Ushtare gjermane ne Shqiperi
Gjenerali Lanz është një dëshmitar shumë i rëndësishëm. Përveç profilit të tij ushtarak, ai ishte një prej pjesëmarrësve të grupit të oficerëve të cilët donin eliminimin e Hitlerit. I dyshuar nga Policia Sekrete ai shpëtoi falë angazhimit të tij në Ballkan. Për këtë arsye dëshmia e Gjeneralit Lanz mbi operacionet e tij ushtarake në Epir janë me një interes shumë të madh. Ai nuk ishte një nazist fanatik por një ushtarak karriere i cili bënte detyrën e ngarkuar. Për këtë arsye dëshmitë e tij duhen vlerësuar nga historianët si realiste dhe mjaft autentike. Si ushtarak ai vlerëson kundërshtarin e tij për guximin dhe trimëritë e treguara në fushën e betejës. Pranon se grupime politike pro gjermane shqiptare ndihmonin trupat e tij në luftën kundër partizanëve.
Megjithatë këndvështrimi i tij mbi “rebelët’ shqiptarë është shumë interesant. Si oficer karriere ai i përmbahet konventave ndërkombëtare të Luftës dhe i cilëson çdo lloj njësish luftarake pa uniformë dhe të panjohur si pjesë e ushtrisë si “terroristë”. Dosja e Gjeneralit në Arkivin e Zbulimit Amerikan nuk është botuar asnjëherë nga autoritetet amerikane. Edhe pse Gjenerali Lanz botoi kujtimet e tij pas daljes nga Burgu në 1951, marrja ei tij në pyetje nga zbuluesit amerikanë ka mjaft detaje që nuk janë botuar në Librin e Gjeneralit. Lanz u akuzua nga autoritetet amerikane si përgjegjës në masakrën e ushtarakëve Italianë në Kefalonia në Greqisë. U dënua me 15 vite burg në Nuremberg por doli nga burgu në fillimin e 1950. Dëshmitë e pa njohura të Gjeneralit Hubert Lanz janë me vlera të mëdha për historinë dhe një këndvështrim ndryshe për të kuptuar se historia nuk duhet parë vetëm me sytë e fitimtarit.
***
Trafiku në rrugën e rëndësishme Janinë – Arta – Agrinjo ishte i koordinuar nga forcat Gjermane. Kolonat lëviznin nën një kontroll shumë të rreptë dhe të mbrojtura mirë. Një numër postoblloqesh të vendosura përgjatë kësaj rruge e përmirësuan situatën në këtë zonë. Një repart i fortë Gjerman u vendos në Urën e Luronit në hyrjen e “Luginës së Vdekjes”. Megjithatë, ishte shumë e çuditshme që makinat individuale që transportonin oficerë kalonin herë pas here duke shkuar apo ardhur nga Janina si qendra e komandaturës Gjermane.
Sipas raporteve të agjentëve tanë, kjo ndodhte shpesh, megjithëse këto udhëtime të pa shoqëruara nga eskortat nuk lejoheshin. Me sa duket, Gjermanët i besonin një armëpushimi të Liderit të EDES (gjenerali Zerva) i komunikuar nëpërmjet agjentit të tij SARANDIS. Në mbasditen e 30 Shtatorit të 1943, një makinë e cila transportonte oficerë kaloi në postobllokun e Luginës Luron. Zbuluesit e identifikuan këtë makinë si makinën e komandantit Gjerman të këmbësorisë malore të pozicionuar në Prevezë. Ai udhëtonte shpesh nga Preveza në Janinë, por kësaj radhe atë do ta vrisnin gjatë kthimit të tij. Megjithëse kjo ishte e vështirë, duke pasur parasysh që baza e forcave Gjermane ishte mjaft e fortë në këtë zonë, 3 km në jug të postobllokut Gjerman ishte një vend ideal për të ngritur një pusi ku rruga spërdridhej përgjatë një përroi.
