Dervish Hajdar Gurina
Memorie.al / Dervishi i Luzhës, patrioti dhe kleriku i Tropojës, sa më shumë kohë kalon, aq më shumë vlerësohet dhe lartësohet në mendjet dhe zemrat e besimtarëve. Ai lindi më 15.07.1904 në fshatin Luzhë të rrethit të Tropojës, në një familje të thjeshtë fshatare. Luzha është një fshat thuajse fushor, me një kreshtë të butë, që kalon përmes fshatit, pika më e lartë e të cilit shkon 295 m. mbi nivelin e detit dhe zbret në 240 m. mbi nivelin e detit në pjesën më të ulët, nga ku është hyrja kryesore automobilistike për në fshat. E përshkojnë dy Vitalinat, lumenj të vegjël, që bashkohen në pjesën fundore të fshatit. Kodrat e Bukovës e ndajnë nga Llugajt dhe Dunisha. Mali Dobrej, e ndan nga fshatrat; Tpla, Degë, Berishë, Bytyç dhe maja e Dhinë, nga fshati Mejdan.
Është në “zemër” të Tropojës, por nuk kufizohet drejtpërdrejtë me asnjë fshat të tij. Luzha është një mrekulli natyrore, dhuratë e Zotit ashtu siç është Tropoja, një perlë në zonën e Alpeve shqiptare. Fshati ka pasuri të mëdha natyrore mbi, dhe nëntokësore, gjë që e bën të lehtë jetën e fshatarëve. Në periudhën e dimrit, është e fundit që mbulohet nga bora. Toka e pasur, klima dhe puna e luzhjanëve të palodhur, bëjnë që aty të kultivohen kultura të shumta bujqësore dhe mbarështohen bagëtitë. Periudhën e verës, pjesa më e madhe shtegtojnë në bjeshkën e Balçinës. Historia e popullimit të sotëm, e ka origjinën nga Botusha e Kosovës dhe zë fill në vitin 1555. Një vend i begatë, njerëz atdhedashës, të besës, mikpritës, bujar, punëtor, inteligjentë dhe me histori që për të gjithë brezat e kaluar të bën të ndihesh krenar.
Në këtë fshat me tradita patriotike, fetare, arsimore, kulturore etj., lindi dervish Rexhep Tarçuk Bala, që me vullnetin e Allahut u rrit, u formua dhe u lartësua me devotshmërinë e tij në adhurimin dhe shërbimin në rrugën e Zotit. U rrit jetim, pasi prindërit i vdiqën dhe e lanë të vogël. Për të u kujdes mixha (xhaxhai) Bajram Sefë Bala, që e trajtonte atë, si fëmijët e tij. Që në vegjëli tek ai, u duken shenjat e dervishit të ardhshëm dhe gradualisht Allahu e plotësoi me dijen dhe fuqinë e nevojshme, për të qenë i devotshëm në rrugën hyjnore të Ehlitarikatit, të bamirësisë ndaj besimtarëve që i drejtoheshin atij. Në Kur-an, suretu El Bekare ajeti 21 faqe 33 thuhet: “O ju njerëz, adhuronie Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm”.
Dhe ky adhurim tek baba Dervish filloi sapo hapi sytë për herë të parë në këtë jetë deri sa kaloi në Ahiret, në fqinjësi të Zotit të tij. Në suren En Nisaë ajeti 1 faqe 109 thuhet: “O ju njerëz! Kinie frikë Zotin tuaj, që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre u shtuan burra shumë e gra. Dhe kinie frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin se Allahu, është mbikëqyrës mbi ju”. Për mua, për të gjithë ne që e kemi njohur nga afër Dervish Luzhën, ky ajet kuranor, tingëllon shumë saktë dhe origjinal. Ai ishte i dashur me kushërinjtë, fshatarët, me lidhjet fisnore e miqësore. U gjendej ne kohën dhe vendin e duhur dhe i ndihmonte për ç’ka ata kishin nevojë. Sa i domosdoshëm tingëllon sot ky ajet kuranor, ku duket një “ftohtësi” në familje dhe shoqëri për të mos thënë ndryshe…?!
