Pas viteve ’90-të, nga ish-funksionarët e lartë të PPSh-së që kishin qenë për vite me radhë bashkëpunëtorët më ngushtë të Enver Hoxhës dhe që më pas ishin dënuar prej tij, me burg apo internim, vetëm dy prej tyre, patën kurajën e guximin, që të kërkonin ndjesë publike, për ata që ata kishin bërë kur shërbyen në detyra të larta në udhëheqjen e PPSh-së dhe për të denoncuar vijën politike të gabuar të saj, si dhe krimet e shumta të Enver Hoxhës, që nga krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntorin e vitit 1941, (kur ai erdhi në krye të saj), e deri në shembjen e regjimit komunist, në fillimin e vitit 1991.
Ata ishin; Bedri Spahiu, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar për agjit-propin., i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, deputet i Kuvendit Popullor e ministër i Arsimit, deri në 17 qershor të vitit 1955, (kur u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore, i akuzuar si “antiparti dhe armik i popullit”, për të vuajtur më pas burgjeve dhe internimeve, deri në shembjen e regjimit komunist në vitin ’90-të) dhe Liri Belishova, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, për propagandën, deri në vitin 1961, kur u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, e akuzuar si revizioniste, për të përfunduar në internim, deri në vitin 1991.
Ndërsa Liri Belishova, kërkoi ndjesë publike, pas vitit 2000, (në një intervistë të dhënë në emisionin ‘Opinion’ të gazetarit Bledi Fevziu në TV KLAN), Bedri Spahiu, e bëri atë gjë që në vitin 1991, me një shkrim të gjatë që publikoi në gazetën “Republika” (të drejtuar nga Ylli Rakipi dhe Lutfi Dervishi), në datën 6 qershor 1991, me titull: “Bedri Spahiu, revizionon Bedri Spahiun”, shkrim të cilin, Memorie.al, po e ri publikon të plotë, në dy numra të saj.
Nga Bedri Spahiu
BEDRI SPAHIU, REVIZIONON BEDRI SPAHIUN
Këto kujtime i’a dërgoj si një mesazh Kongresit të 10-të të Partisë Punës, nëpërmjet gazetës “Republika”. Që në fillim, me kënaqësinë më të madhe, përshëndes studentët tanë universitarë, bij të mrekullueshëm e fatlumë të Shqipërisë së martirizuar, që do të mbeten në historinë e saj, si një brez heroik i këtij kombi, si brezi nismëtar i demokracisë, që është gjëja më e çmuar në jetën e një populli. Është rregull ndërkombëtar që çdo parti, cilado qoftë, kur ndodhet para kërkesave të rinovimit të saj ideologjik e organizativ, puna e parë që bën, është që t’i hapë dyert e saj për disidencën dhe të çelë në këtë mënyrë rrugën e rinovimit të saj. Përgatitësit e Kongresit të 10-të të Partisë Punës, nuk e bënë këtë gjë.
Mos vallë është fjala për mungesë përvoje apo harrese? Jo, as njëra as tjetra, pasi ky veprim, buron nga logjika komuniste e atyre që përgatisin Kongresin, nga mentaliteti enverist e totalitar i patriarkut të komunistëve. Një nismë e rrezikshme dhe fatzezë për anëtarët e këtij Kongresi, i cili pretendon të jetë Kongresi i rilindjes së Partisë e të komunistëve, i flakjes tej të sektarizmit e të miopisë, të prepotencës e të absolutizmit të botës shqiptare.
Komunistëve u ndodhi si dikur trashëgimtarëve të mbretërve absolute; “Le roi est mort, vive le roi”. (Mbreti vdiq, rroftë mbreti). Unë jam po ai disident, që kam qenë atë ditë që më dhanë shkelmin e, më përjashtuan nga partia. I tillë jam e i tillë do mbetem, se e çmoj përjashtimin tim, si një fatbardhësi në jetën time. Jam një nga ata disidentët, që i jam kundërvënë Enverit, me tërë forcën dhe burrërinë e gjeneratës sime.
