Në ëndërr u ngjesh paq me mish shqere, të pjekur, e me raki kumbulle; e zgjoi etja. Atëherë u ndërmend se nuk ndodhej në restorantin “Karmelita”, por në verandën e shtëpisë së tij. Megjithëse të shoqes i pëlqente mishi i viçit e i pulës, natën e Krishtlindjeve edhe asaj i qe shkrepur për mish qingji të pjekur. Ai kish pirë dy dopio Tekila,1) kurse ajo një gotë verë franceze, “Merlot”.
“Vera e kuqe nxit erotizmin, ama të mbërthen në shtrat. Të nesërmen nuk je për punë,” – e kish këshilluar ai, por ajo, vështrimçoroditur, pati thënë:
“Ku ta gjej të mbërthehem një javë në shtrat.”
Nga që e shoqja, për sa kohë qëndruan në “Karmelita”, i kishte dredhuar vështrimit të tij, ende ka ndjesinë se në natën e Krishtlindjeve ishte darkuar me një femër të rastit e nuk dinin emrat e njëri-tjetrit. Ajo sygri, ai sykaltër. Ajo flokëkaçurrelzezë, ai flokëverdhë e gjysëm tullac. Por basetat e thinjura dhe hartëzimet e rrudhave tregonin se biondët shpërfytyrohen pa mbushur të pesëdhjetat. Ajo ishte kthyer nga Karolina e Veriut, ku kish shkuar me shërbim bankar për dy javë dhe pasi kish bërë banjë e thau flokët, veshi kostumin e zi.
“Do shkojmë në kishë,” – kish thënë ajo pa u dhënë fjalëve tonalitet pyetёsor, por pas disa sekondave shtoi “së bashku.” Gjersa kishin mbёrritur në kishë, por edhe kur qenë ulur në tavolinën e restorantit “Karmelita”, ai kish hezituar t’i tregonte se mund të humbiste punën e përditshme në landrin e hotelit. Mirëpo, Kriza Amerikane dhe hoteli i patën dalë nga mendja, pasi u gëzua që ajo e kapi për krahu, por më shumë qe habitur sidomos me sjelljen e saj pa hyrë ende në kishë. Ndryshe nga herët e tjera, ajo i kish përshëndetur ngrohtësisht të njohurit dhe përqafoi e puthi edhe ato gra, të cilat e dinte se dërdëllisnin për të. Pikërisht atë çast kishte menduar, “dy javë larg burrit, gruas i mjaftojnë për të gjykuar veten.” Ndërkohë që ajo bënte kryq e u ndiste qirinj shënjtorëve, ai kishte kritikuar veten e tij se duhej të hiqte dorë nga ateizmi, mbasi qe bindur se ateizmi i zgjon nga gjumi dhe i ndërsen demonët. Gjatë rrugëtimit, nga kisha për në restorantin “Karmelita”, ajo qe kujdesur të mos i fikej qiriri e mos pikonte kostumin me dyllë. Pastaj, kur ajo kishte përsëritur, dy a tri herë, “këtë qiri do ta çoj të ndezur në shtëpi, sikur ta di se do më përvëlojë duart,” ai përfytyroi të krisurat e marrëdhënieve bashkëshortore duke u ngjitur dhe mbushur me dyllin e shenjtë të Krishtlindjeve.
“Kjo flakë është e shenjtë dhe mbarësi,” – kishte thënë ajo anglisht dhe kamerierja solli enkas një gotë grykëgjatë për ta vendosur qiririn mbi tryezë. Pastaj, vështrimçoroditur, ajo pohoi se zyrat e Bankёs Amerikane do të transferoheshin në një shtet tjetër, dhe “Lilinovën e shumë të tjerë i pushuan nga puna,” – kish shtuar duke hetuar flakën e qiririt.
“Unë, – ishte përgjigjur ajo e vuri buzën në gaz, – rrezikohem vetëm po të shembet Uoll Striti.”
