinezët, megjithëse unë nuk pranova na ftuan në Komitetin Qendror. Ndoshta gjashtë herë e kam refuzuar, më në fund, ata na thanë: “Hajdeni për çaj” dhe na mbajtën deri në orën 4 të mëngjesit, me kritika kundër Kongresit të XX-të, kundra tradhtisë revizioniste. Tani, qëndrimi im ka qenë ashtu siç tha Enver Hoxha. Unë i thashë; nuk kam autorizim për bisedime partie. Do t’ia raportoj këto shokut Enver, por meqenëse juve thatë që nuk doni të shkoni në Bukuresht, po marr përgjegjësi edhe në emër të shokëve për të thënë mendimin tonë, që e mira është të shkoni dhe atje t’i diskutoni si vëllezër këto gjëra, ose kërkoni nga sovjetikët të shtyhet mbledhja për më vonë. Çfarë gjë të keqe kishte këtu në kundërshtim me udhëzimin e Enver Hoxhës, veç asaj që unë duhej të thoja që jam dakord me kinezët, sepse ai nuk më tha që të jemi dakord.
A e vutë në dijeni ambasadorin sovjetik, për këtë që kishte ndodhur?
Me Gogo Nushin, pas këtij takimi, biseduam. Do t’i shkonte telegrami Enver Hoxhës me vonesë sepse, nuk kishim lidhje direkt me radio me Tiranën. Ambasada e Pekinit, komunikonte me Ambasadën shqiptare të Moskës dhe kjo me Tiranën. Atëherë menduam të thërresim ambasadorin sovjetik, t’i themi shkurtimisht këtë gjë dhe të kërkojmë atë që, u thamë edhe kinezëve: “O, ti bindni kinezët të vijnë në mbledhje, ose shtyheni mbledhjen sepse do krijohet po ajo situatë si me Jugosllavinë”.Por, Jugosllavia ishte një shtet i vogël, kurse Kina është një kontinent. Atëherë, e thirrëm Ambasadorin sovjetik. E thirri ambasadori jonë dhe erdhi atasheu, në fakt jo vetë ambasadori, por erdhi zëvendësi i tij. Në këtë takim, nuk ishte vetëm Liri Belishova, por ishte edhe Gogua, Haxhiu, ambasadori jonë, zëvendës-ministri i Jashtëm. Gjysmë ore zgjati gjithsej takimi. I tha Gogua pak, se çfarë po ndodhte te sindikatat.
I thashë dhe unë çfarë na thanë në takimin që patëm dhe ajo që ishte kryesore ishte, se ne nuk kishim mundësi të merremi vesh shpejt me udhëheqjen tonë. Ndërkohë, po merrnim përgjegjësinë dhe po i shprehnim dëshirën tonë, propozimin tonë si komunistë të thjeshtë që, ose t’i kandisnin kinezët ose shtyheni mbledhjen, sepse gjërat duhen marrë me gjakftohtësi, duhen zgjidhur si midis shokësh, jo me gjaknxehtësi. Kjo ishte. Enver Hoxha këtë e manipuloi.
Kur u dënuat, në cilin vit?
Unë jam dënuar menjëherë sapo u ktheva nga Kina sepse, vizita parashikonte vizitë në Kinë, në Vietnam, në Mongoli dhe në Korenë e Veriut. Mirëpo, edhe në vajtje edhe në ardhje, ne bënim një ditë pushim në Moskë, për çështje të kombinimit të avionëve. Porsa erdha unë, gjëja e parë që më bëri përshtypje ishte qëndrimi i Hysni Kapos, i cili ishte nga natyra njeri gjithnjë i buzëqeshur, ndërsa kur erdha unë rrinte shumë i vrenjtur. Në të kundërtën e Enver Hoxhës, i cili më përqafoi, tërë buz e gaz. Akoma nuk ishte marrë vendimi për trajtimin tim. U bë një Plenum i shpejtë, ku u raportua nga Hysni Kapua për qëndrimin e delegacionit tonë në mbledhjen e Bukureshtit dhe aty diskutova dhe unë. Diskutimi im u keq prit nga Enver Hoxha. Menjëherë filluan mbledhjet e Byrosë, ku unë raportova se si kishte punuar delegacioni jonë dhe e gjithë kjo mbledhje e Byrosë, u kthye kundra meje. Çdo fjalë që thoja unë, kthehej në të kundërt. “Nuk ke mbrojtur interesat e Partisë, as në darkën që u shtrua në Moskë”.
