Më e pakta që mund të bëjmë për Dervish Luzhën, një njeri që ka lënë aq shumë gjurmë në kujtesën dhe ndërgjegjen e shqiptarëve nga Malësia e Tropojës, në Rrafshin e Dukagjinit, nga Rugova deri në Kaçanik, në Pukë, Has e Mirditë është që ta kujtojmë me nderim emrin e tij.
15 korriku është dita kur ky njeri i shenjtë erdhi në jetë. Kjo datë më jep rastin që të tregoj një histori personale, që më ka prekur që e ka ndikuar tek unë si njeri, duke ndryshuar përgjithmonë jetën time.
Pas 41 vitesh, në shtator 1992, bashkë me nënën u ktheva në Shqipëri. Në Tiranë u takova me vëllaun tim Sahitin. Pasi qëndruam një javë në Tiranë te të afërmit, shkova në vendlindjen time në Luzhë. Për çdo ditë me vëllaun Sahitin shkonim te varri i Dervish Luzhës. Një natë prej natës ndejtëm bukur vonë dhe aty nga ora 5 e mëngjesit më doli gjumi dhe pashë një ëndërr.
Dëgjova një zë që më thoshte: “Rrugën e ke hapur, bën diçka për fëmijët”.
Vëllau më vërejti me habi e më pyeti: “Ç’ndodhi?”
“Nuk pashë njeri”, i thashë, “as figurë por më erdhi një zë që më tha: bën diçka për fëmijët”.
Që nga ai moment e ndjeva vehten shumë të lehtë, sikur u çlirova nga një barrë e rëndë.
Vëllau më tha se do të shkojmë sërish te varri i Dervish Luzhës. Dhe ashtu vepruam… Prej asaj nate që e pashë atë ëndërr e ndieja veten shumë të qetë me më shumë kurajo e besim në vete.
Nga vinte ky zë atë natë? Unë mendoj se ishte zëri që vinte nga tyrbja e Dervish
Luzhës.
Pas disa ditësh shkova në Bajram Curr te një fotograf bashkë me Brahë Alia Gegëhysenin. Foton e vogël të Dervish Luzhës që mora nga ai e çova në Tiranë
ku përsëri së bashku me Brahë Alia Gegëhysenin dhe Fadil Furrikun u takuam me një piktor të talentuar. I kërkova që atë foto të vogël ta zmadhonte e t’i jepte ngjyrën që adhuronte Dervish Luzha. Ai e donte shumë stinën e pranverës dhe ngjyrën e gjelbër. Stina e pranverës, kishte thënë ai, është si njeriu që lind, si lulja që fillon jetën…Këtë fotografi më vonë e shpërndava falas në Tiranë, Bajram Curr, Gjakovë dhe New York.
Fotografi punoi tërë ditën dhe e zmadhoi foton në kolor.
U ktheva në Amerikë pas tre muajsh dhe një ditë takova Hasan Gashin e disa
mësues të tjerë që kishin hapur shkollën shqipe në Bronx.
Dhe ata kërkuan ndihmën time që të ndërhyja te autoritetet zyrtare të Bronxit që një shkollë publike të na jepte pa pagesë mësonjtoret ku do të zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe.
Shkuam me Hasan Gashin, Shaqir Gjonbalajn, Dervish Ramë Çelajn, Martin Popovicin, dom Pjetër Popajn dhe Mark Shkreli në zyrën e përgjegjësit të distriktit 10, Dr. John Reehill, i cili na priti mirë. Shkolla shqipe në Bronx tashmë kishte filluar punën, por mësonjtoret ku zhvillohej mësimi duhej paguar. Pas takimit me dr. Reehill, lokalet u dhanë pa pagesë. Salla për aktivitetet e lira, po ashtu na u dha pa pagesë, për
çdo aktivitet të komunitetit tonë. Dr. Reehill punësoi disa arsimtarë shqiptarë në shkolllat publike të New York-ut ku punojnë edhe sot.
Ndërkohë unë desha të themeloj një fondacion me emrin e Dervish Luzhës, i cili do të ndihmonte shkollën shqipe, por babai im, Ali Alia më kundërshtoi: “Shkolla është shkollë dhe ajo s’ka të bëjë me asnjë fe e as parti politike”. Më duhet të përsëris se që nga ajo kohë që unë pashë atë ëndërr në vendlindje, çdo aktivitet kombëtar e kryeja me lehtësi duke qenë i sigurtë në fitore.
Më 1993, themelova Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro – Amerikane, i cili deri më sot ka zhvilluar disa aktivitete me rëndësi për shqiptarët.
Dy herë me radhë, gjatë viteve 2000 dhe 2001, kryebashkiaku i New Yorkut, Rudolph Giuliani fondacionit tonë i dorëzoi proklamatën me të cilën 28 Nëntorin e shpallte si ditë të shqiptarëve në New York. (Me nisiativën e fondacionit, më 1997 për herë të parë filloi ngritja flamuri shqiptar kremtimi i 28 Nëntorit në Bashkinë e Qytetit).
Gjatë dy viteve të fundit, fondacioni në bashkëpunim me zyrën e anëtarit të Këshilit të Bashkisë së New Yorkut, James Vacca, në bashkinë e qytetit kremtoi përvjetorët e pavarësisë së Kosovës ku morën pjesë shumë bashkatdhetarë e zyrtarë amerikanë. Një aktivitet tjetër që fondacioni organizoi me z. Vacca ishte edhe emërimi i një rrugë te Bronxit me emrin e Nënë Terezës.