Pikërisht atëherë ajo e kish parë për një sekondë në sy e ai dalloi se grija e syve të saj qe kthyer në ngjyrë të kaltër. Ai e dinte se, kur grija kthehej në të kaltër, ishte shenjë pajtimi dhe erotike, ama, nëse e kaltra errësohej, sytë i bëheshin të zinj e zёre se stuhia ishte në të shpërthyer. Ndërkohë, që e shoqja shtoi se Lilinova bashkëjetonte me një lesbike, atij i qe fanitur bullgarja me minifund dhe gjokszbuluar. Në festën e Shën Valentinit ai kishte dancuar me të, por kur ajo e ftoi “eja të luajmë tango në makinën time,” ai refuzoi kërkesën e saj, kurse ajo kishte mërmëritur me tallje e me theks sllav:
Megjithëse darka e natës të Krishtlindjeve kish kaluar sikur ndodheshin në ndonjë liturgji kishtare, a në ndonjë ceremoni varrimi, në minutat e fundit, vera e kuqe franceze dhe tekila meksikane kryen efektin e tyre. Ai pati ndjerë gudulisjen e gjakut nëpër damarë, kurse fytyra e së shoqes u trëndafilua. E trëndafiluar ishte edhe në rrugën e kthimit për në shtëpi, edhe kur vendosi qiririn para ikonës të Shën Gjergjit, por, ca më shumë, kur u zhvesh e u shtri në shtratin bashkëshortor, pa këmishën e hollë. Parandjenja se atë natë e shoqja do t’i hiqte me dorën e saj mbathjet e sytjenat, doli e vërtetë. Ndërsa ajo shpupuriste flokët me gishtat e të dyja pëllëmbëve, “o sonte, o kurrë!” i pati klithur qenia e tij dhe befas, i hodhi njërën këmbë sipër dhe e puthi fort në buzë.
“Fike dritën e mbylli grillat,” – kish thënë ajo, kurse ai e parandjeu se nata e Krishtlindjeve do të mbetej pika kulminante e njëzet viteve martesë. Në aktin final erotik ishin dëgjuar trokitjet e shiut mbi çati, kënga e bretkosave dhe gurgullima e ujit nëpër ullukë.
Megjithëse ka pirё gjysmën e shishes me ujë, ende ka etje, por ka edhe ndjesinë se kripa e ëndrrës me mish qingji nuk ishte shpërlarë akoma. Shtrydhi kujtesën të zbulonte në pati qenë kripa ajo që i kish dhënë etje për ujë, apo ishte zgjuar prej neverisë, që të shpërlante gojën nga jargavitjet e Dean Uesterfilldit mbi kurmin e të shoqes. Bankieri zezak e trupmadh i qe fanitur edhe kur ishin në restorantin “Karmelita”, edhe kur e shoqja ishte nderur për të vendosur qiririn përpara ikonës të Shën Gjergjit, hipur mbi kalin e bardhë në dhomën e gjumit. Shën Gjergji ishte shenjti i preferuar i saj.
“Pse pikërisht ai,” – e kish pyetur kur ajo solli para një viti jo një, por dy ikona me Shëngjergj.
“Është i vetmi shenjt që vret kuçedrea,” – ishte përgjigjur ajo.
Ndëra pi edhe disa gllnjka me ujë kujtohet se orgazma, sikur të qe rrymë elektrike, kishte dredhur kurmin e të shoqes që në minutën e parë. Pikërisht atëherë ajo qe shaluar egërshane sipër tij, me krahët e shpalosura, si pulëbardha në fluturim dhe fluturimi kishte vazhduar gjersa ajo u platit e lodhur mbi trupin e tij. Në çastin që kish parë kurorën e flokëve të saj, të larushitura nga drita e qiririt, i qe zgjuar dëshira çmendurake rinore për të mos e lëshuar kurrë atë trup të magjishëm femëror. Pastaj ajo kish mbështetur kokën mbi supin e tij dhe buzët e nxehta i patën prekur llapën e veshit. Për herë të parë, pas njëzet vjet martesë, dëgjoi kumbimin e kënaqësisë femërore:
“Oh, u ndjeva si në rini!”
Natën e Krishtlindjeve ajo nuk u ankua nga pëllëmbët e ashpra e as nga kutërbimi i frymës së tij prej duhanxhiu. Mirëpo, kur pati thënë “oh, u ndjeva si në rini,” ai ishte ndier mëkatar e pati bëlbëzuar me zë adoleshenti:
“…mos u bëj merak, – kishte shtuar ajo. – Piva hapjen kur ishim tek “Karmelita”.
Flaka e qiririt luhatej në grahmat e fundit, ndërsa gishtërinjtë e saj e kishin përkëdhelur përfund barkut. Një minutë më vonë kishin notuar sërish në detin e dallgëzuar të erosit, por asaj here, ai stuhia, ajo oqeani. Mirëpo, atij, mbase edhe asaj, nuk i shkoi ndër mend se ai çast i prushuar erotik do të qe i fundmi në shtratin e tyre bashkëshortor. Megjithëse kanë kaluar gjashtë muaj dhe e shoqja e braktisi e jeton në Nju Jork, ai ndjehet i penduar për çka kishte dërdëllitur natën e Krishtlindjeve. Penelimi me ngjyra të ndezura i qytezës të Shëmturit, u bë shkak që ajo të shpërthente dufin trabonian. Përveç kujtimeve shëmturiane, i kishte kujtuar edhe netët e kaltra në muajin e mjaltit në plazhin e Durrësit. Pastaj, me ngjyrat e piktorëve italianë, pikturoi qytetin e Napolit e përshkroi me imtësi apartamentin e tyre; edhe shtratin prej hekuri që ua patën falur komshinjtë. Përmendi qeskat me rroba e ushqime, që i gjenin tek pragu i derës çdo mbrëmje, por edhe dhuruesin misterioz të shisheve me verë, një plak i ngjashëm me Ajnshtajnin, i cili kisht ekspozuar veten kur i tha asaj në sy të tij:
“Ti, dhe vetëm ti, më nxjerr mallin e Marinës!”
