Në librin “Tavolinë e rezervuar”
Poeti Delo Isufi ka botuar disa libra me poezi, por unë sapo lexova këtë të fundit, “Tavolina e rezervuar”. Shumkush kur gjykon dhe vlerëson një libër gjen forma më të goditura artistike për të shprehur pëlqimin. Edhe unë bashkohem me të shumtët, duke thënë se këtë libër po e mbaj në xhep, që herë pas here dhe vend pa vend, të rilexoj poezitë plot prrush e mall, që më bëjnë të ndjehem edhe një herë i ri dhe të mendoj siç jam, një thinjosh i moshuar, duke mërmëritur fjalët e Bajronit. “Unë jam hi, aty ku dikur isha zjarr”.
Lexoni këto vargje të nxehta! Më gjykoni dhe do të bindeni se kam të drejtë:
Tek kalonte, prushej rëra,
Qielli skuqej merrte flakë.
Ajo i shuante të tëra
Dhe pastaj i ndizte prapë.
Duke vazhduar më tej me vargjet që të zhurrisin trup e shpirt:
…..Deti digjej merrte zjarr
Rretë në qiell hidhnin valle…. Dhe diku më poshtë:
……
Kur kalonte tundej toka.
Vështrimin hidhte me kujdes
Qielli binte copa-copa.
Perëndeshë në at’ujdhes.
Më duhet të them se Timo Mërkuri, për të tilla vargje plot zjarr për dashuri, që i shkojnë përshtat Delo Isifit, ka shkruar diku: “Këputni petalet një nga një, domethënë lexoni poezitë, s’ka rëndësi nga do ta filloni. Të gjitha kanë aromë dashurie”. Kam përshtypjen, mbase kështu si unë që e nisa edhe shpejt e bitisa, do të veproni edhe ju, sepse libri s’ më shqitet nga dora edhe kur dal e pi kafe me shokët, herë-herë edhe kur kotem nëpër shtëpi, apo duke u ngrohur pranë zjarrit. Do të bindeni se çdo fletë apo varg, shuan një det e ndez një zjarr. Diku-diku edhe ju do të ndizeni, mbase do të dridheni nga malli i dashurisë së pashuar, apo prushit të patrazuar, për mollën e pakëputur, apo buzën e paputhur.
Pranë zjarrit unë shkrep urët,
Prushi vatrën seç e skuq
…..
Endem larg në kujtime,
kur ishim të dy të rinj…..
Pyes veten, ju pyes edhe ju lexues, më pas edhe poetin: pse i thotë këto vargje të tjeshta, plot ndjenjë, magji e lëng jete? A nuk të bëjnë të mendohesh, të trishtohesh dhe shpesh të kujtohesh, për fjalën e mekur në merakun e patretur, për shkëndiat që shpërthyen në rini e ndezin zjarr në pleqëri:
Mos e mos, vetëm mos.
Unë heshta, vetëm heshta
……
Vitet ikin dhe ajo mbeti
Nëpër vargje nëpër reshta.
Kur lexon vargjet të tilla plot frymëzim, s’besoj se mbetet kush pa u dalldisur nëpër valët e ngrohta në detin e dashurisë dhe fluturimin e fantazisë:
“Sytë e saj përpinin dete,
Vështrimi i thellë pakufi.
Si ëndërr e bukur vjeshte,
Ajo ish një mrekulli.
…….
Buzët e saj si petale,
Gjithë vesë e freski……”
Në vargjet e Delo Isufit, ku fund e krye janë plot dshuri, gjejmë edhe copëza jete, ku ka vend edhe për t’ u brengosur e zemëruar, por edhe për keqardhje e pendesë, diku edhe shumë filozofi, si te poezia “Pakt me vdekjen”, ku magjishëm thuhet:
Kam një merak,
Që e pers kaq vjet.
Kam një mike larg,
Dheu nuk më tret
Dua ta takoj,
Sa ta puth një herë,
Pastaj të premtoj,
do vij vetë në ferr….
