Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka bërë ditën e sotme një denoncim në Kuvend në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
Shehaj u shpreh se kreu i qeverisë ka dërguar policinë në biznesin e tij në Tiranë për t’i mbyllur gojën, pasi ka denocuar ministren Olta Xhaçka si investitore strategjike, si dhe lidhjet e Damian Gjiknurit dhe kushëririt të tij dhe shpalljen e tyre investitorë strategjikë.
Në fjalën e tij, Shahaj theksoi se ai nuk do të heshtë do e kërkojë të drejtën e tij deri në Strasburg.
Shehaj: Që ditën e parë jam munduar të bëj detyrën time si deputet në këtë Kuvend, duke shmangur fjalët e bukura, ironitë dhe ofendimet. Dhe kam folur për arsyet konkrete pse Shqipëria është një nga vendet më të varfëra në Europë dhe pse shqiptarët ikin nga vendi.
Kam folur për PPP, për korrupsionin, për inceneatorët, për modelin oligarkik të qeverisjes Rama, duke iu qendruar vetëm fakteve dhe provave.
Nga marsi i këtij viti, jam munduar të sjell në vemendje rastin flagrant të abuzimit me pushtetin, atë të resortit të ministres Xhaçka.
Kërkova interpelancë me kryeministrin Rama për t’i kërkuar shpjegime, në lidhje me firmën e tij, në shpalljen investitor strategjik me mashtrim të burrit dhe kunatës së ministres.
Dorëzova kërkesën për heqjen e mandatit të Xhackës, si pasojë e shkeljes së Kushtetutës.
I kërkova shpjegime ministres së Turizmit për zvogëlimit e Parkut të Butrintit për të mundësuar resortin e kushëririt të Gjiknurit, dhe shpalljen e tij si investitor strategjik.
Dorëzova në Parlament një projektligj për ndalimin e kompanive offshore në kontratat publike.
Dhe më në fund erdhi reagimi i Qeverisë, nëpërmjet dhunës dhe Policisë.
Jam menduar gjatë, nëse duhet të perdorja këtë sallë për të denoncuar një akt të pashembullt, në një shtet demokratik dhe kandidat për anëtarsim në Bashkimin Evropian, përdorimin e shtetit dhe policisë për të sulmuar një kundërshtar politik.
Por vendosa se po, sepse është pikërisht kjo sallë shkaku i sulmit. Gjithçka ka nisur nga këtu, nga denoncimet që unë kam bërë nga kjo foltore, për aferat e kësaj qeverie dhe ministrave të saj.
Këto foto tregojnë Policinë e Shtetit brenda ambienteve të biznesit tim.
Pa asnjë urdhër nga Prokuroria, pa asnjë urdhër nga gjykata, pa asnjë urdhër dhe shkresë nga askush.
Forcat e policisë kanë hyjnë brenda një ambienti privat dhe kanë nxjerrë jashtë punonjësit, duke i terrorizuar dhe pa asnjë mandat ligjor.
Ky është shteti policor i Edi Ramës që nëpërmjet dhunës dhe përdorimit politik të policisë, do të intimidojë dhe t’i mbyllë gojën deputetëve të Opozitës dhe kujdo që tenton të ngrejë zërin.
Prej dy javësh biznesi mbahet i mbyllur me dhunë nga Policia dhe rreth 200 ekspertë IT nuk mund të shkojnë në zyrë.
Policia ka vendosur shiritin dhe nuk lejon asnjë të hyjë, dhe nuk ka dhënë asnjë shkresë apo arsye për bllokimin e biznesit dhe të ambjenteve.
Përfaqësuesi i kompanisë ka bërë kërkesë në Polici për t’u njohur me aktin e bllokimit të biznesit por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Pasi nuk është marrë asnjë përgjigje nga Policia, i është bërë një kërkesë Prokurorisë për të marrë informacione rreth bllokimit të biznesit dhe kjo është përgjigja e Prokurorisë.
Në lidhje me kërkesën për informacion mbi sekuestron e ambienteve ku ushtrohet aktiviteti, Prokuroria thotë tekstualisht:
“Në aktet e referuara në Prokurori nga policia nuk ndodhen akte proceduriale që lidhen me sekuestrimin e objektit, si dhe nuk janë nxjerrë akte të kësaj natyre proceduriale nga ana e organit të Prokurorisë”.
