Der Standard
Pasi u vu nën presionin e një demonstrate masive javën e kaluar, kur rreth 100 mijë njerëz dolën në rrugë në Beograd kundër një ‘kulture të dhunës’, presidenti serb, Aleksandar Vuçic mblodhi mbështetësit e tij me autobusë nga i gjithë vendi në kryeqytet këtë të premte.
Pas disa vrasjeve masive në fillim të majit, në Serbi pati kritika në rritje ndaj stacioneve televizive që mbështesin regjimin autokratik të Vuçiçit, në të cilat dhuna nënvlerësohet dhe kriminelët- përfshirë kriminelët e luftës- thonë fjalën e tyre sikur të ishin pjesa më e rëndësishme e shoqërisë.
Demonstrata e javës së kaluar ishte më e madhja që nga përmbysja e regjimit të Slobodan Milosheviçit në vitin 2000.
Ajo tregoi dëshpërimin dhe zemërimin e serbëve pas dy vrasjeve masive në fillim të majit, që lanë 16 persona të vdekur dhe regjimi nuk iu përgjigj në mënyrë adekuate këtyre akteve të dhunës.
Inskenime në veri të Kosovës
Si në disa raste në të kaluarën, Vuçiç u përpoq të premten të largonte vëmendjen nga situata e brendshme politike duke inskenuar konflikte në veri të Kosovës.
Vuçiç i tha urdhër ushtrisë pak para orës 14:00 për të rritur gatishmërinë luftarake në nivelin më të lartë. Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç tha se ushtria serbe do të dërgohet në kufirin me Kosovën dhe do të mbrojë sovranitetin e Serbisë dhe të drejtën e jetës të të gjithë qytetarëve të saj. “Është e qartë se po kryhet terror ndaj komunitetit serb në Kosovë,” tha Vuçeviç.
Sfondi: Pasi shqiptarët u zgjodhën kryetarë komunash në katër komunitetet me shumicë serbe në veri të Kosovës, sepse shumica e serbëve kishin bojkotuar zgjedhjet lokale me udhëzime nga Beogradi, tani ata filluan punën e tyre.
Sirenat mund të dëgjoheshin në komunitetet veriore të premten dhe qytetarëve iu kërkua të mblidheshin jashtë zyrave komunale për të parandaluar hyrjen e kryetarëve të rinj.
Kjo është arsyeja pse njësitet speciale të policisë erdhën në veri të Kosovës. Në Zveçan, polici përdori gaz lotsjellës dhe bomba shokuese si dhe u dëgjuan të shtëna.
Një automjet policie u vandalizua dhe iu vu flaka. Ndërkohë, shumë serbë nga veriu i Kosovës kishin udhëtuar drejt Beogradit për mitingun e Vuçiçit.