Të gjitha orët matin të njëjtën udhë në mbrëmje,
E njëjta zemër mat të gjitha hapat e ardhjes tënde.
’16-‘17
Në një lot
Qiej e qiej kapërcej,
Gjersa gjej një aeroport.
Lart s’më mori asnjë mort.
Det më det, ditë e net,
Të më zërë këmba tokë.
Ujërat nuk më mposhtën dot.
Syri yt më pret përtej,
Të gremisem në një lot.
Perlat
Tashmë bukuria
As tremb, as grish,
As ndreq, as prish!
U ngrit nosit e shkoi!
Na la
Troje të pushtuara;
Diku nën akuj,
Diku nën hi!
Qenie
Pa qenë
As unë,
As ti!
Reptilë nën dhe,
Trishtilë në re,
Bukuria s’ka punë me ne!
Rruazat mbi lëkurë,
Breshër përmbi gurë!
Në planetin tjetër…
– “Njerëzimi… duhet të gjejë planet tjetër për të jetuar”. –
Stephen Hawking
Ja, e gjetëm dhe planetin tjetër për të futur kokën.
Anije kozmike e ringritëm Arkën e Noes.
Lemerishëm e braktisëm kufomën e Tokës.
Me të tjera ditë u veshëm, me të tjera net,
Si me pëlhurën e etërve që ndërruan jetë.
Pas Darkës së Parë, Gjumit të Parë, Zgjimit të Parë,
Ngritëm Murin e Parë, Kufirin e Parë, Principatën e Parë.
U ndjemë sërish njerëz, skllevër, mbretër!
Pas Ditës së Parë
Mbajtëm vesh për këngën e verores,
Hapëm sytë për një degë të çelur molle,
Pritëm trokun e kalit në muzg.
Krejt e kotë; as kobra, as korba, as dhelpra, as ujq!
Atëherë mprehëm thonjtë, dhëmbët ndritëm.
Si atje, në kufomën Tokë,
U vështruam me lakmi
Dhe filluam tjetër luftë,
Me një tjetër perëndi…
Për të tjera liturgji!
Burgu i poetit
-Duke parë detin,
……………………….
Sytë u mbushën me të nesërme. –
Janis Ricos, nga “Vjershat e Makronizit”
Dhunë, uri dhe skelete,
Yje, kujtesë dhe etje,
Guri mban erë Njeri!
Në pezhishkën e trembur prej hekuri të ndryshkur,
Ai!
Deti përballë përpiqet,
Si mure qelie shemb brigjet,
Dalldiset lirisë së Tij!
Pas ëndrrës, përpara pasqyrës
Brenda pyllit,
Digjet një zjarr e dikush ngrohet.
Në ëndërr shoh tymin.
Zjarri i ndezur prej teje,
Thellësive të mija…
Pasqyra ia sheh veç avujt
E ty të fsheh prej meje!
Jam natë
Tmerr, sa terr kam nën lëkurë!
Të errëta eshtrat, gjaku, indet…
Jam natë boheme udhë pa udhë,
Në një mesditë që nuk më bindet!
Dëgjoj e shoh, përtyp, marr frymë.
Verbohet bota brenda meje.
Por siç ia marr, ia jap prapë sytë,
Tek qesh a them një fjalë në heshtje.
Dhe bëj çudi pastaj me vete:
Si mund të dalë nga natë e tmerrshme,
Gjithë ky ndriçim nga një buzëqeshje,
Siç brof një shpend i bardhë prej shpelle?!
Ardhja jote, ikja jote…
E djeshmja qeshte mjaltë në hoje,
Me qiell të lartë, erëmime.
E sotmja nxin si shkrumb rrënoje,
Gjithë mjegull, shira dhe gjëmime.
Në mall e djeshmja ish e kaltër,
E sotmja ikjes tënde vdes.
Dhe janë këto dy ditë kaq afër!
Veç nata, mijëvjeçar në mes.
Ku shkruhet vallë kështu ky fat;
Të shuhen qiejt e kaltërsisë?!
E gjitha kryhet te kjo natë,
Që digjet prush prej dashurisë.
Ky dimër
Ky dimër s’erdhi si të gjithë;
Nga luftë-loja Tokë-Diell.
Acarin, mjegullën, stuhitë
Dhe akujt ftohja jonë i ndjell.
Zemëruar nisemi për larg…
Dëbora zbardh mbi gjurmët varg…
Zambakët që dikur t’i dhashë,
Më kot shpresojnë të çelin bashkë…
Zi ngjyrash
Vit arlekin,
Me lecka e arna të larme ditësh!