Unë do të kisha vendin në Kongresin e 10-të, pavarësisht nga dëshira dhe qëllimet e liberalëve apo të konservatorëve. Do të isha me Ramiz Alinë, pasi ai, sapo mori fuqinë në dorë, i dha fund ndarjes së popullit me murin e klasave dhe konservatorët, nuk mundën më të lëshojnë slogane denigruese e asgjësuese. Por ky liberator, duke qenë trashëgimtar i Enver Hoxhës, u bë më ëndërrimtar e më shkatërrues se prijësi i vet, më konservator e më represiv se paraardhësi i tij (nxënësi tejkalon mësuesin). Ai përdori forma represive, që Enveri as nuk kish mundur t’i konceptonte. Ai jo vetëm që i ekzekutoi ata që tentuan të arratiseshin, por zvarriti trupat e viktimave, në rrugët e qyteteve dhe të fshatrave, për të terrorizuar ata që tentuan të arratiseshin.
Ai premtoi se do të ecte në rrugën e Enverit, sipas mësimeve të tij. Vuri ligjin mbi mbrojtjen e monumenteve kombëtare, që në praktikë, do të thotë ligj për mbrojtjen e monumentit të Enverit. Në politikën e tij ekuivokë, që e bënte herë të distancohej e herë të afrohej, ai humbi kredinë e popullit në atë shkallë, saqë populli, i refuzonte monoçartizmit ushtrimin e pushtetit.
Ata që përgatisin Kongresin e 10-të, u refuzojnë komunistëve materialet e të gjithë disidentëve, dokumentet e tyre historike e midis tyre, edhe ato që i përkasin Bedri Spahiut, testamentet e tij, të dërguara nga burgu Komitetit Qendror, mbrojtja e tij në gjyq, materialin e plenumit që e dënoi atë më 1955, e gjitha materialin e luftës së tij, për një shtet juridik e demokratik etj.
E di fort mirë se; askush nga ata që u dënuan të vazhdojnë të ushtrojnë pushtetin diktatorial në Shqipëri, nuk ka nevojë e as të dëgjojnë mendimet e mia. Po diktatura që iu imponua mizorisht për 45 vjet këtij populli, të marrë nëpër këmbë, të gënjyer, të mashtruar, ka marrë fund, dhe unë, Bedri Spahiu, i shpallur “armik i popullit”, “fashist” dhe armiku më i përbindshëm që ka kaluar në gjyqet e Republikës”, ndihem sot i fortë, të shpërthej publikisht dhe të informoj në sajë të opozitës, duke qenë i bindur se të vërtetat e mia, do të shërbejnë, që populli dhe komunistët të ndërgjegjësohen më shumë, për disa ngjarje të rëndësishme të Partisë.
Presidiumi i Kuvendit Popullor, vendosi me unanimitet, që unë të bëhesha Prokuror i Gjyqit Special, që të mbroja përpara këtij gjyqi, çështjen e popullit. Ngjan se në këtë çështje si fitimtar, unë e mbrojta mirë. Por, duke kujtuar këto 46 vjet terrori, mizorie, e mjerimi që ka kaluar populli im, mua më vjen turp, që kam qenë prokuror i atij Gjyqi Special. Kam revizionuar veten, idealet dhe gjithçka të shenjtë që kam pasur në jetën time. Nuk jam më ai prokuror që nxori Lufta Nacionalçlirimtare, as përkrahës i utopisë komuniste, më të lemerishme që nxori gjenerata jonë.
Kongresistë komunistë!
Po ju drejtohet një nga paraardhësit tuaj, një nga misionarët e parë të komunizmit shqiptar, pjesë e një gjenerate që i kushtoi rininë, ëndrrat e energjitë më të mira, një ideali të lartë e fisnik, por, për fat të keq, utopik. Rinia universitare e sotme, me veprimet e saj, doli si një forcë disidente për liri e demokraci. Këtë ngjarje, unë as kam mundur ta mendoja se do të ndodhte, edhe pse ishim tamam ne, të rinjtë e gjeneratës sime, që u vumë në ballë të luftës për çlirim. Por sot, ne, disidentët e djeshëm, jemi krenarë për gjithë rininë e sotme dhe e çmojmë atë, sepse u tregua jo vetëm heroike, por edhe më e ditur dhe më inteligjente se ne.
Ne, e kemi për nder të ecim në rrugën e rinisë sonë, t’i shtrohemi me bindje niciativave të saj dhe të presim kritikat e saj, si një nevojë për t’u çliruar, nga barra e rëndë e gabimeve tona, të shumta e të hatashme. Është detyra jonë ti nënshtrohemi me ndershmëri, dhënies llogari kësaj rinie. Dhe duhet filluar, qoftë paksa, me vitet 1930-‘38. Ç’është e vërteta, që në atë kohë kishte shumë rrethe antizogistësh që bisedonin për politikë, që merreshin me politikë. Ishin këta nga intelektualët më të shquar të vendit tonë, që ne, komunistët, ashtu siç ishim, megalomanë, prepotentë e absolute, i quanin njerëz të logjeve e të kafeneve.
