Botuar në DITA
Burime parlamentare dhe mediat kanë njoftuar se shpejti Kuvendi i Shqipërisë, me konsensusin e PS dhe të PD do të miratojë një rezolutë, ku i kërkohet Greqisë heqja e ligjit të luftës.
Kërkesa e Shqipërisë dhe e institucioneve të saj për heqjen e ligjit absurd të luftës është e drejtë. Por ajo që është shqetësuese dhe alarmante është fakti që sipas burimeve parlamentare rezoluta do të përmbajë thirrjen drejtuar dy qeverive të Greqisë dhe të Shqipërisë që të diskutojnë e të bashkëpunojnë, dhe madje të ngrejnë edhe grupe të përbashkëta pune për heqjen e ligjit të luftës.
Kuvendi i Shqipërisë, me konsensusin e dy partive të mëdha, që alternojnë pushtetin në Shqipëri, sanksionon idenë e gabuar sikur heqja e ligjit të luftës është çeshtje dypalëshe dhe duhet të jetë produkt i bashkëpunimit dypalësh nga të dy shtetet, të dy parlamentet dhe nga të dy qeveritë.
Tronditëse është e vërteta hstorike dhe diplomatike që kjo ide idiote diplomatike nuk është origjinale as e PS dhe as e PD, pavarësisht se të dy partitë kanë rënë dakord ta përfshijnë në rezolutën e ardhëshme. Kjo është një ide dinake greke, dhe konkretisht e ministrit të jashtëm grek Nikos Kocias, i cili ia imponoi qeverisë dhe diplomacisë shqiptare të vitit 2016, kur i diktoi Tiranës të ashtuquajturën paketë të përbashkët të të gjitha problemeve historike dhe aktuale dypalëshe për t’u disikutuar në tavolinën e bisedimeve.
Ishte koha kur diplomacia zyrtare e Shqipërisë pranoi në mënyrën më servile dhe antikombëtare kushtin grek që të përjashtohej çeshja çame nga rendi i ditës së bisedimeve të “paketës së të gjitha problemeve dypalëshe”.
Keqinterpretimi bizantin i diplomacisë greke ka të bëjë me pronësinë, shtetësinë apo “kartën e identitetit” të ligjit grek të luftës. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocia, ka insistuar vazhdimisht në bisedimet dhe në takimet me palën shqiptare se çështja e ligjit të luftës është një çështje dypalëshe dhe se të dy shtetet duhet ta zgjidhin sëbashku në rrugë dhe me mjete diplomatike. Madje mungesa e seriozitetit shkon deri në pretendimin grek se ligji i luftës është thjesht shqetësim i Shqipërisë, e cila kërkoka “një formulim të ri” të ligjit të luftës, për të cilin qeveria greke mund të na ndihmojë për ta zgjidhur.
Është një absurditet diplomatik dhe juridik të bësh çështje dypalëshe një ligj grek, i ndërmarrë nga qeveria greke dhe që ka kartë identiteti greke. Ligji i luftës është një akt armiqësor, juridik, politik dhe shtetëror i Greqisë ndaj Shqipërisë, në kushtet e vitit 1940, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtria fashiste e Italisë. Edhe logjika më minimale e kupton se abrogimi i një ligji lufte të një shteti ndaj një shteti tjetër duhet të ndërmerret nga shteti, që e ka miratuar atë ligj.
Kjo është kaq e qartë, sa që edhe vetë qeveria e Greqisë, me kryeministër Andreas Papandreu, ka qenë e ndërgjegjshme, kur në vitin 1987 miratoi aktin e moskonsiderimit të ligjit të luftës me Shqipërinë. Lidhur me këtë akt, Sekretari i Përgjithshëm i shtypit dhe Informacionit i Qeverisë greke, Sotiris Kostopullos, deklaroi në atë kohë, në vitin 1987: “Cilësimi i Shqipërisë si shtet armik nuk qendron më. Qeveria greke është e bindur se kjo deklaratë e saj përbën pikënisjen për zgjidhjen e çështjeve, që mbeten ende në evidencë ndërmjet të dy vendeve”.
