Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në një ceremoni solemne të organizuar në ambientet e Presidencës vlerësoi inspektorin Ibrahim Basha (pas vdekjes), me Dekoratën e Artë të Shqiponjës me motivacionin:
“Për merita dhe shërbime të veçanta në luftë me grupe të strukturuar kriminale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike; për trimëri dhe kontribute të spikatura në operacionet luftarake në Afganistan dhe Irak, në mbrojtje të paqes dhe lirisë, në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar”.
Në ceremoni ishin të pranishëm familjarë, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, përfaqësues të pushtetit vendor, miq dhe kolegë të Inspektorit Basha.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani theksoi se: “si qytetar i këtij vendi, Ibrahimi është dhe miku im, i shumë qytetarëve shqiptarë që duan Shqipërinë, ata të cilët luftojnë çdo ditë për të bërë më të mirën në punën e tyre, për familjen dhe fëmijët e tyre dhe këtë e bëjnë me korrektesë, përkushtim dhe ndershmëri! Njerëz të tillë, siç ishte Ibrahimi, kur janë mes nesh sjellin energji, pozitivitet dhe shpresë, por kur ata largohen fizikisht nga ne lënë pas gjithmonë kujtimin e mirë të virtyteve njerëzore, të parimeve për të cilat ia vlen të përpiqesh në çdo sekondë të jetës.”

Komentet