Johnson, deklaroi se Asad mban përgjegjësinë për shumicën nga 400.000 të vrarët në pesë vitet e fundit në Siri
LONDËR – Sekretari i britanik i Punëve të Jashtme, Boris Johnson, deklaroi se presidenti i Sirisë, Bashar Al-Asad mban përgjegjësinë për shumicën nga 400.000 të vrarët në pesë vitet e fundit dhe se qytetarët e Sirisë nuk do të pranojnë që ai përsëri të jetë lideri i tyre.
Komentet e tij Johnson i bëri në një fjalim të mbajtur në institutin Chatham House në Londër në temë “Britania Globale: Politika e Jashtme e Britanisë së Madhe në kohën e Brexitit”.
Ai tha mes tjerash se vendi i tij do të vazhdojë me qasjen e ashpër ndaj Rusisë, për të shtuar se kjo nuk nënkupton ndërprerjen e dialogut dhe marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sekretari i Jashtëm britanik tha më tej se Britania e Madhe nuk do të injorojë rolin e Rusisë lidhur me çështjen e masakrave të cilat po bëhen në Halep.
“Nga këto arsye nuk mund të normalizojmë raportet me Rusinë. Kam thënë edhe më herët, nëse Rusia u jep fund bombardimeve në Halep dhe bind Asadin që të pajtohet për negociata për paqe dhe respekton marrëveshjen e Minskut, atëherë ajo mund të fitojë respektin e botës”, tha Johnson.
I pyetur nëse realisht mund të presim në të ardhmen një Siri pa Bashar al-Asadin, Johnson u përgjigj: “Pas masakrës që vazhdon prej pesë vitesh në Siri, Bashar al-Asadi është përgjegjës për shumicën e 400.000 të vrarëve në këtë vend. Ne besojmë se popullit të Sirisë nuk do t’i pëlqejë që sërish të udhëhiqet nga Asadi. Patjetër të bëjmë një përparim, Asadi duhet të mbetet tek e kaluara. E ardhmja e Sirisë duhet të jetë në një vend të vetëm, por unë nuk e shoh mundësinë që shteti të drejtohet nga Asadi”, tha Johnson.
Komentet