Demonstratat që nisën në Kosovë, më 11 mars të vitit 1981 dhe vazhduan më pas në fund të atij muaji dhe në fillim të prillit të atëhershëm, thyen dogmën e barazisë nacionale dhe socializmit liberal, të cilën e propagandonte ish-federata e Jugosllavisë ndaj popujve që jetonin brenda kësaj bashkësie shtetërore, thotë Bujar Dugolli, profesor i Historisë moderne shqiptare në Univesitetin e Prishtinës.
Demonstratat që ndodhën në Kosovë, 40 vjet më parë, më 11 mars, nisën si shprehje e pakënaqësisë së studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, të cilët me 4 mars të vitit 1981, në Mensën e Studentëve brenda Qendrës së Studentëve në Prishtinë, protestuan spontanisht ndaj kushteve jo të mira, sipas tyre, në të cilat jetonin dhe studionin.
Por, më pas, më 11 dhe 27 mars, si dhe më 1 dhe 2 prill të vitit 1981, kërkesat fillimisht me përmbajtje sociale, evoluuan në kërkesa që shpërfaqnin pakënaqësitë politike, shoqërore dhe kombëtare, thotë Hydajet Hyseni, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe një nga protagonistët dhe organizuesit e demonstratave të atëhershme.
Demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981 u shtypën me dhunë policore nga ana e pushtetit të atëhershëm jugosllav dhe u pasuan me qindra burgosje të të rinjve shqiptarë dhe aktivistëve tjerë që zhvillonin aktivitetin politik fshehur nga pushteti, në ilegalitet.
Sipas të dhënave nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, në këto demonstrata u vranë 9 protestues dhe u plagosën 15 të tjerë. Ndërkaq, në mesin e forcave të policisë pati 2 të vrarë dhe 17 të plagosur.
Nisi me kërkesa sociale dhe përfundoi me ‘Kosova Republikë’
Bujar Dugolli, profesor i Historisë moderne shqiptare në Univesitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ishin rezultat i pabarazisë ndërmjet popujve që jetonin në ish-Jugosllavi. Sipas tij, asokohe shqiptarët trajtoheshin si popull i rendit të dytë dhe jo si të barabartë me popujt tjerë të ish-Jugosllavisë.
“Ngjarjet e vitit 81, ishin një akumulim i pakënaqësive që i kishin shqiptarët e Kosovës, për faktin se zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe pozicioni i saj politik dhe kushtetues në ish-federatën jugosllave nuk ishte i barabartë me popujt dhe republikat tjera në ish-Jugosllavi. Këto padrejtësi politike, nacionale, sociale, ekonomike dhe të tjera, ishin të akumuluara dhe shpërthyen në vitin 1981, për të pasur shqiptarët të drejtën e barabartë me popujt tjerë në Jugosllavi dhe për të pasur republikën e tyre”, u shpreh Dugolli.
Ai shtoi se ngjarjet e vitit 1981 ishin mjaft të rëndësishme dhe të dobishme për lëvizjen politike në Kosovë dhe ato shënojnë një vazhdimësi të lëvizjeve kundër sistemit të atëhershëm të Jugosllavisë.
Hydajet Hyseni, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili njihet si njëri ndër organizuesit e protestave të vitit 1981, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizja shqiptare e asaj kohe ishte reaksion i natyrshëm ndaj gjendjes ekonomike, sociale dhe politike të rëndë dhe të pabarabartë me viset tjera në ish-Jugosllavisë, si dhe represionit të shtuar të regjimit të atëhershëm ndaj veprimtarëve politik shqiptarë. Sipas tij, ngjarjet që ndodhën në vitit 1981 ishin reagim i kondensuar i të gjitha këtyre motiveve dhe ishte “shpërthim i pritur”.
“Ky shpërthim erdhi vërtetë dhe u bë pastaj kthesë historike dhe paraprijëse e ndryshimeve të mëdha që ndodhën në Kosovë. Ajo përkonte edhe me ndryshimet që po vinin në Evropë edhe pse nuk ishte artikuluar gjithmonë me terme të tilla. Në fakt, kërkesat që po shpaloste rinia e atëhershme dhe Lëvizja Çlirimtare e Kosovës, në të vërtetë, në substancën e tyre, ishin ‘par excellence’ (kryesisht) demokratike. Reagimi rinor kishte motive të ndryshme. Është e vërtetë që filloi me kërkesa sociale. Por, në fakt, kërkesat dhe pakënaqësitë ishin edhe politike, shoqërore dhe identitare”, tha Hyseni.
