Pas një udhëtimi të gjatë e të palodhshëm, nga Durrësi mbërritëm në Deçan të Kosovës, më 24, të Gushtit, 2018, ku u përurua libri “Ah … Shqipni, mos thuj mbarova”, të autorit Bajram Halil Gashi.
Veprimtaria u zhvillua në qendrën e kulturës “Isuf Gërvalla”, në zemër të qytetit të Deçanit, nën kujdesin e drejtpërdrejt të kryetarit të komunës, z. Bashkim Ramosaj. Takimi ishte një ngjarje e bukur për qytetin, që u përcoll mjeshtërisht nga organizatorët, poeti Ali Geci, njëherazi edhe përfaqësues i kulturës pranë Komunës, njëkohësisht nga i palodhuri dhe mjeshtër i fjalës, z. Adem Lushaj, kryetar i shoqatës së intelektualëve të Deçanit.
Salla u mbush plot me miq e dashamirë të librit, poetë e prozatorë, historianë e studiues, artistë të skenës, rapsodë e këngëtarë, profesorë e mësues, të ardhur nga të dy anët e kufirit. Mes tyre edhe familjarë të “heronjve” të librit, të ardhura nga Durrësi dhe nga vise të tjera shqiptare. Nga Istogu morën pjesë përfaqësues dhe letrarë të klubit “Klubi Letrar Podguri”, si Zeqir Mehmetaj, Sadik Bicaj dhe Nuradin Imeraj.
Nën tingujt e këngëve të Dervish Shaqes dhe të “Grupit Kosovar”, shoqëruar me vargjet të poetit Mentor Thaçi, drejtuesja e takimit Leonora Ukhajdaraj, ftoi në foltore personat, që mbajtën kumtesa, ligjërata, falënderime dhe përshëndetje për autorin e librit dhe grupin e punës, që u kujdes për hartimin dhe botimin e këtij libri me vlera shqiptarie. Në nderim të tyre, më duhet të përmend të gjithë personat që folën dhe që mbajtën ndezur fjalën dhe sallën, për gati 2 orë e gjysmë.
Profesor Ymer Gashi mbajti kumtesë interesante, ku analizoi ngjarjet përmes të cilave ka kaluar historia e Shqipërisë dhe Kosovës, të trajtuara me kujdes e qasje shkencore nga autori Bajram Halil Gashi. Më pas u recituan vargje nga aktori Niman Muçaj. Një fjalë të shkurtër mbajti edhe z. Halil Tetaj.
Si zot shtëpie, në takim, uroi dhe përshëndeti punimet, Kryetari i komunës, z. Bashkim Ramosaj, duke premtuar, se gjithmonë do t’i qëndrojë pranë veprimtarive të tilla, që ngjallin dhe kanë frymë atdhetarie e shqiptarie. Më pas e mori fjalën z. Islam Laukaj, ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, i cili mban titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit, duke sjellë në kujtesë vlerat e këngëve të Dervish Shaqes dhe grupit kosovar: “Ne e mësuam historinë e Kosovës, jo nga librat, por nga këngët e rapsodëve tanë”.
Për librin, përmbajtjen dhe mundimet për hartimin e tij, fola edhe unë Kadri Tarelli, që jam edhe redaktor i librit dhe njëkohësisht kam ndjekur nga afër të gjithë rrugën e krijimit të tij. Në fjalën time u përqendrova në vlerat atdhetare që përcjell autori, nëpërmjet dokumenteve dhe kujtimeve të shumë personave, që bashkëvuajtën me heronjtë, Dervishin, Demushin dhe mijëra të tjerë shqiptarë të Kosovës, gjatë viteve të historisë sonë, të trazuar e të trishtuar, këndej e andej kufirit….. Po citoj pak fjalë në ligjëratë të drejtë:
“Jam me shumë fat, pasi bashkë me Bajram Halil Gashin, sollëm këtu në Deçan, në vendlindjen e “Heronjve”, librin, “Ah … Shqipni, mos thuj mbarova”, kushtuar simbolit të Kosovës Dardane, rapsodëve Dervish Shaqa, Demush Neziri, Merushe Badolli dhe Grupit Kosovar”. …Më tej vazhdova: …“Unë kam përshtypjen, se ky libër duhet të ishte shkruar shumë vite më parë, pasi njerëzit shkojnë dhe kujtimet e tyre treten. Megjithatë, “Asnjëherë nuk është vonë”, thotë populli. Për artistët e mëdhenj, që në kushte të vështira, bënë histori dhe lanë gjurmë në histori, do të shkruhet edhe nga të tjerë autorë. Bajram Gashi e hodhi hapin e parë, të tjerë do ta ndjekin pas. …..Ju këtu në Kosovë, kur dëgjonit këngët e tyre, çmalleshit dhe krenoheshit me bijtë tuaj, kurse ne në Shqipëri, po mësonim ta njohim dhe ta duam Kosovën”.
