Berlin, dimër 2019
“Letra juaj m’dhuroi ngazëllimin e kulluar e t’njëmifishtë, se në këtë botë ka princër që mendojnë si njerëz, princërfilozofë që do lumnojnë njerëzinë”!
Kështu i përgjigjet Volteri Fridrihut të Madh të Prusisë (Letërkëmbim mes tyre, nga Hans Pleschinski), një magmë vezulluese e epistografisë botnore.
Natyrisht, në këtë Letërkëmbim ka, shpërndarë si pluhnajë yjësh, përplot brilantinë të tjerë. Veçse do mrekullohesha nga ç’mësova për kulturën e epërme të Princit të veçantë. A s’e pohon këtë, çiltërisht i magjepsur, dhe Volteri vetë?
Në fakt e dija, janë të njohura kultura dhe finokëria e aristokracisë. Megjithatë, Letrat e Fridrihut të madh, do t’i rezervonin aq kënaqësi e adhurim Shpirtit krijues volterian. Ndaj dhe në Letrën e tij (shtator, 1736), gjenden dy shprehje që pikturojnë saktë e bukur mikun e Naltmadhnuar prusian, prijësin e njërit nga oborrët e fuqishëm në Pentarkinë e Europës.
E ato, njëj përskajimi të thellë e dritërues, veçohen qysh në rreshtat parë: Princ-Njeri dhe, njëkohësisht, Princ-Filozof! Rrjedhimisht, si thotë Volteri, del të mos jetë i shpeshtë, madje është i rrallë ky përplotësim sipëror.
Duke lexuar ndjenjat dhe konsideratën hollë të Volterit, hedhur në fletën e bekuar, nuk i rezistoja (a duhej?) ndikimit prehësor të tyre. Dhe, fill më pas, dëshirimit të djegshëm që të shihja dyzimin ideal në formatin e Princërve të politikës së kosomotshme.
E kujt, kujt më shumë i nëvojitet Njësimi fatlum se një cope të ngushtë Dhéu në Ballkan ku banojnë shqiptarë? Atyre që s’patën kurrë Fridrihër, as të madh e as të vogël, në harkun e jetës së tyre. Dhe, mbase, s’do t’i kenë ndonjëherë. Por, së paku, sado vonë, t’pajohen njëj shëmbëllimi të largët të atij nyjëtimi, gati qiellor: Princ-Njeri dhe Princ-Filozof, që do të shenjonte me Ndjeshmëri e Mendim epokën e re…E jo antipodin e lig, gazavajshëm të tillë: Princ-Çnjeri dhe
Princ-Injorant, kaq vulëzi për kujtesën e brezave që vijnë.
A është e mundur, vallë, ç’metafizikë do arrinte një Pakt me kohën? Që ajo për shqiptarët të rridhte më shpejt. Pak më shpejt se koha e të tjerëve që kanë ikur shekuj përpara e, poashtu, më shpejt se kalendari i vjetër i Keqësisë dhe Marrëzisë së tyre princërore…
Ah, ti dëshirim i pamundur!
Komentet