Si arriti media gjermane të përçojë në terrin e madh informativ lajmet për Kosovën në vitin 1981? Autori bën një vështrim të kujdesshëm të një historie të madhe, e cila sot po tretet në morinë e lajmeve bosh të ditës.
Autori me shumë kujdes e përshkruan situatën në Kosovë në vitin 1981 në shkrimin e tij, të titulluar: “KOSOVA DHE SHQIPTARËT NË SHTYPIN GJERMANFOLËS TË VITIT 1981″. Nuk mundohet të mbaj anë, por bën punën e një kronikani të mirë, që do t’u vlejë shumë atyre që do të merren me argumentin më vonë…
Nga fillimi i demonstratave në Kosovë e deri në fund të vitit kjo revistë ka botuar 7 artikuj për Kosovën dhe shqiptarët.
Më 5 maj botohet shkrimi me titull “Jugosllavia – Pa pantallona të përvjelë”, në të cilin ndër të tjera thuhet se “pas vendosjes me dhunë të paqes në Kosovë, partia i rregullon radhët: armiq në çdo anë”. Në shkrim gjithsesi ka histori. Autori sjell fakte, të cilat e qartësojnë fare mirë se Kosova ka qenë dhe është e pushtuar, pastaj flitet për zhvillimet gjatë periudhave të ndryshme të pasluftës së Dytë Botërore, për emigracionin shqiptar në Evropë dhe Amerikë, në Belgjikë e SHBA, për marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe sidomos me Kosovën, të cilat udhëheqësit partiakë e shtetërorë të Jugosllavisë dhe Kosovës i shohin si të gabueshme, për marrëdhëniet e tendosura jugosllavo-shqiptare, për demonstratat dhe pasojat e tyre, për të vrarë, të plagosur e të arrestuar.
Më 18 maj “Der Spiegel” e boton shkrimin me titull “Barinj idealë”. Autori qysh në fillim thotë: “Pas thyerjes së kryengritjes në Kosovë, Beogradi dëshiron ta qetësojë Kroacinë përmes arrestimesh”.
Periudha mes majit dhe tetorit kalon pa ndonjë shkrim për Kosovën.
Më 12 tetor botohet një shkrim me titull: “Të gjithë heshtin”. Beogradi nuk mund t’i fus nën kontroll trazirat në Kosovë. Qe shtatë muaj atje rebelohen banorët shqiptarë”.
Në shkrim flitet për trazira, greva, sabotime, vështirësi ekonomike etj. “Shtrohet pyetja se kudo në centralet energjetike dihet se ku qëndrojnë defektet dhe pse ka defekte, ndërkaq në ato të Kosovës nuk dihen. Shqiptarët po rebelohen. Në vend të 2.4 milionë KË energji elektrike, tani mezi i dërgohen Serbisë më pak se një milion. Shefi i Sigurimit Shtetëror në Ferizaj, Milorad Stankoviç, rebelimin, mungesën e rrymës dhe grevat i vë në lidhje me nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar. Ai thotë: “Veprimtaria e nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë nuk tregon shenja dobësimi. Armiku tani po organizohet në grupe dyshe dhe treshe. Ata në parullat dhe pamfletet e tyre po thërrasin për diversione dhe vënie zjarri”. Më tutje flitet për një sabotim në Fabrikën e Duhanit në Gjilan. Për këtë thuhet se “të gjithë i dënojnë këto veprime, por të gjithë heshtin. Askush nuk tregon gjë. “Fabrikat po i kaplon flaka. Shtëpia e një funksionari të sigurimit është infektuar. Gazetat njoftojnë për një sukses: Është penguar kallja e veturës së një funksionari, por sulmuesit janë zhdukur në errësirë. Vetëm me trimëri të jashtëzakonshme dhe gjakftohtësi lokomotivistët e talentuar pranojnë të udhëtojnë natën në hapësirën e Kosovës. Mbi binarë gjenden gurë. Aparaturat sinjalizuese janë shkatërruar. Predha të rrezikshme për jetë i godasin xhamat e përparme të trenave. Gjithashtu ushtarët e ardhur për përforcim nga anë tjera të vendit sulmohen e lëndohen”.
“Der Spiegel” thotë se për “Politika Express-in” e Beogradit është e qartë: Kundërrevolucionarët kanë forcë të mos i dorëzojnë armët. Armiqtë e ndryshojnë taktikën e veprimit. Ata, nga veprimtaria e hapur kalojnë në veprimtari të fshehtë. Për gazetën “Narodna Armija”, sipas “Der Spiegel”, edhe djegiet e pyjeve janë vepër e armikut. “Ne gjendemi në luftë”, citon autori gazetën “Narodna Armija”.