Sistemi i vrojtimit të partizanëve ishte mjaft funksional dhe shtrihej nga Janina deri në Arta. Ishte i shpejtë dhe i sigurt. Sapo makina la periferinë e Janinës, postoblloku i bërë prej telash dhe shtylla të telefonit të linjës Gjermane u mbyll. Rreth mesnatës, dy drita të fuqishme u ndezën në veri të qytetit. Ky ishte edhe sinjali i parapregatitur dhe menjëherë prita u mbyll. Snajperët ishin vendosur në gëmushat anës rrugës. Pas disa minutash ankthi të pritjes, zhurma a makinës u dëgjua në distancë dhe ajo erdhi pranë pritës me dritat të ulura. Shoferi frenoi pasi e pa bllokimin e rrugës në kohën e duhur. Ndërkohë të shtënat filluan dhe shoferi ra mbi timon. Koloneli i cili ishte ulur afër shoferit u qëllua për vdekje, por megjithatë bëri edhe një përpjekje të fundit për të dalë nga makina dhe ra në tokë. Patrulla e cila vrojtonte rrugën nga mëngjesi në perëndim, e gjeti postobllokun në agim të hedhur në ujë makinën e djegur dhe dy trupa të plaçkitur. Koloneli i cili ishte komandant i regjimentit të këmbësorisë malore dhe shoferi i tij të vrarë. Banditët kishin shënuar një fitore tjetër.
24 orë më vonë, i gjithë perimetri i zonës së pritës ishte kontrolluar nga dy kompani ushtarësh Gjermanë. Në shkurret afër pritës u gjetën sende të qitësve dhe shumë gëzhoja fishekësh.
Kërkimi i ushtarëve tanë u shtri edhe në mal dhe rruga ata i solli në një prej fshatrave të zonës. Sapo ushtarët ju afruan fshatit, breshëri mitrolozësh u dëgjuan nga të dyja anët e luginës. Po kështu ata u qëlluan edhe nga fshati, por përsëri armiku ishte i padukshëm. Armatim i rëndë u soll me shpejtësi për t’u përballur me këtë armik të padukshëm. Sapo predhat e para të mortajave qëlluan në objektiv, të shtënat u ndërprenë.
Fshati u sulmua dhe u mor me sulm. Një grup banditësh, të cilët po përpiqeshin të largoheshin nga shtëpitë e fshatit u kapën gjatë ndjekjes. Pjesa më e madhe arriti të largohej në mal. Partizanët kurrë nuk luftonin në beteja të hapura, por kishin mënyrën e tyre të veçantë të luftimit dhe qëllimin e tyre. Ata në mënyrë të pashpirt sakrifikonin popullsinë civile, të cilën e kishin detyruar të na qëllonin neve derisa ata të largoheshin. Suksesi justifikonte mënyrën e veprimit. As Kryqi i Kuq, as Konventa e Gjenevës nuk kishte asnjë kuptim për ta. Një delegat Zvicerian i Kryqit të Kuq që punonte në Epir kujdesej për popullsinë lokale.
Ai punonte si me këshillin e qeverisë, ashtu edhe forcat Gjermane dhe kishte marrë leje që ta shtrinte aktivitetin e tij edhe në zonat e infektuara nga banditët. Megjithëse ky lëshim mund të ishte një mënyrë mbështetje me material për banditët, Komanda Gjermane u mundua që të jepte ndihmën e saj për përmbushjen me sukses të këtij misioni. Partizanët nga ana e tyre nuk treguan asnjë respekt dhe kolona e Kryqit të Kuq u qëlluan, apo në disa raste edhe u grabit prej tyre. Nëse kjo bëhej me urdhrin e komandantit të partizanëve apo jo, kjo ishte e vështirë për t’u provuar. Një gjë ishte e sigurt, këta “çlirimtarë” nuk respektonin as ligjet ndërkombëtare të luftës dhe as Konventën e Gjenevës. Për ta ilustruar këtë më mirë, po sjell një rast konkret. Në verën e 1944, një numër të plagosurish dhe të sëmurësh ishin mbledhur në një stacion mjekësor Gjerman në zonën e Igumenicës përballë ishullit të Korfuzit.
