VOAL

VOAL

Dekriminalizimi prek dy deputetë dhe kryebashkiakun e Kavajës

December 20, 2016

Komentet

Si festohej Viti i Ri në Shqipërinë e varfër gjatë diktaturës nëpër lokale dhe ish-Bllok!

Viti i Ri ishte festa që e prisnin të gjithë. Në Shqipërinë e varfër të diktaturës, dukej sikur atë natë harroheshin të gjitha.

Nga festimet e Vitit të RI, në
“Hotel Dajti”, para viteve ‘90

Një kthim pas në kohë na sjell ndërmend mënyrën tradicionale të festimit në çdo shtëpi shqiptare.

Ritualet e vogla, festat nëpër lokale dhe hotelet më të famshme të kohës. Menyja, muzika dhe çmimet. Ku festonin banorët e ish-Bllokut.

PUNË, DEZHURN E FUTBOLL

2

Shiritat shumëngjyrëshe prej letre, lodrat prej kauçuku, aroma e drurit të djegur që dilte nga tubi i sobave, përzier me atë të gjelit të detit të sapopjekur, janë kujtimet që na çojnë pas në kohë, në festimet e Vitit të Ri gjatë viteve të diktaturës.

Atmosferë fundvitesh në Tiranën e para viteve ‘90
Atmosferë fundvitesh në Tiranën e para viteve ‘90

Sot, mund të duket një festë rutinë. Mund të festosh kur të duash e çfarë të duash, por asokohe, kjo ishte e vetmja festë që nuk lidhej me partinë dhe arsyet pse ishte e shumëpritur, ishin të shumta.

Ndalimi i fesë në Shqipëri i kufizoi festat e fundvitit thjesht dhe vetëm te nata e ndërrimit të viteve, apo Viti i Ri.

Krishtlindja nuk festohej më, kështu që gjithë vëmendja ishte përqendruar në datën 31 dhjetor. Barra më e rëndë u binte amvisave, të cilave, përveçse u duhej të punonin edhe në datën 31, duhet t’i hynin gatimit për në darkë.

Dhe për to dukej se nuk kishte festë, vetëm një turravrap nëpër kuzhinë. Në ditët e fundit të vitit, një pritje e madhe organizohej në Pallatin e Brigadave nga Enver Hoxha me pionierët e dalluar, ndërsa Dita e Krishtlindjes, nuk festohej më pas ’67-ës, kur feja u ndalua. Familjet e besimeve katolike dhe ortodokse e festonin në fshehtësi, pa zhurmë e bujë, vetëm në rrethe të ngushta midis tyre.

Ndërkohë, ishte punuar një të diel më parë, që kjo të zëvendësonte datën 2 janar, që ishte pushim dhe më 3, të gjithë i riktheheshin punës. Jepeshin shpërblime të vogla financiare për të dalluarit, ndërsa natën e Vitit të Ri, si dhe datat 1 e 2 janar në ndërmarrje, dikastere bëhej dezhurn çdo dy orë nga punonjës, që alternoheshin sipas një grafiku të bërë nga drejtoria. Nuk bënin dezhurn gratë e vajzat.

E veçanta e 31 dhjetorit ishte ndeshja e futbollit që zhvillohej në fushën e Pallatit të Pionierëve të tejmbushur nga njerëzit. U kthye në një traditë tërheqëse, në të cilën luanin edhe futbollistët më të njohur, të tre klubeve të kryeqytetit.

Madje, takimi ndiqej edhe nga jashtë rrethimit përtej Lanës, pasi nuk kishte hapësirë për të qenë brenda territorit të vogël. Gjatë ditës së 31 dhjetorit, qyteti gumëzhinte dhe dyqanet kishin aktivitet deri në çastin e fundit dhe njerëzit që vraponin për të marrë gjërat që i mungonin.

E gjithë kjo deri në orët e para të mbrëmjes, pastaj të gjithë në shtëpi dhe qyteti pushtohej nga një heshtje totale, dhe vetëm ndriçimi ishte ai që i jepte jetë, pasi gjithçka dukej si në gjumë. Për t’u gjallëruar sërish pas orës 12 të natës, kur mbushej me të rinj që mblidheshin në qendër të tij.

TVSH DHE “KONCERTI I MADH” PËR TË GJITHË

Televizorët e markave “Butrinti”, “Iliria” apo “Dajti” kanë qenë të vetmet mjete komunikuese që i ka shoqëruar shqiptarët natën e Vitit të Ri, si dhe ato në vazhdim. Të ulur në tavolina, dhe në pritje të orës 12 të natës, të gjithë ndiqnin “Koncertin e madh të Vitit të Ri” një program me këngë, valle e humor nga e gjithë Shqipëria që kishte përgatitur Televizioni Shqiptar, i cili fillonte pas Revistës Televizive të orës 20:00 dhe emisionit “Koha sot e nesër” nga i paharruari Petrit Leka e vazhdonte deri në orën 2 pas mesnate, për të vijuar me natën finale të Festivalit të Këngës në RTVSH – ritransmetim (ata që kishin kanoçet e famshme ndiqnin programet e kanaleve të huaja).

