Gjatë sulmit në karakollin e Goshincës, nuk i kemi lënduar e as keqtrajtuar policët, të cilët kanë qëndruar aty, por vetëm u kemi marrë armatimin dhe jemi larguar.
Deklaratat paraprake të policëve se ne i kemi rrahur aspak nuk janë të vërteta. Këto ishin fjalët e para të Dem Shehut, i cili të hënën para Trupit gjykues në procesin gjyqësor për ngjarjet e Kumanovës që ndodhën në vitin 2015, tregoi arsyet dhe mënyrën se si është bërë pjesë e grupit, i cili sipas tij, synonte përmirësimin e padrejtësive që u janë bërë shqiptarëve pas vitit 2001, shkruan gazeta KOHA. Kontakti fillestar mes Shehut dhe organizatorëve të grupit – Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, sipas dëshmisë së tij në seancën e fundit, është realizuar me 18 prill të viti 2015, në qytetin e Prizrenit. Kërkesën për takim, siç tha Shehu, ia ka bërë Beg Rizaj, i cili ditën e takimit në Prizren ka qenë i shoqëruar me Mirsadin dhe Valdet Zekajnë. “Pasi u takuam dhe e pimë nga një kafe, ne u nisëm për në Prishtinë. Gjatë kësaj rruge, Mirsadi dhe Begu më thanë mua dhe Valdetit që ta vazhdojmë rrugën, ndërsa ata pritet të takohen me një shok prej Maqedonie – Shenasi Mehmeti. Ne qëndruam aty derisa ai ka ardhur dhe më pas u nisëm për në Prishtinë. Pasi arritëm në qytet, Begun dhe Mirsadin i kemi pritur rreth katër orë, dhe pasi u kthyem – nuk e kemi pyetur shumë për atë se çka kanë biseduar, sepse e dinim se bëhet fjalë për shokë të tyrin me të cilin kanë pasur kontakte të vazhdueshme që më herët”, tha Shehu.
NË GOSHINCË NUK I KEQTRAJTUAM POLICËT
Gjatë rrëfimit të ngjarjes, ai potencoi se Shenasi Mehmeti, i punësuar në policinë e Maqedonisë, kur ka qenë koha e zgjedhjeve parlamentare, presidenciale apo lokale që janë zhvilluar në të kaluarën në këtë shtet, Begun dhe Mirsadin i ka bartur me veturë nga një lokacion në tjetrin. “Shpeshherë Begu dhe Mirsadi e kanë pasur fjalën e fundit se kush nga shqiptarët do të marrë poste në Qeveri, kështu në një rast – Begu më pati thënë se i kanë kërkuar Ali Ahmetit që Shenasi Mehmetin ta vendosin si zëvendësministër në dikasterin e policisë, por përgjigjja e tij ka qenë se nuk mendon të vendos në atë post një person që deri dje e ka pirë gjakun e shqiptarëve”, potencoi Shehu. Në ndërkohë, me datë 20 prill, sipas rrëfimit të Shehut, ai së bashku me Mirsadin, Begun dhe Valdetin, janë nisur për në Gjilan, ku kanë pritur të errësohet dhe së bashku me shokë tjerë, të cilat Shehu tha se nuk i ka njohur, janë futur ilegalisht në territorin e Maqedonisë. “Para se të futemi për në karakollin e Goshincës, një shok i Begut e ka marrë një telefonat nga Maqedonia, mesa më kujtohet ka qenë Ejup Alimi, i cili i ka thënë të mos futemi brenda se njësia speciale është shpërndarë përreth pikës kufitare. Ndërsa përgjigja e Begut ka qenë: ‘More ato specialca jam ka i pres’. Sulmin në Goshincë e ka udhëhequr vetë Begu, ndërsa ne kemi pritur që në atë karakoll të qëndrojë ushtria, por pasi jemi pozicionuar në pika, kemi vërejtur se bëhet fjalë për policë, të cilët pasi ka lehur qeni, kanë dalë nga objekti i godinës, dikush në brekë e tjerët në pizhame”, theksoi Dem Shehu. Duke e përshkruar këtë ngjarje, ai tha se gjatë procedurës së kaluar të këtij procesi, janë thënë të pavërteta se policët e apostrofuar janë zhveshur nga ana e tyre, respektivisht të njëjtit nga frika vetë janë shtrirë në tokë, me çka këta e kanë ngarkuar armatimin në një xhip dhe sipas Shehut, nuk ka pasur dijeni se ku ka shkuar ai armatim. Prezenca e grupit që e ka sulmuar këtë karakoll, në bazë të rrëfimit të Shehut, nuk ka qenë më e gjatë se 20 minuta, me çka më pasi janë në këmbë janë nisur në drejtim të Brezës dhe nga aty në njërën prej fshatrave kufitar brenda Kosovës. Brenda periudhës kohorë 22 prill e deri natën mes 1 dhe 2 majit, Shehu tha se ka qëndruar në vendlindjen e tij në Junik, ku ka pasur kontakte të zakonta me familjen dhe dashamirë. “Një javë pas sulmit në Goshincë, jam takuar me Begun, Mirdasin dhe Valdetin, të cilët më kanë informuar se do të futemi përsëri në Maqedoni, ndërsa unë i kam pyetur se pse e keni thirrur personin Y dhe ato më janë përgjigjur se: ‘vallë, dëshiroj t’i lë vetë’. Dhe kështu, pas dhënies së besës, jam nisur me ata, fillimisht në Gjakovë, pastaj në Prizren dhe më pas në Maqedoni”, shtoi Shehu. Pas futjes ilegale në Maqedoni, në fillim të majit të vitit 2015, Shehu tha se kanë hyrë në fshatin Bellanoc, ku gjatë qëndrimit të tyre në dy shtëpi të braktisura, dy helikopterë të policisë vazhdimisht u kanë qëndruar sipër tyre.