Dikush psherëtin nga dashuria, diku nëpër vite mbetur, mbase e paprovuar e etur, diku e këputur pa u bërë flutur, herë zemërcoptuar me mall të pashuar, ngulur si gozhdë e gozhduar. Të tjerët, që janë në moshën e rinisë, nga pësimi mund të nxjerrin mësim, pasi koha shkon e nuk kthehet më dhe pendesa s’hyn në punë e s’ka vlerë, sepse dashuria s’ është letër për t’u grisur, as humnerë për t’u gremisur, është mal e gur thepisur, vazo lulesh për t’u ujdisur dhe gjergjef për t’u qëndisur:
“Të rinj ishim ne, at’mot
Kur u grindëm për hiç gjë.
Ajo e sertë, unë kokëfort
Dhe u ndamë përgjithnjë.
Dashurinë e varrosëm
Pa i shkruar asnjë llaf
…….
Një ditë kalova nga varri,
Dashuria ç’bënte vallë?!
Ajo tha: “Ju keni vdekur,
Ndërsa unë jam e gjallë”.
Diku në librin “Po thahet shpirti”, Shpendi Topollaj shkruan: “Kanë dashuruar mbretër e perandorë, dhe po me atë fuqi shpirti kanë dashuruar edhe sherbëtorët dhe ushtarët, edhe minatorët, edhe bujqit e blegtorët”. Këto fjalë të vjetra sa vetë jeta, thuhen edhe për poetin, sepse ai është një mrekulli që e dallon nga të tjerët, nga që nuk i fshihet dhe nuk e fsheh dashurinë, na mëson e na nxit ta dashurojmë dashurinë. Ai frymon e këndon, si bilbili të tjerët zgjon, mbledh, shijon dhe shpërndan nektar e mjaltë dashurie. Kështu bën edhe Delo Isufi, që besoj se në çdo varg e poezi, diku e shtruar, shpesh e trazuar, ka vulë, guxim, vrull e përvojë jete.
Nuk e di, a u plak i mësuar, apo mbeti djalosh i pashtruar!? E bëj këtë pyetje sepse, poeti vuan dy herë, për vete dhe për ne, dashuron dy herë, për vete dhe bashkë me ne. Besoj se e vini re dhe e dini mirë, se shumica nga ne shuhet pa u ndjerë, ndërsa poeti mes nesh këndon përherë. Ç’ fat i madh për ta!? E lakmojmë të gjithë, por këtë thesar e gëzojnë veç krijuesit.
Kur e mbyllim edhe faqen e fundit të librit, nëse pyesim veten: Cila poezi është më e pëlqyer? Unë pa u menduar do të thosha, se më e bukura besoj, është “Tavolina e rezervuar”, nga e ka marrë titullin vetë libri. Është si këngë mallëngjimi, sinfoni nota trishtimi, shpirt e zemër e zhuritur, jetë e shkoqur e ronitur, e këputur s’dihet pse, endet moteve përmbi re, për të shkuar te perëndia, aty ku prehet dashuria. Ja disa vargje, që të bëjnë të rënqethesh e të mbetshe i mbërthyer me libër në dorë, duke hapur shtegun e mendimit dhe frymëzimit njerëzor. E duroni dot trishtimin pa u dridhur për një çast, kur lexon këto vargje:
“Gëzuar! – I tha gotës tjetër.
– Sot ti mbushe shtatëdhjet.
Unë kafen pi i vetëm,
Vetëm fare tridhjet vjet”.
Çudi si është jeta!? Askush nuk e di si vjen e shkreta, pasi s’është veç me lule, shpesh ka edhe të përpjeta! Vetëm dashuria mbetet e na lëshon e fundit.
Duke lexuar këtë libër të bukur, i jap të drejtë Volterit, kur shkruan: “Poezia është e nevojshme për njeriun. Ai që nuk dashuron poezinë ka një shpirt të zbrazët, sepse vargjet janë muzika e shpirtit”.
Fjalët më të mira për poetin Delo Isufi, mikun e të dashuruarve, që nuk reshtet së kënduari edhe tani në pleqëri.
Urime! Shëndet, jetë të gjatë dhe krijimtari me poezi të bukura!
Kadri Tarelli
Durrës më: 18. 12. 2016.
Komentet