Nuk kishte fjalim përshëndetës nga udhëheqësi i shtetit në mesnatë. Të nesërmen, hapej kanali italian “Rai 1” vetëm për të ndjekur në orën 12 paradite Koncertin e Vjenës dhe në mbrëmje, sërish me TVSH-në në programin thuajse identik, si ai i një nate më parë, gjithçka brenda kornizës së lejuar. Jo në pak raste rrezikonte edhe ikja e dritave nga ngarkesa e madhe elektrike. Nata e fundvitit festohej në reparte ushtarake, konvikte etj. Natyrisht me televizor, radio, apo ndonjë magnetofon. Edhe në spitale, shtëpitë e fëmijëve jetimë, natyrisht me thjeshtësinë dhe modestinë e kohës që kishin këto institucione.

MENYJA E NJËJTË PËR TË GJITHË

Nata e Vitit të Ri ka qenë thuajse e njëjtë për të gjithë. Një pulë, ose gjel deti të marrë një muaj më parë e të ushqyer me ullinj në banjën e pallatit, apo oborrin e shtëpisë, majonezë dhe bakllava ose kadaif. Raki, nëse gjeje të Skraparit apo Përmeti, ishte kënaqësi, dhe verë të markës “Riesling”, “Tokai”, apo “Shesh i zi” ose “i bardhë”, “Merlot”, “Kallmet” të cilësisë së dytë që kushtonte 42 lekë, pasi kjo ishte më e lehtë për t’u gjetur. Cilësia e parë, si ajo “Pino Nero”, kishte tjetër destinacion.

Birra ishte me shishe e Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” Tiranë. Shumë të ngarkuar me punë ishin furrat. Çoje tavën dhe merrje një letër me numrin, që korrespondonte me një llamarinë metalike që furrtari e ngulte mbi pulë. Njerëzit merrnin bukë rezervë, pasi dyqani mbyllej për dy ditë. Përgatitja për natën e Vitit të Ri ishte tejet lodhëse për gratë, që gatuanin pa pushim gjatë gjithë ditës në kushtet e hapësirat e ngushta dhe aspak komode të apartamenteve të ngritura gjatë socializmit. Të privilegjuara ishin familjet që kishin siguruar limonë apo portokalle nga bregdeti, si diçka të rrallë për kohën. Në shumë raste kishte grupe të rinj, miq e shokë, që mblidheshin atë natë në shtëpinë e dikujt, për të dalë në shesh pas orës 12-të pas mesnate.

NJË FESTË NDRYSHE NË TIRANË

Tirana u ka dhënë gjithmonë tjetër ritëm pragfestave, sidomos momenteve para ndryshimit të viteve. Nata mes dy vitesh, për ata që e kujtojnë, sidomos mesvitet ’60-’70, ka qenë e veçantë. Pak çaste para se dy akrepat e sahatit të madh të bashkoheshin, qindra të rinj e të reja i gjeje në sheshin para Pallatit të Madh të Kulturës (ndërtuar në vitin 1964), duke festuar, imituar dhe kënduar këngë të njohura, kryesisht të huaja. Gjithçka spontane jo e organizuar, por e sajuar nga disa pasionantë, që banonin kryesisht në qendër të Tiranës, pasi zonat e tjera ishin pak larg dhe vështirë të vije kur mjetet e transportit në ato orë nuk kishte. Dikush vinte me pajton i veshur me kostum të zi, borsalina apo cilindra në kokë, duke imituar aktorët Zhan Mare apo Alen Delon, duke hipur te kolonat e duke uruar në frëngjisht Vitin e Ri, dikush tjetër këndonte këngë të famshme të kohës, ato të Xhoni Hollideit etj.

MODA E LOKALEVE

Në shtëpi apo në lokal, kjo ka qenë dilema e shqiptarëve për natën e ndërrimit të moteve. Preferenca për ta kaluar natën e Vitit të Ri në një vend publik me shoqëri, orkestër, muzikë e vallëzim, ka filluar para viteve ’50, për të vijuar në ato ’60, e më tej, sidomos në vitet ’80. Në shumë qytete të Shqipërisë, por veçanërisht në Tiranë, ka qenë ndryshe. Kryesisht festohej në Kursalin e famshëm në qendër, sallat gjigante të “Hotel Dajtit” apo në “Vollga” (Drini sot), të cilat, natën e Vitit të Ri mbusheshin me pushtetarë, zyrtarë të lartë, artistë e sportistë të njohur me familjet e tyre, por edhe me shumë të huaj, marinarë, studentë dhe kryesisht punonjësit e ambasadave, të cilët kanë kënduar e vallëzuar çdo lloj muzike deri në agim.

Po kështu, festohej edhe në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në selinë ngjitur me Teatrin Popullor, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Rrugën e Kavajës, ku argëtoheshin oficerët madhorë me familjet e tyre, pastaj në atë që është sot. Por edhe tek “Internacional”, apo “Donika”. Shumë i veçantë ka qenë “Vollga” apo “Adriatiku” në Durrës, ku vërshonin jo vetëm durrsakët, por edhe të huajt, kapitenë e marinarët e anijeve që i kishte zënë Viti i Ri në portin e Durrësit. Në Shkodër janë shfrytëzuar lokalet e njohura si “Kafja e Madhe”, “Turizmi i vjetër”, “Kafe Moska” apo “Adriatik”. Po kështu, edhe në qytete të tjera janë përdorur lokalet që kishin orkestër, që mund të gatuhej e me salla të mëdha.

