Nga Uvil Zajmi
Mund të ishte bërë valltare me shumë famë, por krejt ndryshe famën e mori nga burri. E krahasonin me Klaudia Morin, për nga ngjashmëria me aktoren dhe këngëtaren italiane, gruan e Adriano Çelentanos. Dhe ishte pikërisht bukuria dhe stili i veçantë i saj, në veshje e sjellje që, do ta njihte me futbollistin më të famshëm shqiptar, Panajot Pano, me të cilin do të lidhte jetën. Një histori dashurie e rrallë dhe me bujë për kohën, e që do t’i ndryshonte gjithçka Si i kujton sot Rebeka njohjen, takimet, puthjen e parë, jetën me një sportist të madh, çastet e paharruara, intrigat, xhelozitë, kur ishte vetëm 17 vjeçe.
Familja, vajza e parë
E lindur në Durrës në vitin 1949, Rebeka, është fëmija i parë i çiftit Gjini. I diplomuar në Itali si ekonomist, i sapo kthyer në Shqipëri në vitet e para pas çlirimit, babai i saj njeh dhe dashurohet me një grua shumë të bukur, me të cilën punonte. Një lidhje me një fillim tragjik, që shoqërohet me vdekjen e katër fëmijëve. Pastaj erdhi me këmbë të mbarë Rebeka, pas së cilës do të vijnë në jetë edhe tri motra e një vëlla.
I ati transferohet në Kuçovë për ngritjen e Parkut të Urës Vajgurore, ku bashkë me familjen, qëndroi deri në vitin 1953, pastaj sistemimi përfundimtar në Tiranë, në vitin 1959. Nxënëse në shkollën “Naim Frashëri”, pastaj te “Çajupi”, vitet e adoleshencës së Rebekës do të karakterizohen nga një jetë aktive, energjike. Ajo binte menjëherë në sy, si një vajzë e bukur, moderne, një tip ndryshe nga vajzat e tjera moshatare.
Emri, Rebeka, një dëshirë e të atit
Emri Rebeka ka qenë shumë i rrallë për kohën. Të kishe një emër të tillë, jo vetëm i bukur, por tingëllues edhe sot. Ishte një dëshirë e të atit, nisur nga filmi “Rebeca, la prima moglie”, prodhim amerikan i vitit 1940, i regjisorit Alfred Hitchcock, film-dramë, fitues i dy titujve “Oscar”, me aktorët Laurence Oliver e Joan Fontaine, i shfaqur edhe në Shqipëri. Madje, një mësues matematike në fillore, ia ngatërronte gjithmonë, duke e thirrur “Ribika”. Por ajo që e bëri të njohur ishte një shprehje që do ta shoqëronte gjithë jetës, në punë, shoqëri, kudo, duke e bërë një grua të famshme e popullore edhe për faktin e lidhjes, dashurisë me futbollistin më të famshëm shqiptar: “Kjo është Rebeka e bukur”; “Po kalon Rebeka, gruaja e Panajot Panos”!
Fillimet, ëndrra të parealizuara
Rebeka, i mban mend të gjithë mësuesit e saj. Eqerem Maluka ka qenë mësuesi i saj i parë, të cilin ka pasur rast ta takojë pas 60 viteve, në një nga rrugët e kryeqytetit. Pastaj atë të Fizkulturës, Dhurata Minarollin, Beançen, mësuesen e Kimisë, Ymer Kasharin e Fizikës, Anën e Letërsisë, mësuesen kujdestare Sanije Sinoymeri, që një ditë në vitet e demokracisë, i troket në derë për një çështje personale që kishte. Por, ka edhe një ëndërr të parealizuar. Kur u organizua aktiviteti “Miqësia midis popujve”, u krijua grupi i baletit i pesë gjimnazeve të Tiranës, me nga 5¬6 valltarë nga çdo shkollë, ku bënte pjesë edhe Rebeka.
Gjimnazit të saj i takonte të kërcente vallen ruse, si një ndër të zgjedhurat e pesë kontinenteve. Flitej për krijimin e një grupi artistik me valltarë të rinj, që i jepte shpresë pasionit të të rinjve për këtë profesion. Një angazhimi për pak kohë në Ansamblin Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore, nën patronazh të Besim Zekthit, por krijimi i këtij grupi nuk u realizua, duke u shuar ëndrrat e valltarëve të rinj për t’u bërë balerinë të njohur, midis të cilëve edhe ajo e Rebekës. Por, një tjetër karrierë, me të tjera dimensione, pasione, do ta shoqëronte jetën e saj, që sapo kishte filluar, për të cilën, Rebeka do të na njihet me këtë intervistë
Znj. Rebeka, si u njohët fillimisht me Panon?
