Dhjetëra-mijëra vetë dolën në Gjermani në rrugë gjatë fundjavës për të protestuar kundër ekstremizmit të djathtë. Presidenti Steinmeier tha se ata mbrojnë republikën dhe kushtetutën kundër armiqve të saj.
Nga Deutsche Welle
Gjermania është përfshirë prej demonstratave masive gjatë së cilave në rrugët e qyteteve dolën rreth 1,4 milionë vetë për të protestuar kundër partisë ekstremiste të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe agjendës së saj kundër emigracionit.
Të premten dhe në fundjavë në rreth 100 qytete në të gjithë vendin u zhvilluan demonstrata nën moton “Të mbrojmë demokracinë”. Të shtunën dhe të dielën u zhvilluan mitingje në disa nga qytetet e mëdha si Hamburg, Frankfurt, Këln, Dormund, Mynih dhe Berlin.
Pas demonstratave në Halle/Saale dhe asaj në Lajpcig, ku morën pjesë përkatësisht rreth 16.000 dhe 40.000 vetë, demonstrata u zhvilluan edhe në disa qytete në lindje të Gjermanisë, si në Cottbus, Dresden dhe Chemnitz.
Mbështetje nga politikanët
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha në një video-mesazh në lidhje me demonstratat: “Këta njerëz na inkurajojnë të gjithëve”. Ata mbrojnë “republikën dhe kushtetutën tonë kundër armiqve të saj”.
Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (SPD), tha për gazetën “Rheinische Post” se fakti “që qindra-mijëra vetë po dalin në demonstrata dhe po mbrojnë në mënyrë aktive demokracinë tonë është një shenjë shumë inkurajuese”.
Pse po protestojnë kaq shumë njerëz tani?
Vala e mobilizimit kundër partisë së ekstremit të djathtë AfD u ndez nga një shkrim i datës 10 janar publikuar nga grupi investigativ Correctiv, i cili zbuloi seanëtarët e AfD-së ishin takuarnë nëntor 2023 në Potsdam me një grup ekstremistësh për të diskutuar për dëbimin e emigrantëve dhe “qytetarëve të paasimiluar”. Të pranishëm kishin qenë edhe anëtarë të Unionit Kristian Demokrat (CDU), partia kryesore opozitare.
Pjesëmarrësit në takim kishin diskutuar për “riemigrimin”, një term që përdoret shpesh në qarqet ekstremiste të djathta si eufemizëm për dëbimin e emigrantëve dhe të pakicave, përfshirë ata që kanë marrë nënshtetësinë gjermane.
Lajmi për takimin tronditi shumë vetë në Gjermani në një kohë kur AfD-ja po ngjitet në sondazhetqë po zhvillohen në prag të tre zgjedhjeve të mëdha rajonale në Gjermaninë lindore, ku mbështetja për këtë parti është më e fortë. Kancelari Olaf Scholz, i cili iu bashkua një demonstrate fundjavën e kaluar, tha se çdo plan për të dëbuar emigrantë apo qytetarë ishte një “sulm kundër demokracisë sonë, dhe nga ana tjetër, ndaj të gjithë neve”.
AfD-ja e konfirmoi praninë e anëtarëve të saj në takim, por tha se propozimet e saj për emigracionin, të cilat ishin pjesë e manifestit të fundit zgjedhor, nuk përfshijnë shtetas që kanë marrë nënshtetësinë gjermane. Komente të tilla në takim ishin bërë nga një figurë e ekstremit të djathtë austriak, Martin Sellner, i cili nuk është anëtar i AfD-së.