15-KATËSHI DHE RIKTHIMI NË LOKAL ME MUZIKË E VALLËZIM TË KUFIZUAR

Ndonëse pati një frenim ky lloj argëtimi publik, sidomos në mesvitet ’70-’80, si pasojë e situatave të tensionuara politiko-ekonomike dhe jetës sociale të kufizuar, rikthimi te nata dëfryese e fundvitit në restorant erdhi natyrshëm nga dëshira për diçka më ndryshe nga ai i qëndrimit, gatimit në shtëpi ditën dhe natën e 31 dhjetorit. Ky ishte motivi që i shtyu shqiptarët të fillojnë të organizohen sërish në lokale në natën e fundit të vitit. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete te tjera……

Por që të kaloje këtë natë në një lokal, konsiderohej një privilegj i madh, pasi jo të gjithë i kishin mundësitë.. Për të siguruar një tavolinë për natën e Vitit të Ri, duhej të bëjë një prenotim familjar që në ditët e para të muajit dhjetor pranë administratës së hotelit. Frekuentohej kryesisht 15-katëshi, i sapondërtuar dhe i përuruar në vitin 1979. Të gjithë vraponin fillimisht aty. Nëse nuk arrije të prenotoje, duhej nxituar te lokalet e tjera si “Vollga” (Drini), “Arbana”, “Arbëria”, apo “Rinia”, ku nata e Vitit të Ri shoqërohej me muzikë të lehtë, vallëzim dhe argëtim brenda limiteve të kohës. Orkestra (kryesisht ishte ajo e tavernës së 15- katëshit, apo të tjera të përbëra me instrumente të njohura të kryeqytetit), e dinte mirë repertorin dhe nuk kalonte asnjë cak, gjithmonë në sintoni me çfarë lejohej në programin e kontrolluar më parë, por asnjëherë muzikë e këngë kushtuar Partisë. Tre kërcime, një pauzë, sërish tre kërcime… e kështu vijohej.

ÇMIMET

Mbrëmja festive fillonte në orën 21:00. Çmimi varionte nga 600 lekë personi dhe 1200 lekë çifti te 15-katëshi, për të zbritur në 450 lekë te të tjerat me një meny me të zakonshmet, antipasta, pastaj pulë ose pilaf me gjel, bërxollë me patate, një shishe verë, birrë ose raki dhe ëmbëlsira në fund. Cigarja pihej në pafundësi, nuk kishte këngëtarë, por mund të këndonin këngëtarë që ishin në lokal me familjet e tyre. Në orën 00:00 fikeshin dritat, përplaseshin gotat dhe një puthje në faqe, pastaj dalja jashtë për të parë fishekzjarrët. Më pas, organizoheshin edhe lojëra-lotari me prezantues aktorë të njohur si Vilson Gjoncaj, me të cilat fituesit merrnin një dhuratë nga organizatorët. Qëndrimi në restorant vazhdonte thuajse deri në orët e para të mëngjesit, pasi nuk kishte kufi apo limit kohe. Edhe në Shkodër te “Hotel Rozafa”, apo në plazh si tek “Adriatiku”, ashtu edhe te “Kruja”, “Butrinti”, ndodhte e njëjta gjë.

PRENOTIMI I PUSHIMEVE NË POSTË ORËN 12:00

Viti i Ri fillonte me vrapin në mesnatë për në Postën Qendrore, jo për të bërë një urim, por për të nisur telegramin urgjent për në hotelet e preferuara të plazhit, siç ishin “Kruja”, “Butrinti”, apo ato në Sarandë, Pogradec. Ky veprim ndër vite ishte kthyer në ankth për tiranasit dhe sapo akrepat kalonin 12 e një minutë, një pjesëtar i familjes, përfshirë edhe ata që ishin në lokal, duhet të sakrifikonte dhe me shpejtësi nisej për në postë, ku ndërkohë ishte drejtuar një fluks i madh njerëzish. Të gjithë për të bërë telegramin e famshëm dhe marrjen e mandatit që i siguronte një prenotim prej dhjetë ditësh në një nga dhoma e këtyre turizmeve.

VIZITAT DHE FATI QË SILLTE VIZITORI I PARË

Kush i ka jetuar ato kohë, pa dyshim që i kujton vizitat sfilitëse familjare që fillonin në mesditën e datës 1, për të vazhduar për disa ditë. Shumë rëndësi kishte njeriu u parë që futej në shtëpi. Ishte ai që do të “përcaktonte” fatin e atij viti. Shkohej te të afërm, komshi, miq… më këmbë ose me autobusët e rrallë të linjës së tejmbushur, pasi taksitë që kanë funksionuar deri në vitet ’70, nuk ishin më. Ka qenë një traditë që praktikoje në vite në gjithë Shqipërinë dhe që u shuan me ndërrimin e sistemeve.

“HOTEL DAJTI”, BALLO E MUZIKË PERËNDIMORE

Për shumë dekada “Hotel Dajti” ka shërbyer si i vetmi hotel qeveritar e diplomatik në Shqipëri. Por, edhe për të sistemuar personalitet e shquar botërorë të ardhur në Tiranë, skuadra të njohura perëndimore si RF Gjermane, Ajax, artistë të njohur etj., etj. Menjëherë pas lufte, ai është shfrytëzuar si rezidencë pune, banimi, madje aty janë martuar edhe Enver Hoxha e disa qeveritarë të lartë të kohës. Ai, bashkë me Pallatin e Brigadave janë përdorur për të festuar gjithçka, por veçanërisht mbrëmjen e madhe të fundvitit.

