Nëse ‘Këshillimi Kombëtar’ do të bëhet vendim-marrës, do të jetë hapi i fundit drejt eliminimit të demokracisë. Kur nisi ky proces, askush nuk mendoi se përtej propagandës do të kishte ndonjë efekt konkret. Sot Edi Rama deklaroi se do të legalizojë kanabisin, do të bëjë amnistinë fiskale dhe do të pezullojë gjyqtarët dhe prokurorët që, ndërsa presin radhën e Vettingut, nuk marrin vendime që i pëlqejnë qeverisë.
‘Partnerët ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë që ky është vullneti i qytetarëve’, ishte argumenti i Edi Ramës për konvertimin e farsës së Këshillimit në ligje që shkatërrojnë sistemin ligjor dhe ekonomik dhe asgjësojnë përfundimisht drejtësinë.
Nga 760 mijë votat që siguroi me të gjitha mjetet 1 vit më parë, rreth 500 mijë vetë iu përgjigjën pyetësorit që shpërndau me postë. Askush nuk mund të japë siguri se procesi ishte i pamanipuluar, askush nuk e di si janë përgjigjur qytetarët. Pyetjet u hartuan nga Edi Rama, me supozime të tipit ‘ka njerëz që thonë’, çështjet ishin shkëputur nga lista e dëshirave të pamundura të Edi Ramës, ato që ai, jo prej presionit inekzistent të opozitës apo shoqërisë civile, por prej presionit ndërkombëtar, nuk ka mundur t’i realizojë.
Në këtë debat me ndërkombëtarët, që edhe pse e kanë mbështetur në instalimin e një autokracie të korruptuar, nuk ia lejojnë kanabizimin me ligj, pastrimin e parave dhe ligj dhe shndërrimin de jure të drejtësisë në zyrën e Partisë Socialiste, Edi Rama vendosi të sillet me ta siç sillet me vendasit.
Ato që ata i kundërshtojnë për hir të demokracisë, ai i miraton në emër të demokracisë, duke sajuar një proces unik, që nuk ka lidhje me votën, me zgjedhjet, me referendumin. Zeusi këtë radhë ka vendosur të këshillohet nga qytetarët dhe tu japë këshillave të tyre, të imponuara nga pyetjet e tij, një fuqi më të madhe se referendumi.
Nëse Shqipëria sot renditet e para në Europë për prodhimin e hashashit, pas Këshillimit, kjo do të jetë e ligjshme. Raportet ndërkombëtare nuk do kenë asnjë vlerë, përsa kohë, 500 mijë këshilltarët-fantazëm të Edi Ramës, i kanë dhënë atij fuqinë të legalizojë krimin.
Nëse Shqipëria renditet sot në vend të parë për pastrimin e parave, me kampione Tiranën e kullave me çmime të frikshme që ndërtohen dhe shiten në funksion të parave të pista që mblidhen nga trafiqet, asnjë raport ndërkombëtar nuk do të ngrejë gishtin e akuzës pasi lavatriçja të legalizohet.
Nëse vetë Bashkimi Europian ka vënë në dyshim ecurinë e Reformës në Drejtësi, duke gjykuar edhe rolin e vetë në proces, pas ligjin për pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk i pëlqejnë Edi Ramës, ajo që ka ndodhur deri tani do iu duket sukses, kapja indirekte e Drejtësisë që ka ndodhur nga 2016 do duket si arritja më e madhe.
Pas Këshillimit, Gjyqtarët dhe prokurorët do t’i shkarkojë Taulanti, Bora dhe Elisa, meqë Ulsiu e bën që tani.
Shkallmimi përfundimtar i Shtetit, vjen nga procesi në vetvete, nga precedenti që Edi Rama po krijon, duke zëvendësuar votën me korrespondencën private me popullin. Atë korrespondencë që pasi e bën me mjete shtetërore dhe në emër të shtetit, e prezanton në mbledhjet e partisë dhe pastaj e bën ligj mbi Kushtetutën që përcakton referendumin si mjet demokratik të këshillimit dhe zgjedhjet si mënyrën për të marrë vendime nëpërmjet demokracisë përfaqësuese.
Ky është vetëm fillimi. Këshillimi do të vazhdojë në vitet e ardhshme, me tema të tjera, si ajo e mbylljes së mediave nëpërmjet projektit tjetër që Bashkimi Europian ia hodhi poshtë Edi Ramës, kontrollin e mediave nga organet administrative. Nëse Këshillimi Kombëtar bëhet vendim-marrës, Shqipëria nuk do të jetë diktaturë, nuk do të ngjajë me asnjë regjim totalitar aktual, me asnjë regjim të së shkuarës. Do të jetë regjimi më i rrezikshëm dhe njëkohësisht më qesharak, ku vendimet nuk do t’i marrë as partia e personalizuar, as parlamenti i kontrolluar, por këshilluesit fantazëm, realizuesit e dëshirave të ndaluara të Edi Ramës. /Dosja.al
Komentet