Gjithë jetën e Tij ia kushtoi kësaj feje, duke e quajtur veten një shërbëtor i thjeshtë, pa mburrje pa fjalë, por fjalë pak dhe më shumë i heshtur, predikonte besimin në një Zot që është Allahu. Ndonjë rast përmendte emrin e ndonjë njeriu që ishte “i padëshiruar” edhe nga opinioni, i cili u kundërvihej njerëzve me “petkun” e pushtetit, servil i regjimit ne fuqi asokohe. Shumë i ri, Rexhep Tarçuk Bala, merr rrugën ku Zoti e çon ne Teqen e Çajës në Kukës. Aty në moshën 17-vjeçare, vishet dervish i tarikatit Halveti, nga sheh Rexhepi, i cili e kompleton me shërbimet e nevojshme. Dervishi kthehet në vendlindjen e tij të dashur, në Luzhë, nga ku ka marrë edhe emrin Dervishi i Luzhës. Nëna e tij Fate, ishte me fat dhe e bekuar pasi Zoti i dhuroi djalin, shenjtorin, prijësin, udhëheqësin dhe ruajtësin e pamjes origjinale të dervishit dhe dervishizmit, në kushtet e një lufte të egër të shtetit komunist, ndaj klerikëve dhe fesë në Shqipëri.
E përndoqën dhe u munduan ta largonin nga rruga e fesë dhe tarikatit, por nuk ia arritën qëllimit të tyre të errët. Personat që i kundërviheshin me vetëdije (moshat madhore) Zoti i ka gjykuar dhe i gjykon. Unë e kam njohur nga afër Dervishin e Luzhës, që në hapat e para të mia në jetë. Vinte shpesh në shtëpinë tonë, pasi ishim komshinj të një vllaznie, por ishte shumë mirë edhe me babën tim, Sali Sadri Gurina, i cili ishte myhyb i tarikatit. Dervishi i Luzhës ishte i thjeshtë. Ai ruajti gjithmonë uniformën e Dervishit Halveti. Taxha që pasqyrohet edhe në fotot që disponojmë sot dhe hirka, rolin e së cilës e luante pelerina e zezë dhe që nuk i hiqte kurrë, ishin pjesë e trupit të Tij. Zoti deshti dhe për brezin tim, që e njohëm nga afër të kënaqur dhe të bindur në shpirt, flasim për cilësitë e Tij gjeniale, për dijen, fuqinë, urtësinë në zgjidhjen e halleve dhe problemeve të besimtarëve, kudo dhe kurdoherë. Në fenë islame thuhet: “Kur Zoti flet me gojën e njeriut, bëhen qeramete (mrekulli)”.
Dhe me gojën e babës Dervish, Zoti foli gjithmonë. Ai ishte i dashur me fëmijët, besimtarët dhe vëllezërit e Tij të tarikatit. Ai vlerësohet për prijësin “model” të dervishit, që punoi për kënaqësinë e Zotit, për të fituar xhenetin e Tij. Dervishi shtegtonte fshat më fshat, duke predikuar besimin tek Allahu, duke u gjendur me dashuri e dhembshuri, tek njerëzit dhe hallet e tyre, padyshim zgjidhjen e tyre. Faktet janë me mijëra dhe mrekullitë e babës Dervish përcillen brez pas brezi. Ne tropojanët i dimë e i njohim mirë. Shikimi i Tij shprehte thellësinë e mendimit, meditimit, sigurisë ne atë që ai besonte, shërbente dhe realizonte. Unë personalisht si besimtar, kam fakte të gjalla, të jashtëzakonshme të bamirësisë së tij fetare, që më ka ndihmuar mua dhe familjen time. Ka bërë shefat (ndërmjetësim) tek Allahu fuqiplotë, mëshirues dhe mëshirë bërës, kështu problemet janë zgjidhur në rrugën e duhur, e për këtë, ne jemi të kënaqur dhe falenderues.