Duke qenë në qendër, “Dajti” ishte tejet i preferuar, pasi struktura e brendshme e tij me sallat gjigante luksoze, me hapësirë e lartësi e funksion të shkëlqyer (taverna poshtë, shumë e preferuar, nuk shërbente vetëm për natën e Vitit të Ri për shkak të përmasave të vogla), krijonte një mundësi të madhe dëfrimi për specialistët e huaj, fillimisht ata jugosllavë, ato të vendeve lindore të pranishëm në Shqipëri për ndërtimin veprave të 5-vjeçarëve, diplomatë, por edhe për shqiptarë.

Deri para prishjes me Lindjen, rreth viteve 61′ aty shkonin njerëz me para që e njihnin jetën nga prindërit e tyre, të cilët ishin shkolluar në perëndim, familje mjekësh, intelektualësh, sportistë të njohur, fëmijët e udhëheqësve të lartë, artistë etj. Mblidheshin në sallën e madhe e në hollin-sallon modern, që garantonte mbi 250 persona gjatë natës së Vitit të Ri. Aty gatuhej shumë mirë dhe ushqimi ishte cilësor.

ZONJA KARMON, GRUAJA MODERNE E BALLOVE

Ka qenë shumë elegante, e njohur jo vetëm si gruaja e Paskal Karmon, sekretarit të Parë të Ambasadës Franceze, por për veshjen moderne prej lëkure që përdorte. Po kështu, edhe vajzat e ambasadorit polak, që mbrëmjen e Vitit të Ri, shfaqeshin me minifunde klasike, duke qenë në qendër të vëmendjes. Protagoniste ishin gjithashtu edhe gratë, vajzat e zyrtarëve të ambasadave perëndimore, që u jepnin jetë ballove argëtuese që vazhdonte pas mesnate. Ky frekuentim i “Dajtit” vazhdoi për inerci pas viteve ’60, edhe për disa vite të tjera, thuajse deri në fillim të viteve ’70. Hyrja, frekuentimi në përgjithësi dhe në veçanti i natës së Vitit të Ri, ishte vetëm për të huaj dhe një elitë të kufizuar personash e familje të zgjedhuara. Ndryshimi ishte i dukshëm, jo muzikë moderne, por shqiptare dhe të huaj, kryesisht me këngët të kohës. Tashmë ka filluar survejimi i të huajve dhe shqiptarëve që preferonin “Hotel Dajtin”.

VITI I RI NË BLLOK

Viti i Ri në Bllok ka qenë i veçantë, kjo e lidhur edhe me kohën. Fillimisht, në periudhën pas lufte, e në vijim të viteve ’50 e ’60, festa e Vitit të Ri organizohej familjarisht nga të gjithë anëtarët e byrosë që mblidheshin në Odën e Pallatin e Brigadave, kështu quhej mjedisi në të cilin kalonin natën e ndryshimit.

Me kalimin e viteve, familjet filluan të preferojnë Shtëpinë Qendrore, ndërsa fëmijët të veçuar e festonin te “Vila 2” (sot pranë RTVSH-së), por edhe në shtëpinë e Enver Hoxhës, kur ai nuk ishte aty.

Pas viteve ’70, saktësisht pas 1973, kur filluan goditjet e grupeve në art, ushtri, ekonomi, u prishën miqësitë, lidhjet dhe preferencat, secila familje mblidhej në shtëpi, brenda Bllokut të kufizuar e ruajtur me ushtarë, pa shumë zhurmë kalonte Vitin e Ri.

Edhe për faktin se fëmijët e tyre të rritur ishin martuar e kishin fëmijë të vegjël, çka e kushtëzonte daljen, apo lëvizjen në mjedise publike.

Të nesërmen vijonin vizitat tradicionale. Një ndryshim në mentalitet u pa në fund të ’70, kur fëmijët e pak zyrtarëve të lartë filluan të shkojnë te “Hotel Dajti”, të ndaluar për shqiptarët, apo të dalin edhe jashtë shtetit për festat e fundvitit, diçka që nuk ishte bërë asnjëherë më parë.

Nga Uvil Zajmi 

Presidenti takim online me efektivët e FA, Begaj: Mirënjohje dhe urime për ushtarakët shqiptarë në misione ndërkombëtare

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH) që shërbejnë në misione dhe operacione jashtë vendit. Gjatë këtij komunikimi të veçantë, ai përcolli urimet për Vitin e Ri 2025 dhe vlerësoi kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.

Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin dhe profesionalizmin që efektivët shqiptarë tregojnë në misionet ndërkombëtare. “Ju jeni ambasadorët më të mirë të Shqipërisë dhe falë shërbimit tuaj, flamuri kombëtar valëvitet kudo me krenari përkrah flamujve të tjerë të NATO-s,” deklaroi Presidenti.

Efektivët shqiptarë janë aktualisht të angazhuar në disa rajone të botës, nga Kosova dhe Bosnja, deri në Sudanin e Jugut dhe Irak, duke dëshmuar angazhimin e vendit tonë ndaj paqes dhe sigurisë globale.

Presidenti theksoi rëndësinë e përmirësimit të kushteve për Forcat e Armatosura, duke nënvizuar se buxheti i mbrojtjes është rritur për vitin 2024. Ai shprehu bindjen se mbështetja për ushtarakët dhe familjet e tyre është një detyrim kombëtar.

Duke u ndalur tek agresioni rus ndaj Ukrainës, Presidenti Begaj vuri në dukje se ky konflikt ka ndryshuar tërësisht mjedisin e sigurisë. Ai theksoi nevojën për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kontributeve të Shqipërisë në NATO.

Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj uroi të gjithë ushtarakët dhe familjet e tyre për Vitin e Ri 2025. “Gëzuar dhe shëndet e të mira për secilin nga ju, për familjet tuaja, për kombin shqiptar!” tha ai, duke shprehur falënderimet e tij për shërbimin e tyre të palodhur.

Kjo nismë vjen si një dëshmi e vlerësimit të lartë të kontributit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare dhe të përkushtimit të institucioneve për përmirësimin e vazhdueshëm të mbështetjes për efektivët që shërbejnë larg vendit. bw

‘Shqipëria narko-diktaturë’/ Berisha pret deputeten e Forca Italia: Integrimi dhe projekti TAP, me rëndësi për të dy vendet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pritur ditën e sotme në selinë blu, Znj. Erica Mazzetti, Deputete e Forza Italia dhe Drejtuese e Departamentit të Punëve Publike, shoqëruar nga kordinatori i PD në Itali, Z. Bardhok Doda.

Në postimin e tij në Facebook, Berisha thekson se mes diskutimeve me deputeten e Forca Italia, ishte edhe rëndësia e projektit TAP në garantimin e sovranitetit energjetik të Italisë dhe të rolit që qeveria e djathtë e viteve 2005-2013 në Shqipëri, ka patur në mbylljen me sukses të kësaj nisme strategjike për të dy vendet.

Një tjetër pikë e diskutimeve ka qënë edhe rëndësia që ka integrimi europian për Shqipërinë dhe rolin tejet mbështetës që Italia dhe Forza Italia kanë luajtur ndër vite, në veçanti nën drejtimin e Kryeministrit Berluskoni.

Gjithashtu Berisha u shpreh se i ka rikonfirmuar Znj. Mazzetti se Partia Demokratike do të jetësojë një program qeverisës tejet ambicioz, si kurrë më parë, ku kryefjala do të jetë ekonomia, rritja e atraktivitetit për bizneset e huaja e ato italiane, mbështetja e tregtisë me jashtë dhe të një dialogu real me çdo biznes që krijon vënde pune e rrit mirëqënien.

Postimi i plotë:

Takim me deputeten italiane Zj. Erica Mazzetti

Sot pata kënaqësi të mirëprisja në takim Znj. Erica Mazzetti, Deputete e Forza Italia dhe Drejtuese e Departamentit të Punëve Publike, shoqëruar nga kordinatori i PD në Itali, Z. Bardhok Doda.

Me Znj. Mazzetti shkëmbyem mendime mbi rëndësinë e bashkëpunimit te gjithëanshëm mes dy vëndeve tona mike. Në drejtim të kësaj të fundit, me Znj. Mazzetti kujtuam rëndësinë e projektit TAP në garantimin e sovranitetit energjetik të Italisë dhe të rolit që qeveria e djathtë e viteve 2005-2013 ka patur në mbylljen me sukses të kësaj nisme strategjike për të dy vendet.

Kriza energjetike që po kalon mbarë kontinenti në vijim të konfliktit në Ukraine tregon qartazi që zgjedhja jonë për të mbështetur gazin e konsorciumit Shah Deniz, në vend të atij rus, ishte vendimi më i duhur.

Gjatë takimit shkëmbyem gjithashtu mendimin mbi rëndësinë që ka integrimi europian për Shqipërinë dhe rolin tejet mbështetës që Italia dhe Forza Italia kanë luajtur ndër vite, në veçanti nën drejtimin e Kryeministrit Berluskoni. Në këtë plan, lufta kundra krimit të organizuar shqiptar, rrezik real për Shqipërinë por edhe Italinë dhe rajonin mbeten prioritete të përbashkëta.

I rikonfirmova Znj. Mazzetti se Partia Demokratike do të jetësojë një program qeverisës tejet ambicioz, si kurrë më parë, ku kryefjala do të jetë ekonomia, rritja e atraktivitetit për bizneset e huaja e ato italiane, mbështetja e tregtisë me jashtë dhe të një dialogu real me çdo biznes që krijon vënde pune e rrit mirëqënien.

Bashkëpunimi mes dy forcave tona politike aleate mbetet një përparësi madhore për PD-në.

PD mbetet gjithmonë tejet vlerësuese ndaj lidhjes unike dhe historike që bashkon dy forcat tona politike dhe dy kombet tona, duke kujtuar se interesat kombëtare të bashkëpunimit Itali-Shqipëri shkojnë përtej axhendave politike të çastit dhe se do të bëjë gjithçka për ta nxjerrë vendin nga rrëshqitja në të vetmen narko-diktaturë në kontinentin Europian. sb

Kushtetuesja legjitimon përgjimet e ‘Sky Ecc’: Mund të përdoren si prova!

Gjykata Kushtetuese i konsideron të ligjshme, provat e marra nga transkriptet e bisedave në aplikacionin e koduar “Sky Ecc”.

‘Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës’, thuhet në vendim.

Me vendimarrjen e kësaj të hëne, Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e binzesmenit strategjik Pëllumb Gjoka, për pavlefshmëri të akteve.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit. Shfuqizimi I shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Berisha i përgjigjet Ramës: Vizitën e Trumpit në Tiranë e organizon ai që futi Shqipërinë në NATO

Kryetari i PD, Sali Berisha reagoi pas deklaratës së Edi Ramës se në vitin 2027 Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s në Tiranë. Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se mes liderve të pranishëm do të jetë edhe presidenti i SHBA, Donald Trump.

Por Berisha shprehet se do të jetë vetë ish-kryeministri ai që do të organizojë Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut pas 2 vitesh.

