“Hëna loz me mua” titullohet libri me poezi i kohëve të fundit i poetit të njohur Delo Isufi, ish-kolonel i aviacionit dhe ish-pilot i avionëve supersonikë, sot me profesion avokat. Botues i librit është shtëpia botuese ADA, recensent, poeti Sadik Bejko, kurse kopertina nga piktorja indiane, Rajashree Mohapatra.
Ky libër vjen pas vëllimeve të mëparshme poetike: “Magjia e syve” (1998), ”Lulet e zemrës” (2003), ”Kur lahet hëna” (2006), ”Ëndërr e grisur” (2012), ”Tavolinë e rezervuar” (2016), ”Vajza e manaferrave” (2019) , ”Eh, kjo muza!” (2023); pas novelës “Ndiej tek ikën” (2008) dhe pas librit “Poezi indiane” – shqipërime (2021). Shohim se janë një numër i konsiderueshëm vëllimesh,
veçanërisht poetike, që na e prezantojnë Delo Isufin si një poet të përkushtuar, për të cilin mund të themi se është “binjakë” me poezinë së cilës i kushtohet çdo çast e çdo ditë, duke shkruar pareshtur dhe duke shpalosur në vargje poetike rrahjet e zemrës së tij të bukur.
Poeti i thur himne jetës, teksa godet me sarkazëm ligësitë dhe shëmtitë e botës
Vëllimi poetik “Hëna loz me mua” përmban poezi që shprehin ndjenja të holla dashurie dhe humanizmi, mesazhe paqeje dhe mirësie, por edhe problematika social-ekonomike që shkaktojnë tek njerëzit vështirësi jetese dhe ekonomike. Deloja është realist, është i vërtetë, sepse edhe vet ka provuar në jetë detyra të vështira e me përgjegjësi, ndërkohë që si poet i thur jetës himne poetike, teksa me një sarkazëm të mprehtë godet artistikisht ligësitë dhe shëmtitë e kësaj bote: luftërat dhe krimet që shkatërrojnë jetën e popujve apo vende të ndryshme të planetit. Ai vë në qendër të kudhrës së tij goditëse mendësitë e konflikteve dhe të luftërave, godet dhe demaskon artistikisht shkaktarët që i nxitin ato dhe që përhapin panik e pasiguri në pjesë të ndryshme të globit. Deloja shprehet në mënyrë figurative që, në vend të armëve të fuqishme luftarake që sjellin vdekjen, të mbjellim virusin e jetës, virusin e dashurisë. Ai shkruan: “ Në botën tonë të madhe e të vogël,/Ku vdekja sillet rrotull si një hije,/T`i zhdukim bomba, raketa, helme,/Të mbjellim kudo virus dashurie.”
Spikat në këtë vëllim dashuria për atdheun dhe vendlindjen
Dashurinë për atdheun e vendlindjen, si dhe ndjenjat e tij kombëtare poeti i shpreh në mënyrë figurative edhe te poezia “E pyeta për emrin”. Këtu në Shqipëri, e veçanërisht në Kosovë, që është pjesë e trupit tonë kombëtar, familjet shqiptare atje, për të ruajtur gjithnjë të paprekur dhe të pacenuar dashurinë për kombin, kurdoherë u kanë vënë dhe u vënë fëmijëve emra qytetesh, krahinash, emra historikë, gjeografikë, natyrorë etj., që i lidhin fëmijët qysh në lindje me atdheun dhe me emrin shqiptar. Kështu, shumë emra banorësh në Kosovë mbajnë emra të qyteteve shqiptare, të maleve, deteve, lumenjve dhe krahinave të Shqipërisë. Ne dëgjojmë shpeshherë emrat: Ilir, Teuta, Agron, Taulant, Gent, Bardhyl, Dardan, Pirro, Bato, Gjergj, Alban, Albana,
Shqiptar, Shqipe; Vlora, Saranda, Elbasan, Berat, Shkodran, Dibran, Dukagjin, Labinot, Lura; Drini, Vjosa, Shkumbin; Korab, Tomor, Shkëlzen; Rozafa, Argjiro, Amantia, Antigona, Butrint…Janë të panumërt emra të tillë. Poeti ka takuar një vajzë nga Kosova me emrin “Vlora”, të cilën ai e përshkruan dhe e përafron nga bukuria me qytetin e tij të lindjes, Vlorën, e cila ka qenë dhe është e bukur, jo vetëm nga ana natyrore dhe peizazhet magjepsëse, por edhe sepse emri i saj zgjon përherë ndjenja të thella respekti dhe dashurie për historinë, lirinë, pavarësinë, figurat historike kombëtare. Ja se si e përshkruan poeti ynë momentin e njohjes me këtë vajzë: ”Bukuria e saj më çoroditi,/Më hutoi me vështrimin e parë,/Si zog nga qielli pranë meje zbriti,/Si një lule e bukur nga vesa larë./ E pyeta për emrin:-Vlora,- më tha,/Ish po aq e bukur sa Vlora ime,/Buzëqeshjen e dëlirë tek unë e la..”.
