I dashur Shef Edi!
Jam Lindita, ministrja jote e Arsimit dhe e Sporteve. Sportin nuk është se e kemi patur ndonjëherë prioritet, por meqënëse e mbuloj këtë fushë, më lejoni t’iu përcjell një letër shqetësuese të deputetit Erjon Braçe që përmban një sërë propozimesh në paketën e dekriminalizimit që ai ka paraqitur pranë ministrisë sonë.
Ju lutem Shef, ne duhet ta konsiderojmë tërësisht këtë reformë në Futboll, sepse dekriminalizimi i saj përmban rekomandime edhe më të rëndësishme se sa paketa e Reformës në Drejtësi.
Ju lutem lexoni si më poshtë:
1-Presidentët e klubeve të plotësojnë një formular vetëdeklarimi dhe t’i përgjigjen pyetjes nëse kanë shitur ndonjëherë ndeshje apo jo!
2-Presidentët e klubeve që shesin ndeshje, të njoftojnë dy javë para grupin parlamentar të Partisë Socialiste për rezultatet e fiksuara, se ngelëm duke blerë slims të hapur. Duhet të nxjerrim me çdo kusht lekët e fushatës tek llotua e lagjes.
3-Të dënohet Gaz Demi i Partizanit. Ai i kishte thënë një shokut tim,; dhe shoku im më tha mua, se Partizani do fitonte me plus 3 gola ndaj Bylisit. I vura 10.000 lekë, 1/1 dhe 3-plus, por s’kapa gjë. Ma futën se e kishin lozur 2.
4-Presidentët e klubeve që ushtrojnë dhunë në fushë, nuk paguajnë lojtarët dhe i bëjnë presion gjyqtarëve, t’i përjashtojmë nga futbolli, por ata duhen thirrur pranë gjirit të Partisë Socialiste. Janë potencial i madh votash dhe do zëvendësojnë denjësisht Elvis Roshin dhe shokët e tij kryebashkiakë në rast problemesh muajt në vazhdim.
5-Fred Pezës t’i jepet titulli qytetar nderi, për ndërtimin e akademisë së futbollit Shkumbini dhe t’i sigurohen fonde nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve për zhvillimin e një miqësoreje Shkumbini-Milan. Skuadrës fituese do i akordohet kupa “Thoma Gëllçi”.
6-Të mos lejohet më Fidel Yllit të dali në emision e të flasi për sportin. Nuk e kuptoj dot çfarë thotë. Ka të njëjtin shirit kasete si në kohën kur ishte në opozitë dhe këndonte ato këngët kineze.
7-Blendi Klosit të mos i lejohet më hyrja në stadium, për të bërë tifozllik për Partizanin. Është tersi i skuadrës. Sa herë që vjen, humbasim.
8-Tifozët e Tiranës të përjashtohen për dy vjet nga ndeshjet Tirana-Partizani, sepse më kanë mërzitur me koret e tyre: “Erjon Braçe bibilushi lalala”.
9-Kjo paketë të hyjë në fuqi menjëherë. Në mbledhjet e grupeve të punës kanë kërkuar të marrin pjesë Luçiano Moggi dhe Stefano Mauri, nonat nonat.
10- Të kërkohen dhe 10 ditë të tjera përjashtim nga Kuvendi për Sali Berishën që sulmoi zëdhënësen e FSHF-së , znj. Jona, e cila është si nuse e re në penxhere.
*******
Kjo pra i dashur Shef Edi, është letra e propozimeve të deputetit të grupit tonë parlamentar.
Me respekt, Lindita.
*Email i mbërritur në redaksi nga adresa: [email protected]
(HashtagAlbania)