Meqenëse kishte mungesa të mëdha si në medikamente, si në pajisje mjekësore, një autokolonë prej 10 kamionësh të mbushur me ndihma mjekësore dhe me një numër mjekësh në të, u dërgua në Igumenicë nga spitali i Janinës. Të gjithë kamionët kishin të ekspozuar qartësisht Kryqin e Kuq sipas të gjitha rregullave të Konventës së Gjenevës. Megjithatë, sapo kolona kaloi grykën në të dalë të Paramithisë, kjo kolonë u sulmua nga partizanët nacionalistë. Makinat u dogjën, materialet u grabitën dhe personeli mjekësor u vra i gjithi.
Një njësi e motorizuar e cila u dërgua për ndihmë, gjeti vetëm makina të djegura dhe trupat e mjekëve të shkrumbuar. Duke parë se ky sulm ishte një shkelje e rëndë e Konventës së Gjenevës, personalisht mblodha dhe analizova faktet dhe i raportova Komandës së Lartë të Wermahtit.
Sulmi i papritur ndaj kolonës mjekësore ndodhi në rrugën e ngushtë, e cila gjarpëron përgjatë maleve pa mundësi shpëtimi dhe kjo provon që ky sulm ishte planifikuar më përpara dhe nuk ishte një sulm i papritur. Me sa duket, banditët ishin informuar mbi lëvizjen e kësaj kolone që më parë dhe e kishin planifikuar sulmin në një mënyrë të tillë që askush nuk mund të shpëtonte. Pas sulmit ata u zhdukën pa lënë gjurmë, megjithëse gjetëm vetëm disa barinj me tufat e tyre aty pari. Kush mundej të provonte që ata kishin marrë pjesë në këtë sulm dhe pasi kishin fshehur armët po luanin rolin e vëzhguesve të situatës? Çfarë mund të bënte një njësi malore për të mbrojtur veten nga sulmet e tilla? Fakti që sistemi i komunikimit të forcave tona ishte pre e sulmeve të vazhdueshme nga banditët, nuk do ndonjë qartësim të madh. Ka mijëra raste për ta provuar këtë, por mënyra se si e bënin këtë sabotim ishte mjaft interesante.Çdo ditë telat e telefonit priteshin dhe shtyllat sharroheshin. Pastaj grupi i sabotatorëve zinte prita dhe priste për patrullën e komunikimit që të vinte për riparim. Në fillim, njësitë e mirëmbajtjes së linjave vinin me kamion dhe fillonin punën për riparimin e tyre pa i kushtuar rëndësi situatës së rrezikshme ku ata ishin. Me armët hedhur supeve, ata punonin me telat dhe veglat e riparimit. Papritmas një krisëm dhe ushtari shembej përmbys i vrarë. Shoferi i cili iku me shpejtësi për të lajmëruar njësinë e tij ushtarake, u kthye me shokët e tij për të gjetur trupat e plaçkitura të ushtarëve të vrarë. Ditën tjetër, i njëjti incident ndodhi përsëri. Këto pusi ishin zgjedhur ku terreni ishte i vështirë për riparimin e linjave dhe ku partizanët mund të fshiheshin. Përpara sulmit ndaj autokolonës së Kryqit të Kuq, të gjitha linjat e komunikimit ishin ndërprerë me qëllim ndërprerjen e komunikimit me njësitë përqark.Një tjetër lloj sabotimi mjaft i ulët ishte vendosja e minave pranë shtyllave të telefonit. Kur specialistët e komunikacionit vinin për të rregulluar telat apo për të vendosur linja të reja, pa e pasur mendjen shkelnin në këto mina dhe copëtoheshin nga shpërthimi i tyre. Nuk është e vështirë për të kuptuar që kjo lloj lufte dhe këto lloj aktesh sabotimi mjaft të ulëta i egërsonin ushtarët tanë. Është e kuptueshme pra që edhe trupat tona do të merrnin masa për t’ju përgjigjur me të njëjtën monedhë kësaj lloj lufte.