Me pak fjalë, Prokuroria thotë që nuk ka urdhëruar asnjë sekuestro dhe që në Prokurori nuk është referuar nga policia asnjë akt që lidhet me sekuestro.
Me një pretekts banal, ju mbyllni një biznes me qindra të rinj të punësuar, dhe kjo tregon qartë se ju nuk e keni idenë se cfare do te thote te besh biznes te ndershëm. Ju nuk e keni idenë se sa sakrifica dhe se çfarë përkushtimi i duhet nje biznesi per te mbijetuar ne treg dhe per tu zhvilluar.
Sepse ju biznes quani vetëm marrjen e parave publike permes tenderave qe shperndani tek familjarët dhe ortakët tuaj. Per ju biznes eshte e barabarte me afere. Ju quani biznesmene kushërinjtë dhe te afermit tuaj investitorë strategjikë, qe marrin prone publike dhe pastrojne parate e korrupsionit.
Ky është koncepti juaj i biznesit dhe nuk ka lidhje me biznesin e vërtetë. Biznesi i vërtetë bëhet me djersë dhe përkushtim.
Por në fakt, thelbi këtu nuk është mbyllja e nje biznesi të ndershëm, ky është një sulm i pastër politik.
Një hakmarrje e verbër e Edi Ramës ndaj denoncimeve për aferat e rënda korruptive që unë kam bërë nga kjo foltore dhe njëkohësisht edhe një presion për të më mbyllur gojën.
Por po ua them këtu publikisht.
Harrojeni se me këto sulme apo presione kriminale, mund të më detyroni që unë të hesht kur Edi Rama firmos dhe bën Olta Xhackën investitore strategjike.
Harrojeni se do të hesht kur kushërinjtë e Damian Gjiknurit marrin më firmën e Edi Ramës statusin e investitorit strategjik dhe u jepet leje për të ndërtuar në mes të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Nuk më intimidoni. Përkundrazi më motivoni më shumë të vazhdoj denoncimet për guackat tuaja offshore, koncesionet korruptive dhe grabitjet e pasurive publike me qeveritarët strategjikë.
Edi Rama, Xhaçka apo Gjiknuri duhet ta kenë të qartë.
Unë nuk kam ndërmend të hesht, do vazhdoj të them atë që qytetarët e ndershëm duan, të vërtetën, dhe do jua them në sy, ashtu siç është.
Shpesh e kam pyetur veten pse duhet të merrem me ju. Kur zbulova kompaninë tuaj offshore në Delavare, edhe mund të heshtja, por vendosa të flas. Isha i bindur se kjo ishte gjëja e duhur. Sepse kam marrë besimin e njerëzve për të bërë detyrën time. Sepse besoj se kjo është një kauzë e drejtë, jam dhe dua të qendroj në anën e duhur, në anën e qytetarëve, kundër babëzisë së këtij pushteti thellësisht të korruptuar.
Nuk mund të pretendoni të pasuroheni duke vjedhur me emrin tuaj, me familjarë apo me kompani offshore dhe ne të gjithë të heshtim, të trembemi apo akoma më keq; të shitemi.
Sepse une nuk ndërtoj, nuk marr leje ndërtimi, nuk paguhem me tendera apo koncesione dhe nuk bëj asnjë biznes me qeverine tuaj apo me oligarkët e tu.
Madje bizneset e mia nuk punojnë fare për tregun shqiptar, por ofrojnë shërbime për tregjet e huaja.
Nxjerrja e punonjësve jashtë me polici dhe dhunimi i paligjshëm i ambienteve ishte e vetmja gjë që Edi Rama mund të bënte ndaj meje, dhe atë bëri.
Nuk pres dhe nuk ju kërkoj të tërhiqeni, nuk bëj pazare me ju, unë të drejtën do ta kërkoj në Prokurori, në SPAK, në Gjykatë, në Shqipëri ose në Strasburg.
Ju garantoj se do i shkoj deri në fund. Por për një gjë të jeni të sigurt, unë nuk tërhiqem. Sepse nuk kam asgjë për të fshehur, sepse nuk jam në shitje, sepse them thjeshtë të vërtetën, sepse këtë duan shqiptarët.
Unë nuk hesht. Këtu më keni.
Komentet