TIRANË – “Kandidaturat e të dyshuarve si kriminelë, u diskutuan gjerësisht përpara zgjedhjeve lokale në Shqipëri, por ata nuk u dëmtuan dhe si përfundim u zgjodhën kryebashkiakë”. Kështu shkruan gazeta austriake “Der Standard” në analizën për zgjedhjet e 21 qershorit në Shqipëri. Po sipas kësaj gazete, humbja në zgjedhje do ta vështirësojë mbajtjen e postit për kreun e PD Lulzim Basha.
“Këto ishin zgjedhjet e para, që kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë e kritikoi politizimin e institucioneve, që minoi procesin zgjedhor”. Kështu e nis shkrimin dedikuar zgjedhjeve në Shqipëri, gazeta austriake “Der Standard”.
Sipas gazetës, janë vënë re problematika të ndryshme, por në fund të fundit nuk pati dhunë, prandaj zgjedhjet lokale të së dielës u vlerësuar pozitivisht nga bashkësia ndërkombëtare.
Duke iu referuar dekriminalizimit aq të përfolur, gazeta shkruan se kandidaturat e të dyshuarve si kriminelë u diskutuan gjerësisht përpara zgjedhjeve, por ata nuk u dëmtuan. Sipas “Der Standard”, edhe pse media publikoi emra të kandidatëve të arrestuar për veprimtari kriminale, ata megjithatë u zgjodhën kryebashkiakë. Mes tyre ishin dy kandidatë socialistë, Artur Bushi dhe Elvis Rroshi, që garuan në Krujë dhe Kavajë. Në vitin 2014 dy blloqet kryesore politike ranë dakord që asnjë person me prejardhje kriminale nuk duhet të marrë poste publike. PD bëri një hap duke tërhequr kandidaturën e Gentian Muhametit, që ishte dënuar për trafik droge në Itali. Gazeta shton se “palët duhet të mbështeten tek kriminelët pasi ata kanë para dhe ndikim për të siguruar vota”.
Duke përfunduar analizën e vet gazeta shkruan se për Lulzim Bashën, kryetar i Partisë Demokratike në Shqipëri, humbja do e vështirësojë mbajtjen e postit. Basha, që ka qenë dhe kryetar Bashkie në Tiranë, nuk mundi të ndahej nga kumbari i vjetër i partisë, Sali Berisha. Basha ishte në hijen e tij dhe kjo është një hije e gjatë. Brenda partisë tani do diskutohet për një fillim të ri, sesi të distancohen nga era e Berishës, që është e lidhur me korrupsionin dhe autoritarizmin.
Komentet