Shkëndija e parë dhe njohja me Panajotin, lidhet me mësuesin e njohur Petrit Qëndro dhe motrën time, Landa, nxënëse në gjimnazin “Qemal Stafa”, ku jepte Fizkulturë Qëndro. Por, ndërkohë, ku kaloja në “Rrugën e Dibrës”, që atëherë i thoshin “Broduei”, e ku rrinin artistë e sportistë, ai më hidhte fjalë. Një ditë, ndërsa me motrën po kalonim te Pastiçeri “Agimi” (nuk ekziston sot, por ka qenë përballë ish ¬ “Kursalit” në fillim të “Rrugës së Durrësit”), takohemi me Petrit Qëndron që ishte bashkë me Panon.
Ai ishte i veshur bukur dhe në kulmin e formës e famës, ndërsa unë vetëm 17 vjeçe. Një tjetër takim, këtë radhë jo i rastësishëm, ndodhi te fushat e lojërave me dorë, mbrapa Pallatit të Sportit “Partizani”, aty ku ishte Klubi Sportiv i “Partizanit”, ku unë kisha vajtur për të ndjekur një orë mësimi të motrës. Në atë kohë, vjen Pano me shokun e tij, Iljaz Dingu, edhe takojnë Petri Qëndron. Kaq ka mjaftuar, tashmë pas njohjes, do të vijnë momente të tjera, takime pasionante dhe shumë dashuri.
Ju kujtohet takimi, puthja e parë?
Për herë të parë të dy, vetëm jemi takuar te reklamat pranë Komitetit Ekzekutiv, në qendër. Ishte paradite dhe, për të mos rënë në sy, kemi ecur si të fshehur nga bulevardi, drejt stadiumit, pastaj te Liqeni. Unë kisha ikur nga shkolla dhe ai nuk donte të ekspozohej. Por, kalon një komshiu im, hapi sytë, pa Jotin dhe ajo që me të cilën shoqërohej ai. Vjen e takon dhe më shef mua: “Po ti këtu”?! “Është motra ime”, i tha Joti.
Pastaj dolëm edhe disa herë të tjera, gjithmonë te Liqeni shkonim, ku edhe jemi puthur për herë të parë. Ndonëse qëndrimi me të ishte gjithmonë e më tepër pasionant, takimi me të ishte i kufizuar, pasi kryesisht ata kishin pushim vetëm të hënën, por edhe me grumbullime të gjata. Fillimisht unë i thashë tezes, ndërsa ai i tregoi të motrës, që ishte mësuese Fizkulture te “Çajupi”, gjë që unë nuk e dija më parë.
Si reaguan familjet ndaj dashurisë suaj?
Prezantimi është bërë me rastin e festës së Shën Thomait. Motra e tij, Kaliroi, tashmë në dijeni, kërkoi të më takonte dhe pikërisht me 25 prill, ai erdhi e më kërkoi dhe si rastësisht, duke shfrytëzuar ditën e Shën Thomait, që ishte emri i të atit, më merr në shtëpinë e tyre, për të më prezantuar, por Pano ndodhej në Durrës për ndeshje. Kur u kthye e më gjeti aty, u emocionua shumë dhe më përqafoi. Pastaj vajtëm në shtëpinë time.
Për një çast prindërit mbetën të habitur, kur Kaliroi i tha se midis vajzës së tyre dhe vëllait të saj, ka lindur diçka. E thirri Jotin, që i turpshëm u fut brenda, sepse prindërit kërkuan ta njohin. Kujtoj se pati një hezitim prej tyre. Unë isha vajza e parë, Panajoti me famë të madhe, kishim diferencë në moshë, nuk e donin ushtarak, kështu që u krijua një situatë refuzimi në atë fillim. Por, ne ishim të dashuruar dhe gjithçka do të konkretizohej në pak muaj, nga shkurti në dhjetorin e atij viti.
E kujtoni ditën e celebrimit?
Joti ishte i rezervuar pasi kishte të motrën më të madhe të pamartuar. Ndërkohë për fejesën nuk u zhvillua ceremoni, gjëra të vogla si shkëmbime nishanesh që i thoshin atëhere, por kryesore ishte bërja e celebrimit për shumë arsye, ndër të cilat ishte një kërkesë sistematike e babait, me të cilin kam qenë e lidhur dhe e kam pasur dashurinë më të madhe të jetës, siç ndodh në raportet vajzë¬baba. Ai kujdesej gjithmonë për mua, në estetikë, sjellje, edukim, deri në veshje, kur më blinte me valutë çfarë unë pëlqeja.