Nisja e shembjes së të ashtuquajturit socializëm liberal jugosllav
Por, a ishin ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, si paralajmërim për ngjarjet që do të ndodhnin në fund të viteve 80, kur autonomia e Kosovës u suprimua nga Serbia, si dhe të ngjarjeve të përgjakshme gjatë viteve 90 të shekullit të kaluar, të cilat shënuan shpërbërjen e Jugosllavisë?
Profesor Dugolli thotë që ka mjaft studiues vendor dhe ndërkombëtar që ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë i karakterizojnë si fillim të rënies së Jugosllavisë, për faktin se “ishte një demaskim i të ashtuquajturit socializëm liberal jugosllav, i cili proklamonte anekënd botës se kinse po aplikon një politikë të barazisë nacionale”.
“Demonstratat e vitit 1981 e çjerrën atë maskën e të ashtuquajturit socializëm liberal jugosllav, sepse nuk kishte barazi nacionale në mes popujve të Jugosllavisë. Do të thotë, është një popull, siç ishin shqiptarët, të cilët konsideroheshin si qytetarë të rendit të dytë dhe ndaj tyre aplikoheshin padrejtësi të mëdha nacionale. Patjetër që ky i ashtuquajturi socializëm liberal, i cili përhapej edhe në vende të ndryshme të painkuadruara të kohës dhe në vende të tjera të botës, filloi të marrë goditjen nga brenda”, theksoi Dugolli.
Në vitin 1981, demonstratat në Kosovë, nga regjimi i atëhershëm i Jugosllavisë, në mesin e të cilëve kishte edhe përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës, u cilësuan si tentim për prishjen e vëllazërim-bashkimit, si kundërrevolucion, si seperatizëm, si demonstrata armiqësore dhe të tjera.
Pajtimi ndërmjet “armiqve”
Megjithatë, Hydajet Hyseni, si një nga organizatorët e këtyre demonstratave, i cili më pas ishte dënuar me 15 vjet burg nga regjimi i atëhershëm, siç thuhej, për veprimtari armiqësore, thotë se shqiptarët e Kosovës kanë ecur para, duke i amortizuar ndasitë që kishin ndërmjet tyre pjesëtarët e lëvizjeve ilegale dhe pjesëtarët shqiptarë të institucioneve të atëhershme nën regjimin jugosllav.
Sipas tij, brenda linjës institucionale të atëhershme, që ishte luajale ndaj pushtetit dhe e kontrolluar nga ai, kishte edhe elemntë që angazhoheshin për përparimet në fushat e ndryshme të jetës në Kosovë. Por, në fillim të viteve 90, sipas tij, të dy linjat, kishin arritur që në eceje përpara të bashkoheshin.
“Kjo e bëri pastaj bashkimin, të cilin e arritëm me një bashkim të pashpallur kombëtar, që mbase më së miri është ilustruar në modelin që ka pasur Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, por edhe Lëvizja e bashkuar, alternativa atëherë e padhunshme. Por, veçanërisht KMDLNJ-ja, që udhëhiqej atëherë nga Adem Demaçi dhe që bashkoi edhe ata që ishin në pushtet më parë me viktimat e tyre, me ish-të burgosurit politik. Do të thotë, edhe gjykatësit edhe prokurorët, të gjithë, duke e arsyetuar nevojën për të qenë bashkë në gjendjen dhe rrezikun para të cilit ndodhej populli i Kosovës”, theksoi Hyseni.
Për shënimin e 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, ka hapur të enjten, me 11 mars, ekspozitën “Vullkani i Republikës”.
Poashtu të enjten, veprimtarët politik të viteve 80 dhe më pas, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë hedhur themelet e një monumentin që përkujton demonstratat e vitit 1981, aty ku edhe filluan, në oborrin e Mensës së Studentëve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Komentet