Ardhja jote, te blu e këmishës,
Ikja ime, te xhufkë e opingës.
Vit arlekin,
Me festa gazmore prej lotësh e plagësh!
Rrudha jote mbuluar prej jakës,
Udha ime në vijë të shuplakës.
2016
Rrëfimi i kusarit
Vodha një harpë dhe ca net për ta mësuar,
Muzika ua humbi toruan.
Më harruan…
Vodha një libër dhe një kandil për ta lexuar.
Pas kandilit më zbuluan.
Më dënuan…
Vodha një zemër dhe një qiell për ta strehuar.
Qiellin dot nuk e zaptuan.
U dorëzuan…
Lexoj Natasha Lakon
-“…hyrja në botë po thuhet thjesht…”-
N.L.
Vargje si age
Shpojnë shpirtin,
Hyjnë në mish,
Për të injektuar oqeanin e klonuar me qiell.
Me rrënjë do ta shpoj gurin, pas pak,
Në kërkim të yjeve dhe koraleve,
Si atëherë kur të desha,
Ngaqë s’mundja të të urreja.
Zonja e dorëzonjave
-“Burri hedh gruan nga kati i katërt…”-
(Gjuhë kronikash në fundvit)
Gjithë njolla të errëta aromash nën këmishënatë,
Numëron petalet e freskëta për monedha,
Ujit me sy dorëzonjat që qajnë rreth saj,
Ndërsa unë e shoh atje, në mëshikëz të dritës,
Tek i vidhet burrit si avull nga shtrati,
Tek ngjyen me pjalm xixëllonje gjurmën mavi të epshit të tij,
Tek del e zgjon një nga një dorëzonjat (Ah, duart e zonjës!)
Dhe hapet përmes qytetit gonxhe e sapoçelur,
Me gjurmën e murrme të dhunës nën pjalm xixëllonje.
…Vazhdon numërimin e monedhave si petale
Dhe më sheh shtrembër, që s’po ta blej një tufë dorëzonjash “zotnisë sate”1).
_________________
– Nga jaret shkodrane.
“Te gota”
Ata që u tretën ende pa lindur,
Ata që u plakën akoma pa thinjur,
Më thirrën, kur isha për larg duke ikur:
“Kthehu e ktheje një gotë me mikun!”
Por udha më joshte. Të pi s’kisha nge.
(Ti prisje në skelën e Detit Egje.)
Nxitova ndër vise si hija nën re
Dhe miqtë të dehur i lashë atje!
Sot vij i penduar, qëndroj te ky vend,
Ku vodkë më s’ka, as tym e as shend.
Mbaj hapat i lodhur dhe miqtë i përmend!
“Një gotë më pihet”, thotë shpirti që dhemb!
Dhė
Mbushur tërësisht,
Zbrazur krejtësisht.
Marrëzisht i lumtur!
Sa mall, sa helm, sa ftohtë!
As nesër, as dje, as sot!
E përjetshme kjo orë!
Dhéu, dhiatë e dhunuar.
Fara shkundet e vdes!
Bjerë me reshjet prej resh!
Shkele dheun e shkretë!
Ma hap një gjurmë të thellë,
Të fundit strehë të thjeshtë…
Dita e Gjykimit
– Për borxhin kam ardhur,-i tha,
– Për borxhin që uji ia ka ultësirës,
Për borxhin që bora ia ka shkretëtirës,
Për borxhin që Zoti ia ka mëshirës,
Për borxhin që syri ia ka errësirës,
Për borxhin që ajri ia ka hapësirës,
Për borxhin që fundi ia ka dëshirës,
Për borxhin që ndarja ia ka lamtumirës.
Kam ardhur për borxhin,-i tha,
– Për borxhin që heshtja fjalës ia ka.-
Vesë vetmie
Ta dije ti se ç’heq lastari i lartë i lisit,
Për t’u plakur, për t’u tharë, për t’u djegur në zjarr,
Që të mos mbërdhish pa mua!
Ta dije ti se ç’plagë merr ylli i largët,
Të tretet si dylli, për të të pikur te syri,
Që lot të mos kesh për mua!
Ta dije ti se ç’heq barbaroza në borë,
Të gjejë aroma dhe ngjyra të vona,
Që unë të mos ndjehem pa ty!
Ta dije ti se ç’heqin shtegtarët e stinëve të ngrohta,
Të vijnë tek unë për ty, të më rrinë përreth,
Që unë të duroj, të të pres!
Ah, ta dije ti, si lind e vdes kjo vesë,
Mëngjes për mëngjes, jetës mespërmes,
Që tejetej vetmisë të feksë një bukurezë!
