Si kësaj pranvere, nga e cila po dalim, shtatë vjet më parë, këtu në Shqipëri, u hodhën fishekzjarrë kur u firmos marrëveshja për ndarjen e kufirit detar midis Greqisë dhe Shqipërisë. Të nesërmen e saj, kur boja s’qe tharë, klithi deti i dhimbjes dhe filloi një udhëtim tjetër i vështirë për të gjetur se si ishte gatuar tradhtia kombëtare, se si kishin ardhur kumtet hartografike, se si kish mbërritur kali i Trojës duke përndarë koordinata deri në mes të Otrantos.
Pas kësaj, kufiri detar nuk u shënjua, por u shënua vetëm kufiri i turpit politik të një Qeverie dhe të një njeriu të trazimit djallëzor, që vijon ende të jetë në diktimin politik, Sali Berishës, kur historia e drejtësia nuk don t’ia dijë për veprën e tij të krimit. Ç’erdhi më tej? Kufiri nuk u nda. Marrëdhëniet me Greqinë për fajin e Shqipërisë u përkeqësuan, dhe përfytyrimet e ndarjes detare kanë marrë udhën për në kalendat Greke.
Po ç’ngjashmëri na vjen me Kosovën, “Gjakun që nuk falet”? Dhe si parakalojnë ca fakte të dhimbshme që na fajësojnë në histori? Me shpejtësinë e dyshimtë, me ngutjen teknike, me harresën historike, me dëshirën për përfitim politik, u arrit që Marrëveshja Kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi të nënshkruhet në Vjenë, pa tejdukshmërinë dhe pa kujdesin thelbor për këtë proces aq të vështirë dhe aq të ndjeshëm, e më tej u përcollën firmat e Hashim Thaçit e Skënder Hysenit. Le t’i qasemi, këtu, ngjashmërisë.
Ashtu siç e kishin dëgjuar në vitin 2009 Sali Berishën që ulërinte para shqiptarëve me kompas në dorë “se Shqipëria nuk kishte humbur asnjë milimetër nga ndarja detare me Greqinë”, edhe Qeveria e sotme e Kosovës, përmjet Kryeministrit të saj, kumton “se Kosova s’ka humbë asnjë milimetër nga sipërfaqja e saj, me Demarkacionin me Malin e Zi”.
Ndërkaq, është shënjuar dëmi i madh që po ndodh në të sotmen dhe ardhmërinë e Kosovës nga ky hap kaq i përshpejtuar, nga ky vetëplagim, që e ka trazuar aq shumë politikën e sotme, e ka zhgënjyer Europën, e cila nuk ka faj, teksa shikon se Demarkacionin e kanë kaluar në duar ekspertë të Qeverisë dhe se është firmuar nga njerëz të epërm të politikës, dhe ndaj kanë vënë edhe kushtin fatal të VIZAVE, në këtë shënjim antikombëtar të Kufirit.
NGJASHMËRIA E DYTË E GREMISJES
“ Demarkacioni…” i Kosovës nuk është një problem në ngutje, kur dihet se është aq kompleks dhe aq i ndjeshëm për Kosovën e Re. Shtete të tjera kanë shekuj që s’i kanë zgjidhur ende kufijtë, sepse prishen interesa të tyre. Ka shembuj që rrëfejnë se një shkëmb a një ishull, se një istëm dhe një kurrizore mund të jetë bërë shenjë konflikti e pambarimtë midis shteteve.
Fati i Kosovës dhe integritetit të saj është tejet i ndryshëm dhe tejet dramatik, me gjithë fitoren aq të madhe të Mëvetësisë së saj. Shqipëria, një shtet vetëm njëshekullor, dhe u habit e çakërriu sytë për një shkëmb që e mbyt deti në baticë dhe e çliron sërish në zbaticë, ky ishte “Barketa” për të cilën përfaqësues ekspertë të shtetit, deklaruan se “I ka takuar Greqisë” (që e kish pushtuar se askush nuk ia kish dhënë me të Drejtë Ndërkombëtare!).
Tani, prapë vjen ngjashmëria e Dheut dhe e Bjeshkës së Namun, e cila në ujëmbledhjen e madhe, ka mbetur jashtë Kosovës. Atje në Kërsh… në jetë të jetës, do të vajtojë Çakori, Kulla dhe ashtu e varur, Belluha (Bali Uka!) do të vërë gishtin te braktisja që iu bë. Tani procesi po shkon në zhytje… përditë e përditë. Ekspertët e Shtetit të Kosovës janë të lumtur duke rrëfyer dosjen me harta të ishJugosllavisë, për të bindur bashkësinë se sa të vërtetë janë sjellë me këtë Demarkacion, e po ashtulloj, kur dëgjojnë se edhe ekspertë të huaj paskan thënë se “kufiri është në vendin e duhur”.