Po ju bie një shembull, në atë darkën që ata dhanë për nder të Haxhi Lleshit si President, ishte Presidenti Brezhnjev dhe Sekretari i Komitetit Qendror, Kozllov, bashkëpunëtor i Hrushovit. Ai pa përmendur kinezët, filloi të thotë që shokët që nënvleftësojnë rrezikun e luftës termo-bërthamore, nuk janë koshientë të këtij rreziku sepse ne, – tha për Brezhnjevin dhe për veten, – kemi anëtarë të Këshillit të Mbrojtjes, atje ku ishte bërë prova e bombës së parë atomike në Siberi nuk ka edhe pas 12 vjetësh jetë, asnjë fije bari, asnjë mikroorganizëm dhe ato bombat e atëhershme, përpara këtyre që disponojmë tani ne dhe amerikanët, janë si kokërr dardhe se, një nga këto bombat që disponojmë ne dhe amerikanët, mjaftojnë për të shfarosur qytete të mëdha, si Tokio, Moska, Nju Jorku, Londra ose shtete të vegjël si Belgjika, Hollanda, Shqipëria, Prusia, etj. Ky ishte një kërcënim i hapur për Partinë tonë, që nëse ju nuk jeni dakord me, atëherë ne një bombë dhe ju shfarosim, kurse duhej marrë ana tjetër e problemit. Nuk duhej shkuar me kinezët, që na thanë haptas në atë takim, se nuk duhet të kemi frikë nga Lufta e Tretë Botërore. Duhet thënë se Lufta e Tretë, mund të jetë atomike, nuk mund të mos jetë, por do vriteshin 300-500 milionë, por punë e madhe, do fitojë revolucioni socialist në tërë botën.
Pas Luftës së Parë, fitoi në Rusi, pas Luftës së Dytë në tërë këto vende dhe e Treta është fitorja e përbotshme. Ishte diçka që më ka tronditur jashtëzakonisht sa më mbeti stilolapsi në dorë, sepse ne thoshim që Luftën e duan imperialistët, ne luftojmë për paqe, kurse këtu dilte që komunistët janë të interesuar për luftë.
Ç’masë u morr ndaj jush?
Ndaj meje, Byroja Politike vendosi që të përjashtohem nga Byroja. Komiteti Qendror vendosi që të përjashtohem edhe nga Komiteti, kurse organizata bazë, që të më përjashtonte edhe nga partia, se kështu ishte orteku.
Dhe ku ju dërguan?
Fillimisht unë jam dërguar të punoj si mësuese, duke qenë në Tiranë, në një shkollë, “Hasan Vogli”, në një shkollë 7-vjeçare. Do të isha drejtore e asaj shkolle dhe do të jepja mësim gjeografi, por kuptohet klasave të pesta që, nuk kishte politikë. Pastaj përjashtuan edhe burrin tim nga Komiteti Qendror dhe e hoqën si ministër, por jo për arsye politike. Atëherë u kujtuan, që është i paaftë. Dhe familjen tonë, të gjithë e kanë hequr nga Tirana më 9 nëntor të 1960 dhe na dërguan në një fermë bujqësore afër Gjirokastrës në fermën “Muço Asqeriu”. Mua si kryemësuese dhe atë drejtor ferme. Atje na përjashtuan nga partia, pas dy muaj e ca dhe na internuan në Kuç të Vlorës. Nga Kuçi nga çuan në Progonat, atë e morën dhe e çuan në Zvërnec, kurse unë ndenja atje 10 vjet. Pas 10 vjetësh, më prunë në Cërrik, ku kam mbetur 20 vjet.
Ç’punë bënit në Cërrik?