“Projeksionet janë jo vetëm të miat, por të mbarë aleancës, që në vitin 2027, samitin e organizon ai që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe jo ai që bëri protesta kundër NATO-s. Shumë evidente kjo”, ishte përgjigjja e Berishës.

Çfarë tha Rama? 

Kryeministri Edi Rama njoftoi nga konferenca e fundvitit me gazetarët se presidenti i ri i SHBA, Donald Trump do të vizitojë Shqipërinë në vitin 2027. Rama tha se vizita e Trump do të bëhet në kuadër të Samitit të NATO-s që do të zhvillojë punimet në Shqipëri.

“Akoma më e pamendueshme disa vite më parë është mikpritja në Tiranë e Samitit të NATO-s, në vitin 2027 ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti i SHBA. Kemi nisur punën bashkë me NATO-n. Një ekip vlerësimi për infrastrukturën ka ardhur në Tiranë dhe ka bërë vlerësim për Tiranën që do të ishin të pamundura nëse nuk do të kishim ndërtuar gjithçka që është ndërtuar këtë dekadë. Sot trajtohemi si të barabartë jo thjeshtë formalisht port me një respekt që nuk e kemi pasur kurrë më parë”.

(BalkanWeb)

Jimmy Carter vizitoi Shqipërinë në vitin 1993 me ftesë të Sali Berishës

Jimmy Carter, presidenti i 39 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një nga presidentët amerikanë, i angazhuar për sigurinë e shqiptarëve dhe Kosovës gjatë kohës së detyrës, por edhe pas saj.

Carter, është gjithashtu një nga presidentët e pakët amerikanë që ka vizituar Shqipërinë, edhe pse kjo pas dorëzimit të presidencës.

Shumë pak është e njohur për opinionin shqiptar, por Jimmy Carter ka vizituar Shqipërinë në shtator të vitit 1993, me ftesë të presidentit të kohës, Sali Berisha.

Lajmi u publikua gjerësisht në mediat ndërkombëtare për rëndësinë që kjo vizitë kishte për Kosovën dhe sigurinë e Ballkanit.

Gjatë vizitës, Carter dhe presidenti Sali Berisha zhvilluan edhe një konferencë për shtyp, ku kërkesa e bërë nga Berisha ishte mundësimi i prezencës së OKB-së dhe forcave të NATO-s në Kosovë.

“Ishte shumë e rëndësishme për komunitetin botëror të demonstronte forcë dhe të përdorte çdo mjet të mundshëm për të kufizuar dhunën në Bosnje”, citohet të ketë thënë Carter në fund të vizitës në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin shqiptar Sali Berisha në hotel ‘Tirana’.

Berisha tha gjatë konferencës së shtypit  se i kishte dërguar letra Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Boutros Boutros-Ghali, Komunitetit Evropian dhe të tjerëve, duke propozuar që Kosova të vihej nën mbrojtjen e OKB-së ose NATO-s, në mënyrë që të ndalonte përhapjen e konfliktit boshnjak në Kosovë.

Carter deklaroi se fondacioni ‘Carter’, një organizatë me bazë në SHBA që monitoronte përmbushjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, do të vëzhgonte situatën në Kosovë.

Carter u tha gazetarve amerikan se fondacioni i tij, së bashku me ish-presidentin  e Kosovës, Ibrahim Rugova, kishin analizuar problemin e Kosovës në janar, pra tetë muaj më parë se të shkonte për vizitë në Shqipëri. sn

S’ka nevojë për statistika- Prençi: Korrupsioni dhe krimi janë zhvilluar me hapa galopantë

Ish drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit Shemsi Prençi ka qenë i ftuar në emisionin e mëngjesit KAFE SHQETO në Syri tv. Ai ka komentuar gjendjen e rëndë të kriminalitetit në vend dhe arsyet e faktorët që ndikojnë në rritjen e tij, pa harruar edhe rritjen galopante të korrupsionit në të gjithë nivelet e qeverisjes.

Shmesi Prençi: Encrochat nuk ka filluar ende të japë efektet. Deri tani i ka dhënë SKY. Të gjithë çështjet që janë zbardhur deri në këto momente burojnë nga aplikacioni SKY dhe Encro dhe Matrix do të lulëzojnë në 2025 fuqishëm.

Mediat e pavarura dhe të pakapura janë ata që hedhin dritë më së shumti edhe përkundrejt heshtjes së institucioneve shtetërore. Viti 2024 për hir të së vërtetës duhet pranuar që institucionet shtetërore ligjzbatuese më së shumti i kanë ndihmuar aplikacionet Sky dhe Encro…. Në të kundërt institucionet shqiptare duhet të kishin dalë në pension, sepse ne nuk kemi parë një çështje që të fillojë kryesisht prokuroria, apo ta zbardhë policia pa patur këto burime që ne sapo përmendëm. Pra e thënë ndryshe, aplikacioni SKY encro…, dekriptimet e përdoruesve të tyre janë një thesar i madh për institucionet ligjzbatuese dhe kjo duhet pranuar. Po të futemi në rrugën e kriminalitetit, pastaj është për të ardhur keq që ne Shqipëri kanë lulëzuar krimi i organizuar në të gjithë format dhe krimi ndaj jetës së personave në formën e atentateve, ku mund të përmendim atentatet në Vlorë, në Shkodër e në disa qytete të tjera. Pra, çka do të thotë që forma e organizmit të krimit, qoftë e krimit të organizuar në pikëpamje të trafiqeve të lëndëve narkotike, qoftë edhe larja e hesapeve mes grupeve kriminale…. sn

Balliu: ‘Nesti Angoni, qartazi është Rama- Drejtësia e gjunjëzuar ndaj Veliajt! Me 4 akuza dhe lëviz i lirë…

Shefi organizimit në PD, Klevis Balliu u ndal te zhvillimet e fundit në lidhje me hetimet nga kryebashkiakut të Tiranës, duke theksuar se akuzat qëndrojnë mbi Veliajn dhe janë të faktuara ndaj tij.