Por kishte ardhur koha, të dilnim nga guacka jonë në dritën e realitetit, të ballafaqimit, sepse gjendeshim jo vetëm përballë zogistëve, por edhe para pushtimit fashist. Ky kuptim që kishim ne për intelektualët, nuk mund të mos më çonte mua të tregoja një interes të veçantë, për Enver Hoxhën, që e kisha pasur në rini, shok klase. Ai ishte kthyer në Shqipëri dhe dukej shpesh nëpër kafenetë e Tiranës, në mes të intelektualëve të saj. Ky njeri i “ndryshuar” e i “evropianizuar”, sipas mendimit tim, do të qe i përshtatshëm, për t’u aktivizuar në lëvizjen tonë. Por Enver Hoxha, i tha Tahir Kadaresë (që e dërgova për të biseduar) se refuzonte të takohej me mua dhe shtoi: “Mua, mos më përzini në këto punë”.
Lëvizja komuniste në Shqipëri, ka lindur nga plejada heroike e komunistëve të Grupeve të Korçës, të të Rinjve, të Shkodrës, të Zjarrit dhe nga grupi i Ushtarakëve të Tiranës dhe i komunistëve të Gjirokastrës. Në këto grupe, përfshihen të gjithë ata që asgjësoi intriga e Kominternit. Konferenca e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, për të cilën flasin apologjistët e Enverit, është më shumë një tendencë diversioni, se sa një shpjegim i vërtet i gjendjes. Jo një, por dy, janë konferencat për themelimin e Partisë. Konferenca e parë, u thirr nga Dushan Mugosha.
Në të bënin pjesë kryetarët e grupeve të asaj kohe, si: Koço Tashko, Kristo Themelko, Qemal Stafa etj. Unë isha përfaqësues Grupit të Ushtarakëve dhe i Gjirokastrës. Të gjithë ishin për bashkimin e lëvizjes komuniste. Por u ndamë në çështjen, nëse duhej të besohej që Dushani të ishte një i dërguar autentik i Kominternit për çështjen. Të gjithë delegatët, këmbëngulën që ai të paraqiste një dokument autorizues. Mugosha, që ishte një organizator i kualifikuar, me një përvojë të madhe organizimi, u tregua jo në lartësinë e duhur. Ai u tha i inatosur përfaqësuesve të grupeve: “Ju doni të vij te ju si mushka e dërzhavës me vulë në prapanicë”, dhe ngriti këmbën e djathtë.
Dushani e mbajti fjalën. Nuk u kthye më, për të sjellë ndonjë autorizim. Rrethanat e prunë, që të lirohej nga burgu Miladin Popoviçi, i cili u ngarkua nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave, të vinte në dispozicion gjithë përvojën e tij të madhe, për të ndihmuar komunistët shqiptarë që të bashkoheshin. Me Koço Tashkon, kemi biseduar shpesh herë çështjen e organizmit tonë.
Ai e shpjegon kështu: “Në konferencën për formimin e Partisë (e dyta), duhej të vinin nga dy delegatë për çdo grup. Kurse grupi im i Korçës, u paraqit me një delegat, që isha unë, Koço Tashko. Miladini më thotë se, duhej të sillja edhe delegatin e dytë të grupit. Dola nga dhoma, për të gjetur shok të grupit. Rrugës, takova Enver Hoxhën, që ishte anëtar i Grupit të Korçës në Tiranë. E mora Enverin dhe e çova si delegat në konferencë”.
Ndërsa Tuk Jakova më tregonte: “Unë kam qenë në konferencën e dytë të formimit të Partisë, por atje nuk u zgjodh kurrkush sekretar i parë. Si u bë dhe kur u bë sekretar i parë Enver Hoxha, kjo ka qenë gjithmonë një mister dhe kam ardhur në konkluzionin se; sekretari i parë politikë i Partisë sonë, ka qenë prodhim i flirteve të Miladin Popoviçit me Enver Hoxhën. Miladini, ishte intelektual, Enveri gënjeshtar. Një dashuri e miqësi prej intelektualësh, u krijua midis këtyre dy personave. Është fakt se Miladinit, i pëlqenin gjërat e shërbimit personal, si stilografë e sahate të florinjta dhe tryezat e pasura, e këto gjëra, i a servirte me bujari Enver Hoxha, i cili dispononte këto, nëpërmjet lidhjeve të tij dhe të ndihmave që populli jepte për lëvizjen komuniste”.