Cila njësi ushtarake nuk do ta bënte këtë? Një tjetër mënyrë e ulët sabotimi ishte shkatërrimi i makinave dhe mjeteve motorike të cilat lëviznin përditë për të transportuar trupa, të sëmurë apo të plagosur apo edhe postën ushtarake. Këto mjete lëviznin përgjatë rrugës nga Korça deri në Janinë dhe Agrinjo, gati 400 km. Kjo rrugë kalonte në zona malore përgjatë grykave dhe luginave të ngushta dhe urave prej guri, shpesh duke mos pasur asnjë mundësi të ktheheshe mbrapsht. Një re tymi dhe pluhuri i paraprinte kolonave që nga larg. Është fakt i njohur që gomat e makinave janë mjaft të pambrojtura nga aktet e sabotimit dhe partizanët e përdorën këtë fakt. Ata vendosnin lëndë eksplozive anës rrugës duke dëmtuar makinat tona. Si mund ta kontrollonim ne këtë rrugë kaq të gjatë çdo ditë? A mund ta pastronin ne çdo ditë rrugën nga minat? E pamundur në praktikë.
***
Në Tetor të 1944, rruga që kalonte në Meçovë më në fund u hap. Kjo rrugë e rëndësishme për në Thesali ishte bllokuar prej partizanëve prej kohësh dhe ishte e pamundur që të kaloje në të dhe kështu qendra e rëndësishme lokale e Janinës dhe Larisës nuk kishin asnjë komunikim midis njëra-tjetrës. Me një sulm të rreptë, trupat tona malore e morën këtë rrugë, por e kishin të pamundur që t’i përzinin partizanët nga territori përqark kësaj zone. Disa prej urave dhe mureve mbajtëse ishin riparuar nga puna e mundimshme e inxhinierëve tanë dhe shumë nga kthesat e rrezikshme ishin pastruar nga shkëmbinjtë dhe pengesat e tjera. Vendosja e minave përgjatë rrugës, në fakt meriton një vëmendje të veçantë, pasi ishin vendosur në mënyrë kaq të poshtër, sa na dëmtonin njerëzit dhe makinat edhe pas një kohe të gjatë që ne kishim marrë këtë rrugë. Megjithatë, pasi e pastruam dhe e bëmë gati për kalim normal, sulmet partizane ndiqnin njëra-tjetrën. Fatkeqësisht terreni ishte shumë i përshtatshëm për prita dhe partizanët qëndronin mbi malet në të dyja anët e rrugës. Fshatra të izoluara kishte disa, por partizanët fshiheshin në to duke i bërë edhe këto fshatra vende të rrezikuara. Kushdo që kalonte ishte në rrezik dhe një operacion sistematik për pastrimin e zonës nga të dyja krahët ishte mënyra e vetme për ta mbajtur të hapur këtë rrugë. Aleatët kishin dërguar një sasi armatimesh të reja si dhe mina të fuqishme duke e rritur efektivitetin e pritave partizane.
Qendra e vendosjes së Partizanëve të Kuq kërcënonte dy nga rrugët më të rëndësishme, njëra që vinte nga Korça për në Janinë dhe tjetra në Grykën e Meçovës. Forcat partizane, diku rreth 8000 vetë, ishin vendosur midis pyjeve të Pindit dhe brendësisë së territorit shqiptar. Ishte shumë e vështirë ta rrethoje këtë hapësirë të madhe e cila kishte monopate të ngushta dhe terren të vështirë. Kështu që për t’i rrethuar këta banditë ne duhej të familjarizoheshim me terrenin. Me gjithë këto pengesa, Operacioni STAINADLER u aktivizua në Korrik të 1944. Eksperienca e fituar në Operacionin GEMSTOK, i cili sapo kishte përfunduar dhe ishte drejtuar kundër forcave partizane në zonën midis Gjirokastrës dhe Korçës, ishte në favorin tonë. Partizanët shumë shpejt do ta mësonin se çfarë i priste.
