Maxhoranca dhe opozita miratuan dje në Komisionin e posaçëm Parlamentar për Dekriminalizimin projektligjin që do të ndalojë zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve publikë, që kanë kryer një vepër penale të përfshirë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Drafti përcakton se nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë, kryetarë bashkie apo këshilltarë në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e një krimi të parashikuar nga 76 nene të Kodit Penal, duke nisur që nga gjenocidi, vrasjet, plagosjet me dashje, trafiqet njerëzore dhe narkotike e deri te korrupsioni dhe manipulimi i zgjedhjeve.
Ndalohen gjithashtu edhe ata që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-ve, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga këto vende.
Ky ligj do të veprojë edhe ndaj personave që në kohën e kryerjes apo tentativës së kryerjes së krimit mbanin identitete të ndryshme nga ato që mbajnë në momentin kur zbatohet ndalimi ndaj tyre. Vetëdeklarimi do të jetë hapi i parë për zbatimin e këtij ligji. Personat që preken nga ky ligj, duhet të plotësojnë një formular ku të deklarojnë se nuk kanë kryer asnjë vepër penale të parashikuar nga ky ligj.
Nëse nuk e bëjnë këtë vetëdeklarim, ai do të konsiderohet si person që ka kryer një nga veprat penale dhe do të shkarkohet apo lirohet nga detyra, apo do t’i hiqet mandati. Deklarimi i të dhënave të rreme ose të shtrembëruara në formular përbën vepër penale. Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet pranë institucionit ku zyrtari ose i zgjedhuri kryen funksionet e tij.
Kërkesë për verifikimin e zyrtarit mund ta bëjë 1/10 e deputetëve të Kuvendit, por dhe eprori i funksionarit publik, ndërsa është Prokuroria e Përgjithshme që bën vlerësimin, duke u nisur nga gjurmët daktiloskopike të zyrtarit dhe me marrjen e informacioneve jashtë dhe brenda vendit.
Pas verifikimit se zyrtari ka qenë i dënuar më parë për vepra penale, atij i ndërpritet mandati i marrë, duke e përjashtuar nga funksionet publike në varësi të dënimit që ka kryer.

ARISTIR LUMEZI
Komentet