Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara forcuan shqetësimin pë rritjen e kërcënimit ushtarak dhe të sigurisë ekonomike nga Kina dhe i bënë thirrje Pekinit të ushtrojë trysni ndaj Rusisë që të ndalojë agresionin ushtarak dhe të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.
Në deklaratën e takimit të nivelit të lartë të G7-ës në Hiroshimë, të Japonisë, grupi i 7 vendeve më të pasura kritikoi përdorimin e “trysnisë ekonomike” nga ana e Kinës, rritjen e pranisë ushtarake në Detin e Kinës së Jugut, dhe “veprimet e saj ndërhyrëse” që synojnë të cënojnë sigurinë e diplomatëve, integritetin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik.
Edhe në deklaratë, vendet e G7-ës u zotuan “për mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, ndërsa përballet me agresionin e paligjshëm nga Rusia”.
Grupi, i cili përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian, tha se nuk synohet dëmtimi i Kinës dhe as pengimi i zhvillimit ekonomik të saj, ndërsa i bëri thirrje Pekinit që të angazhohet me G7-ën për klimën, ristrukturimin e borxhit të vendeve në zhvillim, shëndetin global dhe stabilitetin makroekonomik.
Trysnia ekonomike
Më herët të shtunën, drejtuesit e G-7ës shpalosën “Platformën e Koordinimit për Trysninë Ekonomike”, një kornizë e re për t’iu kundërvënë përdorimit të praktikave ndëshkimore tregtare për qëllime politike. Ky kuadër, perceptohet se i kundërvihet Kinës, megjithëse ajo nuk përmendet me emër.
Me një deklaratë, vendet e G7-ës u shprehën se korniza e re do të shtojë masat “studimore, përgatitore, parandaluese dhe reaguese”, për të “eksploruar përgjigje të koordinuara, kur të jenë të përshtatshme, dhe për t’iu kundërvënë trysnisë ekonomike”, në përputhje me kuadrin ligjor të vendeve anëtare.
“Këto mjete të sigurisë ekonomike përfshijnë hapa për të rindërtuar qëndrueshmërinë në zinxhirët tanë të furnizimit. Ato do të përfshijnë edhe hapa për të mbrojtur kontrollin e eksporteve dhe masa për investimet e jashtme”, tha Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan gjatë një seance informimi të shtunën në Hiroshimë.
Nga Pekini, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin, reagoi të premten në lidhje me masat e planifikuara.
“Nëse takimi i G-7ës dëshiron të diskutojë çështjen e trysnisë ekonomike, më mirë le të diskutojë fillimisht se si Shtetet e Bashkuara ushtrojnë trysni ndaj gjashtë vendeve të tjera anëtare”, tha ai.