Reportazh nga Fterra
Ç’të vish këtu,
Ku s’ke pse bëhesh i bukur?!
Ku s’ke ç’të vërshëllesh,
Se kabatë dhe këngët me dhëndër,
Flenë me nepërkën,
Në muret e shembur mbi gjëmën?!
Ç’të bësh këtu,
Ku, më e shumta,
Mund të shkrehesh në vaj,
Për Dudinë që “ish e shkoi, e vate”
Në dyer lokalesh nate!
“Ç’kërkon këtu!?”
Pyet më e reja e plakave
Dhe fshihet tutje baladave,
Si bijat e saj autostradave!
2000
Çadra e saj…
I. Në qytezën e largët
Nis shiu dhe krejt qyteza
Po hap lulehijezat e zeza.
Shoh rrugën e përzishme nga streha…
Pa lulehijezën e gjelbër të Saj,
Vallëzim luleshqerrash e vjollcash në pllajë.
II. Në metropolin e madh
Erdhi bora dhe krejt agora,
U mbush me fluturhijeza të ftohta.
Nga xhama reklamash shoh botën në majë…
Fluturhijeza e zezë mbron supet e Saj!
Thelbi
– Herën e fundit Adami i tha Evës:
Pjeshkë e prerë
Përgjysmë,
Planeti!
Këtej dritës,
Në mes,
Thelbi yt,
Çel
Në tul të frutit
Dhe mbyllet
Andej hijes,
Me mua
Brenda,
Për të më
Dështuar
Nesër!
Planeti,
Pjeshkë e prerë
Përgjysmë!
Don Kishoti qan Dylqinjën:
Hyj e dal në jetë,
Nuk ta gjej dot vendin.
Marr me not një det,
Që nuk ia di emrin.
Futem nëpër gjumē,
Përplasem me zgjimin.
Kapërcej një lumë,
Që s’ia di burimin.
Pyes për ty mitet,
Shtangur në mermer,
Askush s’më përgjigjet,
Asnjë kod s’të nxjerr.
Kalëroj andej,
Nga kurrë s’kam qenë,
Në shtatë shekuj-qiej,
Që nuk i mbaj mend.
Për ty rrëzoj mbretër,
Buj në aventurë
Dhe rroj skllav me skllevër,
Se s’të gjeta kurrë.
Tradhtia
Nuk u deshëm nga që ishe më e mirë se sa unë,
As pse isha i vetmuar sa dhe ti.
Ne u deshëm se u gjetëm në një udhë,
Ndërsa shkonim drejt një fati-yllësi!
Më në fund, kur yllin tonë e mbërritëm,
Dhe u bëmë bashkë banorë të tij,
Te të tjerë yj e shohim dritën,
Teksa tallemi me tersen tradhti…
Përtej, në heshtje
Një dimër të prita të vije,
Të më mbuloje me hije…
Syri verbohej në mes të verës,
Hapi hepohej buzë humnerës.
Po shpirti nuk bie!
Ti mbetesh prej vjeshte,
Përtej, në heshtje!
Sa dimra të tjerë po pres,
Diku e dikur të të ndesh!
Ndërkohë, përreth,
Njerëzia të sheh,
Prej meje tek del,
Frymëmarrje e thellë.
Pas apokalipsit
– “… në një ditënatë të tmerrshme, të gjithë burrat luftëtarë u përpinë nga Toka…”-
Soloni
Lumturia shkoi pas jetëve të humbura!
Mbi të gjallët mbeti vuajtja.
(- Mortje, pse na le!?)
Viktimat festonin nën dhé.
Mesditën… e Erës Tjetër,
Të gjallët shkonin mbi hirin e gjelbër,
Te Vdekja e Vjetër!
Pagoda
Pagodë e pagojë,
Burri, budë i bindur!
Portë e ngushtë pa rojë,
Hapet pa trokitur!
Dita zhvishet jashtë,
Brenda digjet zjarri,
Burri, budë i lashtë,
Budë mëkatari!
Pagoda plot brenga.
Hapur portë e ngushtë…
Buda shkoi, po brenda
La një tjetër budë.
Jargavanët e dimrit
Jashtë janë jargavanët,
Plot pendesë që çelën natën
E që s’flenë në gjinjtë e tu!
Jashtë janë jargavanët.
Unë brenda jam. Këtu!
I shoh e më shohin nga xhamet…
Dhe pyesim: “Pse ndodhi kështu?”
– Pikëllim më të thellë s’paska…-
Thotë e kaltra kristal e tyre,
Thotë dita e vogël prej fryme,
Them dhe unë, krijesë pasqyre.
