Deputeti konservator gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, thotë se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Ai ka kërkuar që sa më shpejt të dalin rezultatet e hetimeve për ngjarjen në Banjskë.
Abraham e sheh Serbinë si faktor destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai thotë Serbia nuk po e respekton marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën.
Deputeti gjerman konsideron se dialogu mund të dështojë tërësisht nëse vazhdohet me qasjen e njëjtë.
Sipas tij, ka ardhur koha që të ketë ndëshkime serioze për palën që nuk është e gatshme për dialog.
“Siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë prioritet mbi prioritetet, sidomos në këtë periudhë kohore. Shtimi i trupave te NATO-s në rajon është gjithmonë një opsion sepse sjell më shumë siguri. Problemi kryesor qëndron tek Serbia, e cila nuk po tregon gatishmëri t’i zbatojë marrëveshjeve të cilat i ka marrë përsipër. Sa kohë që Serbia vepron në këtë mënyrë nuk mund të ketë siguri. Nëse nuk respektohet marrëveshje atëherë nënkupton që dialogu me të vërtetë ka dështuar. Besoj se ka ardhur koha që nëse njëra palë nuk i respekton marrëveshjet atëherë duhet të ketë ndëshkime serioze”, ka thënë Abraham për tëvë1.
Deputeti konservator, po kërkon që sa më shpejtë të publikohen rezultatet e investigimeve ndërkombëtare për ngjarjen në Banjskë.
“Skenarë të rrezikshëm si ai në Banjskë mund të përsëriten derisa politikanët në Serbi nuk e pranojnë ekzistencën e Kosovës. Nëse vazhdon kjo frymë në Serbi, radikalizmi nuk do të largohet, sepse ata do ta justifikojnë dhunën. Duhet që sa ma parë të dalin rezultatet e investigimeve për rastin në Banjskë. Duhet të kuptojmë në detaje se si ndodhi ajo ngjarje në veriun e Kosovës, situata me të vërtetë ishte shumë serioze”, deklaroi Abraham.
Tutje, politikani gjerman konsideron se masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të pa arsyeshme, dhe kështu i ka bërë thirrje bllokut evropian që t’i heq ato.
Për më tepër ai ka kërkuar vëmendje më e madhe t’i kushtohet Beogradit, për shkak të deklaratave te krerëve serbë, që thonë se nuk do ta respektojnë marrëveshjen e Brukselit.
“Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, sepse nuk janë të arsyeshme më. Vëmendja duhet të jetë tek ata të cilët haptazi thonë se nuk do ta respektojmë marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën. Bashkimi Evropian duhet të jetë më i hapur me Kosovën, dhe t’i hapë rrugë një procesi më të shpejtë integrues”, u shpreh deputeti gjerman.
Më datën 28 qershor të këtij viti Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës si pasojë e tensioneve në veriun e Kosovës.sn