Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi, në konferencën për shtyp me kryetarin demokrat, Sali Berisha, tha se prokurorët e çështjes së inceneratorit të Tiranës, Arben Kraja dhe Dritan Prençi, kanë fshehur akte shumë të rëndësishme me qëllim mbrojtjen e Erion Veliajt dhe Edi Ramës.
“Provat dhe faktet e mbledhura deri më tani nga prokurorët Dritan Prençi dhe Arben Kraja, tashmë i dorëhequr nga çështja, kanë fshehur akte shumë të rëndësishme dhe nuk kanë kryer hetime të thelluara, pasi në shkelje të ligjit, janë bërë mburojë, fillimisht për Erion Veliajn dhe më pas Edi Ramën.
Rrethanat e faktit dhe analiza e provave të vendimit të datës 7 dhjetor 2023 dhe janë copy-paste me vendimin e datës 28 korrik 2023.
Por nëse analizojmë vendimin e Arben Ahmetajt, konstatohet se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për këtë projekt, koncesion, nuk ka komunikuar vetëm me Ministrinë e Mjedisit, por i është drejtuar edhe Ministrisë së Financave dhe citojmë këtu nga faqja 108 e vendimit: Me shkresën numër 26/57 të protokollit, datë 28 janar 2016, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i është adresuar ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, me shkresën 1366/1, datë 4 shkurt, konkretisht ministri Shkëlqim Cani i është drejtuar kryetarit të Bashkisë Tiranë, ku i shkruan se kërkesa e tij për koncesionin e mbetjeve nuk është e bazuar në ligj.
Në faqen 110 të relacionit për Arben Ahmetajn, prokurori Dumani rëndit se; me shkesën numër 8100, datë 11 mars 2016, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i ka dërguar ministrit të Financave Arben Ahmetaj, shkresën me lëndë, përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve urbane për qytetin e Tiranës.
Me shkresën 3787/1 datë 12.4. 2016 të nënshkruar nga ministri Arben Ahmetaj, drejtuar kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, parashtron se kërkesa e autorizimit për mbështetje buxhetore nuk është paraqitur në zbatim të nenit 19 pika 3 e VKM me numër 575 e vitit 2013 dhe nuk është e shoqëruar me draft kontratën dhe pasqyrat financiare të dy viteve të mëparshme të Autoritetit Kontraktor.
Në përmbajtjen e studimit të fizibilitetit nuk rezulton të ketë një argumentim të qartë në lidhje me analizën e bërë për arritjen në konkluzion se koncesioni, PPP në këtë rast është procedurë me e favorshme se prokurimi publik.
Njëkohësisht kërkojmë që për këtë propozim Bashkia e Tiranës të marrë opinionet edhe nga ministria e Mjedisit, ajo e Zhvillimit Urban dhe ministrisë së Transportit dhe infrastrukturës të cilat duhet ti përcjellë zyrtarisht bashkë me propozimin e ripunuar.
Në raportin e vitit 2019 dhe kjo është një nga gjetjet kryesore që është anashkaluar totalisht në vendimin e Gjykatës së Posaçme në dhjetorin e 2023.
Raport i KLSH i vitit 2019, për auditimin e Ministrisë së Financave, shkruhet shprehimisht; angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit. Ndërkohë që aprovimi është dhënë nga autoriteti i kryetarit të Bashkisë Tiranë, që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në Këshill.
Pra ka tejkaluar dhe anashkaluar plotësisht këshillin bashkiak të Tiranës, duke shkelur ligjin për vetëqeverisjen vendore.
Shihet qartë se dosja hetimore e Dritan Premçit, ka mangësi në paraqitjen e fakteve sepse Erion Veliaj për këtë aferë ka kryer disa komunikime shkresore dhe me ministrinë e Financave gjatë kohës që drejtohej nga Shkëlqim Cani, e cila i kërkonte që Bashkia Tiranë të qartësojë më mirë dhe të definojë kërkesat e ligjit 125 të vitit 2013, i ndryshuar. Dhe i ka ripërsëritur këto kërkesa copy-paste kur ministër është bërë Arben Ahmetaj, i cili jep edhe një përgjigje më shteruese.
Nga prokurori Premçi nuk është kryer asnjë marrje në pyetje e punonjësve të Ministrisë së Financave dhe as nuk është hetuar komunikimi me shtetasin Spiro Brumbulli ku janë ndryshuar sasitë e mbetjeve në studimin e kryer nga IFC.
Nuk janë marrë në pyetje punonjësit e Bashkisë së Tiranë dhe as Erion Veliaj, për të sqaruar rolin si propozues fillimisht dhe më pas si bashkëfirmosës për miratimin e koncesionit në gusht të vitit 2017, pa miratimin që kërkon ligji për qeverisjen vendore nga Këshilli Bashkiak Tiranë,” tha Këlliçi.