Disa javë përpara se të fillonte Operacioni GEMSTOK, në Janinë, ne kishim arritur që të arrestonim të gjithë rrjetin e komunikimit të partizanëve si dhe kishim kapur materialet e printimit dhe radio transmetuese te tyre. Megjithatë, një numër i madh informatorësh të cilët ndihmonin me informacion guerilet partizane, kishin mbetur pa u zbuluar dhe kësisoj ata lajmëruan për kohën kur ne filluam të krijonim darën shtrënguese përqark zonës së veprimit të tyre. Ata (partizanët) e dinin mirë se një betejë e hapur me Gjermanët do t’u sillte disfatë të sigurt, prandaj kërkonin që të na godisnin nëpërmjet pusive apo duke tërhequr ndonjërën prej njësive tona në grackë. Një rrethim i yni do të kapte shumë material luftarak, prandaj partizanët kërkonin evitimin e këtij rrethimi me çdo kusht. Partizanët kishin kohë që vështronin trupat tona nga afër dhe si rezultat i këtij observimi e njihnin taktikën e betejës së trupave tona. Gjithsesi, trupat tona më të mira ishin trupa malorë të cilët po vinin nga Jugu dhe nga Jug-Perëndimi.
Për fat, trupat e mbrojtjes territoriale me eksperiencë më të vogël ishin dislokuar në Veri dhe Verilindje, ndërsa Veri-Perëndimi ishte i vështire për t’u kaluar nga shkaku i terrenit malor. Gjatë fillimit të operacionit tonë në këtë zonë, disa prej fshatrave ishin evakuuar dhe Komanda e Partizanëve të Kuq ishte tashmë e sigurt në malin Gramoz teksa ne po përfundonim rrethimin e zonës. Pjesa më e madhe e trupave që po lëvizte nëpër monopate sekrete arritën me sukses brenda natës të vendoseshin në pozicionet e synuara. Ndërkaq, trupat që po vinin nga Jugu kishin rrethuar një njësi partizane i cili kishte sulmuar një kamp mjekësor ushtarak Gjerman duke vrarë të plagosurit si dhe infermieret femra që kujdeseshin për të sëmurët. Kjo njësi partizane ishte rrethuar me kujdes dhe po asgjësohej nga trupat tona malore. Komandanti i kësaj njësie kishte pasur fatin më të keq. Teksa ishte shtrirë për t’u fshehur në gëmushat të cilat ishin një bojë njeriu të larta, kishte mundur t’u shpëtonte Gjermanëve derisa një ushtar i kishte shkelur dorën pa dashje dhe kështu që ishte kapur i gjallë. Si rezultat i këtij operacioni të trupave tona malore, disa qindra burra u asgjësuan, duke përfshirë në këtë bilanc edhe disa fshatra të cilat u shkatërruan si rezultat i përpjekjeve mes palëve.
Megjithatë, situata për partizanët nuk dukej edhe aq keq, pasi ata kishin arritur që t’i shpëtonin trupat kryesore, edhe pse humbjet Gjermane ishin të konsiderueshme. Hakmarrjen ndaj nesh ata e shprehën tek robërit që kishin kapur kur disa patrulla tonat kishin humbur në pyje. Pa këpucë dhe me duar të lidhura pas, ata ishin tërhequr pas nëpër shtigjet e maleve dhe pasi ishin pyetur gjatë, ishin ekzekutuar ashtu si mjaft robër të tjerë Gjermanë. Ndjekja jonë përfundoi në ditën e katërt, kur zona u pastrua dhe tashmë mund të shikoje trupat e partizanëve të vrarë nëpër shkëmbinj apo gëmusha. Një kolonë me robër mund të shikohej teksa ecnin në rrugën e Meçovës. Për ushtarët tanë, kjo kolonë ishte një pamje shokuese. Ata i shikonin këta njerëz të shpërfytyruar me urrejtje, por dhe keqardhje në të njëjtën kohë. Të rreckosur, vajza të reja fanatike, adoleshentë dhe burra me mjekër, viktima të pasionit fanatik ideologjik.