Kështu flasin të gjithë besimtarët. Ai po të vinte në shtëpi, ishte “hijelehtë”, siç thotë populli, të jepte mbarësi, nuk kërkonte kurrë asgjë, në këmbim të shërbimit, nuk merrte për goje pritjen e respektin e bërë. Muzika popullore, këngët, vallet, i pëlqenin shumë. Këtë e tregon lahuta që kurrë nuk e ndau nga vetja. I binte lahutës dhe këndonte, i pëlqente kërcimi i burrave dhe shpesh në dasma kërcente edhe vetë. I plotësuar nga Allahu me dijen e nevojshme, dhuntinë e parashikimit, përcaktimit të ngjarjeve, telepatia dhe largpamësia, e kanë bërë fetar të pavdekshëm, vështirë të arritshëm nga të tjerë. Dervishi i Luzhës, nuk rendi asnjëherë pas kënaqësive të kësaj bote. Qëllimi i vetëm për të, ishte adhurimi dhe puna për kënaqësinë e Tij, veprat e mira për të cilat jam i sigurt që me to, ka fituar dhe do të shpërblehet nga Allahu në përjetësi.
Misticizma apo tesavufi siç njihet nga bota islame, është gjallëria shpirtërore e njeriut. Është fryti që del kur njeriu zhduk egoizmin dhe ekzistencën e tij materiale, me anën e rregullave fetare, bëhet zotërues i fronit të zemrës. Mistikët islamë këtë tezë, e bazojnë në shprehjen e lartë hyjnore: “Nuk më nxë Mua, as qielli im dhe as dheu, më nxë vetëm zemra e besimtarit të bindur. Duke pastruar zemrën nga çdo e keqe, njeriu shenjtërohet, arrin shkallët më të larta morale, i zbulohen të gjitha thesaret e fshehta, mbetet i shkrirë në fronin e Zotit, që në gjuhën fetare mistikët islamë i thonë: “Beka Billah” (mbetje tek Zoti). Unë që shkruaj këta rreshta, jam i sigurt, që Baba Dervish ishte i tillë dhe se ai jetonte, shërbente, për kënaqësinë e Allahut, duke braktisur çdo kënaqësi të kësaj jete materiale.
Dervish Rexhep Tarçuk Balaj, është shenjtori që me vullnetin e Zotit, arriti realizimin e plotë dhe në shkallën më të lartë të mbështetjes në këto katër shtylla, parime, ligje udhërrëfyese njohës dhe respektues i tyre. Në rrugën e gjatë si bamirës, ka shërbyer pa dallime fetare, pa dallime të tjera, duke mos kërkuar kurrë asgjë, në këmbim të shërbimeve. Ishte një patriot dhe luftëtar për çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës, nga pushtuesi i huaj. Me dëshirën dhe kërkesën e Tij, u rreshtua në Brigadën e e XXV-të Sulmuese partizane të Tropojës. Në njërën dorë mbante flamurin tonë kombëtar dhe në tjetrën teberin (shpatën). Ai i priu brigadës çlirimtare, deri në kufi me Serbinë.
Unë që shkruaj në këtë përvjetor të 109-të të lindjes së Dervishit të Luzhës, jam i diplomuar për histori, por kam emocione të mëdha dhe druhem të mos gaboj në jetëshkrimin e Tij. Qëllimi i shkrimit është të përkujtojmë me dashuri, respekt, mirënjohje, përulje, besim dhe shpresë jetën e Dervishit të Luzhës dhe të edukojmë tek të rinjtë respekt dhe besim për fenë dhe Zotin. Dervishi i bëri “fidarie” jetën e Tij, për të përhapur dritën hyjnore, ligjet e Zotit ngado që kalonte, gjithë jetën e Tij, e shkriu për të ndihmuar njerëzit në nevojë, fukaranë, për ata që sytë, mendjen dhe shpirtin i drejtojnë me përulje tek Allahu, shpëtimtari ynë. Nuk mendoj për pasurinë dhe “luksin” e botës reale.