Në Cërrik kam punuar në fillim në fermë, që ka qenë një punë shumë e vështirë. Dhe atje kam menduar se sa vështirë e ka gruaja shqiptarë jetën e saj. Kur unë kisha mbajtur fjalime për emancipimin e gruas, kisha qenë nisiatorja e parë, ku duhej që gruaja të marrë pjesë gjerësisht në prodhim, se vetëm atëherë do të ketë çlirim, do të jetë e pavarur, do të ketë të drejta të barabarta me burrin.
Si e përjetuat këtë ndryshim: nga një prej njerëzve më të fuqishëm e më të njohur në një punonjëse ferme?!
Ishte shumë e rëndë në të vërtetë. Ta përballoja ishte e vështirë, se unë duke qenë vajza e Belishovës, nuk kisha zënë fshesë me dorë. Thjesht, nuk isha mësuar të punoja. Por ishte e rëndë shumë nga ana shpirtërore. Megjithatë, më e vështira ishte zhgënjimi deri në këtë gradë. Zhgënjimi kishte filluar, siç ju thashë, kohë përpara, por jo deri në këtë gradë. Nuk e mendoja. Unë doja këta shokë dhe mendoja që këto janë vetëm keqkuptime, gabime të tyre, që këta do ta kuptojnë. Unë nuk isha kundër socializmit, por unë isha vetëm që të korrigjoheshin këto, që unë i quaja gjëra të papranueshme.
Si silleshin njerëzit me ju atje ku punonit?
Të themi të drejtën, nga ana e popullit, nuk kam pse të ankohem për asgjë. Populli është shumë tolerant. Nuk kam pasur raste. Ndofta në Cërrik, kur veja në punë në magazinë, se kujtoj se pastaj nga ferma vajta në një magazinë ushqimore, e këtu kishte ndonjë nxënës të Teknikumit Bujqësor, që ishte gjatë rrugës, e më thërriste nga penxherja: “O balliste”. Por, nuk i vë faj…!
Ndërsa, nga këta persona, që kishin të bënin me mua, të Sigurimit, të policisë, mund t’i ndaj në tre kategori. Kishte njerëz, të cilët ishin të egër, pra që kishin kënaqësi të bënin të vuaje. Dua të them se është e tmerrshme kjo psikologji. Që njeriu të ketë kënaqësi duke bërë që të vuajë tjetri. Kishte njerëz, të cilët nuk ishin kështu kaq të ligj, por që zbatonin urdhrat e Partisë. Për ata, nuk kishte rëndësi, e drejtë-e padrejtë. Për ata ishte vetëm se nëse ka thënë partia quhej e mbaruar.
Por kishte midis tyre edhe njerëz që kishin edhe njëfarë njerzillëku, njëfarë humanizmi dhe këta nuk i harroj. Për shembull, kur më vdiq vajza, Komandanti i Policisë së Cërrikut, e morri vesh dhe erdhi menjëherë atje te policia. E morri me mend që mund të kërkoja leje që të veja të merrja kufomën e vajzës dhe më tha: “Dëgjo Liri, ti e di. Fëmijën se ka në dorë as Dega, e ka Ministria. Por unë po të lejoj të shkosh me djalin në Elbasan. Shko te Dega”. Nuk e harroj këtë gjë.
E morët lejen?
Me shumë vonesë. Domethënë ata, kishin llogaritur, që duhej të vinte “Gaz”-i nga Tirana me dy oficerë. Më saktë, këto gjëra, kanë një dozë të madhe absurditeti. Mua më kishte vdekur vajza 23 vjeç, vajza që nuk pa një orë gëzim, se kur u dënova unë ishte 2 vjeç. Kur vdiq ishte 23 vjeç dhe unë vazhdoja të isha e dënuar. Kurse duhet të vinte gazi nga Tirana me dy oficerë. Ç’ka mund të bëja unë? Ç’ka mund të bëja? Nuk e di. Na kanë mbajtur derisa u errësua me qëllim që kur të mbërrinim neve në Cërrik të mos kishte njeri. Ju betohem, që të gjitha penxheret ishin hapur dhe megjithëse dritat ishin të mbyllura ato ishin plot me njerëz. Dhe për këtë them, sidoqoftë…! Kurse më mirë ju them, atë që e kam menduar, që komunizmi neve na talli me shumë ndjenja njerëzore. Kurse populli këto i ruajti dhe dinte çdo me thënë vdekje. Dinte çdo me thënë nënë që ka humbur vajzën.