Jashtë janë jargavanët…
Ti ku lulëzon ashtu?!
Parathënie
Ndonjëherë, ndonjë erë do më nxjerrë nga kjo derë,
Pa e ndjerë do më shpjerë në një verë si humnerë.
Një tastierë, shpirt i mjerë do të bjerë helm e vrer…
Për të tjerë!
Pesë provat e krijimit
1.
Nën hënë
Dheu ka rënë në gjumë të rëndë.
Zogjtë zgjohen e shkojnë në qiell.
2.
Para lufte
Jeta është lëkurë e ujshme.
Mishi i gjallë ngutet të futet në mermer.
3.
Në dritë
Ndizen, digjen fshetësitë.
Enigmat zbresin thellë e më thellë.
4.
Në terr
Çdo gjë shuhet në asgjë.
Gjithçka besohet pa u ndjerë.
5.
Pa ty,
Jetime janë hëna, lufta, drita dhe krejt ky terr,
Ndaj Zoti, si provën e parë të qenies, pamjen tënde po merr!
Sekreti
Sekreti shtetëror
Kishte të bënte me një meteor,
Që i qe vërsulur çatisē sime,
Pjatës tënde!
Po trupi qiellor
Ndërroi mendje
Dhe sekreti shtetëror
U varros si të tjerë sekrete.
…
Ndërsa ne, nën qiellin e qetë,
Tregojmë me gisht ndonjë kometë,
Tek shkon udhës së vet,
Mbi çatinë dhe pjatën që supën po pret!
Lojë Luftash
– Ëndërr fëmije-
Lojëlufta:
Fëmijë-burra,
Nën skulptura
Jetësh(k)uara.
Pushkë pa plumba,
Plagë pa trupa,
Armatura.
…
U zgjua ninulla
Dhe lufta u zbua!
Në gjumin, ku humba,
Gugasin pëllumba!
Monolog në -10°
I nnn..gg..ratë,
Nnn..gg..rënë,
Pa nnn..gg..rënë,
Nnn..gg..rirë
Nnn..gg..ricës
Nnn..gg..rysem!
Nnn..gg..rehinës
Nnn..gg..rohen,
Nnn..gg..refosen,
Nnn..gg..ërdheshen,
Nnn..gg..rihen
Mm…bb…retëritë!!
Pema e egër
Dritarja, sy i shtëpisë së verbër,
Nën pemën e egër,
Në faqen e malit prej malli.
Rendja breglumit pa emër,
Bri shpellave,
Të hyja syve të tu, pas dantellave.
…
S’janë më
Pema e egër,
Dhe syri pas dantellave!
Shkoj, megjithatë,
Breglumit pa emër,
Pas shpellave!
Kodrat e vogla
-Ide për epitaf-
Gjatë udhës së vjetër sa faqja tjetër e jetës,
Zjarret e luleve pa rrënjë vërsulen të djegin të zezën.
Udha e vjetër pengohet, bie pa
frymë përmbys.
Të qeshurën e var te hyrja, si pallton në hollin e shfaqjes.
Çapitem mes kodrave të vogla që mbyllin të nesërmen me avujt e djeshëm.
Segmente kohe shpojnë heshtjen si ushta shirash të shkuar.
Dheut i vjen rëndë t’i thonë tokë a nënë shtatzanë.
…
Më duhet të largohem për pak, të kthehem nga erdha.
Kam harruar eshtrat në një tjetër trup si imi.
Ik mes luleve pa rrënjë që s’mund ta djegin të zezën,
Kësaj udhe të vjetër sa faqja tjetër e jetës.
Më sollën…
Deri te ti motit më solli batica.
Deri te ti më sollën ngrica dhe frika,
Deri te ti më sollën zëri e drita,
Deri te ti më solli dita që prita.
Deri te ti…dhe fryma më mbeti
Si kripa te deti.
Katedralja
Në moshën, kur nuk lutesha,
Tokës i rēndoja fort,
Ora thoshte: “Rro për sot”!
Në moshën, kur nuk falesha,
Merrja qiell e det me not.
S’e dija “fund” se çdo të thotë.
Te vetja ime ndalesha!
Një moshë erdhi dhe një mot.
Kur ndjeva frikë, uri e ftohtë….
Ti erdhe shpirt e sy me lot,
M’i mësove faljen, lutjen,
Më the: “Njihi fundin, humbjen!”,
Teksa të rrëmbeja puthjen!
Në gjunjë të bie: lutem, falem,
Fatlum që gjeta katedralen!
Komentet