Por poeti Delo, do shumë edhe fshatin e tij Brataj, i cili është një fshat me histori, me njerëz të mençur, luftëtarë, por dhe krijues e poetë të mirënjohur në Shqipëri, siç janë Selim Hasani, Mato
Hasani, Xhebro Gjika dhe shumë poetë e rapsodë të tjerë, sikurse këngëtarë, valltarë, folkloristë, por dhe shumë luftëtarë që kanë dhënë jetën në luftërat për liri e pavarësi….Ja sesi i këndon Deloja fshatit të tij Brataj te poezia “Vendi im”: “Atje ku lumi del nga shtrati,/Dhe përplaset në çdo kthesë,/Atje ku trim është i tërë fshati,/Atje u linda në një përdhesë.”
Kurse në strofën e fundit të kësaj poezia, duke u ndjerë krenar me fshatin dhe historinë e tij, poeti shkruan: ”Ky është fshati im i lindjes,/Fshati më i bukur në botë,/Fshati i pushkës dhe i dijes,/ Fshati që ka bërë epokë.”
Poeti mban jetën të rinuar me vargjet për dashurinë
Jeta vjen vetëm një herë dhe asgjë nuk kthehet prapa, me përjashtim të kujtimeve, që shpeshherë ndodh që na kalojnë për duarsh, teksa në jetë ndodh që ato mbeten edhe si pengje. Te poezitë e Delos, këto pengje janë më shumë të natyrës së dashurisë, ato feksin me dritë dhe me fuqi magnetike, kurse në kujtesën e poetit ato shfaqen me vargje me bukuri mbresëlënëse. Te poezia
“Pse ngurrova?!”, ai shkruan: ”Veten shpesh herë e qortoj,/Ashtu më qorton edhe ajo mua,/Njoha një vajzë kurrë s`e harroj,/Pse ngurrova t`i thosha: “Të dua?!/Ajo kishte një botë të veçantë,/Të qëndisur me nur perëndie,/Zoti atë e kishte sjellë nga lart,/Si ëndërr magjepsëse dashurie.” Te poezia “Mos…”, poeti shprehet se ndjenjat e sinqerta dashurore nuk shuhen asnjëherë, madje ato edhe në moshë të tretë e ruajnë të zjarrtë prushin, aty ai është ende i ndezur, mjaft që të zbulohet pakëz hiri. Autori shkruan: “Mua më pëlqejnë thinjat,/Rrudhat që kam në ballë,/Katër stinët janë të miat,/Jam det me dallgë e valë.”
Edhe te poezia “Roman dashurie”, poeti prek ndjenja të vërteta dashurore, si dhe kujtime nisur nga sende të thjeshta në dukje, letra apo dhurata “të vogla”, që janë të shtrenjta për njeriun dhe kësisoj nuk e humbasin kurrë shkëlqimin. Ato përbëjnë “arkivin” e jetës sepse zgjojnë kujtime dhe bëhen frymëzim krijimtarie: ”Në sirtar sa gjëra kyçim,/Letra dhe foto harruar,/Dhuratat aty i ndryshkim,/Por në mendje rrinë zgjuar.“
“Sekreti” poetik i Delo Isufit
Delo Isufi i ka kushtuar disa poezi ish-bashkëshortes së tij, Emirës, e cila fatkeqësisht u nda shpejt nga jeta, duke i krijuar atij një boshllëk të pazëvendësueshëm. Unë, duke qenë redaktor i thuajse të gjithë librave të këtij autori, më ka shkuar herë-herë mendja se, ish-bashkëshortja e Delos, Emira, ka qenë dhe është edhe sot frymëzimi i poezive të tij, me shpirtin e saj dhe me dashurinë e pashuar. Them se te kjo dashuri e pashuar gjendet edhe sekreti poetik i Delo Isufit. Emira ka qenë dikur, por dhe mbetet edhe sot me kujtimet e saj, frymëzuesja e poezive të tij.
Krahas poezisë “Unë, Emira dhe zogjtë”, të botuar te vëllimi ”Lulet e zemrës”(2003), një nga më të bukurat e atij vëllimi dhe e recituar mjeshtërisht nga artisti i madh i skenës, Reshat Arbana, edhe në këtë vëllim Deloja shkruan përsëri për Emirën e tij të shtrenjtë, shkruan një tjetër poezi, po aq mbresëlënëse, të bukur e të ndjerë të titulluar “Nuses sime”. Ia dedikon Emirës në 20 – vjetorin e ndarjes së saj nga jeta: ”Si kaluan kaq shumë vite,/Dhe unë vetëm, jam pa ty,/ S`e harroj ditën që më ike ,/Krishtlindja kullonte shi…/ Dhe vitet rrodhën lumë,/Njëzet vite s`janë pak,/Se të desha aq shumë,/Në ëndërr vjen çdo natë./E di, të ka marrë malli,/Mua do të më kesh pranë,/Lule do të sjellë tek varri,/Se të dua, të kam xhan./Si kaluan kaq vite,/Dhe unë vetëm, jam pa ty,/S`e harroj ditën që më ike,/Krishtlindja mbytur me shi.”