Pastaj ajo midis nesh ishte një lidhje e shpejtë dhe prindërit nuk më linin të largohesha me Jotin jashtë Tiranës. Ndërkohë, lidhur me celebrimin, duke qenë se nuk lejohej të ishe e fejuar dhe njëkohësisht nxënëse gjimnazi, u detyrova të transferohem në shkollën e natës. Por edhe për faktin se pa celebrim nuk mund të shkoja në asnjë vend e të qëndroja me Jotin. Celebrimin e bëmë me 11 korrik, në një zyrë të Komitetit Ekzekutiv, dhe ky ka qenë momenti i bashkimit tonë privat, publik e zyrtar.
Joti kishte ardhur një ditë më parë, dhe menjëherë pas celebrimit u nisa për në Vlorë, ku ishte grumbulluar “Partizani”. Aty gjeta Sandrën, gruan e Mikel Jankut, Liljanën e Lin Shllakut, Rinën e Tomorr Shehut, Terezinën e Astrit Grevës, gruan e Estrefit, shoferit legjendar të Klubit. Atë natë fjetëm bashkë në Hotel Turizmi, përballë Flotës Detare, ku për ne ishte rezervuar një dhomë. Kujtoj se për ne familjarët, fëmijët e sportistëve ishte një gëzim, pasi shkonim edhe ne së bashku duke u bashkuar në grumbullimet e tyre verore, në Vlorë, Pogradec.
Pse martesa, natën e Vitit të Ri?!
E kemi bërë në mjediset e shtëpisë më 31 dhjetor të 67¬s, pasi isha shtatzënë me djalin, Ledion. Ndërsa me vajzën, me të cilën më lidh një kujtim i veçantë: Nertila lindi pak ditë para takimit Shqipëri-Gjermania Perëndimore, të vitit 1971, dhe kur Joti ishte në grumbullim në Durrës, pa mundur të asistojë në lindjen e saj.
Erdhi të nesërmen, e pa atë, edhe mua dhe u largua. Pastaj lindi nevoja për një apartament. Viti 1970, shkak u bë një vizitë e Petrit Dumes (Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë) me gruan e tij në shtëpinë tonë të vogël, kur nga ngushtica, i’u derdh rakia.
Aty ai i tha: “Panajot, do të marrësh shtëpi”. Por, për të marrë dy dhoma e një kuzhinë, na u desh të shtonim motrën time Landa si banore të familjes (ajo qëndronte me mua në rastet e grumbullimeve të gjata ose, kur shkonte jashtë shtetit, kisha frikë vetëm). Dhe na dhanë atë që kemi sot, një apartament dy dhoma e një kuzhinë, te zona e “21 Dhjetorit”. Pastaj morëm edhe një televizor, që Joti e kishte blerë në Hungari dhe ia sollën ata të Ambasadës. Kur kishte ndeshje, shtëpia ishte si kinema.
Sa vështirësi ka pasur në marrëdhëniet e një gruaje, me një futbollist me famë?
Jeta bashkëshortore dhe ajo familjare me një futbollist, aq më shumë të njohur e popullor nuk është e lehtë. Por, ajo me Panajot Panon, për mua mbetet e jashtëzakonshme, e tejet njerëzore. Ndodhte që mund të vonohej, pasi e mbanin miq e shokë, ndërsa unë e prisja me padurim. Sidoqoftë, ai ishte i jashtëzakonshëm në raportet e marrëdhëniet familjare, shumë i duruar dhe për të unë kam qenë zonja e shtëpisë, duke më respektuar e dhënë liri të plotë për gjithçka.
Ndonëse i lodhur nga ndeshja, stërvitja, tensioni, emocionet, ai nuk shfaqte asnjëherë nervozizëm, as me mua, duke duruar “kapriçot”, as me fëmijët, prindërit. Më përgatiste kafen e mëngjesit, qumështin ma sillte, pasi unë flija vonë se lexoja, ndërsa ai zgjohej herët. U përgatiste bukën fëmijëve dhe i shoqëronte në kopsht, shkollë. Dhe sa herë dëmtohej, tek unë gjente masazhatorin, ndonëse Ali Kastrati nuk i ndahej. Me qepë e kripë, ia kam lidhur plagët që merrte gjatë ndeshjeve, isha bërë specialiste.
Ia kam larë pa përtuar asnjëherë rrobat e sportit me baltë, kur nuk kishte as lavatriçe. I jam mirënjohëse për gjithçka. Por emocionin më të madh, e kam pasur kur ai la futbollin. Ishte vitit 1975, në “Qemal Stafa”, luante “Partizani” ¬ “17 Nëntori”, u zhvillua një ceremoni shumë prekëse, kur ai bashkë me Ledion 7¬vjeçar, bëri xhiron përshëndetëse me publikun. Nuk e ka pasur të lehtë ndarjen. Unë i qëndroja shumë pranë, pasi e gjeja shpeshherë të përlotur në dhomën e gjumit.