Pikërisht atëherë pëllëmba e tij kish mbledhur shuk cicën e majtë dhe atij i qe dukur se në dorë kish zemrën e saj që rrihte me ritmin e zemrës së tij. Kurse ajo, sikur të qe adoleshente, kishte eksploruar me drojtje kërthizën e tij e pati lodruar disa minuta me krifën leshatore të gjoksit; njëlloj si njëzet vite të shkuara, në dhomën e tij në Shëmtur, njëlloj si në kabinën e plazhit në Durrës. Ia kish kujtuar këto, kur befas, ajo harkoi krahët mbi kokë dhe shpupurisi sërish flokët me gishtat e të dyja pëllëmbëve. Po ai e dinte se ato lëvizje krahësh femërore ishin të përbotëshme dhe kjo ndodhte në çaste kënaqësie ose nervozizmi. Natën e Krishtlindjeve dhoma e gjumit qe kredhur në errësirë dhe ai s’kish si të shihte nëse ngjyra e syve të saj ishte gri, e kaltër apo blu e errët. Edhe në pyllin e Kroit të Bilbilave, njëzet vjet të shkuara, pasi kishin provuar aktin e parë seksual, sytë e saj gri ishin bërë të kaltër dhe të kaltër ishin edhe kur ai i përmendi metaforën poetike:
“Në qiejt e tu fluturoj veç unë.”
I kujtohet si ishte përkulur mbi këmbët e saj, njëlloj edhe natën e Krishtlindjeve dhe pavarësisht se ishte errësirë, e dinte me saktësi vendin në pulpë ku qe nishani si gjethe ahu dhe e kishte puthur pikërisht aty.
“Nga thonjtë e deri tek rrënjët e flokëve kurmi yt ka qënë i shenjtë për mua,” – e kish mbyllur ligjëratën, pa i shkuar ndër mend se pesë minuta më vonë ai do t’i hakërrohej vetes:
Fillimisht ajo kish shpejtuar frymëmarrjen dhe, kur ai nuk e priste, befas, i ktheu shpinën. Atëherë kishte nderur dorën t’i përkëdhelë zverkun, por ajo bëri shënjën e vrullshme me shkundjen e kokës. Në njëzet vjet martesë ai e dinte se ç’donte të thoshte ajo shenjë irrituese. Kish tërhequr dorën nga vetja dhe pëllëmbën e pati ngjeshur mbi ballë, si strehë kapele. Në errësirë nuk kish çfarë të shikonte, përveç flakëzës të vockël të qiririt dhe flakëza i qe dukur sa një kokërr thekri që shkëlqente nga vesa. Qiriri ishte tretur krejt, flakëza po jepte shpirt, kurse ai kishte harruar të merrte frymë. Ndërkohë që kish pandehur se të shoqen e pati zënë gjumi, e drithëroi zëri i saj ironik:
“Çmenduritë rinor kanë pasoja të pafalshme.”
Nga nënsqetullat e saj kishte vërrshuar sërish erëmimi i parfumit dhe atëherë ai kish zbuluar se ishte i njëjtë me të resave të lajthishtave.
“Mjerisht, edhe në Amerikë, nuk shpëtoj dot prej mëkateve,” – kish pohuar ajo.
Ajo nuk qe përgjigjur, kurse ai kish ndjerë një pickim në anën e majtë të kraharorit. Pickimi ish pasuar me dridhjen e muskujve dhe ngërçet ia tezarën damarët në këllqe e pulpa. Demonët e detyruan të brofë nga shtrati. Nxitimthi dhe së prapthi mezi kish veshur mbathjet e çalë-çalë shkoi në verandë; qe platitur i pagjumë në kolltukun lavjerës, kurse tavlla e duhanit u mbush rrafsh me
bishta cigaresh. Ndërkohë që flinte, pati përshtypjen se dikush i hodhi sipër një rrobë, por nuk i hapi sytë të dinte kush përkujdesej për të.
“Në gjumë zёre se je gjysmë i vdekur,” – thoshte shpeshherë e ëma.
Mbulesa e kaltër ishte peshqir dhe nuk qe nga të shtëpisë së tij. Atëherë qe përballur më dritësimin e llambushkave të Krishtlindjeve përqark pishinës në oborrin e komshies Sherli dhe nuk pati dyshim se ai peshqir ishte i saj.
Komentet