Unë jam dëshmitar kur partia dhe shteti komunist i kërkoi përmes meje, që të pranonte t’i ndërtonin një shtëpi në Luzhë. Në atë kohë unë isha kryetar këshilli për fshatin. Dervishin e gjeta tek shtëpia e Shiqer Ukës, në Matoshaj dhe ia paraqita mendimin e tyre. Ai më tha që; ata duan të më ndërtojnë shtëpi në “vijën e verdhë” dhe nuk pranoi. Gjithë “pasurinë” e Tij, e mbante me vete në një thes. Në dorë, zakonisht mbante një shkop druri, me 72 nyje. Me këtë ai aludonte dëshmorët e Luftës së Qerr-Belasë (mendimi im). Tarikati Halveti, ka një detyrim në raste të veçanta, me detyrë nga shehi i Teqes, që besimtari mbyllet për 40 ditë në vetmi, brenda Teqes. Gjatë kësaj kohe bëhet ziqer, lexohet Kur-an dhe i drejtohen lutje të madhit Zot. Baba Dervish Halvetin, e bënte në mënyrën e Tij të veçantë, në një “gropë varri” në Cerrnicë. Vitet e fundit, i kaloi në fshatin e Tij të dashur të lindjes, në Luzhë.
Fillimisht tek Shiqer Uk Matoshi pastaj vjen tek babai im, Sali Sadria dhe i thotë që; kam ardhë me vdekë, me e “dorëzue shpirtin”, tek shtëpia jote. Baba i thotë që; unë jam komunist dhe ardhja jote shihet për keq nga partia dhe më mbeten fëmijët pa shkollë. Ti e din qejfin dhe dëshirën time Dervish – i thotë baba Dervishit. Po, ashtu është thotë Dervishi dhe unë ty nuk dua të të bëj keq. Pas kësaj ngrihet dhe ikën. Vendoset tek Hysni Halit Bala, deri në fund të jetës së Tij, 81-vjeçare. Aty gjeti respekt dhe shërbimin që i nevojitej atij. Njerëzit shpesh i dëgjon të thonë, që e kam mbajtur ne shtëpi Dervishin. Është e vërtetë që Malësia e Gjakovës e ka dashur Babë Dervishin, si askënd tjetër, por duhet të pranojmë, që Dervishi ka mbajtur veten dhe ne, na ka mbajtur, na mban dhe na ndihmon edhe sot që flasim.
Aty ku është Tyrbja e Tij rreth një vit përpara se ai të vdiste, Hysni Bala ka mbjellë një bli, me kërkesën e Dervishit, tek livadhi i Sefës, gjyshit te Dervish Rexhep Tarçuk Balajt. Kam pasur fatin e madh me vullnetin e Zotit, që të jem vazhdues shpirtëror i rrugës së shenjtë të Ehlibejtit, duke pasur ndihmën e pandërprerë të shenjtorëve të Tropojës, në veçanti të Babës Dervish. Jam i vetmi intelektual i Tropojës, që kam marrë pjesë në varrimin e Tij. Ka qenë e vështirë për atë periudhë politike. Të gjitha rrugët kontrolloheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe spiunët për të dokumentuar pjesëmarrësit, por sigurisht që asnjë nuk pati pasoja ndëshkimi nga shteti. Vendin e varrimit e kishte caktuar vetë.