Në këtë shkrim tutje thuhet se ende popullit të Jugosllavisë nuk i është thënë ajo që ka ndodhur në Kosovë. Kosova jo vetëm që ka qenë e ndaluar për muaj të tërë për gazetarët e huaj, por ajo ka qenë e ndaluar edhe për vendorët. Në të kanë mundur të shkojnë vetëm gazetarët e besueshëm partiakë. Të dhënat për të vrarë e të plagosur, të botuara në shtyp, e kanë përjashtuar njëra-tjetrën”
Revistës “Der Spiegel” tani nga Kosova i vjen një thirrje për ndërgjegjen e gjithë botës së civilizuar, të nënshkruar nga tre profesorë universitarë: “Gjatë muajt mars dhe prill në të dy rrugët kryesore të Prishtinës, ‘Ramiz Sadiku’ dhe ‘Marshall Tito’ ka pasur skena të tmerrshme: kufoma të shtrira, shpesh të ndara dhe të copëtuara, pa koka, këmbë dhe duar. Mes të vdekurve gjithashtu edhe fëmijë të moshës shkollore. Këto kanë qenë gjurmët e fundit të masakrave të kryere nga ushtria dhe milicia jugosllave. Shumë kufoma janë bartur me kamionë ushtarakë dhe janë djegur jashtë qytetit me kerozinë”.
Mundësia për t’i vërtetuar këto të dhëna nuk ekziston, sepse si thonë apeluesit, emrat e të cilëve janë të njohur për redaksinë, është e vërtetë se Qeveria e ka shpallur gjendjen ushtarake në gjithë hapësirën e Kosovës: Amnistia Internacionale dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nuk mund të shkojnë në Kosovë”.
Tre informatorët raportojnë më tutje se pakica shqiptare në Jugosllavi nuk është në gjendje për ta raportuar drejtpërdrejt në botën e jashtme për gjendjen. “Raportet zyrtare flasin vetëm për imazhe të zbehta të masakrave që kanë ndodhur në krahinën tonë fatkeqe. Të drejtat qytetare nuk vlejnë më. Natën nëpër rrugë patrullojnë ushtarët legjionarë që mund ta arrestojnë secilin. Ne nuk mund t’i vlerësojmë, por kjo ka të bëjë me më shumë se njëmijë të arrestuar”.
Sipas të dhënave të gazetave beogradase, më shumë se 2000 shqiptarë janë dënuar pa gjyq dhe pa mbrojtje. Deri me 31 gusht janë dënuar 245 persona me dënime burgu deri 15 vjet. Në fillim të shtatorit janë dhënë edhe 50 dënime me një dënim mesatar prej 9 vjetësh”.
“Süddeutsche Zeitung”, një gazetë tjetër gjermane me shumë renome, i përcolli zhvillimet në Kosovë, rreth Kosovës dhe shqiptarëve me shumë interesim, duke filluar ashtu si edhe gazetat tjera me informatat e lëshuara nga “Tanjugu” për demonstratat e 11 Marsit.
Shkrimi i parë për Kosovën e vitit 1981 në këtë gazetë botohet në numrin e datës 14/15 mars, në të cilin njoftohet për fillimin e protestave në Prishtinë si lajm shumë i shkurtër. “Problemet e Beogradit me Kosovën rriten” është një shkrim relativisht i gjatë, të cilin kjo gazetë e sjell pas demonstratave të 26 e 27 marsit. Shkrimi botohet më datën 30 mars nga korrespondenti i kësaj gazete në Beograd, Hejko Flottau. Ai ndër të tjera shkruan:
“Demonstratat e studentëve në Prishtinë, qartë kanë shkuar më larg se sa kanë thënë zyrtarët. Sipas të dhënave nga një konferencë shtypi, në demonstratat e 26 marsit janë plagosur 23 demonstrues dhe 12 pjesëtarë të forcave të rendit. Nga të plagosurit askush nuk është në rrezik për jetën”. Gazetari Flottau e citon Asllan Fazliun të ketë thënë: “këtu kemi të bëjmë me armikun e jashtëm e të brendshëm”. Autori ecën pak nëpër histori ku theks të veçantë i vë shtypjes së shqiptarëve, si thotë autori, nga pasioni, të Aleksandër Rankoviqit deri në vitin 1966.
Edhe për demonstratat e 1 dhe 2 prillit kjo gazetë shkruan më 3 prill. Shkrimi është botuar me titullin: “Beogradi i shqetësuar për trazirat në Kosovë”. “Përsëri përleshje mes nacionalistëve shqiptarë dhe policisë”, shkruan gazeta dhe njëkohësisht njofton edhe për gjendjen e jashtëzakonshme dhe ndalimin e çdo lloj tubimi, për sulmet që forumet partiake i bëjnë “armikut”, për sulmet që po këto organe ia bëjnë shtypit të jashtëm etj.
