Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli, i cili po mbahet në paraburgim për veprimet e tij brenda Kuvendit të Kosovës, sot ka pasur probleme shëndetësore dhe është dërguar në emergjencë për trajtim.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, për KosovaPress tha se Topalli tri ditët e fundit ka pasur probleme shëndetësore për shkak se ai vuan nga sëmundja e diabetit dhe ka probleme me tensionin e gjakut. Ai tha se sot Topalli ka humbur ndjenjat dhe është dërguar në emergjencë për të marrë trajtim mjekësor.
“Tri ditët e fundit ka pasur probleme shëndetësore. Topalli vuan nga diabeti dha ka probleme me tensionin e gjakut. Sot ka humbur ndjenjat dhe është dërguar për tretman mjekësor në emergjencë”, tha Krasniqi.
Krasniqi shtoi se gjendja e tij shëndetësore ende nuk është e qendrueshme, ndërsa konfirmoi se mjeku për ta trajtuar Topallin do të vijë të hënën.
Më 18 dhjetor, Topalli iu shty masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë penale nga Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda për përdorim të armës dhe pengim të personit zyrtar.
Komentet