Ndërkaq, Qeveria shpejton ta çojë në Parlament e t’i jepet me dorën e Kosovës çelësi i përftesës humbëse e tragjike, në këtë Demarkacion. “KUSHTI”, ashtu sikundër iu vu Shqipërisë në rastin e Greqisë, po e njëjta mënyrë, ka ardhur në rendin e ditës së Kosovës: “ Firmos! Ratifiko!, që të marrësh Viza!” A ka vend vallë, një kusht të tillë, një kusht që prêt, që të gjunjëzon që të përçmon… dhe ti duhet ta pranosh?! Në Shqipëri arritëm ta ndalim këtë “Pazar” antikombëtar. Po në Kosovë?!
NGJASHMËRIA E TRETË
Unë jam hartograf i një shteti tjetër dhe nuk dëshiroj të ndërhyj në jetën politike a ekzekutive të Kosovës, por s’mund të hesht në argumentet thelbore hartografike dhe gjeohistorike, duke i shpalosur ato, ashtu sikundër po bëjnë studiues të njohur të Republikës së Kosovës që kundërshtojnë “demarkacionin”. Në këtë hulli, kur shoh një hartë të re, e quaj portret të atij vendi a mjedisi.
Mirëpo, mendja ime dhe përfytyrimi gjithherë më shkon se “Ku është origjina?”, “Ku është harta e burimit të parë?”. Ndaj më habit grumbullimi dhe shfletimi i shumë hartave topografike të ish-Jugosllavisë, të cilat në kohë të ndryshme “thonë të njëjtën gjë…”, atë kufirin që tani ky komision e ka firmosur.
Po, ma merr mendja se ata e dinë se ajo është hartë e diktuar nga ndryshime dhe interesa të asaj kohe, kur nuk përfillej Kosova, se ajo ishte e shtypur dhe gjeohapësira e saj administrative, pas viteve dyzetë, ishte ndër duar të Serbisë, ku s’ishte e mundur të përfilleshin kufijtë e saj gjeohistorikë.
Kosova nuk ishte element konstituiv i Federatës Jugosllave, por vetëm një “Krahinë”, e cila s’mund të bënte ndonjë vizatim shenjash kufiri (As të shikonte jo se jo! “Për të përfshirë në “Watershed”-in gjeografik Çakorrin dhe Kullën…, kur kadastra serbomalaziase gllabëronte e pronësonte në faqet e Bjeshkës. Në këtë diskutim, në ngërç, me firomë gati të fikur, institucionet studimore kosovare janë gojëkyçur, të kapura, kur ato duhet të flisnin me zë të plotë.
Ato duhet ta ndihmonin Kosovën e tyre, por edhe opinionin ndërkombëtar. Ndodh e njëjta gjë, sikundër në Shqipëri, kur që nga Akademia e Shkencave, tek universitetet, institutet, mbajtën një qëndrim heshtjeje dhe indiferentizmi që s’rrëfehet dot me fjalë, sepse sytë dhe mendjen e tyre të grisur e kishin te diktati politik, duke harruar se sa dëm i shkaktuan çështjes kombëtare.
PSE KY SHPEJTIM? PO TEJDUKSHMËRIA E PROCESIT?
Duhet ta sjellim një përvojë nga Shqipëria, që edhe pse është e dhimbshme, ama, mund të vlejë si mësim. Në këtë kohë të vështirë kur Qeveria e Kosovës e ka firmosur “prerjen e Bjeshkës”, ne apelojmë për kujdes, për mosshpejtim, mbasi jemi në zgrip të një momenti historik. Është shumë më tepër se një Shën Naum! Para shtatë vjetësh ne iu drejtuam Parlamentit.
Ata në fillim nuk na përfillëm, iu drejtuam institucioneve, por ato heshtën, ne u përpoqëm që të krijonim ndjeshmërinë e duhur, jo për alarm, por për vlerësim të situatës, për t’u qartësuar. Parlamenti i Kosovës duhet të dëgjojë, se askush nuk ka të drejtë të diktojë veç popullit që i ka zgjedhur. Ja se ç’thotë njëri nga ekspertët ndërkombëtarë: ”E di që debati për kufijtë mund të jetë shumë i vështirë. Kam përvoja personale në këtë pikë.