Gjatë këtyre viteve që kishit këto probleme, a keni tentuar të kontaktoni me miqtë ose me shokët e shoqet tuaja të viteve të komunizmit?
Kjo ishte e pamundur, që unë t’i takoja. Por, u kam bërë letra, shumë letra dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Dhe, është e çuditshme, sado i lënduar që të jesh, prapë në momente të vështira të vete mëndja atje. E mbaj mend atëherë, kur vajta të shikoja vajzën para vdekjes dhe ju luta atij oficerit: “Të lutem më lër”. Sepse përpara se të më fusnin tek vajza, takova mjekët dhe ata më treguan se ishte çështje orësh ose ditësh, dhe varej nga organizmi. Vajza e kishte mendjen në vend, por dukej që do të vdiste. Nuk kishte fuqi, jetonte me oksigjen dhe kur ikte oksigjeni, ajo paralizohej. Ato orë që ndjenja aty më kërkonte vetëm t’i njomja buzët. I thashë shoqëruesit: Më lini pranë vajzës, se duket se në çfarë konditash është. Ai nuk pranoj. Atëherë nuk e di sesi mu kujtua emri i Nexhmije Hoxhës. Dhe thashë me vete: E kam bërë tërë luftën me Nexhimijen, ajo është nënë, nuk mund të mos më kuptojë. “Ju lutem telefononi që të më lenë këtu, pranë vajzës që po vdes”. Dhe ai më tha: “O qejfi më vjen. Sa lart e mban, mendon hala se je anëtare e Byrosë politike”?
Ç’marrëdhënie keni pasur ju me Nexhmije Hoxhën?
Nexhmija ka qenë përgjegjësja ime, sepse ne kemi një diferencë të madhe të moshës. Kur unë isha 15 vjeç, ajo ishte 21 vjeç. Ishte përgjegjësja e bërthamës së shkollës sonë, Institutit “Nëna Mbretëreshë”, megjithëse kishte mbaruar. Bërthama ishte si biçim Komiteti i shkollës, ku bënin pjesë përgjegjëset e klasave.
Dhe, pastaj, Nexhmija ka qenë sekretarja e Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste, deri në marsin e 1944, ose shkurtin e 1944, kur ajo iku nga Tirana për të vajtur pranë Enver Hoxhës me kërkesën e saj. Kam menduar që ishte një vajzë e zgjuar, që ishte një komuniste e ndershme, për më tepër ishte përgjegjësja ime. Pastaj fillova unë pak nga pak të kem dhe unë përgjegjësi nga ajo. Mirë tashti por mendoj, se doli shumë ndryshe. Sidomos, kur u botua ky libri i fundit i Nexhmijes. Sikur po të ishim mbledhur të gjithë antikomunistët e Shqipërisë ore edhe të botës, nuk do ta kishin poshtëruar aq shumë, sa ka poshtëruar ajo veten me këtë libër.
Për këtë libër, çfarë mund të thoni?
Për këtë librin e fundit: “Miqësi e Tradhtuar”! Kjo është pas librit të parë: “Jeta ime më Enverin”. Ajo me këtë libër tregon që nuk ka kuptuar, ose bën sikur nuk kupton se çfarë përmbysje e madhe ka ndodhur në botë, apo sesa të vërteta të hidhura vërtetoi historia. Si është e mundur, që në shekullin XXI, në librin që është botuar para pak kohësh, ajo përpiqet të mbrojë krimet. Krimet, duke filluar që nga vrasja e Kryeministrit Mehmet Shehu; nga shkatërrimi i familjes së tij, apo me gjepura që nuk kanë asnjë bazë. Mehmet Shehu ka qenë poli-agjent?! Por, nga e vërteton ajo këtë? Sepse ka vajtur dikush në Ambasadën tonë në Vjenë, ku ka dorëzuar disa dokumenta, të cilat akoma sot nuk po botohen. Mos janë si ai dokumenti që më ka thënë Hysni Kapo. E kam pyetur, por nuk e di si: “More Hysni, ç’është ky Rrumbullaku”? Më tha se: “Është pseudonimi i komunistit të vjetër vlonjat, me mbiemrin Radhima. Kanë kaluar shumë vite të rënda dhe nuk e mbaj mend emrin e tij. Që përfundoi shumë keq”, tha. “Por, lëre Liri, si përfundoi. A e di që kur i kanë bërë pyetje, se ka dokumeta për të treguar se është agjent”. Ai, tha, ishte në Itali i internuar. Shkuan amerikanët dhe i çliruan. Ata i mblodhën dhe do i hidhnin në Shqipëri.