Veprimtaria e Dervish Luzhës, ishte shumë dimensionale: në lartësi pasi lidhet me veprimtarinë hyjnore dhe Allahun e lartësuar, në kohë pasi është e përjetshme, në hapësirë pasi shtrihet në Tropojë, trevat Shqiptare dhe më gjerë. Besimtarë të popujve të ndryshëm nderojnë, ndezin qirinj me respekt dhe besim tek tyrbja e Tij dhe i luten Zotit. Njeriu është mysafir në këtë jetë dhe e gjata është pastaj. Baba Dervishi, plot besim i dorëzuar tek Zoti, punoi gjithmonë që Ditën e Gjykimit në Fushën e Mahsherit, pejgamberi Muhamed (a.s), do t’i hapë derën e xhenetit. Në luftë me jezidin, me të keqin, me veset, njollat në ndërgjegje, me anët e shëmtuara të shoqërisë dhe për më tepër i luftuar nga regjimi komunist, doli fitimtar dhe është dëshmor i Allahut. Në këtë shkrim të shkurtër kushtuar bamirësit të vërtetë të Tropojës, mendoj që të japim disa mesazhe që kanë qenë edhe këshilla të përhershme të Tij:
– Familja është e shenjtë, ta ruajmë të pastër. Aty të sundojë dashuria, respekti, sinqeriteti, bashkëpunimi, hallalli dhe paqja.
– Fëmijët të duan nënën dhe babain me respekt, gjithmonë me përulje ndaj tyre, t’u shërbejnë me devotshmëri. Mos harroni se Zoti, “fillon” tek nëna dhe babai.
– Të respektojmë fqinjin dhe t’i gjendemi për mirë në raste nevoje.
– Të zgjerojmë njohuritë fetare duke respektuar institucionet e Zotit (xhamitë), duke lexuar Kur-an, ligje të sheriatit, të jemi të kulturuar dhe të devotshëm për familjen dhe shoqërinë.
– Institucionet politike dhe shtetërore të shërbejnë me pastërti, humanizëm dhe respekt ndaj ligjeve në fuqi dhe halleve të popullit.
– Mediat e shkruara dhe vizive të bëjnë më tepër në shërbim të edukimit fetar dhe atdhetar të brezave.
– Institucionet fetare të punojnë më tepër dhe të lidhen drejtpërdrejtë me besimtarët kudo që të jenë pa pretendime, por me devotshmëri për kënaqësinë e Allahut. Literature fetare të jetë më sociale dhe të shkojë te besimtari pa interes material, por vetëm shpirtëror, për riza të Zotit.
Duke e mbyllur shkrimin, shpresoj që të kem ndikuar sado pak tek ndjenjat tuaja fetare të besimit, për të mos harruar shenjtorët tanë, por t’i kujtojmë ata me dashuri, respekt dhe besim. Le të jetë jeta dhe vepra e ndritur e Dervishit të Luzhës, model i thjeshtësisë, devotshmërisë dhe përkushtimit për të qenë të plotësuar në detyrat tona familjare, shoqërore, shtetërore, politike dhe për ne Dervishët, në rrugën fetare, në rrugën e Imam Alisë, në rrugën e pejgamberit Muhamed (a.s), në rrugën e Allahut, Zoti tone fuqiplotë. Për mua ka qenë, është dhe mbetet babai, prijësi, udhëheqësi i pazëvendësueshëm shpirtëror.
Në rrugën time si bamirës dhe shërues, jam i sigurt me besimin tek Zoti, se do vazhdoj me përkushtim e devotshmëri të plotë misionin dhe gradën e Dervishit, të dhënë nga Teqeja e madhe e Halvetive të Shqipërisë – Pazari. Zoti e mëshiroftë, faltë dhe dërgoftë në xhenetin më të lartë dervishin Rexhep Tarçuk Balajn. Besimtarët, dervishët e hakut, nuk i varrosin në dhe shenjtorët, por në zemrat dhe shpirtrat e tyre. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që të jenë e kurdoherë. Zoti më faltë mua nëse kam bëra pa dashje ndonjë gabim në shkrimin tim. Amin. Memorie.al