Në 15 raste Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar verifikim më anë të shenjave të gishtave për zyrtarët e nivelit të lartë apo të mesëm, të cilët janë subjekt i ligjit për dekriminalizimin.
Zyrtarisht nga organi i akuzës bëhet me dije se ky verifikim është kërkuar kryesisht në rastet e ndërrimit të emrave që nuk janë deklaruar nga zyrtarët, por nga informacione të tjera kanë rezultuar se janë të njëjtët persona.
Organi i akuzës konfirmon për “Ora News” se për nje pjesë të subjekteve përgjigjet kanë mberritur dhe ndaj tyre është vepruar. Ndërsa për pjesën tjetër hetuesit janë ende në pritje të konkluzioneve.
Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka në verifikim 570 zyrtarë nga të cilët 20 janë të nivelit të lartë, si deputetë apo të zgjedhur vendorë . Pjesa dërrmuesë janë përcjellë nga Departamenti i Administratës Publike duke qënë se kanë edhe numrin më të madh të subjekteve që vetëdeklarojnë në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.
Ndërsa pjesa tjetër ka ardhur nga institucione si KQZ, Presidenca, Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave.
Mësohet se deri tani është marrë vendim për 170 raste ndërsa të tjerat janë ende në fazë verifikimi, për rreth 40 raste është vendosur ndjekja penale pranë prokurorive të rretheve gjyqësore për veprën penale të “falsifikimit të formularëve”.
Vendimmarje është marrë për 50 raste ku u është ndaluar kryerja e funksioneve publike.
Komentet