Nuk mund të mos tërheqësh vëmendjen në dy elemente. Së pari, përfaqësuesi i qeverisë greke të vitit 1987 e klasifikon “Deklaratë”, çka është tepër e qartë se një deklaratë nuk mund të shfuqizojë një ligj dhe aq më pak efektet e atij ligji.
Elementi i dytë është se qeveria greke nuk vë në zbatim precedentin ligjor, të ndjekur nga Athina zyrtare për heqjen e ligjit të luftës me Italinë, i cili u hoq me ligj në mënyrë të njëanëshme nga Greqia në vitin 1949 dhe as Italia, as parlamenti Italian e as qeveria italiane, as nuk bashkëpunuan e as ngritën grupe të përbashkëta pune me Greqinë për këtë veprim.
Qeveria e atëhershme e Andreas Papandreut dhe të gjitha qeveritë e mëpastajme greke deri në ditët tona, asnjëherë nuk e vazhduan procedurën e nevojshme për ta dërguar ligjin e luftës për abrogim në institucionet kushtetuese greke, që kanë tagrin juridik për ta sanksionuar ligjërisht atë shfuqizim.
Kjo ishte dhe është mungesë vullneti dhe një përdorim i vazhdueshëm politik dhe juridik aktual i një ligji arkaik të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ndaj dalja në vitet 2015-2017 e Ministrit të Jashtëm grek dhe e diplomacisë greke me tezën, se heqja e ligjit të luftës është një çështje dypalëshe, përbën një nonsens diplomatik dhe juridik.
Absurditeti është më i madh, nëse Kuvendi i Shqipërisë do ta shprehë në rezolutë si kërkesë të tij tani në vitin 2024 këtë ide greke dhe interes grek. Nuk është Qeveria e Shqipërisë, që ka tagrin ligjor të marrë nismë ligjore për ligjet greke në Parlamentin grek, ose t’i dërgojë nismë ligjore Presidentit të Greqisë për abrogimin e ligjit grek të luftës me Shqipërinë. Ligjet greke, në mënyrë sovrane dhe ekskluzive, mund t’i miratojë ose abrogojë vetëm Greqia.
Keqinterpretimi tjetër i diplomacisë greke ka të bëjë me rrugën e zgjidhjes për abrogimin e ligjit të luftës. Në bisedimet dypalëshe, të zhvilluara në Tiranë në korrik të vitit 2015 dhe në Athinë në muajin mars 2016, Ministri i Jashtëm i Greqisë Kocias hodhi dy teza, që, sipas tij, paraqesin dy mënyra që mund ta zgjidhin këtë çështje. Teza e parë është ajo e përfshirjes së çështjes së ligjit të luftës në një Traktat të ri të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit midis dy vendeve, që mund të zëvëndësojë Traktatin ekzistues të Miqësisë, të nënshkruar para afro 30 vitesh, në 21 mars të vitin 1996.
“Propozimi im, shprehet Kocias, është që të bëjmë Traktatin e ri të Miqësisë dhe në kuadër të këtij traktati ne do të vendosim aty gjithçka do të jetë e nevojshme, që pala shqiptare të ndihet më mirë me këtë moment historik”.
Duhet thënë që në fillim se një Traktat i ri Miqësie midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka asnjë lidhje me çështjen e ligjit të luftës me Shqipërinë. E vetmja lidhje është që në eventualitetin e një rishikimi të Traktatit të Miqësisë me Greqinë, Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk duhet kurrsesi të bëjnë gabimin e madh që bëri Presidenti Sali Berisha në vitin 1996 dhe nënshkroi një Traktat Miqësie me një shtet, që mbante në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë.