I ftuar në një interviste në Ora Neës, Balliu shtoi se prokuroria i kërkon masat e arrestit në bazë të fuqisë që ka dikush për të ndërhyrë në hetimi dhe theksi se dihet edhe fuqia e Veliajt në sistemin e drejtësinë.

Balliu: Akuzat qëndrojnë mbi Veliajn dhe janë të faktuara ndaj tij. Por drejtësia është gjunjëzuar ndaj Veliaj, teksa ky njeri lejohet të lëvizë i lirë pa masë arresti duke dalë edhe jashtë vendit, ndryshe nga ajo që u veprua me Berishën apo me Metën. Kjo fakton se kjo drejtësia e re është kthyer në një pastrim kimik që do t’i heqë njollat apo do të shpëtojë Veliajn.

Prokuroria i kërkon masat e arrestit në bazë të fuqisë që ka dikush për të ndërhyrë në hetimi. Dihet edhe fuqia e tij në sistemin e drejtësinë, se ka punonjës të drejtësisë që janë edhe punonjës në shoqatat e gruas së tij. Kapitulli i SPAK-ut është edhe kapitullin i Veliajt. Rama është pronari i SPAK-ut në këtë rast. Kemi bërë shumë denoncime lidhur me Veliajn dhe i kemi bërë me emër dhe mbiemër. Na del nga hiçi Nesti Angoni dhe qartazi është Rama.

Gazetari: SPAK ka kërkuar dy herë masë sigurie për Veliajn, nuk e di cila telefonatë e zmbrapsi

Gazetari Basir Çollaku thotë se Prokuroria e Posaçme ka bërë dy herë kërkesë në Gjykatë për miratimin e një mase sigurie për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Por, sipas tij, në të dy rastet kërkesa nuk është miratuar.

“Prokuroria e Posaçme kishte dërguar kërkesë në Gjykatë për masë sigurie për zotin Veliaj para gati një muaji. Ishte hera e dytë që ata dërgonin kërkesë. Herën e parë nuk e di cila telefonatë e zmbrapsi. Dhe herën e dytë ende nuk ishte marrë vendim, u tërhoqën”, tha Çollaku i ftuar në “Off the Record” në A2 CNN.

“Pra këto kërkesa janë aty, janë të protokolluara. Se ç’ndodh atje nëpër korridore, politike, diplomatike, kjo mbetet për t’iu thënë rrugës. Por që ka një regjistrim të një procedimi penal në ngarkim të atij zotërie, në atë strukturë, ka. Dhe ajo nuk zhbëhet”.

Kryebashkiaku u mor në pyetje të enjten nga prokurorët e SPAK, ku qëndroi atje për më shumë se 5 orë. Më parë ishte marrë në pyetje për gati 8 orë në muajin prill.

Në një reagim për A2 CNN të premten, Prokuroria e Posaçme tha se ka të dhëna për akuza për 4 katër vepra penale, edhe pse nuk e përmendte me emër kryebashkiakun Veliaj.

Dyshimet e SPAK janë për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Më herët SPAK ushtroi kontrolle në shtëpinë e Veliajt, ndërkohë që ky i fundit nuk ndodhej në Shqipëri dhe sekuestroi celularin e gruas së tij, Ajola Xoxës. sn

“Do vijnë lajme nga Trumpi”, Gjekmarkaj: PD është e interesuar për një koalicion sa më të gjerë

Në emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa në News24, Agron Gjekmarkaj, nënkryetari demokrat i Kuvendit, tha se Shqipëria ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme.

Përsa i takon zgjedhjeve të 11 majit dhe nëse opozita duhet të dalë e bashkuar në këto zgjedhje, Gjekmarkaj tha se partitë e vogla duan të rriten duke kafshuar të mëdhenjtë.

“Nuk është i ndershëm sulmi kur thuhet që PD është njësh me PS-në, apo për të thënë se Sali Berisha dhe Edi Rama janë bashkë.
Partitë e vogla po përpiqen të kafshojnë ku të munden te elektorati i opozitës.

 

Shpresa për ndryshim është PD, po tentohet të ulet pesha elektorale e saj nga të vegjëlit”, tha Gjekmarkaj.

Ai tha se PD është e interesuar për një koalicion sa më të gjerë. “Mendoj se kemi raporte korrekte me secilin nga aleatët tanë, por për terma konkrete të bashkëpunimit, do të jetë kreu i PD-së, Sali Berisha që do të marrë vendimet, ka treguar se merr vendimet e duhura, dhe besoj se të tilla do të jenë edhe këto”, tha Gjekmarkaj.

Nënkryetari i PD-së tha se kjo forcë politike ka mbështetur hapur Presidentin e zgjedhur amerikan. Në këtë kontekst, Gjekmarkaj tha se shpresonte se do të vinin lajme për shqyrtimin e ‘non grata-s’ të dhënë nga administrata Blinken. Sipas Gjekmarkaj, ky vendim nuk ka bindur, dhe Sali Berisha duhet të marrë atë që i takon.

