Luiza Gega nuk ka arritur të kualifikohet në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa. Atletja shqiptare, e ndikuar nga një dëmtim i pësuar gjatë muajit të fundit, ka zhvilluar një garë larg pritshmërisë, duke mos regjistruar një kohë të mjaftueshme për t’u kualiifkuar në finalen e këtij evenimenti.
Gega merrte pjesë në baterinë e dytë të kualifikueseve por që pas kilometrit të parë u vu re qartësisht se nuk ishte në gjendje të mbante hapin e kreut. Diferenca mes pretendenteve për kualifikim dhe Gegës u thellua, ndërsa atletja shqiptare mbeti thuajse gjatë gjithë kohës në fund të kolonës së garueseve.
Në fund, bateria e dytë u fitua nga keniania Çepkoeç, me kohën 9 minuta, 17 sekonda e 55 të qindtat, ndërsa Gega e mbylli garën në vendin e 16 mes 18 garueseve, me kohën 9 minuta, 58 sekonda e 49 të qindtat.
Një kohë e tillë mjaftonte për të kuptuar që Gega nuk kalonte në finale, ku kualifikoheshin vetëm 3 të parat e secilës prej tre baterive, si dhe 6 atletet që kishin dhënë kohët më të mira pas tyre.
Diferencën në këtë garë e bëri padyshim dëmtimi i pësuar, pasi Gega ishte shumë larg edhe rekordit kombëtar që vendosi në Kampionatin Europian ku mori medaljen e argjendtë me kohën 9 minuta, 28 sekonda e 52 të qindtat.
Në kontrast të plotë me këtë paraqitje, Gega e mbylli pjesëmarrjen në garën e 3000 metrave me pengesa në Rio 2016 në vendin e 48 mes 52 atleteve.
Komentet