***
Në Jugun e Shqipërisë, në një shkëmb dominues mbi Luginë ishte vendosur kështjella e Gjirokastrës. Ishte një pamje shumë impresionuese. I vendosur në formë harkore dhe i mbrojtur nga kështjella, ishte qyteti i dikurshëm Otoman, shtëpitë dukeshin sikur kishin përqafuar njëra-tjetrën. Ky qytet ishte qendra provinciale e Jugut, në qendër të zonës së infektuar nga banditët dhe në mes të dy rrugëve shumë të rëndësishme. Qyteti kishte një rëndësi shumë të madhe taktike për forcat Gjermane. Një batalion Gjerman ishte stacionuar në këtë zonë me detyrë ruajtjen e rrugës për në Vlorë nëpërmjet Tepelenës. Një njësi vullnetarësh nacionalistë shqiptarë ishin pozicionuar gjithashtu për të mbrojtur qytetin nga të Kuqtë të cilët e kishin vendosur Shtabin Operacional në zonën e Sheperit, jo me larg se një orë prej andej. Pasi i larguam prej Luginës së Sheperit, partizanët u vendosën në malet e Kuçit. Këtu ishin njësitë partizane malore të cilët ishin nga më trimat e të gjithë rajonit. Këto forca numëronin rreth 2000 vetë. Një prej misioneve të forcave partizane të kësaj zone ishte bllokimi i rrugës që të çonte në Vlorë si dhe sulmet e befasishme ndaj trupave Gjermane. Kjo zonë bregdetare kishte shumë vlerë operacionale, pasi një zbarkim nga Italia do të sillte probleme të mëdha për ne. Për këtë arsye duhej ruajtur nga forcat tona pa ndërprerë, për të evituar një zbarkim në prapashpinë. Gjirokastra në këtë mënyrë merrte një rëndësi të veçantë për ne.
Në këtë periudhë, forcat tona kishin ndërmarrë disa operacione spastrimi të cilat i kishin spostuar partizanët nga një zonë në tjetrën, por partizanët në përgjithësi na kishin shpëtuar, pasi popullsia ishte në përgjithësi me ta. Nëse kjo ishte edhe situata në Gjirokastër apo jo, mbetej për t’u parë. Guvernatori Shqiptar na siguroi se qyteti ishte dashamirës ndaj nesh. Po kujt t’i zije besë? Kampe të reja partizanësh ishin parë në Luginën e Sheperit dhe këto informata u konfirmuan nga zbulimet tona ajrore. Një avion me dy motorë gjuajtës i tipit ME 110, sulmoi disa çadra mbi shkëmbinj. Dëgjuam se një oficer i lartë Britanik u vra dhe kjo konfirmonte se aleatët e konsideronin këtë zonë si një zonë me shumë rëndësi për ta.
Kampet u zhdukën, por njësitë partizane mbetën dhe ndërkohë ndërmorën edhe operacione sulmi të koordinuara nga Korça dhe Vlora. Beteja të përgjakshme u ndërmorën nga Tepelena në Përmet për të hapur rrugët në këtë moment, megjithatë, edhe pse ne i pastruam malet e zonës, partizanët u rikthyen përsëri në foletë e tyre të mëparshme. E njëjta situatë ishte edhe në zonën bregdetare. Kufiri midis Komandave të Tiranes dhe Janinës ishte Himara. Guerilet e dinin këtë fakt dhe e sabotuan rrugën me të gjitha mjetet që kishin në dispozicion. Herë pas here ndërmerrnin sulme duke paralizuar trafikun. Kolona me makina të shkatërruara shikoheshin përgjatë kësaj rruge. Pas një sulmi shumë të përgjakshëm nga partizanët kundër garnizonit Gjerman të Himarës, një operacion nga ana jonë u ndërmor për ta rihapur rrugën dhe për të vendosur komunikimin me garnizonin e Vlorës. Një numër i madh Italianësh të cilët pas kapitullimit të verës së 1943 ju ishin bashkuar guerileve, u kapën në zonën e Kuçit.
Një ditë, batalioni Gjerman i Gjirokastrës duhej të shkonte në Tepelenë për të evituar një çështje kritike në këtë zonë. Guvernatori Shqiptar i Gjirokastrës dhe milicia e tij mbeti vetëm në qytet. Farat e mbjella nga komunistët, me sa duket po jepnin fruta pasi papritur, si me magji, qyteti u mbush me partizanë. Guvernatori dhe rojet e tij u mbyllën në kështjellë, milicia nacionale u vra apo u çarmatos dhe pjesa e popullsisë që ishte kundër u vu nën një terror të egër. Në një kohë shumë të shkurtër e gjithë zona u vu nën kontrollin e partizanëve. Një arritje jo e vogël për ta. Ky shembull është një pasqyrim i saktë i mënyrës së luftimit të të Kuqve. Aftësia për të qenë kudo dhe asgjëkundi në të njëjtën kohë, ishte një art të cilën partizanët e Ballkanit e përvetësuan në mënyrë të shkëlqyer.