Logjika politike, diplomatike dhe historike, nuk mund të pranojë të nënshkruhet një Traktat i ri Miqësie, pa hequr më parë Greqia ligjin absurd të luftës me Shqipërinë. E përsërisim, që heqja e ligjit të luftës i takon vetëm Greqisë dhe ajo duhet ta abrogojë me parlament ose me dekret presidencial, sipas kërkesave të kushtetutës dhe të legjislacionit grek.
Në këtë pozim virtual, që i bën problemit shefi i diplomacisë greke, pretendohej sikur Greqia po i bënte nder Shqipërisë, me mundësinë për ta përmendur ligjin në Traktatin e ri, por pa e abroguar ligjin dhe duke e mbajtur atë në fuqi. Metafora e ngopjes me lugë të zbrazur është e stërkonsumuar, por më duhet ta përdor se i përshtatet synimit të ofertës së Ministrit të Jashtëm grek.
Teza e dytë e Kocias është që çështja e heqies së ligjit të luftës të përfshihet në një paketë të përbashkët zgjidhjesh të çështjeve të diskutueshme midis Greqisë dhe Shqipërisë, për t’i zgjidhur të gjitha menjëherë në bllok. Është një qendrim tepër semplist, sepse nuk ka ndodhur në historinë e diplomacisë dhe të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinjë, që problemet e hapura historike dhe aktuale, që ata kanë me njeri tjetrin, të zgjidhen me një “deus ex machina”.
Heqja e ligjit të luftës është detyrim i palës greke dhe nuk ka asnjë bazë pretendimi që, për të arritur në ndërmarrjen e këtij hapi grek, Shqipëria duhet t’i bëjë lëshime qeverisë dhe diplomacisë greke në çështje të sovranitetit të vet.
Unë e di që deputetët e Kuvendit nuk janë ekspertë të diplomacisë, por ata duhet të mësojnë se kur në diplomaci dy shtete apo qeveri e klasifikojnë një problem në marrëdhëniet e tyre si çeshtje dypalëshe kjo don të thotë që të dy palët duhet t’i bëjnë lëshime ndaj njera-tjetrës për zgjidhjen e çeshtjes. Pikërisht këtu qendron thelbi i djallëzisë diplomatike greke, që duke e klasifikuar si çeshtje dypalëshe heqjen e ligjit të luftës, t’i kërkojë Shqipërisë lëshime në një fushë apo drejtim të caktuar në favor të Greqisë.
Të gjitha keqinterpretimet, që numëruam më sipër, flasin për një predispozicion jo pozitiv të diplomacisë greke në çështjen e ligjit të luftës dhe të problemeve të tjera të hapura midis dy vendeve. Diplomacia greke ende nuk ka kuptuar dhe ende nuk ka dhënë ndonjë provë të angazhimit serioz në nevojën reciproke të bashkëpunimit për të ecur sëbashku përpara. Nëse ajo do të dëshironte realisht të jepte një provë të vullnetit të mirë për të impostuar marrëdhëniet shqiptaro-greke në një rregjistër të ri barazie dhe miqësie, do të duhej të ndërmerrte sa më parë hapin e abrogimit të ligjit të luftës pa asnjë kusht në drejtim të Shqipërisë.
Përkufizimi në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë i ligjit absurd të luftës si çeshtje dypalëshe do të ishte një autogol i rëndë diplomatik, politik, juridik, moral dhe kombëtar i qeverisë, i parlamentit dhe i dy partive kryesore politike, ashtu dhe i diplomacisë së Shqipërisë.
Deputetët nuk kanë shumë kohë të lexojnë, por me këtë rast, meqë lidhet me një interes kombëtar dhe me detyrën si parlamentarë, do ju sugjeroja të lexonin para votimit të vetmin libër për çeshtjet e hapura mids Shqipërisë dhe Greqisë dhe konkretisht për ligjin e luftës, të titullar:”Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”.
Deputetë të nderuar! “JO” një rezolutë me idetë dinake greke në përmbajtjen e saj!