Përse nuk u zgjodh sekretar i parë i Partisë Komuniste Shqiptare njëri nga kryetarët e këtyre grupeve komuniste që përfaqësoheshin në konferencë? Miladin Popoviç, mendonte sinqerisht se; po përjashtonte krerët e grupeve, nga udhëheqja monolite. Koha vërtetoi se një zgjidhje e tillë, ishte sa utopike, aq edhe e dëmshme. Ditët e zhvillimit të asaj konference të formimit të Partisë, takova “Xhepin” (Sadik Premtja) dhe “Bacën” (Ramdan Çitakun) në shtëpinë e “Xhepit”. Ky, më informoi për zhvillimet e konferencës. “Venë mbrapsht”,-tha ai. Kjo, sepse konferenca e akuzonte “Xhepin”, se nuk kishte denoncuar të gjithë elementin e ‘Grupit të të Rinjve’ (me që formohej Partia, të gjithë kryetarët e grupeve duhej të tregonin emrat e anëtarëve).
“Xhepi”, e shpjegonte këtë veprim të tij, në mënyrën e vetë. Unë e justifikova në mënyrën time. Teza ime ishte, që; kryesorja është bashkimi e, ky bashkim, do doemos denoncimin e plotë të anëtarëve të çdo grupi. Në qoftë se punët e konferencës, kanë marrë atë kthesë që thua ti, i them, atëherë le t’ia lemë kohës, për të gjykuar rezultatet. “Baca”, që kishte një natyrë që më shumë dëgjonte, se sa fliste, heshtte me vëmendje, në bisedën që zhvillohej midis meje dhe “Xhepit”. Koha tregoi se kishte të drejtë ai, labi i Vlorës dhe jo unë, labi i Gjirokastrës. “Xhepi”, u dënua si tradhtar i Partisë dhe pësoi konsekuencat e një dënimi të padrejtë, të tipit enverist. Ai shkoi në Francë, ku militoi në Partinë Komuniste Franceze. Unë u shkriva në birucat e errëta të regjimit barabar e sadist, të komunizmit enverian…!
Në vitin 1953, kthehesha nga kongreset e partive komuniste të një sërë vendesh të Demokracive Popullore. Në fund të raportit që i bëra Komitetit Qendror, kam bërë këtë shënim me penë, me dorën time: “Në kongreset e Partisë Komuniste të Hungarisë e Çekosllovakisë, u shtrua çështja e kultit të individit në këto dy parti. Besoj se ka ardhur koha të ngrihet kjo çështje edhe në partinë tonë”. Në plenumin që pasoi, Enver Hoxha, doli me tezën e revizionimit të kultit të individit në Partinë tonë dhe e filloi raportin e tij kështu: “U krijua një gjendje e padurueshme në Partinë tonë. Mjafton që të shfaqem në penxhere apo, në ndonjë tribunë, që masat të shpërthejnë në brohoritje të furishme “Enver, Enver”!
U kam thënë shokëve shpesh herë që të marrë fund kjo praktikë, por shokët e Byrosë, kanë pasur menduar se unë e ngrita këtë çështje, duke u nisur nga konsiderata personale. “Është i thjeshtë shoku Enver”, mendonin ata, prandaj e ngre këtë çështje dhe vazhdonin t’i linin punët, ashtu siç qenë. Jo! Enver Hoxha nuk nisej nga konsiderata individuale, siç kujtonin ata shokët e Byrosë, por nga konsiderata e kërkesave teorike, të vetë jetës së Partisë”. Pasi mbaroi kjo hyrje e shkurtër, ngrihet Hysni Kapua dhe thotë: “Është e vërtetë, shoku Enver, na ka këshilluar përherë ashtu siç thotë, dhe që ne e kemi kuptuar ashtu siç e shpjegoi ai”. E vërteta qe krejt ndryshe, që Enver Hoxha, kurrë as në Byro, e as veças, nuk ka folur kurrë për kultin e tij, madje s’kishte si të fliste, sepse vetë nocioni i kultit të personit, ishte i panjohur për të atë kohë.