…Kemi sjellë ekspertizën profesionale. Kemi takuar akademikët, profesionistët, kemi folur lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kemi diskutuar edhe me qytetarë të shqetësuar, sidomos me persona ku jetojnë në rajonin ku po bëhet demarkacioni, bashkë me ekspertët e tjerë kemi udhëtuar edhe vetë për të parë kufirin dhe kemi marrë përshtypjet e dorës së parë.
Është një proces i rëndësishëm….” (Fletcher Burton, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Demarkacion). Mund të vihet re se sa ndjeshëm e thotë ai këtë shqetësim që e kanë vënë re, çka na tregon se edhe ai e ka kapur situatën. Por situata është bërë edhe më e vështirë.
Diskutimet duhet të jenë të tejdukshme, shkencore, ballafaquese, për të depërtuar në thelb të çështjes së Demarkacionit, për të parë gravitetin e interesave të Kosovës, por, ama, asnjëherë në kurriz të të tjerëve (në këtë rast të Malit të Zi).
Aq më tepër që shumë dokumente hartografike si origjinë përqasjeje u takojnë burimeve nga vetë Mali i Zi, që është palë…), por që asnjëherë nuk janë paraqitur në diskutimet e komisioneve përkatëse. Studiues! Largojuni integralit politik! Vështrimi shkencor do t’u kthjellojë mendjet! Ju mbani përgjegjësi para popullit dhe historisë!
* Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës, kolonel në lirim i FA-ve, oponenti i Marrëveshjes Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë në vitin 2009-2010.
22 Marsi sivjet në Shqipëri u festua me një shurdh-memecëri të plotë.Në kalendarin zyrtar kjo datë nuk është e përfshirë.Demokratët e kanë përjashtuar. Ku do të duhej të kremtohej si fe . . .
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Kosova ka një rëndësi të jashtëzakonshme historike në kuadër të historisë shqiptare, duke qenë një nga qendrat kryesore të identitetit kombëtar shqiptar dh . . .
Sot, me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit e atdhetarit njëherit profesor Ibrahim KADRIU, nga Presheva, që një jetë ia kushtoi arsimit.
Profesor Ibr . . .
Procesi zgjedhor dhe numërimi i votave, tashmë, ka mbaruar. Fushata ka qenë korrekte, por me shkelje ligjore në kohëzgjatje prej tre muajsh! Kjo anomali nuk duhej lejuar nga KQZ, . . .
Pas gjendjes së krijuar kohëve të fundit me tenderin e NP ‘Të Mirat Detare ‘ lidhur me plazhet në Ulqin, mendoj se ia vlen të bëhet një analizë e shkurtë asaj se cili është burimi i t . . .
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllazëri. Një unitet gjithëkombëtar të pathyeshë . . .
Fillimisht, shpreh keqardhje për përfoljet, lidhur me tjetërsimit të votave nga njëri subjekt, tek tjetri apo brenda të njëjtit subjekt. Kemi mirëpritur vendimin e KQZ se numëri . . .
Frank Shkreli: Me kalimin në amshim të Ahmet Qeriqit, Kosova dhe mbarë Kombi shqiptar ka mbetur pa punëtorin e pa pritueshëm të çështjes kombëtare —
E nderuara familje e Ahmet Qeriqit . . .
Edhe një mi, kur detyrohet të përballet me një mur betoni me një strukturë çeliku, është në gjendje të kafshojë vetëm për të shpëtuar veten.
***
E gjithë lëvizja e tij (“patriotike”) id . . .
Mbreti i pakurorëzuar, Hashim Thaçi, me partinë-bandë të tij, nuk e duroi qeverisjen e suksesshme të kryeministrit Isa Mustafa. Për ta rrezuar atë, ndërseu OVL të UÇK-së, për t . . .
Mendimi ndryshe
është forma më e lartë e patriotizmit.
Tomas Xhefferson (Thomas Jefferson – 1743-1826)
Servilizmi, si një dukuri e zakonshme në marrëdhëniet ndërnjerëzore, bëhet i rre . . .
Admiruesit e mjekut të dëgjuar të Hasit, me të drejtë janë të shqetësuar se dikush nuk dashka që Shkëlzen Ibra të jetë kandidat për deputet i zonës për në zgjedhjet parlamentare . . .
Komentet