Në numrin e datës 4/5 prill, gazeta e boton një shkrim të agjencisë “Rojter” me titull “Gjendja e jashtëzakonshme vazhdon në Kosovë” dhe një shkrim tjetër të korrespondentit Heiko Flottau me titull “Aspektet sociale dhe nacionale”, i cili duke i cituar udhëheqësit shtetërorë dhe partiakë fletë për demonstratat dhe zhvillimet e atyre ditëve në Kosovë, “për sulmet e armiqve të jashtëm e të brendshëm”, për diferencimin që kishte filluar etj. Njëkohësisht flitet edhe për fajësimet që shteti jugosllav ia bën Shqipërisë dhe anasjelltas.
Arthur Meyer, më 2 maj shkruan për kërkesat për më shumë liri shtypi në Jugosllavi. Titulli i shkrimit është: “Ndërgojcë për shtypin pas trazirave në Kosovë”.
“Trazirat e rënda në krahinën e Kosovës, mbi të cilat vetëm informata të paplota ka, në Jugosllavi kanë hapur diskutime të gjera mbi rolin dhe detyrat e masmediave. Gazetarët jugosllavë flasin për këtë duke thënë se që nga viti 1945 nuk është luftuar kaq fort e kaq hapur shtypi”, -thotë Meyer.
Më 8 maj, gazeta shkruan “Kosova do të spastrohet”, kurse më 1 qershor, duke shkruar për prapavijën e demonstratave në Kosovë, Arthur Meyer thotë se “Kosova si kurrë më parë është fuçi baroti!”.
“Të vrarët në demonstratat e mëdha në krahinën e Kosovës ka kohë që janë varrosur dhe ende as Jugosllavia e as bota nuk e dinë se sa kanë qenë”. Në artikull flitet për mbyllje të Universitetit, për kontrolle policore e ushtarake. Dëshmitarët flasin për atmosferën e një qetësie të rrejshme” -thotë gazetari. Derisa edhe në qoshet më të largëta kodrinore të Jugosllavisë bubullon, një luftë e egër eterike ka shpërthyer mes Radio Tiranës dhe radiotransmetuesve jugosllavë. Ka thashetheme se në bjeshkët e Shqipërisë forcat e armatosura janë vënë në gjendje gatishmërie”
Më 13 qershor njoftohet për dërgimin e më shumë policëve federativë në Kosovë si dhe për përpjekjet e qeverisë federative për ta vënë Kosovën nën kontroll. Korriku, gushti e shtatori, edhe përkundër ndonjë shkrimi a komenti, janë muaj në të cilët ashtu si edhe në gazetat tjera njoftohet për proceset gjyqësore dhe lajmi me të cilin përfundon seria e shkrimeve për Kosovën dhe shqiptarë; është lajmi për vetëvrasjen e kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu.
Një tjetër gazetë që i është gjetur Kosovës dhe shqiptarëve për krah në fillimin e pranverës së madhe të vitit 1981 e më tutje, është gazeta e mirënjohur gjermane, e lexuar dhe e cituar aq shpesh nga Radio Tirana, “Frankfurter Allgemeine Zetung” me korrespondentin e saj nga Vjena, Viktor Meyer.
Edhe kjo gazetë, ashtu si pjesa dërrmuese e gazetave gjermane, njofton për fillimin e demonstratave të 11 marsit në Kosovë.
Më 4 prill, Viktor Meyer shkruan: “Gjendja në regjionin e Kosovës, e banuar kryesisht me shqiptarë, duket se është serioze. Të enjten është shpallur ndalimi i tubimeve publike. Korzoja mbrëmjeve është e zbrazët. Në të patrullojnë forca policore e ushtarake si dhe të ashtuquajturat forca të mbrojtjes territoriale të veshura me mbrojtëse antiplumb. Në vendbanimin fqinj, Podujevë, kishte kamionë të djegur. Ka pasur shumë të plagosur e të arrestuar. Zyrtarisht flitet se demonstruesit kanë pasur armë me vete”, – shkruan Meyer. Ai më tutje shkruan se kur studentët në bisedë me zyrtarët shtetërorë dhe partiakë kërkuan që Kosova të konstituohet në republikë, zyrtarët i ndërprenë bisedimet dhe konviktet e studentëve u pushtuan nga policia.
Sipas autorit, kryetari i Kryesisë së Kosovës, Xhavit Nimani, këto demonstrata i quajti “manifestime armiqësore nga pozitat e nacionalizmit shqiptar. Ai tha se demonstratat janë të nxitura nga armiq të brendshëm dhe të jashtëm dhe si të tilla janë kundërrevolucionare”.