Që të gënjente Enver Hoxha, ishte e natyrshme për mua, sepse ai ishte antiteza e ndershmërisë, por që të shndërrohej Hysni Kapo, si dëshmitar i Enverit, kjo as më shkonte në mend. Megjithatë, unë e nxora nga zemra Hysni Kapon, sepse kishte qenë një bashkëpunëtor i imi, në të gjitha peripecitë e luftës së Zonës së Parë dhe zëvendës-komisar politik i kësaj zone. “Nuk shitet kali, se pengohet për të parën herë”. Asnjë nga anëtarët e Byrosë që ishin prezent, nuk e aprovoi dëshminë e Hysni Kapos, por asnjë, dhe unë bashkë me ta, nuk e kundërshtoi atë. Enver Hoxha, ishte diktatori më i urrejtshëm e më shtypës, ishte organizator i sistemeve të goditjes me zona, me grupe shoqërore, me nacionalistët dhe komunistët.
Enveristët, i atribuojnë udhëheqësit të tyre, të gjitha cilësitë e mira morale të një udhëheqësi. Unë, duke qenë kundërshtar i tij, nuk mund t’i atribuoj veçse, cilësitë më negative që ka pasur ndonjëherë figura diktatoriale, e të gjitha kohërave. I begatë ka qenë vendi ynë, në nxjerrjen e udhëheqësve diktatorialë, si monarkisti konstitucional Ahmet Zogu, pashallarët, si Ali Tepelena etj. Enver Hoxha, ishte i madh, se ishte i paturpshëm. Askush, veç logjikës satanike të këtij udhëheqësi, nuk do të mund të ideonte atë politikë, që ndoqi sistemi ynë kundër gjithë botës, në emër të një populli aq heroik, i cili u dashka të rrojë me bar, të një populli që ka “çarë historinë me shpatë në dorë”.
Askush nga gjenerata jonë, nuk mund të bënte atë që bëri Enver Hoxha, që të deklarohej e të paraqitej si i rrethuar, i izoluar, duke qenë ai vetë subjekti i këtij izolimi. Askush nga ne disidentët, nuk do të guxonte ta bënte Shqipërinë, pro sovjetike, pro kineze sot, për t’i deklaruar nesër, si armiqtë më të tërbuar të vendit tonë. Në raportin e Byrosë Politike, të Plenumit të 9-të, Hoxha deklaroi:
“Është e vërtet se në Berat, Liri Gegën e dënuam më shumë nga meritonte, por ajo me veprimtarinë që zhvilloi më vonë, tregoi se e kishte të merituar dënimin që i dhamë ne”.
“Thuhet se Kristo Themelko, ka vrarë shumë veta me rastin e çlirimit të Tiranës, por çështja e rëndësishme është se të gjithë ata që u vranë nga ai, ishin armiq”.
Në qershor të vitit 1955, Enver Hoxha konkludoi me propozimin e tij: “Është e vërtetë se ne, s’kemi sot prova për një dënim kaq të rëndë të Bedri Spahiut, por Partia me siguri, do të na i japë këto prova”. Kjo ishte një tendencë e degjenerimit të plotë të “Zeusit” të drejtësisë, një sfidë kundër tërë mendimit juridik të popullit. Dhe padrejtësitë nisën nga Mukja. Ajo u paraqit si disfata më e madhe e kohës dhe Ymer Dishnica, u bë viktima e asaj kohe. Çfarë ka të vërtetë, në gjithë këtë?
Në plenumin e Helmësit, u paraqit çështja e Mukjes, e oportunizmit të Beratit, përgjegjësia e Ymer Dishnicës, në ndarjen e pushtetit dhe kompromisi i Gjin Markut, me gjermanët. Dishnica dhe Gjin Marku, ishin dy nga figurat e ndritura të Luftës Nacionalçlirimtare. Kam qenë unë ai që kërkoi në plenumin e Beratit, largimin e Ymer Dishnicës nga Komiteti Qendror dhe kjo ishte për mua atëherë, një domosdoshmëri e vetë jetës, një kërkesë e rrethanave, e kushteve ku kisha lindur, luftoja e punoja dhe jam përsëri unë, ai disident, që e hedh poshtë me përbuzje atë propozim dhe që rivendos në piedestal, këto dy figura të ndritura të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Fatkeqësisht, propozimi im u pranua edhe nga Enver Hoxha. E s’kish si, të ishte ndryshe. Në tërë jetën e tij, në të gjitha vendimet pro, kundra, apo abstenime, Enver Hoxha, ka vepruar në këtë mënyrë, nga baza oportuniste e sektare, nga baza e interesit personal të çastit, apo të perspektivës. Kjo ka qenë një cilësi që e ka karakterizuar e, që i ka dhënë epërsinë e diktatorit, mbi disidentët e tij. Thonë, në Mukje, Ymer Dishnica ndau pushtetin me Ballin Kombëtar. Do të qe më mirë që ta kishte bërë, por Ymeri në Mukje, veproi plotësisht sipas udhëzimeve që kishte marrë nga Partia. Por këtë, le të flas vetë Ymer Dishnica.