Dhe për të vërtetuar se ishte i rekrutuar nga anglo-amerikanët, ata i nxorën faturën që kishte marrë disa ndërsa ose veshmbathje, në një magazinë të ushtrisë amerikane. Dhe, atëherë, më filloi të më hyjë edhe mua frika, sepse kur kam qenë unë në Itali për të operuar syrin në spital anglez, edhe unë kisha marrë, bashkë me Kadri Hoxhën, me Halim Budon, disa gjëra tek kjo magazinë. Kështu besoj janë edhe ato.
Por se si i kupton kjo grua si Shekspiri, që ka shkruar 300 e ca vjet më parë një tragjedi, “Romeo e Zhulieta”, që edhe sot e kësaj dite trondit zemrat e njerëzve, që u prish dashuria e dy të rinjve. Si nuk e kupton që është krim, krim që u prish jeta dhe dashuria e dy të rinjve dhe njëri prej tyre ishte i biri i Kryeministrit dhe tjetra ishte vajza e profesorit shumë të nderuar Turdiu. Pse? Se në familjet e kësaj bukurosheje kishte shtatë kriminelë lufte. E kush ishin këta kriminelë? I ati, profesor i nderuar? Myzafer Pipa, ishte kriminel? Apo avokati që u vdiq në duar dhe e hodhën nga penxherja në Degën e Brendshme të Shkodrës? Apo ishte Arshi Pipa, apo ishte Ramazan Turdiu, xhaxhai, që ka qenë antifashist me Ramiz Alinë dhe me nxënësit e tjerë të gjimnazit? As krime as dreq, s’kishte bërë. Ju thatë pak më parë se keni qenë anëtare e Byrosë politike, po s’keni qenë me njerëzit më të fuqishëm të regjimit. Kush kanë qenë njerëzit më të fuqishëm të regjimit?
Enver Hoxha patjetër. E fitoi këtë post gradualisht, por ai që i përforcoi pozitat e Enver Hoxhës, ka qenë Miladini. Mesa kam vënë re, që nga muhabetet me Enverin, por edhe me Nakon, ai nuk ka pasur atë potencë në Parti, si Miladini. Dhe Enveri e pranon vetë, ai thotë se Miladini ka qenë mësuesi im. “Ato që më thoshte Miladini për mua ishin direktiva”, thoshte Enveri. Tani si shpjegohet që ky Enver Hoxha, i cili para themelimit të partisë nuk ka qenë as anëtar i grupit të Korçës, pale udhëheqës. E thotë vetë, kam qenë vetëm simpatizant. Pra, nuk ka patur një eksperiencë, një autoritet të një militanti komunist. Arriti të fitoi simpatinë e Miladinit, i cili nuk ishte fare sekretar politik. Pastaj në Konferencën e vendit më ’43 e caktoi Enver Hoxhën si sekretar të parë. Pra, si mundi ky Enver Hoxha të fitoi kaq autoritet. Një gjë është, që vras mendjen që edhe Stalini nga shokët e tij, nuk ka pasur ndonjë konsideratë të madhe. Trocki e të tjerë e quanin “Seminaristi”. Mirëpo, ai ua hëngri kokën të gjithëve dhe u bë diktator për shumë vjet me radhë dhe u bë perandor i fuqishëm i një Perandorie të madhe. Di që janë patjetër konjukturat politike, sepse diktatorit nuk i duhet që të ketë një mendje shumë gjeniale dhe aq më pak një shpirt të madh, human dhe demokrat. Përkundrazi, nuk mund ta ketë këtë gjë./ Memorie.al