Po në të njëjtin numër dhe në të njëjtën faqe botohet edhe një shkrim për Kosovën me titull: “Inteligjenca e re dhe detyrimi kombëtar”. Më 7 prill. edhe kjo gazetë duke u mbështetur në të dhëna zyrtare, njofton për 11 të vrarë në demonstratat e marsit dhe prillit, si dhe për demonstrata edhe në qytete tjera të Kosovës.
Më 9 prill Meyeri shkruan: “Tirana merr anën e shqiptarëve të Kosovës. Ajo thotë se kërkesat për republikë janë të drejta”. Të njëjtën ditë në këtë gazetë botohet edhe një shkrim nga i njëjti autor me titull “Në Kosovë ka mosbesim të thellë”. Konfliktet në krahinën jugosllave kanë arsye të brendshme”, është një shkrim tjetër i Meyerit.
Edhe më 21 prill, përsëri Viktor Meyeri nga Vjena. Ai shkruan se pas trazirave në Kosovë, në radhët e partisë ka nervozë. Ndërkaq, më 27 prill ai thotë: “Për shkak të këtyre ngjarjeve në Kosovë, një pjesë e funksionarëve jugosllavë kanë humbur kokën”. Duke folur për të vrarë e të plagosur, Meyer thotë se “demonstratat në Kosovë ishin më të ashpra dhe me përmasa më të mëdha sesa thuhet zyrtarisht. Njerëz të informuar mirë flasin për 30 deri në 40 të vrarë dhe për më shumë se 1 000 të plagosur, nga të cilët numër i madh nga frika e pasojave shërohen në shtëpi të tyre.
Autori Meyer në fund shkruan: “Sulmet që i bëhen Shqipërisë për nxitje janë më shumë taktike. Udhëheqja e Kosovës, duke e sulmuar Tiranën zyrtare për nxitje të trazirave, përpiqet që të ia lehtësojë pozitën vetvetes”.
Gjatë korrikut, gushtit dhe shtatorit, edhe kjo gazetë sjell lajme për proceset gjyqësore, të cilat janë aq të shumta dhe aq absurde.
Kosova dhe shqiptarët kanë qenë shumë të pranishëm edhe në gazeta tjera gjermane qoftë në të përditshmet, qoftë të përkohshmet. Organi i Partisë Komuniste Gjermane “Roter Morgen”, i botoi 16 artikuj gjatë vitit 1981. Disa nga titujt e artikujve janë: “Masakrat e trupave të Beogradit në Kosovë”, “Kush nxit përçarje midis popujve të Jugosllavisë?”, “Provokimet jugosllave”, “Çka ndodhi para ambasadës jugosllave në Tiranë?”, “Është e drejtë kërkesa për njohjen e statusit të Republikës së Kosovës”, “Fjalor i hapur i Rankoviçit”, “Trazirat e vitit 1968″, “Lufta e popullit të Kosovës është e drejtë”, “Tani procese masive në Kosovë”.
Edhe gazetat tjera gjermane: “Der Tages Spiegel”, “Berliner Morgenpost”,”Die Welt”, “Frankfurter Rundschau”, “Süd Kurier”, “Frankfuurter Allgemeine” etj, gazetat austriake “Der Standard”, “Die Presse” “Die Neue Zeit”, “Kurier” ,”Neues Volksbaltt”, “Tagblatt für Östereich”, “Neue Kronenzeitung”, gazetat zvicerane: “Focus”, “Der Bund”, “Aargauer Tagblatt”, e gazeta tjera, janë gazeta që në faqet e tyre kanë njoftuar për zhvillimet në Kosovë dhe ndër shqiptarë. Kosova dhe shqiptarët në shtypin zvicerano-gjermano-austriak në vitin 1981 kanë zënë hapësirë të madhe dhe janë paraqitur kryesisht në mënyrë korrekte dhe, edhe nëse ka ndodhur ndonjë gabim, ka ndodhur për shkak të mungesës së informacioneve. Në faqet e këtij shtypi ka pasur lajme të shkurtra, raporte, reportazhe, udhë-përshkrime… Edhe kur është shkruar për “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar”, për armiqtë e brendshëm e të jashtëm” apo për “kundërrevolucionin”, ato nuk kanë qenë shprehje të atyre gazetave e as të autorëve të tyre. Ato kanë qenë citime dhe si të tilla edhe janë sjellë në artikuj, gjithnjë në thonjëza apo me “sipas…” , “thotë…”, “ka thënë…” etj.
Buchs, Zvicër
Komentet