Në të gjitha këto aktivitete unë kam gjetur frymëzimin dhe kurajon tek vepra e Dervish Luzhës. Këtë personalitet të madh e kam takuar vetëm njëherë kur isha tre vjeç. E mbaj mend kur erdhi në shtëpinë tonë dhe më uli në prehër e më dha një mollë.
Dervish Luzha ishte një bamirës i madh, një atdhetar, një parashikues, një profet tek i cili unë dhe shumë të tjerë kanë gjetur forcën e kurajos për të kryer punë me rëndësi për shqiptarët.
—
Trashëgimia e pasur e Dervish Luzhës
15KORRIK – PËRKUJTOJMË106 VJETORIN E L INDJES SË DERVISH LUZHËS
Mijëra njerëz të moshave të ndryshme, pa dallim feje e bindjesh, shpesh kur duan t’u
besohet fjala për të mbrojtur nderin, dinjitetin e të vërtetën, betohen”pasha Varrin e
Dervish Luzhës…”. Edhe kur ndodhen në gjendje shpirtërore të rënduar, të mërzitur, të sëmurë e nuk gjejnë qetësi e shërim, përsëri shkojnë te tyrbja e Dervish Luzhës, përulen para varrit të tij dhe mendojnë besojnë e ndiejnë se aty kanë kanë gjetur”ilaçin”për ta rimarrë veten, për t’u shëruar…Shumë e shumë vetë të besimeve të ndryshme, kur kanë ndonjë hall, thonë: “Më ndihmoftë Dervish Luzha…”. Janë të panumërt ata që e mbajnë portretin e tij në shtëpi, në portofol, në qafë si medaljon, në makinë si një shoqërues i sigurtë se do t’i ndihmojë shpirti i Dervish Luzhës.
Kanë kaluar disa vjet qëkur ky njeri nuk rron fizikisht. Shpirti i tij prehet në paqe, por
figura e tij lartësohet e përhapet gjithnjë e më shumë në hapësirën mbarëshqiptare e
nuk njeh kufi.
Po kush ka qenë ky burrë i rrallë, ky njeri i shenjtë tek i cili njerëzit edhe sot kanë aq
shumë besim?
* * *
Dervish Luzha u lind në Luzhë më 15 korrik 1904. Prindërit u gëzuan shumë se ishte djali i parë i tyre. Sipas zakonit Tarçuk Sefa dha njoftimin duke shtirë pushkë tri herë në ajër.
Të tjerët që e dëgjuan, pasi u njohën me të vërtetën, iu përgjigjën po me pushkë e me
urimin:”O me jetë të gjatë ooo”.
Gjatë gjithë jetës, çdo shtëpi në Malësinë e Tropojës, në Rrafshin e Dukagjinit, nga Rugova deri në Kaçanik, në Pukë, Has e Mirditë ka qenë e hapur për të dhe ky njeri ishte i mirëpritur.
Kudo ku shkonte, rrinte a flinte, ishte pa asnjë pretendim. Asnjëherë nuk foli një fjalë të pahijshme për njeri, nuk kërkoi as i lakmoi askujt asgjë. Uronte e bekonte këdo që kishte nevojë ose që i drejtohej për ndihmë. Janë shumë shprehje që përdoreshin prej tij. Ja disa prej tyre:”Zoti të fal kur gabon njëherë”; “Ruaje veten që të të ruajë edhe Zoti”; Çka të bash, e bën për vete”, etj.
Mehmet Idriz Doçi në librin”Ujitja në Tropojë” ndër të tjera shkruan:”Në Malësinë e
Gjakovës, Dervish Luzha nderohet si shenjtor. Kur u çlirua vendi ai mbante me vete edhe tri simbole: kazmën, lopatën dhe lahutën me të cilat do të thoshte, të bëjmë punën, të nxjerrim ujët e të hapim vijën, pastaj të gëzojmë edhe të këndojmë. Në përcaktimin e kordinatave të vendndodhjes së ujit, instrumenti i tij i vetëm dhe i pagabueshëm ishte shpata e tij e ngulur në tokë. Ai u tregonte fshatarëve ku del uji. Thoshte: qiteni ujin, bëhuni rahat, se vetes e fëmijëve u shërbeni… Ato burime uji të zbuluara e të punuara prej tij janë pjesë e trashëgimisë së tij shumë të pasur në dobi
të shoqërisë dhe e bëjnë të përmendet me respekt emri i prindit të tyre, Dervish Luzhës.
Populli i Tropojës, me ndërgjegje pa asnjë sforcim intelektual ose i çdo forme tjetër krejt të natyrshme, duke u nisur nga sjellja, veprimet e parashikimet e çuditshme që
bënte e që ktheheshin në realitet e kanë hyjnizuar Dervish Luzhën, duke krijuar një in-
stitucion shpirtëror të domosodshëm që simbolizon atdhedashurinë dhe humanizmin,
dashurinë për njeriun, ndjelljen e së mirës dhe largimin e së keqes, harmoninë,
mirekuptimin dhe pajtimin. Ai mbetet model i njeriut të përkryer.
(Marrë me shkurtime nga libri i Uk, Ismet, Qamil dhe Sami Balajt, “Luzha dhe luzhjanët gjatë shekujve XVI – XX)
Komentet