Revizionimi i Beratit, qe një përpjekje e Hoxhës, për të nxjerrë veten e tij nga pozita e pulës së lagur. Në atë plenum, u tha se Enver Hoxha, gjatë gjithë Luftës Nacionalçlirimtare, ka qenë oportunist dhe sektar, veprimtari kjo nga të dy krahët e gabuar, dhe u sollën mjaft shembuj. Sejfulla Malëshova, tha se; Partia jonë, ishte duke u shndërruar në një parti terroristësh. Jam një nga ata partizanë më të zjarrtë të Kongresit I-rë, të atij kongresi, që u cilësua kongresi i luftës kundër trockizmit dhe jugosllavëve. Në mbarim të seancës që u mbyll me diskutimin tim, Mehmet Shehu, m’u afrua dhe më shtrëngoi dorën për atë diskutim, pastaj iu drejtua Enver Hoxhës: “Ishte një diskutim që plotësoi analizën tënde të kongresit”. Enverit iu errësua fytyra e, nuk pipëtiu.
Dy herë Enver Hoxha, ka caktuar prokuror të dy gjyqeve më të rëndësishme historike të vendit tone, një injorant të fushës së drejtësisë, si Bedri Spahiu. Herën e pare, si prokuror të Gjyqit Special, për të dënuar të ashtuquajturin “armiq të popullit” dhe herën tjetër, prokuror të Gjyqit të Koçi Xoxes. Sot ndihem i turpëruar, që kam luajtur rolin e prokurorit të atyre gjyqeve. Komunistët, e dinë pozitën time ndaj Kongresit I-rë dhe ndaj Koçi Xoxes (që e kam nxjerr të pafajshëm, në gjyqin kundër meje), dinë e dhe këngën, që këndonte populli ato ditë të zhvillimit të Gjyqit Special: “Kush e çliroi Shqipërinë/ Koçi Xoxe me Partinë/ Kush e krijoi Ushtrinë/, Enver Hoxha me Partinë,/ Tradhtarët porsi miu,/ i dënoi Bedri Spahiu”.
Sot, unë do të thosha: “Shumë lavdi, për njerëz të palavdishëm”. Si prokuror i Gjyqit Special, m’u desh, në bazë të ligjit, të asistoja në ekzekutimin e 17 fatzinjve. U gjenda ndërmjet të dënuarve dhe skuadrës së pushkatimit. Kur komandantit i skuadrës së pushkatimit dha urdhër, një lëvizje u pa në rreshtin e të dënuarve, të cilët i kthyen krahët, tytave të armëve, siç kishte urdhëruar komandanti. Vetëm një njeri, pati guximin t’i kundërvihet urdhrit. “Jo askush, s’duhet të kthejë krahët nga tytat, pasi nga shpina vriten vetëm tradhtarët, dhe ne nuk jemi tradhtar. Këtë do ta vërtetojë historia”. Ky ishte Bahri Omari, një burrë i zgjuar e patriot. “Tjetër rrugë do të marrin ngjarjet”, iu përgjigja unë me bindje.
Disa nga ata nuk dëgjuan, kurse të tjerët më besuan amanetet e tyre. Midis tyre, Javer Hurshiti dhe Tasim Bishqemi, kërkuan të ruhej paprekshmëria e familjeve dhe e fëmijëve të tyre. Unë, u thashë, e u garantova se; familjet e tyre, do të kishin në Shqipëri, po atë trajtim që do të kishin të gjithë banorët. Sa besuan në këto slogane, të Prokurorit të Gjyqit Special, një perëndi e di. Por ngjarjet u zhvilluan në një mënyrë të tillë, që përgënjeshtruan deklaratat e mia dhe turpëruan deklaruesin e të gjithë ata që pretendonin, ndërtues të një Shqipërie të re e të lumtur njerëzore. /Memorie.al/