“Marco Rubio është shprehur kohë më parë kundër mënyrës se si janë dizenjuar disa lider konservatorë ‘non grata’. Shpresojmë që si Sekretar i Shtetit të rishihen këto vendime”, tha Gjekmarkaj. bw

SPAK reagon pas dëshmisë së Veliajt: Ja për çfarë po hetohet kryebashkiaku i Tiranës

Një ditë pas marrjes në pyetje për rreth 5 orë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, SPAK ka dhënë informacion zyrtar lidhur me hetimin që ka nisur ndaj Kryetarit të Bashkisë, si dhe për veprat penale.

SPAK në njoftimin zyrtar në lidhje me kallëzimin ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj nga ana e shtetasit A. N, bën të ditur se, mbi bazën e informacionit të referimit të veprës penale datë 08.02.2024, i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka regjistruar Procedimin Penal nr. 27/2024 ndaj tij.

Sipas SPAK, ky procedim fillimisht trajton veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, sipas nenit 260 të Kodit Penal.

Prokuroria vijon duke njoftuar se informacioni për referimin e veprës penale ka buruar nga një kallëzim i bërë nga një shtetas i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, kanë referuar informacionin përkatës, mbi bazën e të cilit është regjistruar procedimi penal.

Në deklaratën e SPAK thuhet më tej se deri në këtë fazë të hetimit paraprak, provat e grumbulluara kanë çuar në përfundimin se ekzistojnë të dhëna konkrete që lidhen jo vetëm me korrupsionin pasiv, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

(BalkanWeb)

‘Veliaj në SPAK’- Klodiana Lala zbulon për çfarë u pyet për 5 orë kryebashkiaku i Tiranës

Gazetarja Klodiana Lala, ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku tregoi për hetimet e SPAK-u ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes dhe rrethin tij të ngushtë.

Lala tha se nga verifikimi që ju bë Erion Veliaj, në daljet jashtë shtetit dhe pagesat me karta, po i ndihmojnë shumë prokurorët për hetimin pasuror të kryebashkiakut të Tiranës.

Ajo shtoi se disa transferta që Veliaj ka bërë në llogaritë e kompanive të Ajola Xoxës, janë të pajustifikuara sipas prokurorëve.

“SPAK ka regjistruar procedim penal nr 27 të vitit 2024 për veprën penale të korrupsionit pasiv mbi bazën e një kallëzimi, nuk e di kallëzuesin edhe pse kam dyshim të fortë. Ka dyshime që Veliaj dhe rrethi familjar kanë përfituar rryshfet nga individë dhe kompani që kanë lidhje me Bashkinë e Tiranës.

Ka patur hetim nga Prokuroria e Tiranës për biznesmenin Elman Abule, këtu është zanafilla. SPAK nga korrupsioni ka kaluar në sitë gjithë pasuritë e Veliajt dhe familjarëve. Ligji parashikon që çdo person që është duke u hetuar për korrupsion, automatikisht ndaj zyrtarit të lartë nis hetimi pasuror.  Çfarë ndodh? U kërkohen të dhëna gjithë institucioneve.

Shikohen lëvizjet, hyrje daljet, kartat që ka përdorur, etj. Në këtë kuadër prokurorët kanë krijuar dyshime të arsyeshme që Veliaj është përfshirë në këtë aferë dhe është thirrur për t’u marrë në pyetje.

Është pyetur për udhëtimet që ka bërë jashtë vendit, për disa biznesmenë që kanë qenë në të njëjtin avion. Është pyetur për disa leje ndërtimi për persona që rezultojnë me marrëdhënie pune me bashkëshorten. Është pyetur për karta që janë përdorur. Vjehrra e zotit Veliaj, ka një studio ligjore, e cila ëhtë kontrolluar me vendim gjykate dhe janë marrë dhjetëra fatura, që kanë dhënë konsulencë juridike.

Janë duke parë tenderat dhe aktivitetin e OJF, Harabelit, që e drejton Ajola Xoxa. Në bizneset e Ajola Xoxës është gjetur shumë e konsiderueshm parash. Si ka mundësi që një person deklarues, që duhet të informojë ILDKPI… Thelbi është që prokurorët kanë dyshime të arsyeshme.

Nga ana tjetër nuk mund të relativizojë faktin, që ky njeri që dyshohet se ka firmosur leje ndërtimi për kompani, që bëjnë transferte për OJF e bashkëshortes dhe pretendohet se kanë marrë konsulencë juridike. E njëjta gjë me kompaninë e të vëllait.

Denoncuesi nuk është i rëndësishëm. Mund të ketë edhe letër anonime, SPAK mund ta nisë hetimin edhe kryesisht. Veliaj po tenton të na fusë në kurth, duke u marrë me denoncuesin. Për mua rëndësi ka vetëm një, a qëndrojnë faktet që pretendojnë prokurorët. A ka përfituar Erion Veliaj para?

Ka dhjetëra transferta në llogaritë e kompanive të Ajola Xoxës, që sipas prokurorëve janë të pajustifikuara. Dyshohet po kështu se janë bërë fatura fiktive.

Ndërsa për 5D, është mbyllur hetimi për zyrtarët e Bashkisë dhe po vijon një hetim tjetër, pra historia për aferën 5D nuk ka përfituar.” tha ajo. sn


Send this to a friend