Në fund shtova: “Mendimtari i shquar Viktor Hygo, diku thotë: “Njerëzit e mëdhenj e ndërtojnë vetë piedestalin, e ardhmja u ngre monumentin”. Ndërsa unë do të shtoja, se Bajram Halil Gashi, u ngriti monument rapsodëve. I vendosi ata në libër, në arkën e kujtesës së kombit shqiptar.
Poeti durrsak Agim Bajrami, përshëndeti të pranishmit me një poezi kushtuar legjendës së flokut shqiptar Dervish Shaqa, Demash Neziri dhe valltares Merushe Badolli, poezi e shkruan enkas për këtë ngjarje të bukur e festive në Deçan. Poezia dhe recitimi u duartrokit gjatë nga të pranishmit. Ja disa vargje: ……….
Tinguj me palcë guri
Dhe me qumësht gjiri.
Dervish Shaqa burri
Dhe Demush Neziri.
Përkrah tij Merushja,
Syla dhe Shabani,
Gurrë prej mozaiku,
Që s’i del tabani. …….
Më pas foli shkrimtari dhe kritiku durrsak, Shpendi Topollaj, duke përmendur me të tjerave, fjalët amanet të Dervish Shaqes: “Komandant! Mos e harroni Kosovën”. Ndërsa historiania Fatmira Mulliçi, drejtore shkolle në Durrës, por me rrënjë familjare nga Deçani, rrëfeu me shumë dashuri, shprehje e thënie të bukura, të gjetura mes shkrimeve dhe kujtimeve të personazheve të librit. Ishte një gjetje interesante dhe me mjaft vlera njohëse.
Na vjen keq, që me ne nuk erdhi Enver Plaku, artist, regjisor dhe ish drejtor i Pallatit të Kulturës A. Moisiu” të Durrësit, i cili, boll ka thënë në libër, por kishte për të thënë ca më shumë edhe plot cikërrima jete, të ndodhura me artistët, për gjatë 30-vjetëve veprimtari artistike, në koncerte, festivale dhe konkurime.
Me interes u prit fjala z. Ermir Dizdari, që pavarësisht punëve të shumta, erdhi në Deçan, në nderim të librit dhe veprës së artistëve. Ai, për shumë vite dirigjent dhe drejtues artistik, pranë pallatit të Kulturës në Durrës, njohu nga afër të gjithë pjesëtarët e Grupit Kosovar, në veçanti Dervishin, Demushin dhe “Princeshën e valles”, Merushe Badollin. Kujtimet për ta nuk kanë të sosur, ndaj Ermiri, në fjalën e tij, u ndal: “Ata kurdoherë ishin bashkë në skenë e koncerte. Ata bashkë duhet të jenë edhe në veprimtaritë, që organizohen për nder të tyre. Nuk mund të ndahen. Secili në madhështinë e vet, plotësonin njëri-tjetrin. Ata ishin një ansambël i i vërtetë, që na e sollën pranë Kosovën”.
Në fund, fjala i takoi autorit të librit z. Bajram Halil Gashi, i cili përshëndeti dhe falënderoi organizatorët e këtij tubimi mbresëlënës. Njëkohësisht falënderoi të gjithë ata që bashkëpunuan; biseduesit, njerëzit e thjeshtë, shokë, miq e familjarë, shkrimtarë, poetë, këngëtarë, piktorë, rapsodë, njohës e bashkë-udhëtarë të Dervish Shaqes, Demush Nezirit dhe Merushe Badollit, në Kosovë e Shqipëri. Mes tyre, drejtues të artit e kulturës në Durrës, Deçan, Istog, Pejë, Krumë të Hasit, Tropojë, Shijak, Fier, Lushnjë e Tiranë. Bajrami në fund u ndal: “Pa ndihmën e tyre, vështirë të realizoja këtë vepër, si premtim e amanet ndaj figurave të ndritura të flokut shqiptar të Kosovës, mes të cilëve u rrita dhe ndjeva prushin e këngëve tona”.
Urime Bajram Halil Gashit, për vepra të tjera, me po kaq vlera atdhetarie e shqiptarie.
Kadri Tarelli
Durrës më: 25, të fund-verës, 2018.
Komentet