Si i përballuan forcat Gjermane këta partizanë? Si u zhvilluan betejat me ta?
Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve në mënyrë të saktë, disa fakte baze duhet të theksohen. Dy elemente që përcaktojnë betejën, tashmë dihen. Armiku dhe Terreni. Elementi i tretë, forcat tona, kërkon një shpjegim të shkurtër. Ashtu siç tashmë dihet, shumë pak forca Gjermane mbetën në Greqi pas kapitullimit Grek në pranverë të 1941. Kudo ishte mjaft qetë dhe partizanët ishin një faktor i panjohur akoma. Shumë pak oficerë Gjermanë dhe trupa të pakta tonat ishin më shumë të ngarkuar me çështje administrative dhe në ruajtjen e linjës hekurudhore dhe tokësore Athinë – Selanik. Vetëm në verë të 1943, kur rreziku partizan u bë një shqetësim për t’u marrë në konsideratë dhe besnikëria e Italianëve e diskutueshme, trupat e sulmit të Divizioneve Malore u transferuan në Greqi dhe në Jugun e Shqipërise. Një Divizion i lehtë këmbësori dhe një Divizion malor u vendosën në zonën e operacionit të Korpusit Malor Gjerman të XXII.
Të dyja Divizionet kishin mision të dyfishtë: të ruanin bregun Shqiptar nga Himara deri në Gjirin e Patrës si dhe ishujt Jonianë nga një zbarkim i mundshëm, si dhe të ruanin zonat e sipër përmendura nga aktiviteti i partizanëve. Kjo zonë përfshinte territorin me kufijtë prej Himarës – Korça – Follorina – Trikalla – Karpenision – Gjiri i Patrës dhe Ishulli i Qefalonisë, një territor prej 45 mijë km2.
Trupat e luftimit në dispozicion tim për të mbrojtur këto territore prej 700 km bregdet, përfshirë edhe ishujt e Korfuzit dhe Qefalonisë dhe Lefkadhës, si dhe për të ruajtur zonën nga partizanët, përfshinte 20 njësi me forcën e një batalioni për njësi. Duke llogaritur që fuqia e një batalioni për kohën ishte 300 vetë, atëherë mund të thuhet se e gjithë fuqia ushtarake për të përmbushur këtë mision me dy objektiva konkrete ishte jo më shumë se 6000 mijë burra. Nëse ne do ta kishim caktuar këtë forcë vetëm për të ruajtur bregdetin dhe për asgjë tjetër, atëherë i binte që çdo ushtarak duhej të mbronte rreth 115 metra bregdet. Nga ana tjetër, nëse kjo forcë do të ishte e caktuar vetëm për të luftuar forcat partizane në territor duke përfshirë edhe ishujt, atëherë i binte që çdo ushtar të ruante 7 kilometra e gjysmë katrorë.
Këto shifra janë përzgjedhur për të treguar dobësinë e forcave ushtarake tonat për të përmbushur me sukses objektivat që na kishte caktuar Komanda e Lartë në aspektin taktik dhe operacional. Edhe nëse të gjitha trupat që kisha në dispozicion si dhe agjencitë e tjera përgjegjëse për mbështetje në operacione ushtarake të ishin përfshirë në këtë mision edhe në kapacitetin e tyre të dyfishtë, përsëri do t’i duhej çdo personi që kisha në komandën time, të siguronin 2.5 km2 territor. Praktikisht një objektiv i pamundur.
Po kështu, nëse marrim parasysh që 2 të tretat e territorit që ne operonim ishte territor malor, pa rrugë normale, atëherë kuptohet qartë vështirësia që kishin trupat si dhe Komanda Gjermane për të operuar në këtë zonë.
Komentet