“Meqë policia vazhdimisht qëndronte sipër nesh, e kam vërejtur se situata nuk është në rregull dhe kam dyshuar për prezencën e ndonjë spiuni në mesin tonë, me çka nga Begu dhe Mirsadi kam kërkuar që të gjithë të kontrollohemi. Por, ata më kanë siguruar se gjithçka është në rregull dhe nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi këtyre detajeve”, tha mes tjerash Shehu. Në vazhdim të dhënies së dëshmisë, Dema potencoi se ka kërkuar nga Mirsadi dhe Begu që të futen në Sllupçan, megjithatë përgjigja e Begut ka qenë negative, pasi më datë 2 maj, në atë fshatë festohet dita e dëshmoreve, gjegjësisht prezenca eventuale e tyre aty mund të ngjallte ndonjë aksion policor dhe kështu pasojat do t’i barte vetë popullata civile. Mes tjerash, në fjalimin përfundimtar, ai tha se nuk ka lidhje me organizimin e këtyre ngjarjeve, por se “nëse Zoti do t’i kishte falë 1 mijë vjet, çdo ditë ta atyre viteve do ta kishte kaluar me të ndjerit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj”. Seanca e radhës me prezantimin e dëshmive nga vetë të akuzuarit për ngjarjet e Kumanovës, pritet të mbahet me 3 mars.
FADIL FEJZULLAHUT NE JU KEMI IMPONUAR “Me datë 3 maj jemi nisur me furgon në drejtim të Kumanovës, por në lokacion të panjohur për mua. Kështu që, brenda disa orëve kuptova se jemi në shtëpinë e Fadil Fejzullahut”. Ky detaj dhe shumë të tjera e dalluan dëshminë e Dem Shehut, dhënë para Trupit gjykues. “Kur jemi te hyrja në Kumanovë, dua të njoftoj opinionin se edhe po të më dënojnë 100 vite, fare nuk më dhimbset vetja, por vetëm Fadili i shkretë, të cilit ju kemi imponuar”, tha shkurtë Shehu.
KËRKESA DREJTUAR BEGUT DHE MIRSADIT PËR LARGIM Qëndrimi disaditor në Lagjen e Trimave dhe lëvizjet e pazakonta të njerëzve, kanë ndikuar që Dem Shehu, Valdet Zekaj dhe Sami Ukshini t’i kërkojnë drejtuesve të grupit që të largohen nga ai vend. “Natën mes 7 dhe 8 majit, Mirsadi me dy shokë të vetë, në oborrin ku qëndronim unë dhe Valdeti, erdhi dhe na tha se ‘rebeli vetë i treti ka arritur t’i ikë’. Ndërsa paraprakisht, një djalosh i lagjes na njoftoj se kazerma e ushtrisë dhe stacioni i policisë është i mbushur përplot me polici. Mirëpo, kunati i njërit prej shokëve të Mirsadit e kishte siguruar atë se këto informacione nuk janë të vërteta. Sidoqoftë, ai tha se pasi të arrijë Malisheva me shokë – ne do të largohemi”, sqaroi Shehu, çastet para fillimit të krismave nga policia dhe fillimi i luftimeve. (koha.mk)
Komentet