Më 24 gusht 2018, në Deçan përurohet libri: “Ah… Shqipni, mos thuj mbarova”, i autorit Bajram Halil Gashi.
MERUSHE BADOLLI
Që në nisje, kam ndjekur nga afër punën pesë-vjeçare të Bajramit, autorit të librit me vlera mbarëkombëtare, kushtuar simbolit të Kosovës Dardane, Dervish Shaqa, Demush Neziri, Merushe Badolli dhe Grupi Kosovar. Kujtoj fjalët e para të tij, mbas botimit të librit “ Një shekull në udhën e dijes”, kur ai po thotë: “Du me shkru diçka mbi Dervish Shaqen, Demush Nezirin dhe Grupin Kosovar, sepse edhe unë jam kan pjesëtar i grupit. Në rininë time, unë jam rrit në prehrin dhe këngët e tyre, në odat e burrave dhe në koncerte, kështu, nuk po dëshiroj të hup gjithë ajo veprimtari artistike dhe atdhetare”. Unë e nxita dhe, ja pas kaq kohësh, ne po kemi në dorë librin. Unë e falënderoj dhe e admiroj, që e mbajti fjalën dhe krijoi një vepër, që i bën nder gjithkujt në shqiptari.
Çdo lexues ka të drejtë të shprehë vlerësimet për librin, që ka shumë dhimbje dhe qëndresë, brengë dhe shpresë, trimëri dhe atdhedashuri, por unë dua të shtoj se Bajrami, na i sjell dy “Gjeneralët e këngës” dhe “princeshën” e valles kosovare, nëpërmjet gojës dhe penës të personaliteteve të artit dhe të kulturës shqiptare, ashtu siç i kanë njohur, ashtu siç i kanë përjetuar emocionet e artit të tyre, të shpërfaqur aq madhërisht në odat e kullave, në skenat e koncerteve dhe festivaleve. Është pranuar nga të gjithë, se jehona e këngës së tyre, u ndje më shumë në radio dhe televizor, ndërsa shtypi i shkruar i kohës, është shumë i varfër, kështu që, edhe dokumentacioni i futur në libër është i vakët, për t’i lënë shteg kujtimeve të bashkëkohësve të tyre.
Në detyrë të redaktorit të librit, lexuar e rilexuar disa herë, më duhet të theksoj, se libri është shkruar me shumë dashuri, madje duhet shtuar, dashuri të pakufishme, për këta artistë të mëdhenj, sepse më shumë se vlerat artistike, ata kanë piskamë shpirti, që dëgjohej në mbarë shqiptari, nëpërmjet artit të këngës. Kënga dhe vallja e tyre, i shqyen kufijtë e ndarjes shekullore, na e ngjallën Kosovën, na e sollën pranë, me të gjitha hallet e dertet e saj. Ne shpirtërisht u bëmë bashkë, për të qenë bashkë edhe në luftën për liri, që solli liri e mëvetësi në Kosovën dardane. Për të qenë bashkë, sot e mot.
Çdo kapitull ka theks të veçantë, por të ndërthurur mes tyre, pasi flitet për legjendën e këngës dhe valles burimore popullore të Kosovës shqiptare, e cila lindi në Kosovë, erdhi në Shqipëri, por më pas u përhap në gjithë shqiptari.
“Oda e burrave, vatër shqiptarie”, është kapitulli i parë. Një gjetje interesante për t’u njohur, por një element jetësor edhe aq i dobishme për kombin dhe për kohën. Në mungesë të shtetit shqiptar, oda, në një farë mënyre i bënte karshillëk shtetit, së pari të pushtuesit turk, e më pas atij serb. Kështu, në kuptimin e kohës, është një institucion mbarë kombëtar i kërkuar dhe i krijuar herët, ku përfshihen të gjitha trevat shqiptare, por më e qëndrueshme ka qenë në Kosovë, e bartur po me aq fanatizëm edhe në Shqipëri. Autori, jo pa qëllim është ngulur në këtë element tradite, kulture, arsimore, politike, luftarake dhe edukative-shoqërore, pasi aty rriheshin të gjitha problemet e jetës, deri te fejesat dhe pajtimet e gjaqeve. Edhe kënga e Dervishit dhe Demushit, ma së pari u dëgjua në odat e burrave, pikërisht tek vatra dhe zjarri, ku u përgatitën edhe këta dy burra kuvendi.
