Ignazio Cassis në fund të konferencës ilustroi kriteret themelore të Deklaratës
VOAL- “Principi di Lugano”, ose “Parimet e Luganos”, ja rezultati i Konferencës për rindërtimin e Ukrainës më 4 dhe 5 korrik 2022. Presidenti i Konfederatës, Ignazio Cassis, i ilustroi sot, të martën, duke mbyllur konferencë në Palazzo dei Congressi.
“Deklarata e Luganos” fokusohet veçanërisht në shtatë parime, të fokusuara në reformat strukturore të Ukrainës të nevojshme për të krijuar një shtet gjithëpërfshirës, të barabartë, demokratik dhe të ligjshëm. Kjo do të bazohet në respektimin e të drejtave njerëzore, sociale dhe kulturore. Për më tepër, duhet të garantohet niveli më i lartë i transparencës në mënyrën se si do të përdoren fondet e rindërtimit dhe aksesi i plotë në to nga të gjithë aktorët socialë dhe ekonomikë, pa përjashtim: barazia dhe përfshirja duhet të jenë fjalët kryesore.
Më në detaje:
1. Partneritet
Procesi i rindërtimit do të jetë në duart e autoriteteve ukrainase, por me mbështetjen dhe bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtarë
Ecuria e planit të rindërtimit, si dhe përdorimi korrekt i fondeve të akorduara do të verifikohen përmes vlerësimeve të rregullta.
2. Reformat
Plani i rindërtimit synon të përshpejtojë dhe thellojë arritjen e objektivave të reformës ukrainase në përputhje me atë që kërkohet për t’u bërë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian
3. Transparenca, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit
Plani i rindërtimit të Ukrainës duhet të jetë transparent dhe i përgjegjshëm ndaj popullit ukrainas. Sundimi i ligjit do të duhet të forcohet në mënyrë strukturore dhe të çrrënjoset korrupsioni sistemik. Të gjitha fondet e alokuara do të duhet të ndahen në mënyrë të drejtë dhe transparente.
4. Pjesëmarrja demokratike
Procesi i rindërtimit duhet të jetë rezultat i një përpjekjeje kolektive nga i gjithë populli ukrainas dhe i bazuar në pjesëmarrjen demokratike të të gjithë ukrainasve, përfshirë ata që janë aktualisht jashtë vendit për shkak të konfliktit. Për më tepër, do të duhet të mundësojë krijimin e një sistemi efikas të vetëqeverisjes lokale dhe decentralizimit shtetëror.
5. Bashkëpunim në të gjitha nivelet
Procesi i rindërtimit duhet të lehtësojë bashkëpunimin midis aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë ukrainas, duke përfshirë sektorin privat, aktorët e shoqërisë civile, akademikët dhe të gjithë aktorët vendorë.
6. Barazia gjinore dhe përfshirja sociale
Procesi i rindërtimit duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të sigurojë barazinë gjinore, si dhe respektimin e të drejtave njerëzore, ekonomike, kulturore dhe sociale.
Të gjithë duhet të përfitojnë nga procesi i rindërtimit dhe askush nuk duhet të përjashtohet. Pabarazitë do të duhet të reduktohen.
7. Qëndrueshmëria
Plani do të duhet të rindërtojë një Ukrainë të qëndrueshme, në përputhje me Axhendën 2030 për zhvillim të qëndrueshëm dhe me parimet e Marrëveshjes së Parisit, duke integruar dimensionin mjedisor së bashku me atë social dhe ekonomik si dhe atë të tranzicionit të gjelbër. rsi-eb
Komentet