Kishte xhelozi midis jush?
Nuk mund ta mohoj, por ka qenë një xhelozi jo në kuptimin e plotë të fjalës. Kujtoj se pasi dashuria jonë e bë publike, simpatizantët e tij filluan të më ndalonin në rrugë, “çfarë do me të” dhe ajo që më ka mbrojtur ishte motra e tij, Kaliroi, me të cilën dilja gjithmonë e shoqëruar. Janë vitet kur ai me famën që kishte, ishte i pëlqyer, i preferuar dhe te Klubi i shkonin vajza dhe e prisnin kur mbaronte stërvitjen. Kishte raste që debatonim për këtë fakt. Ndërsa ai, është bërë vetëm një herë xheloz me mua: gjatë një mbrëmjeje dëfrimi në Hotel “Dajti”, erdhi një i huaj, hungarez, dhe më ftoi në vallëzim.
Ju bënte dhurata?
Joti e njihte mirë krenarinë time. Madje, kur dilte jashtë nuk e porosisja për asgjë, por ai i dinte shijet e mia dhe kënaqej kur ia pëlqeja e vlerësoja çfarë më kishte sjellë. Në një rast, kur u kthye nga Bullgaria, më solli një kostum, një varëse, një gjerdan që e kam edhe sot. Kujtoj gjithashtu një orë zvicerane dhe një fund lëkure, që vetëm unë dhe Terezina e kishim. Por Joti sillte për të gjithë, kishte dëshirë t’i kënaqte.
Kishte ndonjë peng profesional Panajoti?
Pengjet e tij ishin dy: goli i humbur me Torinon në ‘68¬n, dhe dëshira për të marrë pjesë në një kompeticion europian me Kombëtaren. I mbylli sytë pa e parë të arritur këtë të fundit. Shumë argëtuese, e bukur dhe aktive. Pas ndeshjeve, dilnim natën vonë dhe shkonim në restorante ku vallëzohej, apo kishte orkestër. Madje kujtoj se në tavernën e Hotel “Dajtit” na lejonin të futeshim, edhe pse për shqiptarët ishte e ndaluar.
Ai kërcente shumë bukur, sidomos një këngë hungareze të famshme, që orkestrantët e ekzekutonin sa herë që shkonim në evenimente festive. Unë nuk kërceja me asnjë tjetër përveç tij. Pastaj, kur shkonim në kinema, te “17 Nëntori”, apo “Partizani” kur dilnin filma dhe nuk gjeje bileta, drejtori i kinemasë rezervonte gjithmonë një vend në lozhë për ne. Po kështu edhe në Festivalet e Këngës në Radio, i ndiqnim me shumë kënaqësi.
Ndërsa në stadium shkoja e shoqëruar me vjehrrin apo vjehrrën, pasi prania e femrës në të tilla mjedise sportive, ishte jonormale për kohën. Edhe në ndërmarrjen ku kam punuar, si atë të Llulave, Spedicionit, kam qenë aktive në angazhimet me grupet artistike të tyre. Kujtoj drejtorin, Çerçiz Hoxhën, shumë human dhe dashamirës.
Cilat kanë qenë pasionet e patreguara?
Mund të rendis librat, filmat, që më kanë shoqëruar gjatë jetës. Sofia Loren, Aantonela Lualdi, Xhina Lolobrixhida, Stive Rives, Marcelo Mastrojani. Historitë e filmave “Më Fal”, “Kartushi”, “Kasta Diva”, “Qershiza” dhe në veçanti filmi “Via con vento”, me aktorët Clark Gamble në rolin e Rhet dhe Vivien Leigh në rolin Rozela Oharës, ishin edhe si pikë referimi të dashurisë sonë. Pastaj Vaçe Zelën, Lindita Theodhorin, Ermira Babaliun, Tonin Tërshanën, kurse nga të huajt: Elvis Preslin, Xhani Morandin, Modunjon, Çelentanon me “24 mijë të puthura”, etj.
Edhe pse e martuar shpejt e me pak kohë në dispozicion më kanë pëlqyer librat, ndër të cilat: “Lufta dhe Paqja”, “Ana Karenina” të Tolstoit, apo “Ura e Psherëtimave”, roman që ishte dhe pasion e trashëgim i familjes sime. Edhe aktorët Rikard Ljarja, Bert Ndrenika, Skënder Sallaku, ishin nga të preferuarit dhe njëkohësisht miqtë tanë. Ndërsa në kohët moderne më pëlqen Richard Gere, në filmin “Pretty Woman”./Memorie.al/