Ka patur një odise të gjatë negociatash me PD për reformën në drejtësi. Është realizuar progres i mirë për disa çështje, por vija e kuqe e SHBA dhe BE ka rezultuar e pakapërcyeshme për pretendimin e BE për të hequr nga projekti kushtetues, operacionin ndërkombëtar të monitorimit, dhe për të ndryshuar kornizën e këtij operacioni, që synon pastrimin e sistemit nga të korruptuar. Propozimi hibrid i paraqitur nga Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin parlamentar të 21 korrikut.
Unë e rikonfirmoj se deri në ora 10:00 të 21 korrikut, gatishmëria për të gjetur zgjidhje për këtë propozim, tashmë është e plotë. Ne 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë është shumë e qartë o të votojmë në emër të Shqipërisë, dhe njerëzve të këtij vendi, për të shpëtuar nga kthetrat e atyre që kanë marrë peng këtë vend, ose të veprojmë sipas frikës duke lejuar këtë pengmarrje shekullore. Ose të votojmë faqebardhë për të mundësuar çeljen e negociatave e të ulemi në tryezën e BE, ose ta votojmë për faqen e zezë kundër SHBA e BE e ta bëjmë Shqipërinë vendin që do damkoset se refuzoi reformën strategjike për pastrimin e drejtësisë nga plehrat e korrupsionit.
O të votojmë me konsensus të gjithë së bashku, o të ndahemi në mbrojtës të dritës, e të errësirës. Prej 25 vitesh ua bëjnë ujë gjakun e shqiptarëve. I bëj thirrje kreut të PD të sillet si lider, se ka mbi supe përgjegjësin e një barre, nga ato që historia nuk i sjell përditë në udhëheqjen e një opozite. I kemi plotësuar opozitës kërkesën themelore për barazi të plotë në realizimin e reformës, por nuk mund t’ia plotësojmë kërkesën për të kundërshtuar SHBA dhe BE. PD ka kërkuar në këtë proces të gjithë atë që meriton, dhe e komplimentoj Bashën për rrekjen e tij për gjithë atë që kanë arritur. Por PD nuk mund të marrë atë që nuk i takon.
Thirrja ime për ndërgjegjen e çdo deputeti opozitar nuk është blerje, por përpjekje për të mos lënë gur pa lëvizur jo për hesapin aritmetik për qeverisë, por llogarinë morale të vendit që unë qeveris. Shantazhet, baltosjet, fjalë për djegie mandatesh, nuk më bëjnë një.
Unë kam qenë, jam dhe do të jem deri në orën 10:00 të datës 21 korrik për konsensusin dhe kam bërë gjithçka për këtë.
Të bashkojmë të gjitha partitë, të miratojmë bashkërisht reformën në drejtësi. Duke iu dhënë të gjithëve mesazh se s’ka asgjë të pamundur kur të gjithë jemi bashkë
Komentet