Autori, qëllimisht është ndalur te plaga e hapur egërsisht nga shkau, me shpërnguljet e vazhdueshme me dhunë të shqiptarëve, për gjatë një shekulli e më përtej, por qëndron më shumë te “Aksioni i armëve (1955-1956)”. Është vazhdim i dhunës shtetërore serbe të pa ndërprerë, të ideuar imtësisht dhe të zbatuar mizorisht, por që pati pasoja tragjike për mbarë shqiptarinë e Kosovës, si shkak dhe i shpërnguljes së familjeve dhe të rinjve, mes tyre e dhe të heronjve tanë, Dervishit dhe Demushit.
Titujt e kapitujve flasin vetë, pa qenë nevoja të analizohen në hollësi, sepse i takon lexuesit të hyjë e të thellohet mbi ta, të shuajë kureshtjen dhe të ndjejë kënaqësinë e leximit dhe të përmbajtjes. Më duhet të them, se kapitujt e fundit i përkasin tërësisht treshes kosovare, Dervishit, Demushit dhe Merushe Badollit, si zemra e grupit kosovar, ku historia e koncerteve, tubimeve, dasmave, darkave dhe bisedave, lidhet gërshet edhe me cikërrima e ndodhi çasti, duke i dhënë librit vërtetësi, lëng jete dhe bukuri artistike.
Autori i librit, si fillim u mbështet te dy figurat kryesore Devish Shaqa dhe Demush Neziri, por gjatë punës u ndesh me kujtime dhe mendime interesante e të dobishme: Ata që, gjatë shumë viteve, artistikisht kanë drejtuar grupin kosovar, përmend Enver Plakun, regjisorin dhe ish drejtorin e pallatit “A. Moisiu” në Durrës, njëkohësisht edhe udhëheqsin artistik Ermir Dizdari, pa lënë anash këngëtarët Qemal Kërtusha e Naim Kërçuku, të cilwt shprehen: Pa valltaren e stuhishme Merushe Badolli, i gjithë grupi mbetet i cunguar. Ata të tre, me madhështinë e tyre plotësonin njëri-tjetrin, si një ansambël i vërtetë. Edhe vetë autori e ndreq gabimin, pasi e pranon, se jehona e radios, e linte disi në hije, vallen dhe “Princeshën valltare” Merushe, pasi ajo dukej e shpërthente vetëm në skenë.
Unë kam përshtypjen, mbase si unë mund të mendojnë edhe shumë të tjerë, se ky libër duhet të ishte shkruar shumë vite më parë, pasi njerëzit shkojnë dhe kujtimet e tyre treten. Megjithatë, “Asnjëherë nuk është vonë”, thotë populli. Për artistët e mëdhenj, që në kushte të vështira, bënë histori dhe lanë gjurmë në histori, do të shkruhet edhe nga të tjerë autorë. Bajrami hodhi hapin e parë. Kjo i shton edhe më shumë vlerat e tyre, sa njerëzore aq edhe atdhetare, sepse ata u bënë simbol i Kosovës dardane, kësaj cope Shqipërie të ndarë dhunshëm nga historia. Ju shqiptarët e Kosovës, kur dëgjonit këngët e tyre, çmalleshit dhe krenoheshit me bijtë tuaj, kurse ne në Shqipëri, po mësonim ta njohim dhe ta duam Kosovën
Mendimtari i shquar Viktor Hygo, diku thotë: “Njerëzit e mëdhenj e ndërtojnë vetë piedestalin, e ardhmja u ngre monumentin”. Ndërsa unë do të shtoja, se Bajram Halil Gashi, e ngriti monumentin. I vendosi ata në libër, në arkën e kujtesës së kombit shqiptar.
Urime Bajram Halil Gashit, që po sjell në vendlindje legjendën e këngës burimore të Kosovës shqiptare, Dervishin, Demushin dhe valltaren e magjishme Merushe Badolli! Është si një porosi për libra të tjerë, po kaq të bukur e me vlera atdhetarie!
Kadri Tarelli
Deçan, më: 24, të fund-verës, 2018.
Komentet