Sa të dashura janë gjyshet për mbesat dhe nipërit!
Me ngjyrime poetike ylberiane, Deloja pasqyron në vargje edhe vlera të njerëzve të njohur, e veçanërisht të më të dashurve të tij, të cilët i përshkruan me shumë ngrohtësi e dashuri. Krahas nënës dhe babait, motrave dhe vëllezërve, në vargjet poetikë të Delo Isufit shfaqet si e perëndishme gjyshja e tij, të cilën në poezinë “Gjyshja ime”, e përshkruan: “Me çitjane ish gjyshja ime,/Gruaja më e bukur në fshat,/Dallohej në valle e kërcime,/Dhe për prashitjen me shat./S` ishte as e gjatë, as e shkurtër,/Dy gërsheta i derdheshin pas,/Belin e hollë e gushën e bukur,/Vishej me mëndafsh e atllas./Na rrëfente përralla dashurie,/me atë zërin e ëmbël të qetë,/Tregimet asaj i kishin hije,/Ish grua gjithë nur dhe lezet.”
Po aq e ndjerë është dhe poezia që poeti ia ka kushtuar motrës së tij të dashur, për të cilën shpreh ndjenja të bukura të shpirtit dhe të zemrës. Te poezia “Motrës sime, Miro”, ai shkruan:
“Fjala jote më shëron,/Më thua “shpirti i motrës”,/Kur më thua e përqafon,/I pushtoj malet e botës.”
Poezitë e dashurisë, mbeten tema e parë edhe te ky vëllim
Mund të themi se poezitë e dashurisë, si edhe në këtë vëllim, mbeten kurdoherë tema e parë për poetin. Te poezia “Më thonë”, ai shkruan:”Të moshuarit pse e thonë,/Dashuro ti sa je gjallë,/Se njeriu kur dashuron,/E ka zemrën flak e zjarr.” Kurse në një poezi tjetër, ai shkruan : ”Do thonë mosha i kish hije,/Shkruante vargje dashurie”.
Ndjeshmërinë e ëmbël të dashurisë, Delo Isufi e shpreh edhe te poezitë: “Komshija”, ”Kënga jonë”, ”Ngjyeje penën me mjaltë”, ”Pse ky dimër”, ”Xhelozia”, ”Buzëpetalet”, ”Nuk e di” etj.
Poeti që ka sjellë në Shqipëri shpirtin poetik indian
Delo Isufi është poeti shqiptar që ka shkuar dy herë në Indi i ftuar nga shoqata dhe institucione shkrimore-letrare indiane. Atje ai ka paraqitur me dinjitet poezitë e tij, shqip dhe anglisht, ndërkohë që ka dhe meritën se është poeti e përkthyesi që na ka sjellë në Shqipëri një libër të plotë me shqipërime të titulluar “Poezi indiane”, duke na dhënë mundësinë ne lexuesve shqiptarë të
njohim më gjerësisht Indinë dhe shumë prej poetëve të saj. Ai shkruan me shumë respekt dhe dashuri për popullin indian, për poetët dhe poeteshat e bukura dhe të fisme, njëherazi ai shpreh edhe shpirtin e tyre poetik. Në këtë vëllim Deloja ka botuar edhe një poezi të titulluar “Indianka valltare”. Strofat e poezisë dhe vargjet e saj kanë ritëm dhe melodi, teksa përshkruajnë shpirtin,
elegancën dhe aftësitë e kërcimtares, që paraqitet me bukuri të rrallë shpirtërore dhe fizike: ”Sari që kish hedhur,/Mbi trupin e bukur,/Mbi shtatin e derdhur,/Me mes të këputur./Indianka e bukur,/Me pikë në ballë,/Herë dukej flutur,/Herë dukej ngjalë.”/…Eh, këto indianet,/Synë sa një filxhan,/edhe shpirt` i vdekur,/Këtu gjen derman.”
Kur lexon vëllimet e Delo Isufit të mbetet peng nëse ke lënë një poezi pa lexuar, pasi tek të gjitha poezitë ai kumton ndjenja, dëshira të mira, paqe, mirësi dhe mbi të gjitha dashuri. Vargjet poetike të Delos janë të thjeshta, por kanë ritëm dhe figuracion, melodi, emocion, shprehin fjalë dhe mendime shpirti dhe zemre, ato vijnë ëmbël e tingëllojnë bukur, të vjen t`i recitosh, dëshiron që ato të kompozohen edhe këngë…
Urime poetit tonë, Delo Isufi!
Delo Isufi dhe Viron Kona